


Nga një gazetar italian i pranishëm në vendgjarje
Rafael Floqi/
Teksa zhvillohet çdo ngjarje e rëndësishme që i intereson Shqipërisë, nuk janë të paktë ata që shqiptojnë gjykim pas gjykimi, pa u munduar të mbledhin mendimin intim në atë që gjallëron protagonistin e kësaj skene reale. Vetëm duke iu afruar këtij populli, i cili prej vitesh, dhe sot më shumë se kurrë, ka tërhequr sytë e gjithë Europës mbi vete, mund të arrijmë në një njohje të sigurt të ndjenjave që realisht i trazojnë shpirtin e shqiptarit.
Pra, le ta lëmë një herë të shprehet, që zëri i tij të riprodhohet me gjithë besnikëri dhe të dihet gjykimi që vetë shqiptarët japin për gjendjen e re të krijuar nga Kushtetuta Osmane. Kushtetuta, thonë ata, nëse nuk ka sjellë të gjitha ato përmirësime që ka premtuar, megjithatë ka ofruar disa avantazhe, por në një masë kaq të pandjeshme, sa nuk është e mundur të dallohet praktikisht risia që ka ndodhur në jetën e brendshme të perandorisë për disa vite. Një Kushtetutë që erdhi në jetë me gjithë lulëzimin e shpresave të bukura që mund të ndodhë vetëm me një regjim të vërtetë lirie të mirëkuptuar, që duhet të kishte arritur, megjithëse pjesërisht, ndërkohë parashikimet më rozë.
Fatkeqësisht nuk ishte kështu; Këtë e dinë mirë ata që ende e konsiderojnë Turqinë të ndjeshme ndaj përparimit civil. Nëse në të gjitha krahinat e perandorisë së gjerë osmane Kushtetuta u shfaq në formën shtesës së lirisë, në Shqipëri nuk ishte kështu.
Ajo degjeneroi menjëherë në një regjim të jashtëzakonisht të dhunshëm, i cili fare mirë mund të krahasohej me një nga ato të pushtimeve barbare, që mbytin jo vetëm çdo aspiratë më spontane të popullit, por që shtypën edhe vetë lirinë personale. Në të vërtetë, ajo u reduktua tek puna e tmerrshme e Turgut Pashës, komandantit suprem të 20,000 trupave turke – gjatë rrethimit të fundit në Villajetin e Shkodrës? Turgut Pasha, i cili, siç thonë këtu, një ish shtetas gjerman i inkorporuar në ushtrinë turke, e tmerroi në mënyrë të papërshkrueshme, popullsinë shkodrane. Gjaku rridhte si përrenj nëpër rrugë dhe fyerjet ndaj grave ishin në rend të ditës, pasi në rend i ditës ishin ndëshkimet fshikullimet me kërbaç, që binin anë kurrizin e tyre që guxonin të shprehnin habinë e tyre, për vendosjen e papritur të këtij sistemi të ri të gjakderdhjes dhe të dhunës. Turgut Pasha, dora e fortë dhe e dhunshme e një njeriu, i cili çdo ditë mbante një fjalim para trupave, duke bërë që auditori i habitur të dridhej; hoxhallarët, madje u llahtarisën. Predikimi i zjarrtë më së shpeshti, përfundonte pikërisht me këto fjalë: Zoti juaj nuk është Krishti, Zoti juaj nuk është Muhamedi – që shkaktonte panik në mesin e hoxhallarëve -zoti juaj, jam unë. Nuk ka dyshim që në Itali dikush që shprehej me seriozitet në këtë mënyrë, do të mbyllej menjëherë në një spital psikiatrik, në seksionin paranojak.
Turgut Pasha, qe gjendur një ditë me trupat e tij pranë një fshati, dhe pa një hoxhë që po qëndronte në minaren e një xhamie duke kënduar nga çatitë, lutjen e zakonshme drejtuar Allahut, dhe pa shumë ceremoni u dha urdhër ushtarëve të tij ta hidhnin në erë minaren, dhe, në një çast minarja dhe edhe hoxha i gjorë u shndërruan në një grumbull pa formë mbetjesh të përgjakshme dhe rrënojash. Më pas, goditjet me kamzhik ishin bërë një spektakël publik ku merrnin pjesë duke argëtuar trupat turke, dhe çfarë është më cinike e ironike, skena e dhimbshme dhe e egër do të ndodhte nën sytë dhe brohorimat e turmës.
Një grua e futur në burg me dyshimin se kishte fshehur armë dhe dëshironte të mos tregonte emrin e pronarit të tyre, dhunohet brutalisht nga ushtarët përgjegjës për ruajtjen e burgut. Çështja i bëhet të ditur të burrit të saj , i cili i acaruar dhe gati i çmendur nga pikëllimi, shkon te dera e burgut për të shprehur indinjatën e tij dhe për të kërkuar mëshirë për gruan e tij të varfër, tashmë nënë e fëmijëve të vegjël. Burri pritet me bajoneta dhe vritet brutalisht në pragun e burgut. Dhe ndërkohë njerëzit, sidomos në vilajetin e Shkodrës, vuajnë tmerrësisht nga varfëria. Në Shkodër nuk ka asnjë fabrikë, asndonjë punishte, ndonjë laborator, përveç disa mullinjve dhe një fabrikë sapuni. Dhe çdo ditë në qytet mbërrijnë tufa lypsash, të cilët i sulmojnë udhëtarët me këmbëngulje të egër, të shtyrë nga uria që i torturon. Është një shfaqje e neveritshme. Por shumë më e dhimbshme, më shqetësuese është varfëria e skajshme që fshihet nëpër shtëpi, ku për netë radhazi babai kthehet pa një bukë për të ushqyer fëmijët e tij dhe shan e shan këdo që është shkaku i kaq fatkeqësive.
Unë vetë pashë këto ditë baballarë familjesh, të nderuar që të fshehur turpësisht nën vellon e errësirës së mbrëmjes, zgjasnin dorën me druajtje për të lypur. Nëse kësaj i shtojmë pastaj eksodin e të gjithë rinisë, e vetmja mbështetje për pleqtë, për kaq shumë familje të varfra që e kishin të vetmen mjete jetese nga puna e fëmijëve të tyre, nuk ka njeri që mund ta imagjinojë shkretimin e këtij populli të mësuar prej kohësh me të gjitha llojet e hidhërimeve, por kurrë në një shkallë kaq të mprehtë abuzimesh fizike dhe morale. Dhe padrejtësitë që autoriteti kryejnë çdo ditë me arrogancën që u jep liria, e kombinuar me barbarinë më të rafinuar, që i shtojnë agoni- agonisë. Veprat e këqija alternojnë tmerrësisht; as shtypi nuk e ndjen për detyrë të merret me të. Unë do të tregoj për atë që po ndodh ndërsa shkruaj, që është si një hallkë në zinxhirin e skëterrës. Një i ri njëzet vjeç, një farë Lufo, nga Shkodra, u thirr së fundmi për shërbimin ushtarak. I prekur nga një plagë në gju, ai iu nënshtrua një vizite nga një mjek ushtarak i cili e shpalli të paaftë. Por mjekët e tjerë ushtarakë nuk donin të linin, një tjetër nga viktimat e pakta të hakmarrjes së tyre dhe e shtruan në spital për ekzaminim të mëtejshëm. E mbyllën në një dhomë të keqe dhe johigjienike, pranë një të prekuri nga murtaja që po vdiste, ku e lanë pa ushqim për 36 (tridhjetë e gjashtë) orë, për shkak të mungesës së regjistrimit të rregullt të numrit të regjistrimit. Pastaj i përgatitën ushqimin e përzier, e futën në dhomën e pacientëve më të neveritshëm dhe sëmundje ngjitëse dhe e shtynë të shtrihej në një shtrat të zhytur në gjak dhe qelb të pacientëve të tjerë të infektuar, duke e tallur gjithë sarkazëm – në emër të Muhamedit – të ushtarëve të tjerë më të pakënaqur sesa fajtor. Dhe tani që shkruaj, ai ende kërkon ndihmë, për t’u çliruar nga kaq shumë pisllëqe, që do t’i sjellë atij një vdekje të pashmangshme dhe të tmerrshme.
Ky është një episod i trishtë i odisesë së madhe të dhimbjeve e të tjera, abuzimeve. Por pyesni ata pak rekrutët, që veshin uniformë sot; pyesni ata të një fshati aty pranë – Zadrimës – tashmë të rekrutuar dhe ikur me rastin e një pushimi të shkurtër; më në fund, pyesni të gjithë shqiptarët dhe të gjithë do të kenë një lot për të fshirë, një episod të dhimbshëm për ta thënë, të gjithë do të mund t’ju përsërisin me frazën, që pat thënë një malësori të shekullit të shtatëmbëdhjetë, por një malësori inteligjent nga Sheldia: “Sikur të duhej të përshkruanim të gjithë të keqen që na bëri dhe thotë se e bën turku, do të duhej që gjithë uji i detit të bëhet bojë, dhe qielli të bëhet letër!
Albania e Montenegro nell’ora presente