Nga Sami Frashëri/
Sindekur thamë më siprë, Shqipëtarëtë gjithë-monë janë vrar’ e përpjekurë e kanë çpërkaturë të-tërë faqen’ e dheut me gjak të-tyre; por nga gjaku i Shqipëtarëve të-tjërë kanë fituarë, Shqipëria s’ka parë nonjë të-mirë. Shumë Shqipëtarë janë çquarë e kanë treguarë vetëhenë në dituri e në të-tjerëra gjërëra’ po me këta të-tjerë mburënë e jo Shqipëtarët’ e Shqipëria.
Me Pyrron’ e me Aleksandrinë mburenë Grekëritë e i quajnë Grekër. Maqedonasitë që, me trimëritë të-tyre muarrë gjithë botënë në pak kohë nuk’ i suallë nonjë të-mirë Shqipërisë, po Grekëritë, q’ishinë armikët’ e tyre, u ranë pas e i rrethuanë, edhe këta fituanë nga gjaku që derdhënë ata. Se Maqedonasitë përndanë nëpër gjithë vendet që muarrë gjuhën e qytetërin’ e Greket, e jo të tyrenë, q’ish shqipja. E-shum’ e botësë edhe sot Maqedonasitë i zënë për Grekër. Vërtet, të mos ishinë Maqedonasitë, gjuh’ e Grekët e qytetëri e tyre dotë mos kish marrë dotë kurrë këtë bujë që ka sot, edhe mbas dotë kish humburë e t’ish harruarë fare; se shkoll’ e Aleksandrisë edhe të-dituritë q’apinë n’Egjyptë në kohët të Ptolemenjët e bënë gjuhën’ e qytetërin’ e Greqet të përndahetë e të dëgjohetë mbi gjithë anët të dheut. Ptolemenjtë q’ishinë fjeshtë Shqipëtarë nga Çamëria e gjithë Maqedonasitë lanë gjuhën’ e tyre shqipenë me nj’anë të-harruarë e të-paditurë, e vunë përpara greqishtënë, gjuhën’ e Dhimosthenit që ka folur aqë kundra Maqedonaset.
Pas Grekërvet erdhen Romanëtë; edhe këta fituanë shumë nga Shqipëtarëtë: trimëri e Shqipëtarëvet e mendj’ e-tyre shërbente mburrjen’ e Romanëvet e jo të-tyrenë. Shumë njerës trima e të-diturë kan’apiturë edhe në kohët të këtyre në mest të Shqipëtarëvet, po bota i ka njohurë si Romanë e jo si Shqipëtarë.
Pas Romanëvet u erth radha Tyrqet. Shqipëtarëtë duke përzjerë me Tyrqitë kanë marrë anë në gjithë luftërat që bëninë e që fitoninë këta kundrë gjithhë botësë; edhe më të-madhenë e më të-miratë punëra i bënin Shqipëtarëtë, po emnrinë e kishinë Tyrqitë, edhhe gjithë bota i dinte Tyrq e njeri s’i njihte si Shqipëtarë. Më të mbëdhenjt’ e më të-mirëtë e Vezirëvet të Tyrqisë ishinë Shqipëtarët, si Sinan-Pasha që ka marrë Jemenë e ka shpënë Fjamrin’ e Tyrqisë gjer në detet t’Indisë, si Qiprilinjtë q’e kanë shpëtuarë mbretërin’ e Tyrqisë nga një rrezik të-math e e forcuanë aqë këtë mbretëri sa van’ e rrethuanë Vjenënë. Edhe shumë të-tjerë njerës të mbëdhenj e burra trima kan’ ardhurë, prej të cilëve Tyrqia ka fituarë shumë, po Shqipëria aspakë.
Në kohërayt të-pastajme Shqipëtarëtë kanë punuarë e janë vrarë për Tyrqitë e Shqipëtaret’ e e krishtenë për Grektë, për këta dy kombe të cilëtë, as njëri as jatri, s’ua dinë të-mirënë, e ja u çpëblejnë me të-keqe duke përpjekurë për humbjen’ e kombit Shqipëtar. Boçari, Zhavella, Miauli e të-tjerë më të-shumët’ e trimavet që janë përpjekurrë për ngjalljen’ e për dlirin’ e Grequsë kanë qenë fjeshtë Shqipëtarë e jo fare Grekë; po nga timëri e tyre kanë fituaarë shumë Greqia e jo fare Shqipëria. Në syt të botësë lëftonin Greqtë me Tyrqitë, po në të vërtet lëftoninë Shqipëtarët’ e-krishtërë me Shqiptarët myslimanë. Kur muntnin’ ata fitonte Greqia, kur muntninë këta, fitonte Tyrqia; po gjaku që derdhesh nga të-dy anëtë ish gjak Shqipëtari. Shqipëtarëtë vritenë vëlla me vëlla, të-tjerë fitojnë. Shqipëtari e ka derdhurë gjithnjë gjaknë pa kurcim, po e ka derdhë kot; Kurrë Shqipëria s’ka fituarë nga gjku i Shqipëtarëvet: gjithë-një të-huaj edhe armikë të Shqipërisë kanë fituarë nga ay gjak i vjejturë e i-derdhurë pa mendim!
Jo vetem me kordhë e me gjak, po edhe me pendë e me ment Shqipëtarëtë kanë shërbëtuarë gjithë-një të-huajtë. Me të mos shkruarë gjuhen’ e tyre janë shtrënguarë greqisht, latinisht, shqahisht, tyrqisht a arabisht; edhe me emnit të-tyre mburenë të zott’ e këtyre gjuhëve, e Shqiptarëtë pandehenë t’egjër’ e të pa-diturë, gjith’ i qeshinë duke thënë se, ja u ka ngërnë buallica librën’ e tyre. Po Aristoteli m’i madhi i filosofëvet të Greqis’ së vjetërë ishte Maqedonas, dome-thënë Shqipëtar e jo Grek. Vërtet në Stagjyre, tek ka lindurë ishin edhe ca Greq t’ardhurë, po fytyr’ e Aristotelit që shohim n’agalmët të ti dhe gjuha greqisht q’e ka shkruarë të-përtuarë e jo aqë të-drejtë si dhe miqësia që kish me Filipinë, anëmikn’ e Greqet e të-tjerë shënja tregojnë që ky filosof i-math nukë ish lindurë prej nonjëj nga Greqtë që kishin ardhurë në Stagjyrë, po prej një Stagjyraku vëndës, e ish Maqedonas, do-me-thënë Shqipëtar i fjeshtë.
Në kohë të Tyrqete kan’ardhurë shumë Shqipëtarë të-diturë që kanë shkruarë libra e vjersha tyrqisht a arabisht. Vetëm vjershëtarëtë Shqipëtarë që kanë shkruarë vjersha tyrqisht janë aqë shumë, sa emënatë e-tyre munt të mbushinë nji librë të-tërë. Jahja-Beu, q’është një nga më të-dëgjuaritë e vjershatarëvet tyrq, është Shqipëtar.
Shqipëtarëtë e kanë treguarë gjithë jetënë që janë të zottë edhe me kordhë edhe me pendë, edhe me trimëri edhe me ment e me dituri, e Shqipëria ka nxjerrë shumë njerës të-çquarë e me nam të math, po nonjë nga ata s’ka punuarë për Shqipërit, e cila ka mbeturë gjithë-një e-varfërë e e-padëgjuarë, e me djemt’ e saj mburenë të-tjerë vënde e të-tjerë kombe. Është ndodhuë një Shqipëtar i-zoti të ngjallnjë Egjyptënë, e të bënjë prej këtij vëndi të-humbur’ e të-prishurë, sish-atëherë, një vënd të-pasur’ e të ndrituarë, si është sot. Dhe Mehmet Ali, Shqipëtari i-pamësuarë, u-ndoth i-zoti të shpëtonjë kështu një vënd të-huaj e të-largë; po kurrë një Shqipëtar s’është ndodhurë t’i bënjë Shqipërisë një të-mirë të-këtillë.P’andaj duke mbaruarë këtë fjalë, themi prapë me hidhërim zëmrë që: Shqipëtarëtë kanë punuarë, gjithë-monë për botënë e jo kurrë për vetëhë.
Vetëm një Skënderbe ka punuarë në kohërat’ e shkuara për Shqipërinë e vetëm ay është me të-vërtetë mburrje për Shqipërinë.
Nxjerrë nga “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bënëtë?”