
Artan Nati/
Bisedat për Shqipërinë moderne janë bërë si një melodi që dëgjohet gjithkund, në rrugicat e qytetit e në tryezat e diasporës, në shoqata patriotike e kafene lagjesh. Shqiptarët kudo flasin për hallet e vendit, për plagët dhe shpresat, për ëndrrat dhe zhgënjimet. Të gjithë biem dakord për krizën, por rrugëtdaljet janë nga më të ndryshmet. Disa kërkojnë shpëtimin te një “dorë e fortë”, një lider i hekurt, një Napoleon modern që të vendosë rregull me grusht. Ka edhe nga ata që me krenari kujtojnë “prejardhjen shqiptare” të Bonapartit, sikur gjaku të ishte zgjidhja e problemeve. Të tjerë, më realistë, tundin kokën me pesimizëm dhe thonë: “Në këtë vend, të gjithë politikanët janë të korruptuar”. Një mik imi, një mendimtar i nderuar, e sheh burimin e të gjitha të këqijave te mbijetesa e ish-komunistëve dhe manipulimi i ish sigurimsave. Sipas tij, populli s’kishte tjetër rrugë veçse të zgjidhte “të keqen më të vogël”. Një tjetër mik, intelektual elitar ushtarak dhe i arsimuar në perëndim, këmbëngul se gjithçka nis dhe mbaron me kulturën e ligjit. Ndoshta edukimi i tij ushtarak e bën të besojë te transformimi i shpirtit njerëzor bëhet përmes disiplinës dhe rendit, njësoj siç Napoleoni dikur shkundte themelet e Francës dhe gjithë Europës me forcë e zjarr, duke shembur feudalizmin dhe mentalitetin mesjetar.
Por dilema mbetet thelbësore, jo vetëm për Francën e dikurshme, por për Shqipërinë e sotme. A do të kishte qenë i mundur Napoleoni pa Jean-Jacques Rousseau-n? A mund të ngrihet një komb me urdhërat e komandantëve pa kontratën sociale të filozofëve? Pse shqiptarët bredhin nëpër histori me shumë Napoleonë, por rrallë me ndonjë Rousseau në krah? Nëse Shqipëria ka dështuar, a është sepse kemi patur liderë të fortë por pa vizion, pushtetarë pa filozofi, komandantë pa mendimtarë? Apo sepse kemi qenë të mallkuar me politikanë me vizion të errësuar nga egoja për pushtet? Ky është pikërisht qëllimi i këtij shkrimi: Ndoshta mund të kuptojmë nëse fati ynë i keq qëndron te mungesa e Napoleonëve të ndershëm, apo te mungesa e Rousseau-ve që ndriçojnë rrugën e shoqërisë drejt lirisë së vërtetë.
Napoleoni simbolizon forcën e reformës me shpatë, një sistem që funksionon, që vendos rregulla dhe ku ligji triumfon mbi kaosin. Ai është tundimi i shpejtësisë dhe zbatimi i rendit me çdo kusht. Por Rousseau flet me një zë tjetër, më të thellë, duke këmbëngulur se liria është themeli i çdo shoqërie të drejtë, se një shtet që nuk buron nga vullneti i përgjithshëm është vetëm një farsë me shkëlqim të rremë. Rousseau na kujton se pa edukim qytetar, pa respekt për individin dhe pa ndershmëri morale, çdo reformë përfundon në një kurth të ri autoritar. Në këtë udhëtim, ndoshta Shqipërisë i duhen të dyja: fuqia për të ndërtuar institucione dhe zgjuarsia për t’i bërë ato në shërbim të qytetarit. Pa idenë e qytetarit sovran, çdo shtet modern është një kështjellë prej rere. Dhe pa forcën për t’i zbatuar ligjet, çdo demokraci kthehet në anarki. Kush ishte fryma pas shpates së Skënderbeut? Në hijen e betejave dhe lavdisë, qëndronte figura e një prifti, Dom Pal Engjëlli, këshilltar, mik dhe udhërrëfyes shpirtëror. Ai ishte zëri që i kujtonte Heroit të Arbërit se liria fitohet me shpate, por ruhet me shpirt. Marin Barleti do të shkruante për të:”…burrë i pajisur me mendje shumë të lartë dhe me zotësi shumë të rrallë në të folur, me dituri si askush dhe i vaditur me lartësinë e shenjtë dhe humane, si greke, si latine, sidomos i shquar për rreptësi në jetë dhe në zakone, i flaktë për fenë e krishterë, burrë që Skënderbeu e mbante mbi krye për maturinë, kulturën dhe pastërtinë e jetës që e respektonte dhe e dëgjonte si ndonjë orakull gjithë epirotët.
Një krahasim i natyrshëm për “Rousseau-n” e Rilindjes Kombëtare Shqiptare do të ishte Sami Frashëri. Ashtu si Rousseau në Europë, Samiu përpiqej të zgjonte ndjenjën e sovranitetit popullor dhe identitetit kombëtar në një shoqëri të shtypur. Me veprën e tij vizionare “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhet”, ai formuloi një kontratë morale për shqiptarët: çlirimin përmes arsimit, përparimit dhe vetëdijes kombëtare. Në thelb të filozofisë së tij ishte ideja se liria dhe kombi ndërtohen nga brenda, nga ndërgjegjësimi dhe emancipimi i popullit, ashtu si Rousseau thoshte për “volonté générale”, vullneti i përgjithshëm. Pra, në shpirt dhe vizion, Sami Frashëri është më afër rolit të “Rousseau-së” për shqiptarët. Ai nuk ishte vetëm patriot, por një filozof i ringjalljes kombëtare.
Fan Noli shpesh shihet si figura që pasoi frymën e Rilindjes, duke u përpjekur të krijonte një republikë demokratike, ku populli të ishte sovran. Noli bashkoi dimensionin filozofik, politik dhe moral me kërkesën për drejtësi sociale dhe kulturë kombëtare. Përse Noli? Si Rousseau, Noli ishte intelektual i gjithanshëm: filozof, përkthyes, politikan, poet. Ai solli një “ndriçim” në botën shqiptare me modernizimin e gjuhës, përkthimin e klasikëve, dhe me një ndjeshmëri për drejtësinë sociale. Ashtu si Rousseau që kritikonte korrupsionin dhe pabarazinë në Francë, Noli kritikonte prapambetjen, feudokracinë dhe despotizmin në Shqipëri, por gjithmonë me një ideal të thellë për liri, ndriçim dhe moral publik. Faik Konica dhe Fan Noli kanë pasur nuanca “rousseau-iane”: kritikë ndaj mentalitetit primitiv dhe klerikalizmit, promovues të ndriçimit dhe emancipimit. Faik Konica, mjeshtri i ironisë ndriçuese, që përplasi fjalën mbi errësirën e mendjes shqiptare. Ata nuk ngritën thjesht flamurin, por zgjuan ndërgjegjen.
Gjithmonë kemi pasur nevojë për një të keqe të madhe që kërcënonte egzistencën tonë, një forcë të errët kundër së cilës të luftojmë, por a është paranoja jonë vërtet e justifikuar apo jemi thjesht të varur nga adrenalina e katastrofës së afërt? Duket sikur shpesh ne harrojmë se armiku më i madh i joni ështe vetvetja. Është mënyra se si ne veprojmë, se kur ndihemi të pakërcënuar nga jashtë, ne braktisim mendimin Ruso-ian dhe veprojmë si diktatorë, autoritarë dhe e gjejmë armikun, jo te vetja, por te kundështari ynë politik. Ne harrojmë se ne jemi të kundërt në mendime, por të njëjtë në qëllime ndaj atdheut dhe popullit. Ahmet Zogu mund të shihet si figura më e afërt me “Napoleonin”, pasi ai mori pushtetin me forcë, ndërtoi një mbretëri dhe synoi modernizim, megjithëse me shumë kufizime dhe nën ndikimin e Italisë. E meta e madhe ishte mungesa e mendimit filozfik, ndërkohë që Noli dhe Konica ishin Rusoi i vërtetë që kërkonte modernizimi i vendit.
Në historinë e botës, çdo Napoleoni i takon një Rousseau, çdo gjenerali i takon një filozof, çdo udhëheqësi një ideolog… përveç në Shqipëri. Në vitet 90, ndërkohë që Europa kishte Karl Popper-in dhe Habermasin, ne kishim kasetat me thirrjet “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”. Rousseau shqiptar nuk shkroi kurrë “Kontratën Sociale”, përkundrazi, shoqëria shqiptare nënshkroi kontratën verbale: “Unë do flas, ju do duartrokisni!” Në Shqipëri, historia mori rrugë të shkurtër: fillimisht lideri, pastaj premtimi, së pari pushteti, pastaj arsyeja pse e meriton pushtetin. Nëse Edi Rama mund të shihet si “Napoleoni” i Shqipërisë, një lider autoritar me ambicie të mëdha për të “modernizuar” vendin duke e personalizuar pushtetin, atëherë pyetja për “Rousseau-në” e tij është shumë interesante. Në rastin shqiptar, “Rousseau”-i i Ramës nuk ekziston si figurë klasike. Rama ka përdorur më shumë elementë të stilit spektakolar artistik, estetik urban dhe teknokratik, sesa ndonjë filozofi morale qytetare në kuptimin klasik. Ai nuk ka pasur një “filozof të oborrit” që të artikulojë një doktrinë morale të pushtetit.
A është Kadare si “Rousseau i Shqipërisë?
Kadare e ka konceptuar shpesh rolin e tij si ndërgjegje morale e kombit. Ai ka denoncuar despotizmin, ka eksploruar mitet shqiptare dhe ka kritikuar format primitive të politikës. Por Rousseau nuk ishte vetëm shkrimtar dhe filozof, ai ishte revolucionar teorik, ideolog i barazisë dhe kontratës sociale. Kadare ka qenë më shumë analist i shpirtit kombëtar, sesa reformator politik. Nëse Rousseau kishte një mesazh për revolucion demokratik, Kadare ka shpesh një mesazh për “zhgënjimin e pashmangshëm” të shqiptarëve me vetveten. Ai është më shumë një Volter, se sa një Rousseau.
Shqipëria jeton nën maskë. Demokracia është kthyer në skenografi, sovraniteti në një karikaturë pa jetë. Qytetari nuk zgjedh më, por përkulet para pushtetit të kastës që riciklon veten pas perdeve të votës. Partitë janë kthyer në biznese familjare, shoqëria në peng të një pakice të pangopur. Por fryma e Perëndimit troket, qytetari duhet të zgjohet, të rikthehet si forcë krijuese, si zot i fatit të vet. Demokracia nuk është thjesht kuti votimi, por jetë aktive, referendum, vetëqeverisje, forume, kontroll publik. Vetëm kështu rifitohet dinjiteti.Referendume të shpeshta dhe me fuqi vendimmarrëse. Vetëqeverisje lokale reale, jo fasadë. Forume qytetare ku ligjet diskutohen nga poshtë-lart. Transparencë totale mbi çdo vendim publik. Ekonomia është grabitur, pasuria publike plaçkitur. Autonomia fillon me kontroll qytetar mbi burimet, mbi të ardhmen. Koha për servilizëm ka mbaruar. Vjen koha e qytetarit që pyet, që sfidon, që nuk shet veten. Një brez i ri duhet të lindë: të lirë, të vetëdijshëm, të pa-nënshtruar. Shpresa lind prej tyre. Shqipëria nuk shpëtohet nga liderët, por nga qytetarët që guxojnë të ngrihen. Shqipëri e qytetarëve, jo e klaneve.
Nëse një vend nuk ka një Ruso, si mund ta shpikë atë? Ku ta kërkojë në kohët moderne, kur zërat mbyten nga propaganda dhe ndërgjegjja shitet për pak pushtet? Një komb pa Ruso është një trup pa shpirt, një shoqëri që endet në mjegull, pa busull, pa zë që t’i kujtojë të drejtën për të qenë qytetar dhe jo skllav. Një komb që s’e ka një Ruso, duhet ta krijojë, jo duke kopjuar idhuj, por duke ndërtuar zërin e vet, që sfidon pushtetin dhe ngjall ndërgjegjen. Sepse aty ku nuk ka një filozof të popullit, duhet të lindë një brez që filozofon dhe nuk serviloset. Shqipëria e ka pasur “Ruson” e saj: tek Sami Frashëri, që zgjonte ndërgjegjen kombëtare; tek Fan Noli, që fliste gjuhën e drejtësisë dhe emancipimit; tek Faik Konica, që thumbonte prapambetjen me mendje të hollë; tek Ismail Kadare dhe tek çdo intelektual të ndershëm që sfidon heshtjen dhe konformizmin. Por ne nuk duhet ta kërkojmë këtë “Ruso” vetëm kur kombi kërcënohet. E vërteta na duhet edhe në kohë paqeje, kur jeta politike nuk duhet të jetë fushëbetejë urrejtjeje, por hapësirë bashkëpunimi. Politika nuk duhet të prodhojë armiq, por bashkëpunëtorë, qytetari nuk duhet të shohë tek tjetri një kundërshtar, por një aleat për të ardhmen.