Nga Ramiz LUSHAJ/
1.Sivjet, Shqipëria Londineze, i ka 49 ambasadorë të dekretuar e akredituar në botë, gjithnji sipas faqes zyrtare të MPJ të Shqipërisë, e cila mban për okelio, në kryevend, thanien “Shqipëria Jo Duhanit (!). 7 ambasadorë janë në organizata ndërkombëtare: OKB (Nju Jork e Gjenevë), NATO, BE, OSBE, KE, UNESCO. 42 ambasadorë janë me seli diplomatike në 42 shtete. 29 në kontinentin europian tokë e ishuj, nga të cilët 11 në gadishullin tonë ballkanik. 2 në Amerikën e Veriut – SHBA e Kanada. 9 në Azi – Izrael, Japoni, Kinë, Indi, Arabi Saudite, Malajzi, Kuvajt, Emiratet e Bashkuara Arabe, Katar. 1 në Afrikë (Egjypt) dhe 1 në Amerikën e Jugut (Brazil). Aq sa kam njohje kisha me thanë se aktualisht rreth 20 ambasadorë shqiptarë janë në listë-pritje njëvjeçare ose të pathirrun astenjiherë ndërvite në kit’ detyrë të lartë nga shteti shqiptar, nga trekandshi vertikal: Ministri i Jashtëm-Kryeministri-Presidenti.
Fatkeqësisht, nga rreth 60 ambasadorë shqiptarë të derisotëm, që janë në detyrë ose të larguar, asnjani prej tyre nuk e ka gradën e lartë “Ambasador”, po veçse e kanë fituar kit’ emër zyrtar e popullor nga posti i tyre ndërvite diplomatike.
Prapë po e rithem, fatkeqësisht, jemi i vetmi vend në Europë që nuk kemi asnjë diplomat me gradën “Ambasador” (!) Ky është një shembull i pazakontë edhe për shtete të Afrikës apo Azisë të përfshira nga luftra rajonale e civile në dekada të fundit.
Sigurisht nuk ka asnji argument shfajësues e as tolerues ky fakt: Kemi 70 vjet vend i çliruar, 70 vjet nga çlirimi i Tiranës, metropolit shqiptar. Një çerek shekulli nga Lëvizja e Dhjetorit ’90. Patjetër, të mjafta që të kemi ambasador të karierës, “Ambasador” me gradë, me dekret të veçantë presidencial.
Fatmirësisht kemi dhe një Ligj të standartit euro-atlantik “Për shërbimin e jashtëm të Republikës së Shqipërisë”, i cili mban nr. Akti 9095 e i datës 3 korrik 2003. Kemi edhe një Rregullore bashkëkohore për Sherbimin e Jashtëm të Republikës së Shqipërisë me plot 23 faqe. Këto të dyja, në disa nene të tyre, përcaktojnë kushte e kritere për marrjen e gradës “Ambasador”: Jo ma pak se 21 vjet vjetërsi të integruar në punë në MPJ e Shërbimin Diplomatik, nga të cilat të paktën dy mandate si ambasador, 2.5 vjet “Ministër Fuqiplotë”, etj.
Mbi të gjitha kemi edhe diplomatë shqiptarë që i plotësojnë këto kushte e kritere. Nuk janë të pakët. I kemi të mirë. Disa prej tyre janë fokusue edhe si kandidatura për President të Republikës së Shqipërisë si Artur Kuko, Qirjako Qirko. Absurdi shqiptar: mund të jesh edhe President i Shqipërisë po nuk ta japim gradën “Ambasador” i Shqipërisë (!) Absurdi tjetër: para do kohësh një gjyqtar më thotë se diplomati Shpëtim Çaushi po e kërkon gradën “Ambasador” në dyert e shkallët e gjyqësorit shqiptar (!) Po ka edhe diplomat të tjerë meritor me kit’ gradë, si diplomati i karierës Dashnor Dervishi, Kastriot Robo…dhe disa të tjerë. Nuk e di a iu jepet kjo gradë dhe atyre që kanë ndrrue jetë në dy dekadat e fundit si diplomati Ljublin Dilja ish “Ministër Fuqiplotë” në Ambasaden e Shqipërisë pranë OKB në Nju Jork, diplomati Florent Çeliku e të tjerë. Ç’ka them kështu: kur nuk ua japin të gjallëve si do ua japin atyre që ikën herët nga kjo jetë, nga kjo botë (!)
Troç po e them pse nuk ua japin gradën “Ambasador” diplomatëve shqiptarë të mirënjohur e meritor në karierën e tyre diplomatike: Disa diplomatë i keqcilësojnë si “të Berishës”, si “të Nanos”, si “të këtij apo atij presidenti”, ndonjanin e sulmojnë për shkak të mbiemrit, nistue nga vendlindja e tij, ndokujt ia mbajnë “nën dorë” inatin e cekjes në ndonjë post të lartë në shtet, etj. Paragjykimet e pandame politike ua mbulojnë përkohor meritat e tyre diplomatike, ua pengojnë me shtysa e qyta gradat diplomatike, etj. Edhe në vet MPJ ka hile me kile dhe bunarë me xhelozi kariere. Këto fakte e dukuri i kam pa e ndesh disi nga afër e lerg pasi kam punue disa vite në Drejtorinë e Shërbimit të Trupit Diplomatik të MPJ (2006-’09). Çështje të brendshme të kësaj natyre po e pengojnë e demtojnë shërbimin e jashtëm të Shqipërisë në veprimtarinë e tij dhe në imazhin ndërkombëtar.
Komisioni për Gradat Diplomatike, sipas Rregullores së Shërbimit të Jashtëm të Republikës së Shqipërisë, funksionin në MPJ me pesë antarë e me të drejtë sanksion për t’u mbledh periodikisht çdo muaj të vitit kalendarik. Këta duhet të japin grada të tilla si: ambasador; ministër fuqiplotë; ministër këshilltar; këshilltar; sekretar i parë; sekretar i dytë; sekretar i tretë; atashe si dhe ato në shërbimin e jashtëm konsullor të Shqipërisë. Patjetër, këta janë funksional, japin grada të tilla vazhdimisht, shkallë-shkallë, deri tek ato ma të lartat: “Ministër” apo “Ambasador”. Këtu bollis e bullis ajo shprehja për shtat” “Ndal Beg se ka hendek”. Kush janë “Beg” po e dijmë. Kush është “Hendeku” shumkush nga diplomatët shqiptarë e ka përjetue e mësue ndërvite.
Çështja shtrohet me sirenë diplomatike, politike, kombëtare. Gjithqysh. O sot, o kurrë. Të mos e lamë shërbimin e jashtëm të Shqipërisë Londineze në kit’ ditë të pameritueme as prej kontributeve të tij traditë e vlera dhe as prej ecurive e lartësimeve të shtetit shqiptar të sotëm. Nuk i falet Shqipërisë të mos ketë sot asnjë diplomat me gradën “Ambasador”, të ketë vetëm një “Ministër Fuqiplotë”, dy apo tre “Ministër Këshilltar”. Po diplomatë me këto grada edhe po të jenë 30 të tillë prapë janë pak. Shumë pak.
Gradën diplomatike “Ambasdor” e propozon Ministri i Jashtëm, e miraton Kryeministri dhe e dekreton Presidenti i Shqipërisë. Kjo “treshe” duhet me e terezit mirë kit’punë që nuk duron kopili jo vetëm politike po prêt drejtësi të shpejtë.
Shteti me strkturat e nivelet e tij nuk duhet të tregohet i padrejtë me diplomacinë shqiptare në dy shekujt e fundit, me diplomatët shqiptarë që kanë dhanë shumë për shtetin e kombin e vet. Fjala vjen: Shumkush u dekorue në 100 vjetorin e Pavarësisë po Presidenti i kësaj kohe të afërt, Bamir Topi, nuk dha asnjë dekoratë për një diplomat të vetëm. Nëse nuk ia mbushnin synin këta diplomatët e sotëm këtij kryespecialisti të blegtorisë le t’ia mbushte mendjen Faik Konica. Le ta dekoronte të paktën atë, që i bante nder gjithkujt e nuk i prishte punë askujt. I nderuar do të ishte çdo president shqiptar sikur të dekoronte, për shembull, edhe diplomatin e madh Rauf Fico, i dekoruar nga Mbreti Zog, nga Franca, Perandoria Austro-Hungareze, Italia, Bullgaria, po jo nga Shqipëria e pas 1990-tës. Gjithashtu, i nderuar do të ishte çdo president shqiptar sikur të dekoronte edhe diplomat të pasçlirimit, si diplomatin Jovan Antoni, ish partisan i luftës, në misione diplomatike të Shqipërisë, drejtor në vite i Protokollit të Shtetit në MPJ. Shembujt të tillë ka plot, po puna po ban not. Nuk po del në breg…Po mëkatarë janë edhe ish presidentët e tjerë të Shqipërisë. Vetëm presidenti Alfred Mosiu e ka dekorue më 11 dhjetor 2006 me “Medalja e Mirënjohjes” ambasadorin Arben P. Cici, i sapo larguar nga ambasador në Kroaci e i ardhun pas disa muajsh (2007-2010) si Këshilltar Diplomatik i Presidentit. Çdo shtet euro-atlantik në BE e NATO po ta marrin vesh se Shqipëria në 30 vjet ka dekorue vetëm një diplomat do ta para-gjykonte keqaz Shtetin Shqiptar, çdo president e kryeministër të tij. Sikur Shqipëria të dekoronte edhe dhjetë diplomatë të sotëm është pak.
Pse u vendos një Ministër i Jashtëm me emrin Ditmir do të ketë “Ditë të Mira” edhe MPJ e Shërbimi Diplomatik e Konsullor i Shqipërisë Londineze. Nuk po duam as me na i kujtue fjalët e Naim Frashërit: “ Ditë të mira paskëtaj vijnë…”. Çështja shtrohet sotpërsot, brenda ditës, pa kalue muaji nëntor, as ky vit kalendarik 2014, me një pyetje që prêt përgjigje: Pse po e lini Shtetin Shqiptar pa asnjë diplomat me gradën diplomatike “Ambasador”, si askund në botë, si askush në planet.