Akuzatorët e Mbretit Zog po duan ta rehabilitojnë e shesin si kombëtariste figurën e diskredituar të Hoxhës.
Nga Sulejman GJANA*/
Për legalistët dhe kombëtaristët shqiptarë, prilli shënon një muaj të veçantë plot emocione, pasi na kujton data historike që lidhen me fatin e Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Periudha 15 vjeçare e stabilitetit politik, e zhvillimit dhe përparimit, gjatë të cilëve edhe u hodhën themelet e shtetit të ri shqiptar nën drejtimin e Mbretit Zog, u ndërpre prej pushtimit nga Italia fashiste, e cila në kundërshtim me të gjitha traktatet dypalëshe, ligjet dhe konventat ndërkombëtare për respektimin e integritetit dhe sovranitetit tokësor, me 7 prill 1939 pushtoi pabesisht vendin tonë.
Atë ditë, përveç faktit që Shqipëria humbi pavarësinë, diktatura fashiste ia bëri djepin diktaturës komuniste dhe në bilancin fundor këto të dyja sëbashku shkaktuan një numër të frikshëm viktimash ndër shqiptarët, gjatë LDB dhe periudhës komuniste.
Prilli po ashtu na kujton dy ngjarje të tjera të rëndësishme, pasi më 5 prill 1939 lindi Mbreti Leka, jeta dhe vepra e të cilit ishin një shembull për të gjithë shqiptarët, sesi duhet të punojmë dhe t’i kushtojmë gjithçka të shtrenjtë atdheut dhe kombit.
Por fatkeqësisht Mbreti Leka nuk është më midis nesh dhe kjo na e shton dhimbjen dhe emocionin. Sikurse është përkujtimi i 9 prillit 1961 kur ndërroi jetë arkitekti i Shqipërisë moderne dhe jetësuesi i Shqipërisë së pavarur, Mbreti Zog.
Në nderim të të gjithë atdhetarëve shqiptarë që ia dedikuan jetën atdheut dhe kombit, me në krye Mbretin Zog dhe Mbretin Leka, ju ftoj të mbajmë një minutë heshtje.
Sot e përkujtojmë 7 Prillin, jo për t’u kujtuar shqiptarëve të Premten e Zezë, pasi ne legalistët-antifashistë të parë dhe gjenuinë, nuk i bëjmë homazhe fashizmit dhe nuk vajtojmë e glorifikojmë humbjet e mëdha duke i kthyer në data historike, sikurse serbët, por e bëjmë për të nderuar me përulësi rezistencën heroike dhe heronjtë e kësaj rezistence ndaj pushtimit, me në krye Heroin legjendar Abaz Kupi. Rezistencë disaditore kjo që tronditi dhe mrekulloi mbarë opinionin ndërkombëtar, e që u pasqyrua për javë të tëra në pothuajse gjithë shtypin botëror, që glorifikoi meritueshëm luftën heroike dhe gjakun e derdhur të zogistëve dhe kombëtaristëve shqiptarë. Sepse ishte pikërisht kjo rezistencë që ndezi fitilin e rezistencës antifashiste botërore, e që vazhdoi më pas në mbarë truallin tonë dhe bëri shkrumb e hi planet e fqinjëve shovinistë për coptimin e mëtejshëm të Shqipërisë në Konferencën e Paqes së pasluftës.
Kontributi i zogistëve në rezistencën antifashiste me në krye Abaz Kupin-anëtar ndër kryesorët e Këshillit Antifashist të dalë nga Konferenca e Pezës, dhe më pas lufta heroike e formacioneve zogiste kundër nazistëve me ndihmën dhe nën mbikqyrjen e misioneve britanike, është pasqyruar gjerësisht dhe thellësisht në librat me kujtime të oficerëve të djathtë britanikë, sikurse Dejvid Smajli, Bill Maklini, Xhulian Emeri dhe Piter Kemp.
Opinioni botëror dhe shtypi antifashist e glorifikuan rezistencën shqiptare kundër pushtimit të 7 Prillit, pasi kjo rezistencë e përgjakshme ku u martirizuan qindra atdhetarë, kontrastonte thellë me pushtimin dhe aneksimin pa luftë të Sudeteve, Çekosllovakisë dhe Austrisë, dhe sidomos me kapitullimin e mëvonshëm, pa kushte dhe brenda 4 ditësh, të Francës.
Fatkeqësisht Shqipëria u bë viktima e parë e agresionit fashist, për shkak të afërsisë gjeografike, pozitës avangardë strategjike si urë kalimi në Ballkan dhe synimeve të Duçes për t’u dëshmuar si aleat i denjë i Hitlerit, duke konsideruar rëndësinë e Ballkanit në planet gjeostrategjike të Boshtit nazifashist. Gjithashtu Shqipëria u viktimizua edhe për shkak të urisë fashiste për pasuri që do shërbenin si karburant për luftën, si dhe për shkak të fuqisë së faktorit shqiptar në arealin politik ballkanik, me synimin për ta manipuluar duke i servirur Shqipërinë e Madhe si kundërshpërblim për kolaboracionizmin dhe aspiratën kombëtare të bashkimit të trojeve të coptuara shqiptare, gjithmonë në suazën e perandorisë dykontinentale fashiste.
Mbreti Zog i sprovuar në të gjitha luftërat dhe betejat e fillimshekullit XX, ku jo vetëm nuk bishtnoi por qëndroi në ballë, u detyrua të largohej dy ditë pas pushtimit, për shkak të pushimit të ekzistencës së mbarë institucioneve dhe vetë shtetit shqiptar, kryetar i të cilit ishte.
Në kushtet kur shtetet fqinjë, (që më parë kishin refuzuar propozimin e Tij për Aleancën ballkanike), shpallën mbylljen e kufijve shtetërorë, qeveria dhe parlamenti vendosën që Mbreti Zog dhe Familja e Tij të largoheshin për të mos rënë në duart e pushtuesve dhe për të mos e lënë shtetin shqiptar pa përfaqësimin e domosdoshëm ndërkombëtar. Në zbatim të këtyre vendimeve, Mbreti u largua në botën e lirë për të vazhduar aksionin diplomatik të denoncimit të pushtimit fashist dhe rifitimin e të Drejtës ndërkombëtare të rikthimit të sovranitetit dhe pavarësisë së shtetit shqiptar, me fuqi të plota. Atribute juridike këto të konsakruara edhe në statutin e Lidhjes së Kombeve, anëtar me të drejta të plota e së cilës ishte Shqipëria, sikurse edhe Italia.
Mbreti Zog jo vetëm nuk pranoi kolaboracionizmin me fashistët, por nuk pranoi kurrnjëherë të bëhej kukull dhe fasadë për pushtuesit. Po kështu vepruan më pas edhe monarkët dhe qeveritarët e Greqisë, Jugosllavisë, Hollandës, dhe pothuajse të të gjitha vendeve europiane, pas pushtimit nazifashist.
Por Mbreti Zog nuk u largua pa siguruar rezistencën e armatosur të forcave legale, Ushtrisë dhe Xhandarmërisë mbretërore, nën drejtimin e major Abaz Kupit, veprim ky që ua zbardhi faqen Shqipërisë dhe shqiptarëve dhe që e radhiti meritueshëm vendin tonë, më vonë, përkrah Aleatëve të Mëdhenj, kur edhe ata e vuajtën në kurriz pushtimin dhe agresionin nazifashist.
Urrejtja e fashistëve ndaj Mbretit Zog u mishërua jo vetëm në propagandën fashiste kundër Tij por edhe në aktet arbitrare të administratës fashiste që çuan në shpronësimet e paligjshme të pronave të Familjes Mbretërore, dënimin personal kapital, dënimin e funksionarëve të lartë në mungesë, si dhe burgosjen e internimin e shumë titullarëve të institucioneve, që nuk mundën të largoheshin.
Apologjetëve të historiografisë sllavokomuniste, që për 50 vjet kanë propaganduar se Mbreti Zog e shiti Shqipërinë tek Italia fashiste, u kujtojmë sot se ata që shesin atdheun shpërblehen për tradhtinë nga hasmi dhe nuk dënohen me vdekje e nuk kërcënohen ushtarakisht, sikurse Mbreti Zog dhe shteti shqiptar në vitet 1931-1935. Atyre nuk u grabitet kurora e sovraniteti në favor të një mbreti tjetër, aq më tepër i huaj, e sidomos pa abdikim.
Tashmë dihet se deri më 7 Prill komunistët numëronin si merita pjesëmarrjen në konfliktin civil ndërspanjoll midis republikanëve komunistë dhe monarkistëve, si dhe brohorimat për Paktin Molotov-Ribentrop, sipas porosive të Moskës dhe Kominternit. Ata nuk derdhën asnjë pushkë dhe asnjë pikë lot më 7 Prill, përveçse veshën kostumet ngjyrë gri të bashkimxhinjve veteranë, që ishin bërë që të gjithë anëtarë të grupeve fashiste ose komuniste, dhe pelegrinë romanë ose moskovitë.
Vetëm pas prishjes së paktit Molotov-Ribentrop, më 22 qershor 1941, komunistët u bënë antifashistë dhe shkuan në Serbi, ku ftuan serbët t’u bënin partinë e t’u caktonin punët, krahas ofiqeve dhe shërbimeve.
Gjatë diktaturës komuniste, Enveri, historiografët komunistë dhe emisarët e Sigurimit të Shtetit, nuk gjetën asnjë provë për të fajësuar për ujdi antikombëtare Mbretin Zog. Edhe funksionarët e lartë të Sigurimit famëkeq, para pak vitesh kanë pohuar publikisht se veprimtaria e Mbretit Zog në raport me çështjen dhe interesat kombëtare, është e panjollë.
Pas shpalljes së pluralizmit politik dhe hapjes së vendit e arkivave, veprimtaria e Mbretit Zog doli në dritën e diellit si e paqortueshme dhe thellësisht atdhetare, sidomos në momente vendimtare për Shqipërinë, siç ishte pushtimi fashist i 7 Prillit.
Tashmë edhe akuzat e stërvjetëruara dhe të dala boje, nuk po gjejnë konfirmim në dokumentacionin arkivor të ministrisë së Jashtme, asaj të Brendshme apo Arkivit Qendror të Shtetit.
Akuzatorët e Mbretit Zog po duan ta rehabilitojnë e shesin si kombëtariste figurën e diskredituar të Hoxhës. Por ne legalistët u bëjmë thirrje që ta pranojnë më në fund të vërtetën e pakundërshtueshme të antikombëtarizmit të Enverit të tyre.
Ne zogistët nuk mburremi vetëm për rezistencën më 7 Prill 1939, por kemi të drejtë të mburremi për gjithë shpirtin dhe aksionin e rezistencës në mbrojtje të interesave të atdheut e kombit, sikurse vepruam gjatë LDB dhe gjatë viteve të diktaturës komuniste, edhepse vuajtëm në kurriz vrasjet, burgimet, internimet, ekzilin, por asnjëherë nuk bëmë dhe nuk bëjmë mbrapsht.
Ne, me shembullin dhe mësimet e Mbretit Zog dhe Mbretit Leka, si në Shqipëri, ashtu edhe në mërgim, nuk pranuam asnjëherë të bëjmë kompromis me diktaturën dhe armiqtë historikë të kombit shqiptar.
Ishim ne europeistët dhe atlantistët e parë. Ishim ne propaganduesit e lirisë dhe demokracisë. Ishim ne jetësuesit e idealeve të Rilindjes kombëtare.
Simbolet tona ishin dhe mbeten Mbreti Zog dhe Mbreti Leka.
Zonja dhe Zotërinj,
Sot PLL dhe legalistët janë trashëgimtarët legjitimë dhe bartësit e frymës e të filozofisë zogiste për çështjen kombëtare, vizionin e zhvillimit, forcimin e shtetit e institucioneve, si dhe mbrojtjen e interesave kombëtare.
PLL mendon se integrimi europian kërkon si parakusht zhvillimin nëpërmjet identifikimit dhe shfrytëzimit të rezervave të zhvillimit brenda vetë trojeve dhe popullit shqiptar, në Shqipëri dhe përtej kufijve.
Shtetarët e mëdhenj dhe mendjet e ndritura, shqiptarë ose jo, kanë argumentuar se kombi shqiptar me burimet njerëzore e materiale që disponon, është i vetëmjaftueshëm (autosufiçient) për ekzistencë dhe zhvillim kah bota e përparuar ku synon të integrohet.
Por klasa politike e pluralizmit në tranzicion nuk ka arritur të ndërtojë shtetin dhe institucionet e veta, për shkak të dominimit prej interesave të pushtetit.
Sot shteti është inefiçient, i varur totalisht nga politika dhe pothuajse i molepsur nga korrupsioni me prapavijë dhe koperturë politike në të gjitha nivelet dhe institucionet. Administrata vuan nga politika dhe qytetari e ndjen veten të huaj, i papërfaqësuar nga shteti i tij dhe i diferencuar në ndihmë dhe të drejtat themelore.
Drejtësia konsiderohet e korruptuar dhe e nënshtruar nga politika. Ajo nuk ka asnjë mundësi të funksionojë sipas ligjit, të varet nga ligji dhe të japë drejtësi sipas ligjit.
Të drejtat e qytetarëve shiten e blihen dhe askush nuk përgjigjet për shkeljet e hapura të parimit të barazisë para ligjit.
Në rrafshin pasuror shqiptarët janë ndodhur në pozita të pabarabarta para ligjeve, ku shpesh injorohet e drejta e shenjtë e pronësisë.
Ligji 7501 është një ligj antikombëtar, që ka mbjellë vëllavrasjen dhe pabarazinë përballë kushteve të mbijetesës në kapitalizmin allashqiptar, në raport me pronën si burim jetese.
Pronarët e ligjshëm që komunizmi i likujdoi me mburrje si klasë, duke përdorur metoda staliniste, sot sërish kanë mbetur pa pronën e trashëguar, e cila është përvetësuar me ligje të padrejta e të keqzbatuara dhe shpesh herë me korrupsion.
Privatizimet, strategjike e jostrategjike, në përgjithësi jo vetëm nuk kanë sjellë rritje të efikasitetit ekonomik, mirëmenaxhimit, punësimit, rritje të gamës e sasisë së produkteve e shërbimeve, por shpesh kanë shërbyer vetëm si troje, tulla, tjegulla e skrap për privatizuesit klientelë e politikës. Shumica e pronarëve të trojeve janë përjashtuar nga e drejta e privatizimit, me anë të formulës së famshme të përshpejtimit të qëllimshëm të privatizimit dhe pengimit të procesit të kthimit të pronës.
Pseudoreformat në sistemin arsimor kanë sjellë rrënimin e dijes dhe cilësisë së arsimimit, duke prodhuar padituri dhe mungesë kompetiviteti në krahasim me kërkesat e tregut tejet të pamjaftueshëm shqiptar dhe ato tejet të larta të tregut ndërkombëtar të punës.
Sistemi shëndetësor i është larguar pacientit nëpërmjet ndërtimit të rrjetit spitalor në qendrat e mëdha urbane dhe shitblerja e këtij shërbimi i ka shndërruar pacientët në klientë, duke rrezikuar seriozisht jetën e këtyre klientëve sidomos në zonat e thella.
Ndotja dhe kequshqyerja në kushtet e varfërisë ekstreme, kanë rritur numrin dhe shkallën e rrezikshmërisë së sëmundjeve vdekjeprurëse e atyre që shkaktojnë invaliditet.
Mospërcaktimi i minimumit jetik, propaganda boshe për 10-fishim të GDP për frymë në dy dekadat e fundit, ka sjellë rritjen e mjerimit dhe përdorimin e ndihmës ekonomike si mundësi përfitimi të padrejtë.
Pyjet dhe ekuilibrat ekologjikë janë shkatërruar, duke shkaktuar mbindotje të ajrit, ujërave tokësorë e mbitokësorë, duke shkatërruar jo vetëm burimet ekonomike dhe ato të zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm, por e kanë sjellë situatën mjedisore në kufij ekstremë, athua se kemi superindustri petrokimike e kimike, apo aksidente bërthamore.
Ligji 7501 dhe politikat e dështuara agrare të zhvillimit të prodhimit bujqësor e agroturizmit, jo vetëm shkatërruan fondin e tokës dhe kanalizimeve në këmbim të trojeve për ndërtim, por e kanë çuar prodhimin e përgjithshëm bujqësor në nivele 4 herë më të ulëta se ato të kohës së komunizmit, duke dëshmuar se pasardhësit e komunistëve janë shumë më të paaftë se edhe vetë paraardhësit e tyre.
Sot nga privatizimet e panumërta strategjike, ideatorët, zbatuesit dhe apologjetët nuk gjejnë një rast të vetëm për të dëshmuar se privatizimi ishte i suksesshëm dhe siguroi investime të mëdha kapitale, teknologji të përparuar dhe efikasitet ekonomik me rritje të të ardhurave për arkën e shtetit, në raport me subjektet para privatizimit.
Në kundërshtim me mësimet e shtetarëve të mëdhenj për vetëmjaftueshmërinë ekonomike të faktorit dhe kombit shqiptar dhe synimin tek avantazhet kompetitive me tregjet e tjera, politikat dritëshkurtëra kanë rrënuar ekonominë e shqiptarëve në të gjitha anët e kufijve administrative.
Pavarësisht emigrimit të 1/3 të popullsisë dhe krahut të aftë për punë, në kushtet e shkatërrimit të tregut të punës dhe mundësive për punësim, qeveritë nuk kanë mundur të përballojnë me programe zhvillimi prurjet e reja të tregut të punës. Kësisoj papunësia ka arritur në nivele kritike, sidomos tek rinia, çka ka sjellë rritje të varfërisë dhe kriminalitetit me sfond ekonomik.
Për legalistët punësimi nuk sigurohet me slogane elektorale për krijimin e 250 apo 300 mijë vendeve të reja të punës.
Pabarazia e qëllimtë në garën kapitaliste, margjiinalizoi dhe distancoi nga shanset e integrimit shtresën e të përndjekurve politikë dhe pronarëve legjitimë, të cilët u trajtuan me frikë dhe urrejtjen e dikurshme klasore, për shkak të origjinës së paragjykuar dhe frikës për rehabilitimin e saj në kushtet e barazisë së shanseve për edukim. Atyre iu mohua dhënia e incentivave ekonomikë me përparësi në punësim dhe privatizim, sidomos në kushtet e moskthimit të pronës legjitime.
Në pluralizëm, urrejtja kundër këtyre dy shtresave që zhvilluan dhe shpëtuan Shqipërinë nga armiqtë historikë, ishte ndëshkimi pasues për shkak të kontributeve atdhetare dhe bartjes së genomës kombëtariste, nga e cila trembeshin armiqtë historikë dhe rivalët ekonomikë që emëruan dhe hierarkuan klasën politike me anën e Ramiz Alisë. Themi kështu sepse nuk ka shpjegim tjetër përjashtimi nga gara politike deri më 22 mars 1992 të partive nacionaliste Legaliteti e Balli, të cilat më pas i përçanë e u grabitën votat deri në defaktorizim, ndërkohë që vendin e tyre e zunë parti me sfond etnik e të të gjitha llojeve.
I radhita këto dështime të klasës politike, ndonëse jo të gjitha, për të dëshmuar se vendi ka ende shpresë për ringjallje ekonomike dhe morale. Këtij synimi do t’I kontribuojnë zogistët dhe PLL. Ky është amaneti i Mbretit Zog dhe Mbretit Leka, që legalistët do ta përmbushin, duke mbrojtur gjithmonë interesat kombëtare.
* Fjalim më rastin e 75-vjetorit të 7 Prillit 1939