
Prof. As. Dr. Afrim Krasniqi/
Raporti Bertelsmann Stiftung’s Transformation Index (BTI) 2024 ofron të dhëna me interes për situatën e demokracisë, shtetit të së drejtës, gjendjes ekonomike, kohezionit social dhe lirive politike e ekonomike. Të dhënat për Shqipërinë marrin vlerë nëse krahasohen me të dhënat e një vendi rajonal më të suksesshëm dhe në këtë rast, me Slloveninë, një vend rajonal tashmë anëtare në BE. Siç rezulton nga tabela, treguesit më kritikë janë në nivelin socialekonomik, në politikat mjedisore dhe arsimore, në jetësimin e shtetit të së drejtës dhe në integrimin social dhe politik. Treguesit më të lartë janë shënuar në integritetin shtetëror, në bashkëpunimin ndërkombëtar, në pjesëmarrjen politike apo në stabilitetin monetar dhe financiar. Treguesit e Sllovenisë, siç shihet nga tabela krahasuese, janë dukshëm më të lartë sesa Shqipëria, sidomos në treguesit e shtetit të së drejtës, demokracisë, performancës ekonomike dhe stabilitetit të institucioneve.
Vlera referuese? Nga brenda Shqipërisë është e vështirë të bëhen analiza vlerësuese të situatës/gjendjes për sa kohë politikanët tradicionalisht bëjnë krahasime me vitin e fundit të pushtetit të palës tjetër (PS bën krahasim me 2013, PD me 2005 dhe madje vetë PPSH bënte gjithnjë krahasim me 1938)! Në këto rrethana krahasimi rajonal dhe më tej përbën një bazë thelbësore dhe jetike referimi për njohjen e vetvetes dhe orientimin drejt të ardhmes. Duke qenë vend anëtar në NATO dhe në proces bisedimesh për anëtarësim në BE krahasimet duhen bërë me vende të së njëjtit stad ose me ato që janë modele suksesi por me tipare të përafërta historike me ne. Në këtë rast, BTI 2014-2024 tregon se Shqipëria është më mirë se Bosnja, Serbia apo Kosova, por ende pas Malit të Zi apo Maqedonisë së Veriut. Nga vendet ish komuniste vendi më i suksesshëm rezulton Çekia, ndjekur nga republikat baltike, dhe më pas Polonia.
Në fund të fundit, në një qasje më strategjike, tabela orienton edhe çështjet/problematikat që duhet të jenë fokus i të ardhmes, fushat ku kërkohen reforma dhe ndërhyrje konkrete, sfidat kryesore politike e shtetërore dhe kështu, edhe temat mbi të cilat do të duhet të kishte debat politik e publik në Shqipëri.