Zbardhet dorëshkrimi i Sospellos, historia e Shqipërisë nën “optikën” e misionarëve katolikë/
Përgatiti: Eneida Jaçaj/
Në arkivat e shtetit italian gjenden dokumente të vjetra 600 vjeçare për historinë e Shqipërisë, kulturën, shkollat, gjuhën, traditat, etj. Ato janë një minierë e pafundme për studiuesit, për të zbuluar shumë të pathëna dhe për të njohur akoma edhe më mirë, historinë shekullore të Shqipërisë. Një dorëshkrim historik i shekullit të 17-të, për Shqipërinë, është zbuluar në Bibliotekën e Bashkisë së qytetit të Fermos në Itali, të quajtur Biblioteca Civica “Romolo Spezioli”. Dorëshkrimi që ka për autor, Fra Giacinto da Sospello, do të publikohet së shpejti në formën e një libri, nën kujdesin e studiuesit të njohur, Mark Palnikaj, i cili, pa ndihmën e asnjë institucioni apo organizate, por me të ardhurat nga xhepi i tij, po bën një punë të shkëlqyer kërkimore në arkivat e shtetit italian, për të zbuluar historinë e plotë të Shqipërisë dhe të gjuhës shqipe.
Ky libër vjen me titullin “GIACINTO P. Da Sospello – Relatione Universale dell’origine, e suçesso della Missione Apostolica de Frati Min.ri Oss.ti Rifor.ti Del serafico P’rè S. Francisco nel Regno d’Albania; është i ndarë në gjashtë kapituj dhe përshkruan historikun e 16 misioneve fetare, të kryera në shekullin e 17-të, ku ka qenë pjesë edhe autori i librit. Dorëshkrimi i përket periudhës kohore nga viti 1634 deri në vitin 1650. Fra Giacinto da Sospello ka qenë Vikar Apostolik i Shqipërisë, dhe përshkruhen përpjekjet që bënin misionarët katolikë për edukimin fetar dhe social të popullsisë shqiptare.
Ai ka lënë edhe disa dokumente dhe relacione të shkruara në Arkivin e Propagandës Fide dhe në Arkivin Sekret në Vatikan, në Arkivin e Shtetit në Modena dhe në disa arkiva të tjerë, të publikuar një pjesë e tyre nga studiuesi shqiptar, Injac Zamputi, dhe nga studiuesi italian, Lorenzo Taçhella.
Shkollat shqipe, shekulli i 17-të
Misioni i klerit katolik shqiptar nuk ishte i ndalur vetëm në edukimin fetar të popullsisë, por, ata janë përpjekur të hapin shkolla për të shkruar dhe lexuar gjuhën shqipe, pra, shkollat kishin edhe karakter shkencor. Priftërinjtë i hapën shkollat për fëmijët 8 deri 10 vjeç, por edhe më të mëdhenj. Numri i nxënësve që dëshironin të mësonin, shtohej dita-ditës. Sipas të dhënave, priftërinjtë hapën shkolla që datojnë nga viti 1585; në Kurbin më 1632; shkolla e Pllanës dhe të Blinishtit në vitin 1644; shkolla e mesme në Janjevë të vitit 1670; shkolla e Rrjollit, e hapur nga Pjetër Bogdani me mësues Marin Gjini, në vitin 1675; shkolla e Shkodrës, e hapur nga Filipi, nga Shkodra, në vitin 1698, e shumë shkolla të tjera. Në vitin 1703 është mbajtur në Mërqi të Lezhës, Kongresi i Arbërit, ku shënimet dhe vendimet ishin në gjuhë latine, por u përkthyen në gjuhën shqipe në vitin 1706. Frati Françesko Maria nga Leçe, në vitin 1716, kishte botuar Gramatikën e Gjuhës Shqipe, me 270 faqe, dhe fjalorin italisht shqip, etj.
Fretërit kur mbërritën në Shqipëri, në pjesën veriore, u përballën me analfabetizmin dhe varfërinë. Ata kishin një shprehje: “Ah shqiptarëve të varfër, gomari ua ka ngrënë gërmat”. Një shprehje shumë e përhapur në atë kohë për kombet që nuk kishin alfabet të tyre.
Madje, doktrina e krishterë ishte “mësojuni letra atyre që janë më të aftë, predikoni ato në ditët e festave, dhe festoni mesha gjatë ditëve të javës”. Por nevoja për luftë ishte shumë e domosdoshme, pasi turqit kishin nisur vrasjet dhe persekutimet.
Marrëdhënia e klerit me sunduesit osmanë
Në këtë libër, i cili ka informacione të pafundme për Shqipërinë, përshkruhen edhe marrëdhëniet e klerit me Perandorinë Osmane. Konkretisht, përshkruhet bashkëpunimi i shqiptarëve katolikë me gjeneralin Dalmat në luftë për çlirim kundra turqve. Kleri ka luajtur rol thelbësor në shporjen e osmanëve nga Shqipëria. Në kundërpërgjigje, osmanët kanë kryer vrasje dhe ekzekutime ndaj tyre për të ruajtur pushtetin sundues. Në një nga kapitujt përshkruhet se disa individë kishin vjedhur vulën e fretërve dhe kishin vulosur dokumente që i kishin hartuar vetë, për të komprometuar dhe penalizuar fretërit në raport me sundimtarët turq.
Kjo bëri që të arrestohen shumë priftërinj dhe paguheshin shumë para për lirimin e tyre, edhe pse ishin të pafajshëm. Osmanët kanë kryer ekzekutime dhe vrasje jo vetëm ndaj klerit shqiptar, por edhe ndaj misionarëve të huaj. Sa i takon vrasjeve, dy françeskanët e parë që erdhën në vitin 1636 në Shosh, Pader Kerubino ngaa Vallebonas dhe Pader Bonaventura nga Pallazuola, u kërcënuan me vdekje dhe u larguan. Në vitin 1644 janë ngulur në hunj të gjallë dy fretër në Shkodër dhe janë vrarë dy fretër në Kelmend në buzë të lumit Cem. Nga viti 1620 deri në vitin 1750 janë vrarë 11 fretër vetëm në dioqezat e Pultit dhe Shkodrës.
Kapitujt e librit
Libri është i ndarë në 6 kapituj dhe në faqen e parë ka shënimin “Relatione delle missioni dell’Albania”. Më poshtë, titujt e kapitujve:
1. Kapitulli i parë me titull: Cap.o P.o Del sito e stato dell’ Albania, sue Provincie e Cristianità.
2. Kapitulli i dytë: Cap.o 2 Della Christianità delli monti d’Albania. Faqe 8.
3. Kapitulli i tretë: Cap.o 3 Dell’origine, qualità e costumi delli Albanesi. Faqe 19.
4. Kapitulli i katërt: Cap.o 4 Della necessità che tiene l’Albania dell’ Apostolichè Missi.
5. Kapitulli i pestë: Cap. 5 Dell’origine delle Miss.ni Apostoliche mandati nel Regno di Albania
6. Kapitulli i gjashtë: Cap. 6 et ultimo Cattalogo delli Miss.rij et Operarij ò Coad.ri che hanno fatticato nella Miss.nè d’Alb.a. Ky libër është një minierë informacionesh historike. Së shpejti do të publikohet nën kujdesin e Mark Palnikaj, i cili do të vijë me të tjera zbulime për lexuesit dhe studiuesit. Pra, u jepet mundësi edhe studiuesve të tjerë, që të hulumtojnë mbi këto dokumente të vjetra origjinale.