
Artan Nati/
“L’état, c’est moi,” tha Louis XIV: “Unë jam shteti”. Louis ishte një monark absolut, fjala e të cilit ishte ligji, dhe t’i shërbeje Francës do të thoshte të ishe personalisht besnik ndaj vetë Louis. Kishte avantazhe të dukshme për një sistem të tillë: nuk kishte paqartësi se ku qëndronte autoriteti, nuk kishte kohë të humbur në debate legjislative, nuk kishte nevojë për të bashkuar koalicionet për t’i përfunduar gjërat. Megjithatë, Franca e Louis, shteti më i fuqishëm i Evropës, u sfidua dhe tejkalua nga Anglia që ishte një monarki kushtetuese (pas Revolucionit të Lavdishëm të 1688). Dhe në luftërat anglo-franceze që pasuan, Franca në përgjithësi doli e humbur, ndërkohë që rrëshqiti gjithnjë e më thellë në krizën fiskale, një krizë që përfundimisht ndihmoi në përshpejtimin e Revolucionit Francez. Pse një monarki absolute ishte më e dobët, në praktikë, se Anglia demokratike(monarki kushtetuese)? Një arsye ishte se vetë mungesa e kufijve për sundimtarin minonte besueshmërinë franceze: Çfarëdo që mbreti mund të premtonte, ai gjithmonë mund të ndryshonte mendje. Jo rastësisht, Franca dështoi vazhdimisht në borxhin e saj, ndërsa Anglia e pas vitit 1688, mbreti i saj i kufizuar efektivisht nga Parlamenti, nuk e bëri kurrë. Si rezultat, Anglia ishte shumë më e suksesshme në huamarrjen e kohës së luftës dhe pagoi norma interesi shumë më të ulëta.
Gjë që na sjell, si të gjitha gjërat këto ditë, te Edi Rama, një njeri që ka përbuzje të dukshme për sundimin e ligjit dhe që, ashtu si Louis, nuk sheh asnjë dallim mes besnikërisë ndaj kombit dhe besnikërisë ndaj vetes. Dallimi kryesor është se Louis duket se të paktën është përpjekur të kuptojë çështjet dhe të veprojë në interes të kombit. Kur themi Rama, nënkuptojmë edhe paraardhësit e tij dhe ky është një fenomen tipik jo vetëm shqiptar, por ballkanik dhe më tej mund të themi ka të bëjë me kulturën ortodokse të kombinuar me otomanizmin. Nqs sistemin komunist mund ta quajmë një fatkeqësi ose aksident historik, sistemin në të cilin jetojmë dhe zgjodhëm me vullnet të lirë, sot emërtohet dhe gjykohet në mënyra të ndryshme. Disa thonë se mbi këtë vend egziston një mallkim, të tjerë thonë se vendi është i bekuar, por janë njerëzit të mallkuar, të tjerë mendojnë se vendi dhe njerëzit janë të bekuar, por janë drejtuesit të mallkuar dhe të shitur. Kush është e vërteta, nqs ka një të tillë? Shumica e shqiptarëve nuk duan të mendojnë gjatë për këtë dhe marrin rrugën e emigracionit, ose i futen rrugës së korrupsionit duke e zhytur vendin edhe më shumë në mjerim.
A duhet menduar ndonjëherë shumë për sistemin ekonomik në të cilin ndodhemi dhe përse nuk funksionon si në perëndim? A do të thoshit se ka një ‘shpirt’ që e lëviz atë? Sociologu Max Weber ishte i magjepsur nga ndikimi i mendimeve dhe besimeve në histori, dhe veçanërisht pse feja dukej të ishte një faktor i rëndësishëm në përcaktimin e niveleve të pasurisë. Pyetja e Weber ishte, pse klasat më të pasura në Gjermani, Holandë, Gjenevë dhe Skoci, si dhe grupet që u bënë puritanët amerikanë, donin të lëviznin në këtë drejtim? Me siguri liria dhe prosperiteti vijnë me më pak, jo me më shumë, kontroll fetar dhe kontroll e diktat qeveritar. Shpjegimi konvencional ishte se, në shekujt 16 dhe 17, qytete dhe rajone të veçanta në Gjermani e kishin hedhur poshtë sundimin e kishës katolike dhe në lirinë e papritur nga një regjim represiv që kontrollonte çdo aspekt të jetës së tyre, ata ishin në gjendje të ndiqnin interesat ekonomike dhe të bëhen të begatë. Pra kishte një lidhje midis ngritjes së kapitalizmit dhe një etike të vetëkontrollit të lidhur me reformimin protestant. Pse puritanët në SHBA ndërtuan demokracinë dhe përse u ndërtua diktatura në Amerikën Latine? Përse Italia dhe Greqia janë më të prapambetura se vendet e tjera europiane?
A eshte Shqiperia e kapur nga oligarket apo selia e korrupsionit eshte zhvendosur ne vete seline e qeverise? Elitat në pushtet nuk kanë më legjitimitet. Ato e kanë shkatërruar demokracinë tonë kapitaliste dhe e kanë zëvendësuar me një shtet mafioz. Atë që filozofi romak Ciceroni e quajti “commonwealth”, një res publica, një “gjë publike” ose “pronë e një populli”, është shndërruar në një instrument të plaçkitjes dhe shtypjes së zhveshur në emër të një oligarkie. Konsolidimi absolut i pushtetit është ajo që ëndërron çdo lider në Shqipëri.
Shqipëria është një kleptokraci e korruptuar, autokratike e përqendruar në udhëheqjen e Edi Ramës, në të cilët zyrtarët, oligarkët dhe krimi i tyre janë të lidhur së bashku për të krijuar një “shtet mafioz virtual”. E vërteta është se ne e ndryshuam sistemin dhe përqafuam vlerat perëndimore dhe hodhëm poshtë me neveritje komunizmin, por nuk ndryshuam mendësinë tonë. Drejtuesit tanë të shtetit flasin për demokracinë dhe ekonominë kapitaliste, por mendësia është e njëjtë dhe harrojnë se dallimet thelbësore që dallojnë shoqëritë njerëzore dhe qeniet njerëzore nuk janë biologjike. Ato janë kulturore. Njerëzit dhe shoqëria e urren ndryshimin, por është e vetmja gjë që ka sjellë përparim. Kultura nuk ndryshon sepse ne dëshirojmë ta ndryshojmë atë. Kultura ndryshon kur shoqëria transformohet dhe kultura pasqyron realitetet e njerëzve që punojnë së bashku çdo ditë.
Në kushtet e mungesës së presionit nga poshtë lart, si pasojë edhe emigracionit masiv të rinisë, e vetmja mundësi ndryshimi është nga lart, por jo nga e njëjta elitë me mendësi të vjetër dhe e painteresuar për ndryshim. Duket sikur yjet kësaj rradhe janë rreshtuar në favor të Shqipërisë dhe interesat e superfuqisë së vetme në botë janë në favorin tonë dhe në kundështim me pengmarrësin e rajonit tonë, Rusisë autoritariste dhe aleate e armiqëve tanë historikë. Margaret Mead thoshte se “Asnjëherë mos dyshoni se një grup i vogël qytetarësh të mënçur dhe të përkushtuar mund të ndryshojë botën; me të vërtetë, është e vetmja gjë që ka ndodhur ndonjëherë”. Pa dyshim fjala është për SPAK-un si përfaqësuese e denjë e drejtësisë së re shqiptare dhe e frymëzuar, financuar dhe drejtuar nga SHBA, Ashtu si Mead thotë, ky grup i vogël ka tronditur sistemin politik, ekonomik dhe institucional në Shqipëri dhe të gjithë ne kemi shpresë se me ndryshime të tilla të ndryshojnë marrëdhëniet midis nesh dhe të lëmë pas mentalitetin e vjetër bizantin e komunist. Kështu ndodhi në Gjermani me lëvizjen protestante, e cila filloi nga një njeri i vetëm por u mbështet nga një popull i tërë e më vonë u përhap në gjithë europën veriore. Kështu ndodhi në Kroaci, Rumani dhe në Itali më parë, vende të cilat me mbështetjen amerikane dhe europiane, arritën të luftojnë korrupsionin dhe të bëhen anëtare të denja të komunitetit europian.