Nga Frank Shkreli/
Këtë javë, Shqipëria shënoi 8-vjetorin e antarësimit të saj në Aleancën e Atlantikut Verior, NATO. Po t’i hedhim një vështrim zhvillimeve politike të mbrendshme dhe të jashtme të Shqipërisë post-komuniste deri më sot, besoj se antarësimi i saj në NATO mbetet gjithnjë si zhvillimi më me rëndësi dhe arrijtja kulmore e këtij çerek shekulli në përpjekjet shekullore të Shqipërisë dhe të kombit shqiptar për t’iu bashkuar organizmave ushtarake dhe politike perëndimore. Në të vërtetë, ish-Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha e ka cilësuar me atë rast, antarësimin e Shqipërisë në NATO si akti më me rëndësi në historinë pothuaj të 100-viteve të fundit të vendit të tij. Si do që ta merrësh, ngritja e flamurit të Gjergj Kastriotit – Skënderbe — para kryeqëndrës së NATO-s në Bruksel — duke u valvitur krenarisht aty pranë flamurit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, është me të vërtetë një arritje historike, për të cilën — megjithë grindjet dhe mosmarrveshjet që kanë karakterizuar jetën politike të vendit gjatë këtyre 25-viteve të fundit — të gjithë shqiptarët pa dallim, krenohen.
Presidenti Xhorxh W. Bush, duke nënshkruar protokollin në tetor të vitit 2008 — një ceremoni kjo që shënoi mbështetjen zyrtare të Shteteve të Bashkuara për antarësimin e Shqipërisë dhe të Kroacisë në NATO, para antarësimit zyrtar, prillin e vitit 2009 — ai përshëndeti antarësimin në aleancën e NATO-s, të këtyre dy vendeve të cilat, tha ai, kanë qenë, për pothuaj një gjysëm shekulli, “nën sundimin e egër komunist”. “Ne po forcojmë partneritetin e Amerikës me kombet që dikur kanë qenë nën këthetrat e komunizmit”, është shprehur në atë kohë udhëheqsi amerikan. Ish-Presidenti Bush, pat deklaruar gjithashtu gjatë nënshkrimit të protokollit në Shtëpinë e Bardhë, se “Menjëherë pasi Shqipëria dhe Kroacia të bëhen zyrtarisht anëtare të NATO-s (gjë që ndodhi korrikun e vitit 2009), popujt e tyre duhet t’a dinë se nëqoftse ndonjë shtet kërcënon sigurinë e tyre, çdo anëtar i aleancës tonë do të jetë pranë tyre, për t’i mbështetur.” Ndërsa, ish-Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s de Hoop Scheffer e pat cilësuar me atë rast antarësimin e Shqipërisë dhe të Kroacisë si, “Një përfitim për NATO-n, si një masë që do të forcojë përpjekjet e përbashkëta në ruajtjen dhe promovimin e sigurinë dhe të stabilitetit”, të vendeve anëtare dhe Evropës, është shprehur ish-udhëheqsi i lartë i alaencës perëndimore.
Për tetë vjetë tani, Shqipëria, si antare e NATO-s gëzon përfitimet por edhe ndanë me 28-vendet anëtare përgjegjësitë e mbrojtjes së përbashkët.8-vjetori i antarësimit të Shqipërisë në NATO u shënua dhe u përshëndet në Shqipëri, si një ngjarje historike. Vihet re deklarata e Presidentit të Republikës dhe Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Z. Bujar Nishani si dhe paraqitja me këtë rast e Ministres së Mbrojtjes, Z-njës Mimi Kodheli dhe Ministrit të Punëve të Jashtme Z. Ditmir Bushati në Fakultetin e Shkencave Sociale të Universitetit të Tiranës, për një bashkëbisedim me studentët, mbi rëndësinë që ky anëtarësim ka për Shqipërinë, por edhe për detyrimet e vendit ndaj aleancës. Presidenti Nishani theksoi në deklaratën e tij se, “Tetë vite më parë, Shqipëria arriti të bëhej me meritë pjesë e Aleancës më të madhe politiko-ushtarake që ka njohur njerëzimi, duke u shndërruar në saje të reformave të ndërmarra, edhe të mbështetjes së pakursyer të aleatëve tanë, veçanërisht të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nga një vend konsumues të sigurisë, në një vend që jo vetëm prodhon siguri, po jep kontributin e vet të qenësishëm në ruajtjen, lartësimin dhe promovimin e vlerave dhe parimeve botërore të hapësirës së lirisë e demokracisë anembanë botës”, nënvijoi Kryetari i shtetit Shqiptar. Presidenti Nishani shprehu krenarinë e vendit të tij për këtë arrijtje historike duke deklaruar se, “Në historinë e gjatë e të vështirë të popullit shqiptar, anëtarësimi në NATO është arritja më e madhe historike, dhe merita e suksesi u takon të gjithëve që kontribuuan e vazhdojnë të kontribuojnë me dinjitet, duke bërë që flamuri kuq e zi të valëvitet krenar në Bosnje dhe Hercegovinë, Irak, Afganistan dhe kudo ku trupat paqeruajtëse dhe misionet e Aleancës shërbejnë me profesionalizëm e përkushtim”.
Ndërsa në fjalën e saj para studentëve të Fakultetit të Shkencave Sociale të Universitetit të Tiranës, me rastin e 8-vjetorit të antarësimit të Shqipërisë në NATO, sipas portalit të Ministrisë së Mbrojtjes të Shqipërisë, Ministrja Kodheli solli në vëmendje punën e Forcave të Armatosura, puna e përditshme e të cilave siç tha ajo, jo domosdoshmërisht ndihet siç ndihen shërbimet e tjera që shteti sjell. Ajo përmendi praninë e Forcave të Armatosura pranë qytetarëve brenda vendit, por theksin e vuri te pjesëmarrja në misionet ndërkombëtare që rrjedhin si detyrim i të qenit vend anëtar i NATO. Shqipëria është prezent në të gjitha misionet NATO, tha ajo, ka dyfishuar prezencën e saj në Afganistan, ka dyfishuar prezencën e saj në KFOR në Kosovë, është prezent në misionin e NATO në detin Egje, ku për herë të parë Shqipëria merr pjesë në një mision detar dhe është prezent në të gjitha strukturat komandë të NATO, kudo ku NATO me strukturat e saj është prezent.” – u tha ministrja Kodheli studenëve të Universitetit të Tiranës.
Zyrtarisht, Shqipëria u bë anëtare e Aleancës NATO më 1 prill, 2009 kur ambasadori i saj i paraqiti Departamentit Amerikan të Shtetit protokollet e ratifikuara për antarësim dhe në një ceremoni zhvilluar me 4 prill, 2009, Shqipëria zuri vendin e saj në tavolinën e rrumbullakët gjatë mbledhjes së nivelit të lartë të aleancës në Strasbourg të Francës.
Tetë vjetë më parë në rastin e Shqipërisë, por edhe sot, sipas analistëve dhe ekspertëve të NATO-s, antarësimi i një vendi në Aleancën e Atlantikut Verior, dërgon një sinjal se vendi ose vendet për të qenë të denja të antarësimit në NATO, duhet të jenë stabile, sidomos përsa i përket gjëndjes së mbredshme politike. Tetë vjetë më parë, shumë vërejtës kishin shfaqur shqetësimin e tyre në lidhje me sfidat, me të cilat përballej Shqipëria në atë kohë, sidomos sfidat që kanë të bëjnë me reformat politike, institucionale, elektorale dhe juridike. Megjithëse janë shënuar përparime gjatë viteve, duke marrë parasyshë situatën aktuale politike në Shqipëri, lind pyetja pot ë bënte lutje sot Shqipëria për antarësim në NATO, a do të miratohej nga NATO dhe vendet përkatse, përfshirë Shtetet e Bashkuara. Në këtë 8-vjetor të antarësimit në NATO, mund të themi me bindje se nuk ka dyshim që antarësimi i Shqipërisë në NATO të ketë kontribuar në përmirsimin e imazhit ndërkombëtar të Shqipërisë – falë Forcave të Armatosura të Shqipërisë – dhe pa dyshim ka kontribuar edhe në stabilizimin e gjëndjes në rajon dhe në sigurinë e përbashkët në kontinentin evropian dhe më gjërë.
Por a mund të thuhet në këto 8-vjetë antarësimi — e sidomos sot — nëse Shqipëria dhe forcat politike të saj brenda vendit po mbështesin dhe po promovojnë vlerat demokratike dhe reformat e nevojshme për një vend të NATO-s, të cilat janë kushte të doemosdoshme të antarësimit në Aleancën Perëndimore? A është mësuar gjë nga antarësimi prej 8-vjetësh i Shqipërisë në NATO dhe mënyrës se si funksionon kjo aleancë? NATO nuk mund të marrë asnjë vendim pa konsultime me të gjithë dhe pa patur “konsensusin” e të gjithë anëtarëve! A është ky një mësim për klasën politike shqiptare, që si përgjegjëse për fatin e kombit, të pakën të konsultohen mbi disa çështje jetike për vendin dhe kombin, duke pasur parasyshë, mbi të gjitha, të mirën e përbashkët dhe sigurinë e të gjithë shqiptarëve. NATO si organizatë shumëkombshe angazhohet për zgjidhjen paqësore të mosmarrveshjeve dhe konflikteve. Është e nevojshme që — në këtë 8-vjetor të antarësimit në NATO, klasa e sotëme politike, përfaqsuese e Shqipërisë, anëtare e plotë me të drejta dhe përgjegjësi të plota në Aleancën e Atlantikut Verior – t’a pyes veten nëse në marrëdhëniet midis tyre, si individë dhe si parti, po sillen ashtu siç meriton kjo organizatë dhe ashtu siç u ka hije shqiptarëve? Qeveria shqiptare duhet ta pyes veten, a janë këto standardet e NATO-s, anëtare e të cilës është Shqipëria dhe a janë këto standarde të Bashkimit Evropian, pjesëtare e së cilës shpreson të bëhet?
Le të shërbej ky 8-vjetor i antarësimit të Shqipërisë në NATO për një reflektim serioz politik dhe vëllazëror, për mënjanimin e një krize në institucionet politike të vendit, duke u konsultuar si vëllai me vëlla, mbi mënyrat se si të dilet nga ky realitet i zi, me të cilin përballet vendi.