

Julika Prifti/
Teatri Professional Petro Marko në Vlorë hapi mjediset e tij për një eveniment jo teatral por një ekspozitë të titulluar “Aromë Hungarie” të fotografit të njohur Roland Tasho. Ekspozita po udhëton në qytete të tjera të Shqipërisë në kuadrin e javës së kulturës hungareze.
Fjalën e hapjes e mbajti Drejtori i Teatrit Artur Dhamo i cili pasi përgëzoi fotografin Roland Tasho ia dha fjalën Ambasadores hungareze në Tiranë znj. Martina Kasnyik. Ajo falenderoi pjesëmarrësit e shumtë në sallën e hyrjes së teatrit dhe foli për lidhjen kulturore shumëvjeçare të dy vendeve. Ajo tha se në hapjen e ekspozitës ishin ftuar edhe artistë hungarezë që luajtën disa pjesë muzikore për të pranishmit.
Fotografi Roland Tasho shpjegoi se fotografitë e përzgjedhura në ekzpozitë ishin subjekte të ndryshme si ndërtesa historike të Budapestit, një nga kryeqytetet më të bukura të Evropës, figura të shquara shqiptare si Skënderbeu, Nënë Tereza të përjetësuar në statuja në parqe të Hungarisë, momente nga ndeshje sportive midis dy vendeve tona dhe portrete të diplomatëve hungarezë me kostume kombëtare shqiptare.
Banda Flaska interpretoi pjesë folklorike popullore hungareze të cilat u pëlqyen nga pjesëmarrësit që mbanin ritmin gjatë programit artistik. Atmosfera u bë edhe më e gëzueshme nga kërcimtari i bandës i veshur me kostum tradicional hungarez. Për të ftuarit u shërbyen pije e fruta ndërsa pjesëmarrësit bisedonin me entuziazëm e admirim për fotot profesionela dhe peizazhet e paraqitura në ekspozitë. Shumë përuronin fotografin Roland Tasho dhe fotografoheshin me të.
Ekspozita do të jetë e hapur këtë javë për tu vizituar nga shumë artdashës dhe admirues të artit fotografik që kur është e arritur flet në gjuhën e vet unike siç është fotografia e Roland Tashos.