
Dr. Nikollë Loka/
Gjithsesi edhe pse interesi diplomatik i Perandorisë daton që herët në Luftërat Austro-Otomane të shekullit të XVI-XVII, vetëm në prag të depërtimit të nacionalizmit në Ballkan, në shekullin e XIX, diplomacia vjeneze fillon dhe formon një opinion të saj rreth territoreve dhe popullsive shqiptare në rajon. Që nga shekulli XVII, Habsburgët forcuan ndikimin e tyre përmes rolit si mbrojtës të katolikëve në Perandorinë Osmane, duke e zgjeruar këtë rol me marrëveshje të ndryshme ndërkombëtare. Ky ndikim u shpreh përmes një rrjeti të gjerë institucionesh fetare, arsimore dhe humanitare në trojet shqiptare, pa pasur fillimisht karakter politik. Megjithatë, në fund të shekullit XIX dhe fillim të shekullit XX, Austro-Hungaria e rriti angazhimin politik në rajon, si pasojë e dobësimit të pozitës së saj në Evropë dhe forcimit të ndikimit rus.
Monarkia që në vitin 1832 kishte hapur një konsullatë të saj në Shkodër, e cila u bë në një qendër e rritjes dhe përhapjes së ndikimit austriak në rajon. Pas humbjeve me Konfederatën Gjermanike të udhëhequr nga Prusia më 1866 dhe me Italinë në vitin 1859, Perandoria Austro-Hungareze e shihte Ballkanin si territorin e natyrshëm ku ajo mund të ushtronte ndikimin e saj. Nisur nga ky rivalitet me Rusinë dhe Italinë, Vjena e përkrahu zhvillimin arsimor dhe kulturor të popullit shqiptar me qëllim që ta tërhiqte në anën e saj. Popujt e tjerë të Ballkanit ishin përgjithësisht aleatë të Rusisë.
Çështja shqiptare mori rëndësi ndërkombëtare pas Krizës Lindore (1875–1878), kur dobësimi i Perandorisë Osmane nxiti Fuqitë e Mëdha të garonin për ndikim në rajon. Edhe në fillim të shekullit XX, Austro-Hungaria, Italia dhe Rusia ishin aktorët kryesorë të interesuar për fatin e Shqipërisë.
Kryengritjet në Hercegovinë dhe Bullgari çuan në luftën serbo-malazeze kundër osmanëve në vitin 1876. Austro-Hungaria u shqetësua nga mundësia e rritjes së ndikimit rus dhe daljes së Serbisë në Adriatik. Rusia, për të mos humbur prestigjin, u detyrua të ndërhynte në konflikt dhe për të shmangur përplasjen, Rusia dhe Austro-Hungaria arritën marrëveshje në Reichstadt dhe Budapest (1876–1877). Sipas marrëveshjes së Budapestit, Vjena do të qëndronte neutral dhe në shkëmbim do të fitonte Bosnjë-Hercegovinën, në rast rënies së Perandorisë Osmane. Gjithashtu, u vendos ndarja e Ballkanit në zona ndikimi lindor dhe perëndimor. Trojet shqiptare ranë në zonën e ndikimit austro-hungarez.
Fillimisht, politika ballkanike e Austro-Hungarisë pati sukses, por me kalimin e kohës ajo humbi ndikimin në rajon. Kjo ndodhi sepse Fuqitë e Mëdha të viteve 1880 vendosën kufizime për të mbrojtur interesat e tyre. Dështimi i marrëveshjes mesdhetare të vitit 1887 e dobësoi më tej pozitën e saj. Për të ruajtur ekuilibrin, Monarkia u detyrua të bashkëpunonte me Rusinë dhe Italinë. Ndërkohë, shtetet e vogla ballkanike, që sapo kishin fituar pavarësinë, shfrytëzuan rivalitetet mes Fuqive të Mëdha për interesat e tyre. Kjo e kufizoi edhe më shumë hapësirën e veprimit të Austro-Hungarisë.
Në vitet 1890, Shqipëria fitoi rëndësi të veçantë për politikën e saj austro-hungareze. Vjena e kuptoi se shpërbërja e Perandorisë Osmane ishte e pashmangshme, prandaj kërkoi të siguronte ndikimin e saj në bregdetin lindor të Adriatikut. Në vitin 1896 u organizua një konferencë për hartimin e një politike të re shqiptare. Në këtë takim u vendos që ndikimi të forcohej përmes mbrojtjes fetare ndaj katolikëve. Megjithatë, kleri në Shqipërinë e Veriut shpesh simpatizonte Italinë. Edhe përpjekjet përmes urdhrave fetarë nuk dhanë rezultatet e pritura. Si pasojë, politika e deriatëhershme nuk arriti të krijonte një kishë plotësisht besnike ndaj Vjenës, prandaj u hartua një strategji e re që synonte shkollimin e klerit katolik në Austri. Gjithashtu, u kërkua mbështetja e Vatikanit për çështjet kishtare shqiptare. Subvencionet për kishën dhe elitat lokale u rritën ndjeshëm. Në fushën e arsimit, u vendos përdorimi i gjuhës shqipe në shkolla. Kjo ndikoi drejtpërdrejt në forcimin e ndërgjegjes kombëtare shqiptare. Në të njëjtën kohë, u hapën konsullata të reja në territoret shqiptare dhe u reformua përgatitja e diplomatëve. Ata u udhëzuan të fitonin besimin e elitave vendase, përfshirë edhe ato myslimane. Ndihmat financiare u zgjeruan për të përfshirë në to edhe bejlerët e familjet e mëdha. Këto masa forcuan ndikimin politik dhe kulturor të Monarkisë në Shqipëri. Në vitet 1896-1906 u hartuan shumë raporte dhe memorandume për gjendjen në trojet shqiptare. Këto dokumente përmbanin analiza dhe plane konkrete veprimi. Qëllimi ishte nxitja e ndjenjës kombëtare shqiptare dhe rritja e pranisë austro-hungareze në shërbim të interesave të saj.
Suksesi i politikave austro-hungareze në Shqipëri pas vitit 1896 varej jo vetëm nga strategjitë e Vjenës, por edhe nga vizioni politik i vetë shqiptarëve. Kriza Lindore ndikoi thellë në ndërgjegjen kombëtare të shqiptarëve, duke rritur frikën për copëtimin e trojeve të tyre nga fqinjët. Në këtë situate, Lidhja e Prizrenit e vitit 1878 shënoi një moment kyç në organizimin kombëtar, përtej ndarjeve fetare. Edhe pse nuk arriti objektivat e saj, ajo hodhi themelet e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Elitat shqiptare fillimisht synuan reformimin e Perandorisë Osmane, por më pas kërkuan alternativa të reja politike. Në vitet 1890 u përhap bindja se shpërbërja e Perandorisë Osmane ishte e pashmangshme. Kjo situatë nxiti organizimin e grupeve kombëtare dhe rritjen e rolit të gjuhës shqipe në ndërgjegjësimin politik. Një pjesë e elitave arriti në përfundimin se mbështetja nga një fuqi e madhe ishte e domosdoshme për mbijetesën kombëtare dhe si aleate u përcaktua Austro-Hungaria. Ky bashkëpunim midis elitave shqiptare dhe Austro-Hungarisë ndikoi ndjeshëm në formimin e shtetit modern shqiptar.
Në fund të shekullit të 19-të, përforcimi i ndikimit të perandorive tregoi rëndësinë e politikës së jashtme në formimin e identitetit shqiptar. Projekti imperial i Austro-Hungarisë u shfaq si përpjekje e qëllimshme për të mbështetur idenë e një kombi shqiptar të unifikuar. Austro-Hungaria investoi fonde dhe përpjekje politike për të krijuar kushtet për një Shqipëri autonome ose të pavarur. Kjo veprimtari shërbeu gjithashtu për të ruajtur dominimin balkanik dhe adriatik të Monarkisë së Dyfishtë. Midis viteve 1896 dhe 1912, Austro-Hungaria ruajti kontakte të gjëra me Lëvizjen Kombëtare Shqiptare, duke përgatitur prijësit dhe intelektualët shqiptarë për detyrat e një shteti të pavarur. Hasan Prishtina u takua me konsullin austro-hungarez në Selanik më 5 janar 1912 dhe diskutoi për një kryengritje shqiptare kundër qeverisë së xhonturve, duke kërkuar ndihmë. Mbështetja diplomatike e marrë nga Austro-Hungaria e inkurajoi atë të mbajë fjalimin e famshëm në parlamentin osman më 11 janar 1912, duke shpallur fillimin e kryengritjes anti-osmane dhe kërkesën për drejtat autonome.
Formimi i shtetit shqiptar mund të shihet si rezultat i angazhimeve të Austro-Hungarisë, e cila, në fund të tetorit 1912, ndërhyri energjikisht për të mbrojtur interesat e saj, pasi Perandoria Osmane po humbiste luftën dhe trupat serbe, malazeze dhe greke po avanconin brenda territoreve shqiptare. Duke parë përparimin e ushtrive sllave dhe greke, si dhe shkatërrimin e ushtrisë osmane, Ismail Qemali vendosi që zgjidhja e drejtë për Shqipërinë ishte shpallja e Pavarësisë. Në mes të luftës dhe zhvillimeve dramatike për fatin e shqipatrëve si komb, ai dhe patriotë të tjerë shqiptarë organizuan mbledhje në Bukuresht dhe më vonë në Vjenë për të bashkërenduar veprimet politike dhe për të mbrojtur të drejtat kombëtare të shqiptarëve.
Vjena luftoi kundër copëtimit të territoreve shqiptare dhe për njohjen e pavarësisë së Shqipërisë, duke siguruar që shteti shqiptar të lindte si një rezultat i ripërcaktimit të Ballkanit pas Luftës së Parë Ballkanike.
Zyrtarët dhe albanologët austro-hungarezë e përdorën afërsinë personale me shqiptarët për të financuar rezistencën e tyre ndaj sundimit osman, grek dhe sllav. Marrëdhënia ishte reciproke: edhe pse Monarkia ofronte mbështetje financiare, ekspertizë organizative dhe udhëheqje diplomatike, udhëheqësit shqiptarë ruanin autonominë në vendimmarrje dhe trajtoheshin si partnerë të barabartë. Shqiptarët e pranuan këtë mbështetje, sepse Monarkia nuk i shtypte subjektet e saj myslimane dhe nuk ndiqte politika agresive imperialiste si Italia apo Rusia. Interesat strategjike të saj përputheshin me ato të aristokracisë shqiptare eurofile. Vjena promovoi aktivisht një alfabet të ri shqiptar, mbështeti literaturën kombëtare në qytete të ndryshme europiane dhe rriti numrin e shkollave me qëllim të nxitjes së unitetit midis gegëve, toskëve, myslimanëve dhe të krishterëve.
Albanologë të njohur si Theodor Ippen, Norbert Jokl dhe Franz Nopcsa kontribuan me hulumtime mbi gjuhën, historinë dhe gjeografinë shqiptare. Autoritetet austro-hungareze investuan në mbështetje të shqiptarëve, në një kohë kur etniciteti dhe feja shërbenin për të rivizuar kufijtë e Ballkanit. Studimet e tyre ndihmuan në formësimin e politikave ndaj territoreve osmane.
Edhe pse vendimet e Konferencës ndanë trojet shqiptare, ato mundësuan krijimin e shtetit shqiptar në Evropën Juglindore. Ndërtimi i shtetit midis viteve 1912 dhe 1914 dështoi për shkak të destabilizimit nga fqinjët dhe konflikteve ndërmjet fuqive të mëdha, por zonat e pushtimit austro-hungarez, italian dhe francez gjatë Luftës së Parë Botërore ofruan përvojë praktike për aristokratët shqiptarë. Emrat e Gjergj Pekmezit, Dervish Himës, Hilë Mosit, Kristo A. Dakos, Aleks Budës, Eqerem Çabejt, Kolë Kodhelit, Jani Bashos, Xhevat Korçës, Ndue Palucës, Nush Bushatit, Kolë Mirëditës, Safet Butkës, Fuad Asllanit, Lasgush Poradecit, Krist Malokit, Skënder Luarasit, Sokrat Dodbibës, Kolë Rrotës, Simon Kadares, Gaspër Beltojës, Gaspër Mikelit, Kolë Margjinit, Lec Çurçisë etj. hynë në ajkën e elitës intelektuale shqiptare.
Si rezultat i bashkëpunimit të suksesshëm midis Monarkisë Austro-Hungareze dhe shqiptarëve, baza teorike e ndërtimit të kombit shqiptar u vendos para Luftës së Parë Botërore, megjithëse zgjerimi i vetëdijes kombëtare dhe pavarësia e vendit mbetën synim i një grushti atdhetarësh shqiptarë. Kur Luftërat Ballkanike (1912-1913) shkaktuan rënien e Perandorisë Osmane, shumica e shqiptarëve nuk ishin të përgatitur për lindjen e një Shqipërie të pavarur. Ata u habitën nga humbja e shpejtë e ushtrisë osmane dhe ndarja nga Perandoria, pas 500 vjet sundimi. Historia nuk u dha kohë shqiptarëve për t’u mësuar me idenë e pavarësisë. Megjithatë, pavarësia u shpall më 28 nëntor 1912 nga Ismail Qemali, i cili kishte prestigj kombëtar dhe ishte anëtar i familjes së njohur Vlora. Ambasadorët në Konferencën e Londrës e njohën shtetin e ri, sovran dhe neutral, më 29 korrik 1913 dhe vendosën mbrojtjen e tij nga Fuqitë e Mëdha.
Edhe pse vendimet e Konferencës i ndanë trojet shqiptare, ato mundësuan krijimin e shtetit shqiptar. Ndërtimi i këtij shtett midis viteve 1912 – 1914 dështoi, për shkak të destabilizimit nga fqinjët dhe konfliktet ndërmjet Fuqive të Mëdha, por zonat e pushtimit austro-hungarez, italian dhe francez gjatë Luftës së Parë Botërore ofruan përvojë praktike për aristokratët shqiptarë.
Pas nënshkrimit të traktateve të paqes, pas vitit 1918, elita shqiptare kishte mbledhur tetë vite përvojë shtetërore për jetë të pavarur.
Pas vendimit të Konferencës së Ambasadorëve për Shqipërinë me 9 nëntor 1921, dhe në përgjigje të kërkesës së qeverisë shqiptare për njohje, qeveria federale e Republikës së Austrisë, më 18 shkurt 1922, njoftoi zyrtarisht qeverinë shqiptare se e njihte Shqipërinë si shtet sovran e të pavarur dhe shprehte dëshirën për zhvillimin dhe konsolidimin e marrëdhënieve miqësore midis të dy vendeve.
Rënia e Monarkisë nuk e dëmtoi angazhimin e ekspertëve shqiptarë të formuar në Austri dhe Hungari, të cilët punuan deri në vitet tridhjetë. Gjatë këtyre dekadave, një brez i dytë i albanologëve austro-hungarezë, si Norbert Jokl, ndihmoi studentët shqiptarë. Për më tepër, studentët u njohën me albanologjinë moderne dhe literaturën historike, duke forcuar identitetin kombëtar dhe njohuritë për historinë e Shqipërisë. Kështu, ndërthurja e përvojës austro-hungareze dhe iniciativave vendase vendosi themelet e shtetit dhe kombit shqiptar modern.
Prania kulturore e Austro-Hungarisë në Shqipëri, përveç disa teprimeve gjatë pushtimit ushtarak (1916-1918), mbeti si kujtes positive, për shkak të ndikimit të saj kulturor dhe politik, përmes Kulturprotektoratit, politikës shkollore dhe përfshirjes në procesin e ndërtimit të kombit e të shtetit shqiptar. Trajnimi i studentëve shqiptarë në Vienë, Graz dhe qytete të tjera austro-hungareze filloi para Luftës së Parë Botërore dhe u intensifikua në mes të dy luftërave si nga Austria dhe nga Hungaria, duke nxitur krijimin e shoqatave, klubeve dhe botimin e revistave e të librave. Shumë nga këta studentë u kthyen në Shqipëri dhe kontribuan në konsolidimin e shtetit në fusha të ndryshme profesionale. Anëtarë të asaj që quhej “kolonia austriake” jetuan dhe punuan në Shqipëri, duke u lidhur shpesh me mbretin Zog dhe administratën e tij. Persona si konsulli nderit Zef Curani, botuesi Leo Freundlich dhe oficerët Leon Ghilardi dhe Gustav von Myrdacz luajtën role kyçe në ushtrinë dhe politikën shqiptare; Freundlich ishte mik i ngushtë i mbretit Zog; Ghilard ishte gjeneral dhe këshilltar i tij, ndërsa Myrdacz kreu detyrën e shefit të Shtabit të Ushtrisë Shqiptare; Hermann Kirchner, ish-oficer i pensionuar, u bë shef i Departamentit të Personelit në ushtrinë shqiptare më 1931. Për të nxitur marrëdhëniet ekonomike dhe kulturore midis dy vendeve, u krijua Shoqëria Austro-Shqiptare, e themeluar në Vjenë më 1929. Pra ndikimi i Austrisë në politikën e brendshme dhe të jashtme të Shqipërisë vazhdoi përmes arsimit, ekspertizës dhe kërkimeve shkencore.
Përvoja e pushtimit austro-hungarez gjatë Luftës së Parë Botërore nuk ishte negative për Shqipërinë dhe ndihmoi në formimin e elitës politike. Në mes të dy luftërave botërore, elita shqiptare e kuptoi rëndësinë e kontributit të Monarkisë në ndërtimin e kombit dhe të shtetit. Zogu vazhdoi të dërgonte ministra dhe të afërm në Vjenë dhe Budapest për ndihmë, duke përfituar nga këshilltarët ushtarakë, ekspertët bujqësorë dhe mjekësorë austriakë që punonin në Shqipëri.
Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, qeveria e re komuniste filloi përpjekjet për njohjen e saj ndërkombëtare. Sa më shumë thelloheshin zhvillimet e Luftës së Ftohtë dhe grupimi i shteteve në blloqet politiko-ushtarake të kësaj lufte, aq më tepër kufizohej harta gjeografike e njohjeve të qeverisë komuniste. Për shkak të pozicionit të saj neutral, në zbatim të pikave të Traktatit të Paqes me Austrinë, kjo e fundit ishte një ndër vendet e pakta perëndimore që Tirana zyrtare në rrugë diplomatike, jo publike, bëri përpjekje të ngjallte interesin e qeverisë austriake për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike. Më 7 shkurt 1956, në selinë e Legatës shqiptare në Beograd, midis të dërguarit të Jashtëzakonshëm dhe ministër Fuqiplotë i Republikës Popullore të Shqipërisë dhe ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës Austriake në Beograd, me autorizim të qeverive respektive, u këmbyen nota diplomatike, në bazë të të cilave midis dy vendeve u vendosën marrëdhënie normale diplomatike dhe konsullore.
Pas vitit 1945, intelektualët që kishin studiuar në Vjenë i integruan njohuritë e fituara në ideologjinë e Shqipërisë komuniste. Ata ishin ndër të paktët të arsimuar jashtë vendit që nuk u persekutuan menjëherë nga regjimi i Enver Hoxhës. Disa prej tyre u përshtatën me sistemin e ri, ndërsa shkrimtarët dhe poetët u kufizuan kryesisht në përkthimin e veprave klasike.
Pavarësisht distancës ideologjike zyrtare, ekzistonin lidhje historike, përfshirë rolin e mëhershëm të Austrisë në pavarësinë e Shqipërisë (para vitit 1945), por dyshimi i regjimit komunist ndaj ndikimit perëndimor pengoi zhvillimin e shkëmbimeve aktive kulturore. Përmirësimi i ndjeshëm i marrëdhënieve dypalëshe filloi vetëm pas rënies së regjimit komunist, kur Austria u bë një partner kyç, duke i dhënë Shqipërisë statusin e “Kombit më të Favorizuar” në janar të vitit 1992.