Nga Ramiz LUSHAJ/ 1.
Një Gupim Gjashtëshe (West Balkan Six), tip “Komënuelthi Ballkanik”, po siluron si nismë diplomatike e Malit të Zi. Arkitekt prijtar ka kryeministrin socialist, 51 vjeçarin Millo Gjukanoviç, ndërsa ideolog, pasues e zbatues ministrin e jashtëm malazes, 37 vjeçarin Igor Luksiç – ish kryeministër (2010-dhjetor-2012), ish ministër i financave. Përpjekjet për të tilla lidhnaja ballkanike janë të vjetra sa Rusia Cariste, Serbia Berlineze, Jugosllavia Versajiste, janë të reja sa vet koha pas rënies së Murit të Berlinit.
Ky termi “Ballkani Perëndimor”(BP) u pagëzue në vitin 2000 në Zagreb (Kroaci) në Samitin BE-BP, që përfshinte shtete të Procesit të Stabilizim-Asocimit (pa Slloveninë e plus Shqipërinë dhe tevona, pas Kroacisë-edhe Kosova). Ky “Union BP”, përndryshe:“Jugosllavia e Re”, në projektin e vet, i përfshin gjashtë shtete: Mali i Zi, Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Serbia, Bosnje-Hercegovina. Dy shetet e tjera ballkanike: Sllovenia e Kroacia nuk e pëlqejnë një federatë të tillë, pasi e shohin si tepër të dyshimtë rolin e qëndrimet e Serbisë, etj. Sllavët e Malit të Zi e të Serbisë, veçanarisht pas 1 korrikut 2013 të antarësimit të Kroacisë në BE, duan t’i kthetrojnë medoemos e me përngutje ofensive në këtë nismë të re ballkanike, Shqipërinë e Kosovën.
Në strategjinë e paarritshme Gjashtëshja Ballkanike (G-6) parashikon në ardhmëri disa përbashkmëri edhe përtej modelit të avancuar Nordik: një Asamble Parlamentare (10 përfaqësues nga secili shtet antar, me seli qëndrore në Beograd), një treg ekonomik, një polici, një sistem të edukimit e të arsimimit; bashkëpunime disaplanëshe si në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar, etj.
Kjo nismë malazeze, në (prapa)skenën e saj diplomatike e politike nuk është gja tjetër veçse një “Komënuelth Serb”, në një farë përafërie sikurse Komënuelthi i sotëm Rus. Krijimi federal i një “Jugosllavie të Re”, e katërta në histori, është e rrezikshme për vet Ballkanin e Europën. Jugosllavia Versajiste, Avnojiste, Unioniste millosheviçiane u përmbytën në gjakun e dy luftërave botërore e të tri luftërave ballkanike, tue përfshi si “të tretën luftë” edhe këto ma të fundit në Kroaci, Bosnje-Hercegovinë e Kosovë.
Presidenti i Serbisë, ekstremisti kundërshqiptar Tomisllav Nikoliq, gjatë vizitës së tij në fundgusht 2013 në kryeqytetin kinez, Pekin, deklaroi botërisht:“Serbia do të jetë lider i Ballkanit”. Përndryshe: i kësaj “Jugosllavie të Re” në projekt gjeostrategjik, që po merr udhënisjeje të nëndheshme mafioze për zbatim diplomatik, politik, ekonomik, etj.
Bashkimi Europian në Bruksel, me disa personalitete si politikani e diplomati çek, Stefan Fyle e të tjerë dhe struktura të saj si RCC në Sarajevë, me drejtues diplomatin serb, Goran Svilanoviç, etj. po e promovojnë në forma e metoda dhe me praktika e mjete të ndryshme platformën e ecurinë e kësaj nisme të Malit të Zi gjukanoviçian. Këta të dy e të tjerë, shpeshherë e gjithandej, këtë nismë malazeze ua (keq)paraqesin shteteve ballkanike dhe botës euro-atlantike në emër “të integrimit në Bashkimin Europian”, etj.
Kjo nismë malazeze e prosllave ka lidhjen e peshën e vet ajzberige edhe me Dialogun e hapur Kosovë-Serbi; edhe me traktate e marrëveshje ndërballkanike si kjo e pritshmja “Traktati i Miqësisë, Bashkëpunimit, Fqinjësisë së Mirë dhe Sigurisë” në mes dy shteteve shqiptare: Shqipërisë e Kosovës (Rama-Thaçi); edhe me ndikime në rrotacione politike ballkanike si në Shqipëri veçanarisht pas fjalës kombëtare të Sali Berishës më 25 nëntor 2012 në Shkup, etj.; edhe në krijimin e një trekandëshi të liderëve Rama-Thaçi-Gjukanoviç për t’i pasë bota euro-atlantike e ballkanike si “faktor paqeje e stabiliteti” në këtë pjesë të Ballkanit Perëndimor, etj.
Disa politikanë euro-ballkanik duhet të tregojnë ma tepër vëmendje që “Bisedimet Kosovë-Serbi”, të stërgjatura e me disa arritje të njohura, të mos instrumentalizohen nga (pro)sllavët me kahje që çojnë në hulli shovene të tilla si kjo nisma federaliste e Malit të Zi të Gjukanoviçit kundërshqiptar, politikanit ma jetëgjatë në Ballkan, ish mik i vjetër i Millosheviçit. E ngrejmë këtë çështje me problematika në rritje sepse “eposi” euro-atlantik e ballkanik i këtyre “Bisedimeve” në një korridor pa dalje fitimtare për shqiptarët, qyshse tani në hapat oazorë të nismes unioniste të Gjukanoviçit, kanë krijue dhe po përcjellin disa fenomene të rrezikshme. E para: po krijohet një diferencim proçesor i (pa)ndjeshëm e i disaanshëm në mes dy shteteve shqiptare në Ballkan, midis Shqipërisë dhe Kosovës. E dyta: mbi këtë hendek të saponisur, me zhelozi në rritje e rivalitet të heshtur, klasa politike zyrtare e Tiranës po e kaluçon Kosovën për me shkue turravrap në Beograd. Prisni, shikoni, dëgjoni: shumë shpejt edhe Edi Rama do falmeshëndetet në kryeqytetin e serbëve. Në asnjë kryeqytet ballkanik fqinjë me Shqipërinë Tirana zyrtare, klasa politike elitare kombëtare e saj, nuk mund të shkojnë në asnjë rast sipas formulës diplomatike-politike të Edi Ramës “Zero probleme me fqinjët”(!) Rruga e politikanëve shqiptar të Tiranës për në Beograd kalon vetëm nga Prishtina e Presheva e, pse jo, edhe nga Sanxhaku shqiptar (Novi Pazari – Tregu i Ri) dhe vetëm duke u zgjidhur problematikat shqiptare të prejkohshme e të reja.
Në start e ecuri të kësaj nisme malazeze diçka është fort e qartë dhe shumë e sigurtë: Të parët do të përfitojnë Serbia dhe Mali i Zi për vete e nga të tjerët. Serbia qyshse në nisje po e përdor këtë nismë për t’u integruar sa më shpejt në BE, duke mos e njohur Kosovën si shtet i pavarur e antar në OKB. Mali i Zi, shtet gjeo-strategjik bregdetar e malor, me rolin e tij promotorr i shtohen pikët për antarësim në BE e në NATO.
Të parët e të fundit, si gjithmonë – edhe kësaj here, do të humbasin Shqiptarët në Ballkan (Shqipëri, Kosovë, Mal i Zi, Maqedoni, Luginën e Preshevës). Qyshse në start kjo nismë sllave e parasheh Kosovën në kuadrin e Rezolutës 1244 të OKB, me status të kategorisë së dytë, si “territor i (pa)varur”. Mjafton vetëm ky fakt që Shqipëria, shtet 101 vjeçar, të mos bahet pjesë diplomatike, politike e administrative e kësaj nisme të Malit të Zi, këtij shteti republikan 8 vjeçar.
Kosova, me gadishmërinë e saj për të mbështet çdo nismë ndërkontinentale integruese, edhe në takimin e 16 korrikut 2013 në Budva ishte në nivel përfaqësimi si MPJ me një drejtor të përgjithshëm dhe me drejtorin për Ballkanin). Tani, Kosova,e njohur si shtet i pavarur nga 105 vende të botës, ende ka kohë të tërhiqet ende pa hyrë në thelluta të kësaj nisme slave.
2.
Komisioneri Europian për Zgjerimin, Stefan Fyle, mbetet një nga përkrahësit e flaktë të “Inisiativa G-6” të Malit të Zi. Vet zëdhënësi i tij, Peter Stano, pohoi para disa ditësh: “Komisioneri për Zgjerim e përkrah këtë inisiativë, në përputhje me rëndësinë që ajo atribuon për bashkëpunimin rajonal”. Komisionieri Fyle, disi i njohur për disa shtysa (jo)politike edhe për integriminin e Shqipërisë në BE, ndihej i interesuar për kryenegociator i bisedimeve Kosovë-Serbi, sidomos në kohë-krizën e bisedimeve në prill 2013 kur shefja e diplomacisë europiane, baronesha Ashton, paralajmëroi se mund të japë dorëheqjen. Nejse! Gjithësesi, shpresojmë që ky burrështetas, ky komisioner europian, të mos kapërthuret shumë në këtë nismë malazeze e prosllave, por të flasin e të veprimtarojnë ma shumë në emër të së ardhmes se sa të shkuares, t’i shohin shqiptarët në kompleks e pa komplekse si një faktor politik e demografik në Ballkanin Perëndimor, pasi janë të dytët për nga popullsia, etj.
Këshilli Rajonal i Bashkëpunimit (RCC) me seli në Sarajevë e zyrë ndërlidhëse në Bruksel (në BE) po kërkon në mënyrë diplomatike-politike publike, të paktën qyshse në takimin e 16 korrikut 2013 në Përzhno (Budva) në Mal të Zi, që të jetë “dora ekzekutive” e këtij “Unioni” të Ballkanit Perëndimor. Pse po ndodh kjo?! Sekretar i Përgjithshëm i RCC është 50 vjeçari Goran Svilanoviç, ish ministër i Jashtëm i Unionit Serbi-Mali i Zi në kohën e Millosheviçit. Ky e drejton RCC, këtë institucion vazhdues i Paktit të Stabilitetit për Europën Juglindore (SEECP), i cili grupon 46 vende, organizata ndërkombëtare, institucione financiare, dhe prej shkurtit 2013 përfaqësohet edhe Kosova (pa siglen: UNMIK).
Këta të dy, Fyle e Svilanoviç dhe nga stafet e tyre, e kanë kaluar nëpër duart e bisedat e veta platformën malazeze të këtij Komënuelthi qyshse kah prilli 2013. Pra, kanë pasë njohje e sugjerime para se dokumente të tilla t’iu shpërndaheshin “Gjashtëshes Ballkanike” (G-6). Të dy në bashkari iu kanë parapri apo i kanë ndjekë edhe takimet në Budva – Mal i Zi, në Ohër – Maqedoni e deri në Nju York – SHBA.
Komisionieri Fyle ishte nisiator edhe i një takimi diplomatik në nivel të lartë të gjashtë shteteve ballkanike, sipas disa burimeve, i mbajtur më 26 shtator 2013 në Nju Jork, me objektiv: jetësimin e “Unionit Ballkaniko-Perëndimor” apo siç i jep tjetër format Serbia: “Jugosllavia 4” (Versioni 4.0 i Jugosllavisë”).
Kjo dyshja Fyle-Svilanoviç i rrijnë deri në tepri në krah njani-tjetrit në ecuri e ngecje të kësaj nisme malazeze. Në takimin sa sekret dhe të hapur të 16 korrikut 2013 në Përzhno të qytetit bregdetar Budva në Mal të Zi dukej sikur Svilanoviçi i RCC ishte “i pari i vendit” me direktiva e kërkesa të tij demokratike, të dyshimta, etj. Po as Komisionieri Fyle nuk mungonte aty. Ishte ambasadori i Delegacionit të BE në Mal të Zi, Mitika Drobniç, që i përcolli selamet diplomatike të diskutueshme të Fyles me thaniet (jo)diplomatike si: nisma malazeze, ky takim në Budva, po ndodh “në kohën e duhur”, Fyle “iu sheh të gjithëve si të barabartë”, etj.
Për çdo shqiptar kombëtar çështja është ma problematike nga ç’duket realisht. Diplomacia ndërkombëtare nuk mundet që në shek. XXI të futin Shqiptarët në një komënuelth të këtillë si ky “Jugosllavia 4”, siç veprohej dikur në konferenca ndërkombëtare, si ato të Berlinit (1878), Londrës (1913), Versajës (1919), etj. Kjo nuk duhet të paraqitetet nga asnjë palë ndërkombëtare apo rajonale si një mundësi, kusht apo alibi për antarësimin në Bashkimin Europian. Ne, shqiptarët e Ballkanit, do të integrohemi në BE vetëm me integritet kombëtar.
Dyshja Fyle-Svilanoviç apo ndokush tjetër nuk mund të jenë të dërguarit e Perëndisë dhe as të jenë vet Bashkimi Europian. Këta mund të kenë një rol frymëzues, përçues e realizues ndaj një nisme gjukanoviçiane të Malit të Zi për një “Jugosllavi të Re”. Mirëpo, Shqiptarët në dy shtetet e derisotme: Shqipëri e Kosovë, nuk i presin integrimin kombëtar e euro-atlantik as në Serbinë e Nikoliqit e Tadiçit, as në Malin e Zi të Gjukanoviçit, Vujanoviçit e Luksiçit, as në Maqedoninë e Gruevskit e Ivanovit, por me antarësimin në Bashkimin Europian.
3.
Pjesmarrja e Shqipërisë në nismen malazeze për një “komënuelth” të Ballkanit Perëndimor është një theqafje kombëtare. Përndryshe: u cilësue edhe si një “tradhëti kombëtare” mbi gjakun e plagët e të rënëve dhe mbi ëndrrat e sakrificat e të gjallëve. Kësodore, me të tilla etiketime politike e nacionaliste, u sulmue muajt e fundit edhe kryeministri Sali Berisha e qeveria e tij për “përfshirje” me pëlqim apo veprim në “Projektin Malazez”, për dhanie “konsensusi” për “Serbinë e Madhe”, etj., Mirëpo, ende hidhen dyshime të pambyllura për takime shqiptare të hapura apo të fshehta, si më 16 korrik 2013 në Budva të Malit të Zi, etj. Sidoqoftë, kundërshtari i tij politik, kryeministri pasues Edi Rama, deklaroi në mënyrë dinjitare në një konferencë online të 1 tetorit 2013: “Qeveria e mëparshme ka plot faje, po jo këtë”. Edhe Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, del disi “i larë” nga projekti për Unionin Ballkaniko-Perëndimor (UBP), pasi e bojkotoi Samitin e Ohrit të 1 qershorit 2013, ku atje u fol “në kambë e në dorë” për këtë projekt ballkanik, që po s’na futi ujë nën kambë sot, ka me na ra kokës nesër.
Kryeministri i ri, Edi Rama, deklaroi në atë konferencë online: Nuk ka një projekt të tillë?! Ashtu qoftë! Po kryeministri Ivica Daciç, kryetari i Partisë Socialiste Serbe, ka folur për një “lidhje ballkanike nordike”, të ngjashme me një “Beneluks Panshqiptar”(!) dhe ka deklaruar se këtë ide e ka pasë edhe ma herët, se Serbia “është ende në shqyrtim të saj”, etj. Këto qëndrime të kryeministrit serb, Daciçit kundërshqiptar, janë të muajit të kaluar. Këto i pohojnë edhe nga Milivoje Mihajloviç, zëdhënës i Qeverisë Serbe, edhe socialistja Dijana Vukomanoviq, anëtare e Komisionit për Integrime Europiane në Qeverinë e Serbisë, etj.
Vërtet shtetet ballkanike nuk japin detaje plotore rreth kësaj nisme malazeze, po i vërtetë është edhe fakti tjetër: Në zyra diplomatike e politike, natyrisht edhe në Shqipëri, ka ftesa, ka shkresa, e përveç këtyre qarkullon gjithandej edhe një farë platforme me 20 pika” etj. Pra, kësisoj, nuk është vetëm një ide, por me mjeshtëri diplomatike (jo)shovene po jetësohet ashiqare në realitetin gjeopolitik ballkaniko-perëndimor. Edhe nga vet Brukseli i Bashkimit Europian, pikërisht nga Komisionieri Europian për Zgjerim, Stefan Fyle, vjen një deklarim zyrtar mediatik: “Iniciativa G-6 e Malit të Zi, ka për qëllim forcimin e bashkëpunimit mes shteteve të Ballkanit Perëndimor”, etj.
Gjithandej (për)flitet për një takim të Gjashtëses Ballkanike (G-6) në shtator 2013 në Nju Jork. Troç: Edi Rama (vet)akuzohet për përkrahje të kësaj nisme malazeze! Kësohere nuk po e akuzojmë kryeministrin Edi Rama për “tradhëti kombëtare” siç vepronin të tjerët në këta muajt e fundit ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha tek e (para)gjykonin për këtë nismë sllave. Dihet: genet e Edi Ramës në breza nga baba e nana e tij nuk ia lejojnë të rrëshqasin kaq shpejt e kaq lehtë në “tradhëti kombëtare”. Një fakt bindës: stërgjyshi i tij, Kristaq Rama në Durrës ishte ndër firmëtarët e ngritjes së Flamurit të Pavarësisë në këtë qytet bregdetar në fundnëntorin 1912, (sëbashku me të vllain, Mihal Rama) iu ba krah Ismail Qemalit në nëntor 1912 kur erdhi në Durrës, ndërkohë që ortodoksë e boshnjakë të atyshëm i dolën kundra, i banë antimiting. Kryeministri i ri Edi Rama po vepron ndryshe: po bahet mjaft i rrezikshëm me mospërfilljet e tij, pasi nuk po i informon institucionet e shtetit shqiptar e popullin shqiptar për nisma të tilla si kjo G- 6 ballkanike apo ajo G-6 afrikane e latino-amerikane, etj. Rreziku i tij i madh për shoqërinë e sotme demokratike është se ai kujton sikur shteti ynë/tij është “shteti i babës” dhe “shteti i dajës”, sikur ai “ka lindur për shtetin”, ndërkohë që shteti ka lindur për njerëzit. Ai duke hipotekue klanin e tij nga bashkia deri tek qeveria, kujton sot apo do të kujtojnë nesër sikur hipotekën e tij është krejt Shqipëria.
Kryeministri Edi Rama duhet të shpjegohet për nismen malazeze të Gjukanoviçit kundërshqiptar. Kjo për pasi disa arsye: Flitet për një takim në fundshtator 2013 në Nju Jork të shteteve të Ballkanit Perëndimor. Vet Edi Rama pati disa takime e biseda në Nju Jork me Gjukanoviçin, si në një takim zyrtar dyshe si kryeministra të dy shteteve ballkanike, pjesmarrja e përbashkët në veprimtarinë vjetore të Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan në Nju Jork, etj. po këto nuk janë takimet e para dhe as të fundit që këta dy lider ballkanik bajnë ndërveti.
Kryeministri e kryesocialisti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviç (sëbashku me ish-presidentin serb, Boris Tadiç) ishin në qytetin e Shkodrës më 22 prill 2013 si “palë e tretë”, si “bashkidealistë socialistë”,etj. në beslidhjen e Partisë Socialiste të Edi Ramës e të Lëvizjes Socialiste për Integrim të Ilir Metës. Gjukanoviçi rivinte në këtë solemnitet në Shkodër fiks 100 vjet pasi Esad Pashë Toptani kreu besëpremjen e dorëzimit tek krajl Nikolla i Malit të Zi të Shkodrës qëndrestare (9 tetor 1912-22 prill 1913). Të nesërmen, më 23 prill, dy liderat Rama-Gjukanoviç me suitat e tyre politike e të tjerët, drekuan në Budva, në këtë vend turistik në komunën e Tivarit të të tragjedisë së mbi 4 mijë shqiptarëve të vrarë nga etërit e tyre bio-politik sllavo-komunistë rreth shtatë dekada ma herët, në prill 1945. Kësokohe, në prill 2013, Mali i Zi i Gjukanoviçit e nxori në skenën diplomatike ballkanike e euro-atlantike nismen G-6 të Unionit Ballkaniko-Perëndimor. Patjetër që dy “arinjtë polar” të politikës ballkanike si “i vjetri” Gjukanoviç dhe “i riu” Rama, të dy të rrezikshëm njësoj – njëri në ngritje e tjetri në rënie, nuk mund të bindin askënd që asokohe këta të dy të mos kenë folë për nismen malazeze G-6?!
Paradoks diplomatik, politik e moral: Nisma e Malit të Zi, sipas platformës parasheh edhe luftën e përbashkët kundër korrupsionit, si një nga kushtet që BE parashtron për këto vende ballkanike të G-6. Aty, sipas një përkthimi, thuhet: “Meqë është rënë dakord se lufta kundër korrupsionit paraqet një komponent të rëndësishëm dhe të përpjekjeve të përbashkëta, vendet anëtare do të sugjerojnë konsolidim të Iniciativës Rajonale për Migracion, Azil dhe Refugjatët, dhe Iniciativës Rajonale Anti-Korrupsion me qëllim të krijimit të një qendre rajonale të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”. Dihet: kryenismëtar i “Unionit Ballkaiko-Perëndimor” (Jugosllavia e Re) është politikani bankier, Millo Gjukanoviçi, që i mban rrobat sipas trupit, kravatit sipas qejfit e orët e shtrenjta sipas shijes, i cili është edhe një nga liderët ma të akuzuar në botën e sotme për korrupsionin e tij, që e ka krye me vendet fqinjë të tokës e të detit, sidomos me Italinë për cigaret e me Shqipërinë për naftën. Mbi Gjukanoviçin, që i ka të gjitha në vetveten e tij: komunist dogmatik, nacionalist sllav, patriot malazez, strateg në luftë kundër kroatëve, përkrahës i luftës kundër boshnjakëve në B-H, “baba i Pavarësisë” (siç i pëlqen ta quajnë të tjerët), “njeri i hekurt” -i pamëshirshëm në politikë e në biznes, (me bandat e kondrabanden e tij), mban gjithato akuza për korrupsion e lidhje me mafien. Gjukanoviçit i kanë tërheq vëmendjen për korrupsionin edhe personalitete të larta botërore, e ka shpall në kërkim edhe Prokuroria Italiane, opozita malazeze si Nebojsa Medojeviç – ish kandidat për President më 2008, e cilëson si “nun” i “shoqatës kriminale” të pak familjeve super të pasura në Malin e Zi. Thuhet në dokumente se mafia me kondrabandën nëpër Mal të Zi ka fituar miliarda lekë të ardhura. Gjukanoviçi kundërshqiptar, ky kameleon politik, që hiqet e duket si njeri karizmatik në Malin e Zi, që ka ngrit edhe universitet privat, etj. me fjalën e gojën e tij “brisk rroje” justifikohet për gjithçka në akuzat ndaj tij.
Millo Gjukanoviçi shtatë herë kryeministër i Malit të Zi dhe Edi Rama i sapo zgjedhur kryeministër i Shqipërisë janë miq të hershëm, pasi të dy janë politikanë socialistë, të dy janë sportistë basketbollistë, me tipare lideri e praktika politike pothuaj të njëjta. Gjukanoviçi është politikani ma jetëgjatë në Ballkan, kurse Rama është një nga dy politikanët zyrtar ma jetëgjatë në Shqipëri (pas Berishës), pasi ishte ministër i Kulturës, kryebashkiak i Tiranës, e së fundit, kryeministër. Kjo shoqëri ndërveti ka disa ndërvartësi të këqija për vet Edi Ramën; I ban kopjaci atij. Gjukanoviçi në fushatën elektorale parlamentare më 2012 e ngriti Koalicionin “Mali i Zi Europian”, çka edhe Rama më 2013 e quajti koalicionin e majtë Aleanca “Për Shqipërinë Europiane”. Pra, njësoj. E keqja ma e madhe është se Rama si kryeministër (pas tij edhe Thaçi) po e imitojnë në vazhdimësi Gjukanoviçin, mikun e tyre, pikërisht në atë përvojën e tij tepër të keqe, që e drejton prej kohësh Malin e Zi si një shtet privat.
4.
Atë çka ka ndërmend e në letra të nismes së hapur e të fshehtë Gjukanoviçi i Malit të Zi na e thotë kohët e fundit edhe Ivica Daciç, kryeministri e kryesocialisti i Serbisë. Këta flasin për një “Benelux” panshqiptar. Kjo thanie përforcohet edhe nga Milivoje Mihajloviç, Dijana Vukomanoviq, etj. në prapaskenë thuhet se do të jetë hapi i parë i Unionit të Ballkanit Perëndimor. Ky “Beneluks Panshqiptar” do të mbetet i tillë edhe pas ngritjes së Unionit (UBP). Ky Beneluks do të përfshijnë tri shtete ballkanike: Shqipërinë, Kosovën e Malin e Zi. Rreziku kombëtar ma i madh i kësaj trinjakërie shtetesh do të jenë trevat shqiptare në Malin e Zi, që shtrihen nga deti në male përgjatë kufirit të Shqipërisë e të Kosovës si komunat e Ulqinit, Podgoricës (Tuzi, etj), Plavë-Gucisë, Rozhajës, etj. Po kështu do ta pësojnë keq edhe Lugina e Preshevës (Kosova Lindore), Mitrovica me komunat përrreth, etj.
Hije të zeza diplomatike e politike të këtij Beneluksi Panshqiptar u shfaqën keqas edhe në Nju Jork në darkën e 17-të gala të Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan (NACC) më 27 shtator 2013, ku ishin të ftuar nderi tre kryeministrat: Edi Rama i Shqipërisë, Hashim Thaçi i Malit të Zi dhe Millo Gjukanoviç i Malit të Zi. Disa pyetje: Përveç “dorës së Sorosit” kush tjetër i tuboi bashkarisht në një takim të tillë panshqiptar? Pse nuk erdhi edhe tjetri kryeministër kundërshqiptar, Gruevski i Maqedonisë, ku edhe përqindja e shqiptarëve në këtë shtet është më e lartë se sa në Malin e Zi, ku në këtë veprimtari kishte edhe personalitete të larta shqiptare nga Maqedonia si Musa Xhaferri, etj.?! Aty mund të ishte edhe Ivica Daciç i Serbisë, pasi për shqiptarët e Ballkanit e të Diasporës të janë njëlloj, një brumë sllav kundërshqiptar. Të tre kryeministrat e “Beneluksit Panshqiptar” para se të vinin në këtë veprimtari të NACC ishin takue ndërveti në Nju Jork.
Shqiptarët në Amerikë me origjinë nga trevat etnike shqiptare në Mal të Zi, qyshse më 17 shtator 2013, të përfaqësuar nga shoqatat e tyre: Ana e Malit, Dedë Gjo’ Luli, Kraja në Nju Jork, ajo e Intelektualëve të Pavarur e Malësia e Madhe në Detroit, Fondacionet Plavë-Guci dhe Dom Simon Filipaj dhe Fondi Humanitar Malësia në Nju Jork kundërshtuan atdhetarisht e publikisht pjesmarrjen e Gjukanoviçit në këtë veprimtari pothuajse panshqiptare. Shoqata Atdhetare “Malësia e Madhe” udhëtoi 12 orë rrugë nga Detroiti në Nju Jork për të protestuar (bashkë me të tjerë) më 27 shtator 2013 para selisë së OKB, konsullatës malazeze në Nju Jork dhe tek rruga 42 – tek salla Cipriani e darkës solemne e festive të NACC. Protestuesit nuk i takoi askush përveçse ministrit të Jashtëm të Kosovës, zotit Enver Hoxhaj. Të tre kryeministrat trinjak ballkanik hynë bashkarisht e mospërfillës në sallë. Të nesermen MPJ e Malit të Zi lëshoi deklaratë kundër shqiptarëve protestues në Nju Jork, duke i etiketue “grupe radikale”, etj. Dy kryeministrat shqiptarë heshtën ndaj shqiptarëve të Malit të Zi për hatër të Gjukanoviçit. Asnjë nga shoqatat apo shqiptarët protestues nuk e dinin plotërisht se mospërfillja e tyre i kishte rrënjët edhe tek “Beneluksi Panshqiptar” i pritshëm e i frikshëm i Gjukanoviçit në Podgoricë-Kotorr dhe, në (prapa)skenë shovene, i Ivica Daciçit në Beograd.
Treshja Rama-Thaçi-Gjukanoviç i sfidoi shqiptarët në Nju Jork e në Mal të Zi për hir të miqësisë e të pushtetit të vet politik. Këtyre tre kryeministrave iu intereson ma shumë një mandat i tretë i Thaçit në Prishtinë se sa kërkesa tre dekadore e Tuzit për komunë më vete, etj. Edi Rama i ka njëjtësisht larg Tiranës edhe Tuzin, Ulqinën e Plavë-Gucinë, ashtu sikurse Hashim Thaçi i ka nga Prishtina si Plavë-Gucinë e Rrozhajën. Këto treva shqiptare janë ma afër se liderët malazezë të Kotorrrit: Gjukanoviçi e Vujanoviçi.
Klasa politike shqiptare e pas rënies së Murit të Berlinit si në Mal të Zi, në Tiranë e në Prishtinë, etj. ka me mbajt përgjegjësi historike edhe nga brezat pasardhës për trevat shqiptare në Mal të Zi e për shqiptarët e saj, pasi kanë hyrë në dekadën e tretë duke heq vallen (anti)shqiptare sipas kukës së Gjukanoviçit. Nuk është në nderin tonë kombëtar që shqiptarët në Malin e Zi ende të mbeten “të tradhtuar” kaq keqaz, sepse Mali i Zi multietnik don të bahet shtet etnik sllav (po mundi edhe malazez) me tokat e shqiptarëve, se Gjukanoviçi me të tijët don të rrijnë në pushtet, sepse Tirana e Prishtina duan të jenë “faktor paqeje” në Ballkan, etj.
Në Nju Jork gjatë shtatorit 2013 dy kryeministrat shqiptar, Rama e Thaçi, u takuan me Gjukanoviçin. Çka diskutuan ndërveti del sipas deklaratave të tyre për shtyp. Edi Rama flet si pan-europian për degëzimet e rrjetit TAP drejt Kosovës e Malit të Zi dhe për ndërtimin e një autostrade që do të kalonte nga Kroacia drejt Mal të Zi e Shqipërisë për të lidhur bregdetet Adriatik me atë Jon. Pra, nga fusha e Shah Denis të Azerbajxhanit do të vijnë gazsjellësi gjigand TAP për të cilin kanë nënshkrue Memorandum Mirëkuptimi qyshse në maj 2013 katër shtete ballkanike: Shqipëria, Mali i Zi, Kroacia e Bosnje-Hercegovina. Aty, në maj 2013, ishte dhe foli edhe Igor Lukshiç, Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme e Integrimit Europian i Malit të Zi, ideologu e promotorri flamurmbajtës i nismes malazeze për federatën ballkanike G-6. Edi Rama flet si pan-europian për “Korridorin Dalmat” nga Trieste në Igumenicë, negociatat për të cilin kanë nistue qyshse më 2004 dhe do të jetë sipërmarrje madhore edhe e Bashkimit Europian. Edi Rama të bahej ma tokësor, të tregohej ma shqiptar. Të fliste për rrugën Han i Hotit-Vermosh-Plavë-Guci, për hapjen e pikave kufitare si ajo e Çeremit dhe ndertimi i rrugës Dragobi-Çerem-Plavë-Guci.
Në krahun tjetër, Hashim Thaçi i mburret mikut të tij, Gjukanoviçit, se tashma në Prishtinë do të hapet ambasada e Malit të Zi. Ky, njeriu që luftoi për lirinë e pavarësinë e Kosovës në male e kancelari të botës nuk e përmend hapjen e Rrugës Deçan-Plavë, që iu ka premtue disa herë kryekomunarëve, shqiptarëve e banorëve të tjerë të kësaj treve etnike shqiptare. Thaçi nuk flet as për kufirin Kosovë-Mali i Zi, etj.
Dy kryeministrat shqiptarë: Edi Rama i Tiranës e Hashim Thaçi i Prishtinës, që saherë takohen me Millo Gjukanoviçin na fyejnë në krenarinë e ardhmërinë kombëtare shqiptare, kanë pasë dhe kanë çka të diskutojnë për çështjet problematike të pazgjidhura të shqiptarëve në Malin e Zi: çpopullimi i trojeve tona nga shqiptarët; mos lejimi i perdorimit të lirshëm i simboleve kombëtare; ndryshimi i ligjit për përfaqësimin e popullatës Shqiptare në Kuvendin e Malit të Zi; arrestimet dhe burgosjet gjatë aksionit famëkeq e terrorizues “Fluturimi i Shqiponjës”; injorimi dhe mos dhënja e të drejtës për komunën e Tuzit; tentimi për ndryshimin e strukturës demografike duke sjellur ardhacakë nga veriu i Malit të Zi në Tuz; arrestimet e gjykimet e padrejta të 23 shqiptarëve në fshatin Martinaj të Plavë-Gucisë; eksproprimi i pronës private në emër të krijimit të parqeve nacionale në pronat private të shqiptarëve të Plavë-Gucisë; marrja e kompetencave në mënyrë arbitrare për pasuritë detare të komunës së Ulqinit si dhe konfiskimi i pronave private të shqiptarëve në Gjirin e Valdanosit.
5.
Shqipëria Europiane, me aktin ajzberig të kryer nga kryeministri Edi Rama të hanën e 23 shtatorit 2013 në Nju Jork, u fut në Grupin e Gjashtëses (G-6): “Liderët e Rrjetit Global të Shkëmbimeve” (Global Network of Global Delivery Leaders). Ky projekt i përbashkët me nismëtar ish-kryeministrin britanik, Tony Blair, e mbështetës presidentin e BB, Jim Yong Kim, e keqdegdis dhe e barazon Shqipërinë me vende të botës së tretë, me ato afrikane: Etiopia, Gana, Malawia, Senegali dhe me Haitin, latino-amerikan. Pas kësaj, një pyetje të hapur: Shqipëria euro-atlantike a do të rikthehet tek politikat ekonomike të botës së tretë?!
Një absurd diplomatik e politik: kjo aleancë u lidh në Nju Jork “kryeqendrën e botës”, në ditët e Asamblesë së Përgjithshme të OKB, në prani të disa personaliteteve botërore e liderë rajonal, por nga kryeministri i ri Edi Rama u mbajt tepër e fshehtë për shtetin e popullin shqiptar. Masmedia shqiptare stërfolën për takimet e Ramës me Blair e Kim, po askund nuk u cek e as cing një fjalë e vetme për këtë kahje pa busull, kaçimak diplomatik, labirinth donacionesh. Nga “tuneli” i këtij takimi enigmatik Edi Rama nxorri të nesërmen në faqen e tij në fejsbuk vetëm 8 foto pa deçitura, ndërkohë që pikërisht ato ditë i cullakoj në treg diplomatik e publik plot 83 foto me kryekoment e pamje jo të mira edhe nga wc përdhese nga Kryeministria e tij/jona e shtetit të vet/tonë. Si prirje drejt numerologjisë, ishin aq foto sa ditë kishte i zgjedhur e dekretuar si kryeministër i pas 23 qershorit 2013. Nejse! Edi Rama erdhi në të parafundmen ditë të shtatorit në Tiranë. Prapë, më 1 tetor i ripublikoi në websajtin e Kryeministrisë ato 8 fotot heshtanike të Nju Jorkut. As cijatje zyrtare për mbrapshtinë e rradhës: Rrjetin G-6. Heshtje diplomatike e mjergullt edhe nga miku i madh i shqiptarëve, Tony Blair, që në fillnisje të tetorit ishte misionar i jehonshëm në Tiranë, në cilësinë e re – këshilltar i ligjshëm i Qeverisë Rama.
Presidenti Xhon Mahama i Senegalit gjysëmpresidencial në Afrikën Perëndimore përmes faqes zyrtare të Presidencës e njoftoi publikisht vendin e tij disa orë pas takimit njujorkez për “Nismën G-6”. Krejt ndryshe po vepron kryeministri Edi Rama. Ka plot një muaj që manifeston shpërfillje të patolerueshme mosinformimi ndaj institucioneve të larta të Shqipërisë për këtë vendimmarrje të tij ekstreme për inkuadrimin e vendit tonë euro-atlantik në Afrikë e në Amerikën Latine.
Ftesa Blair-Kim e 1 gushtit 2013 për kryeministrin në pritje Edi Rama e cilëson takimin e Nju Jorkut si “event” dhe “mbledhje private” me krerë shtetesh “për të ndarë eksperiencat e implementimit të qeverive të suksesshme”. Mirëpo, OKB e BB, të dyja në një ditë, më 3 tetor, në buletinin e lajmeve, në websajtet e tyre, publikuan njoftimin për nismen G-6: “Liderët e Rrjetit Global të Shkëmbimeve”. Kësisoj, ky takim, kjo nismë, u zyrtarizue publikisht e botërisht. Prej kësaj dite edhe shqiptarët e mësuan prej të tjerëve të vërtetën e përfshirjes me diplomaci jo dinjitare e politikë disi urithore të Shqipërisë në Grupin G-6. Ende Edi Rama e mbart si “nismë private” takimin e platformën e Grupit të Gjashtëve. Nuk ka një diskutim publik e miratim zyrtar as Qeveria, as Parlamenti, as Presidenca. Heshtje apo vonesa të tilla po e thyejnë Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.
Kombi shqiptar nuk ka nevojë për një kryeministër me shumë fytyrësi politike, ende pa konstrukt palcor diplomatik. Kryesocialisti Edi Rama vitin e kaluar e akuzonte kryeministrin paraardhës Sali Berisha se po don ta kthejnë Shqipërinë në një Etiopi (Paskuqan, 9 dhjetor 2012). Kur ishte në opozitë bojkoti për tre ligjet që i jepnin vendit tonë statusin për në BE parapëlqente të perifrazonte krahasime të Shqipërisë me Etiopinë (Tiranë, 29 janar 2013). Menjëherë pas ardhjes në pushtet, vetëm shtatë ditë pasi betohet si kryeministër i Shqipërisë, lidh aleancën G-6. Në G-6 tashmë është edhe RPD e Etiopisë së lashtë e multietnike, tejet e lodhur nga kryengritje antikomuniste, luftëra civile dhe me fqinjët, gjyqet për krime lufte, aqsa edhe një raport i OKB e rendit në vendin e dytë në botë për nga përqindja e njerëzve të varfër. Etiopia, në këtë rrjet trekontinental, është i vetmi vend që ende nuk e ka njohur shtetin e ri të Kosovës. Kryeministri Edi Rama në takimin njujorkez me homologun e tij bashkëmoshatar, kryeministrin etiopian, Hailemariam Desalegn, nuk dihet nëse veproi suksesshëm sikurse kryeministri turk, burrështetasi proshqiptar, Rexhep Erdogan, i cili ndikoi tek presidenti Wade e kryeministri sheik Soumare të Senegalit për ta njohur Kosovën dy ditë pas shpalljes së Pavarësisë së saj, më 19 shkurt 2008.
Ky projekt Blair-BB qyshse në start po pritet me dyshime hetimi ndaj nismëtarëve. Peter Koula në Londër, kryetar i institucionit Bretod Uds, me një gjysëm shekulli historik monitorimi të projekteve të ndërmarra edhe nga BB e FMN, shprehet për “konflikte interesi me bollek”, paralajmëron se për këtë çështje “mund të flitet me vëllime”. Në Shqipërinë Londineze po ngjet krejt e kundërta: ende Parlamenti nuk e ka thirrë në interperlancë parlamentare kryeministrin Edi Rama për shpjegime e përgjegjësi për këtë kahje mbrapshtie ndaj traditës historike properëndimore të shqiptarëve të Ballkanit.
Kryeministri socialist Edi Rama po vrapon me dorën e kambën e djathtë në Europë. Në anën tjetër, me dorën e kambën e majtë po magnetizohet në Afrikë e në Amerikën Latine, në grupime të tilla si G-6: “Liderët e Rrjetit Global të Shkëmbimeve”. Vërtet “Afrika e Zezë” nuk është ajo e viteve ’60, po as Shqipëria nuk është “Afrika e Bardhë” e viteve ’90.
Shqipëria – vend antar në NATO, KiE, OSBE e vend kandidat për në BE, me këto shtete afrikane e latino-amerikane takohet vetëm në një organizëm ndërkombëtar, vetëm në OKB dhe vetëm me Senegalin në Konferencën e Vendeve Islamike (OIC). Përndryshe: në këto vende ende problematike për botën Kombet e Bashkuara kanë investue edhe me forca paqeruajtëse: në Etiopi me misionin UNMEE (2000-2008), në Haiti me misionet UNMIH (1993-1996), UNSMIH (1996-1997), UNSMIH, MINIGUA, UNTMIH (1997), MIPONUH (1997-2000), MICAH (2000-2001), etj.
BB dokumenton se (GNI) niveli i të ardhurave kombëtare bruto për frymë (PPP) për Shqipërinë për vitin 2012 është 9.390 USD, ndërsa për për Malawin 880 USD, Etiopinë 1.140 USD, për Haitin 1.240 USD, për Senegalin 1.920 USD, për Ganën 1.940 USD. Shkalla e zhvillimit varion nga 5 deri në 10 herë më e lartë për Shqipërinë.
Nga vendet G-6, gjithnjë sipas BB, Shqipëria renditet në vendet me të ardhura mesatare të larta (4.148 USD të ardhura vjetore për frymë), ndërsa Gana (1.604 USD) renditet në vendet me të ardhura mesatare të ulta, kurse Senegali (1.034 USD), Haiti (770 USD), Etiopia (470 USD), Malawi (268 USD për frymë). Kështu, Shqipëria e ka treguesin e të ardhurave për frymë ma shumë se këto pesë shtete sëbashku apo ndryshe, me një rritje pesë herë ma të madhe se sa mesatarja e përbashkët e tyre.
Ky “klub”, projekti G-6, ka mision shkëmbimin e përvojave të qeverisjes ndërveti të një vendi euro-atlantik si Shqipëria me pesë shtete si ato afrikane e latino-amerikane. Disa liderë, si presidenti i Senegalit në deklaraten e 24 shtatorit 2013 për takimin e Nju Jorkut, nuk begenisin t’ia përmendin as emrin Edi Ramës dhe as Shqipërisë së tij/tonë. Qeveria e re Shqiptare, me “qeverisjen e frikës”, me “diktaturën e bardhë” të liderit, “diktaturën e kuqe” të etërve të majtë, etj. po iu shembëllen këtyre shteteve të aleancës së re. Kjo duket edhe tek qëndrimet e veprimet me ligjin e Statusit të Nëpunësit Civil: thyerja me arbitraritet të tejskajshëm i konsensusit pozitë-opozitë i 30 majit 2013, shkarkime kolektive nga puna edhe brenda një dite si kryepolicin e shtetit me 12 drejtorët e policisë në 12 qarqet e vendit, 88 policë të policisë rrugore të Tiranës, 150 oficerë të Antikrimit Ekonomik, etj. akt-shkatërrimet e institucioneve shqiptare rreth 90 vjeçare si Garda e Republikës, etj.
Raste të tilla ekstreme të qeverisjes së majtë në Shqipëri vijnë në vargnim faktik përgjatë dy muajve, të cilat janë krejt të ngjashme me ato në Haitin amerikano-latin, ku janë krye 32 grushte shteti; me ato në Etiopinë afrikane me dhjetra raste të burgosjeve edhe të deputetëve të opozitës të cilët edhe Amnesty International i cilëson “të burgosur të ndërgjegjes”, etj.
6.
Ballkani si asnjë rajon tjetër i botës së sotme është i mbushur deri në tejngopje me organizata e organizma ndërkombëtare e rajonale si OKB me agjensitë e saj, NATO, BE, KiE, OSBE, si edhe Procesi i Kooperimit të Europës Juglindore (SEECP), Konferenca e Vendeve Islamike, Këshilli Rajonal i Bashkëpunimit (RCC), Nisma Adriatiko-Joniane, Nisma e Europës Qendrore, Nisma e Detit të Zi, SECI, Forumi i Kartës Adriatik 5, etj.
Çështja shtrohet: Çka i duhet Ballkanit edhe një organizëm tjetër federalist G-6 (West Balkan Six): Unioni Ballkaniko-Perëndimor (Jugosllavia 4, etj.) dhe brenda formatit të saj nismëtar e bashkudhtar, ngritja parësore e mbajtja edhe e mapasme e një “Beneluksi Panshqiptar” (!) Për ma tepër çka i duhet realisht pjesmarrja e një vendi ballkanik si Shqipëria në një tjetër G-6: “Liderët e Rrjetit Global të Shkëmbimeve” (Global Network of Global Delivery Leaders) me shtete afrikane dhe latino-amerikane të botës së tretë. Deri kur Parlamenti e Presidenca e Shqipërisë do të heshtin dhe nuk do të kërkojnë përgjegjësi ndaj kryeministrit Edi Rama për angazhime të heshtura e të hapura në këto dy grupime G-6. Njejtësisht kryeministri Rama duhet të shpjegohet edhe pwr takimin e tij në shtator në Nju Jork me ministrin e Jashtëm Rus, Sergei Lavrov në kohën që presidenti amerikan Barak Obama mbante fjalimin historik në sallën e OKB, sepse kryediplomatit rus i është premtuar futja e oligarkëve rusë në ekonominë shqiptare, për një numër projektesh të Rusisë me Shqipërinë, etj. Kryeministri Rama duhet të arsyetojnë ftesat e tij për ngritje të një superushtrie me këshilltarë të huaj në Shqipëri si “Njësi speciale për G-6 me vendet afrikane e latino-amerikane, siç po i ngrejnë edhe këto në vendet e tyre; grup me këshilltarë nga disa vende Arabe; grup këshilltarësh nga Turqia, etj. etj. Patjetër duhet të rrëfehen për takimet e ndryshme në ditët e Asamblesë së Përgjithshme të OKB në Nju Jork lidhur me projektet për Shqipërinë, për Çështjen Kombëtare Shqiptare në Ballkan, etj. Ndihet nevoja kombëtare që të sqarohet ma tej e ma tepër nga kryeministri Rama ideja e tij e hedhur në Parlamentin e Kosovës për një pesëkandësh gjeo-politik Itali-Turqi-Greqi-Shqipëri-Kosovë, që, ndoshta, edhe me afrimin e Malit të Zi, do të kemi një tjetër G-6, në të cilën a jetësohet “Beneluksi Panshqiptar”, etj.
Përndryshe, në mungesë të shpjegimeve të tilla dhe të mos institucionalizimit zyrtar të këtyre nismave G-6, etj. nuk na mbetet gja tjetër veç të themi se në këto veprimtari diplomatike, politike, etj. nuk kemi vetëm dy grupe G-6, po kemi vetëm një grup G-666, që në numerologji simbolizon “Djallin”. Pra, G-666 është Edi Rama, që po vjen në skenë e rri në karriken kryeministrore si Djalli vet. Pra, djalli vet është Edi Rama, pasi me grupime të tilla si UBP na çon tek djajtë e kuq të kombit tonë, tek sllavët.