![](https://gazetadielli.com/wp-content/uploads/2025/02/476371605_1041947311307124_8276689978200800897_n.jpg)
Dr. Erion Dasho/
Më 5 nëntor 2024, Donald Trump arrinte fitoren historike. Një nga premtimet e rëndësishme të fushatës ishte shkurtimi i shpenzimeve qeveritare që do të arrihej ndër të tjera edhe nëpërmjet shkurtimit të numrit të të punësuarve në administratën federale.
Me ardhjen në pushtet, Trump ka nisur të realizojë planin që pritet të çojë në shkurtimin e plot 200 mijë vendeve të punës, çka përkthehet në dhjetëra miliardë dollarë të kursyer çdo vit.
Në filozofinë konservatore, kjo masë quhet “shteti i vogël” dhe nënkupton jo vetëm numër të vogël nëpunësish, por, në radhë të parë, një shtet që ndërhyn sa më pak në jetën e qytetarit, taksim më të ulët, liri ekonomike dhe sociale, përgjegjësi personale, etj.
***
E kundërta ndodh në Shqipëri. Këtu boratët dhe rilindësit kanë krijuar një sektor publik të përbindshëm. Para çdo fushate zgjedhore janë me dhjetëra mijë të punësuar të rinj që i shtohen radhëve të shtetit të kthyer tashmë në një konsumator abuziv të taksave të shqiptarëve. Kjo në rastin më të mirë, pasi në rastin më të keq, midis parazitëve gëlojnë patronazhistët, hajdutët e tenderave, gjobëvënësit dhe 5D-të, të cilët rrjepin jo vetëm pagën, por edhe rryshfetet e majme.
Kur bëhen llogaritë e zgjedhjeve, analistët e Boratit e llogaritin taborin e nëpunësve midis votave të sigurta për rilindjen, madje e shumëzojnë atë me dy ose me tre, duke e bërë fakt të kryer se në sajë të tyre, Borati do të sigurojë edhe mandatin e katërt në 11 maj.
Nuk mungojnë analistët që votën e të punësuarve në shtet e shohin si “votë të pahirit” ose “votë të bukës së gojës”. Pra, një mësues, infermier, polic, punonjës bashkie, ministrie, etj., e voton rilindjen jo për bindje, por nën kërcënimin e pushtetit dhe nën frikën e flakjes në rrugë.
Përfundimi është i qartë. Afërsisht 200 mijë të punësuarit në shtet, sipas sondazheve të analistëve dhe raportimeve të patronazhistëve, i llogariten Boratit duke ngjallur edhe ndjenjën e fatalizmit se çdo përpjekje për ndryshim është e kotë dhe se Borati po ecën i sigurt drejt shpalljes mbret. Hajdut, por ama mbret…
***
Ka ardhur koha që kjo situatë e poshtër dhe poshtëruese në të njëjtën kohë të ndryshojë kryekëput.
》Së pari, qytetarët shqiptarë, sikundër ata amerikanë duhet të ndërgjegjësohen se nuk mund të paguajnë më taksa për patronazhistët, parazitët dhe hajdutët. Me ato pare duhet të paguhen pensionet e të moshuarve, ilaçet e të sëmurëve dhe shkollat e fëmijëve.
》Së dyti, rilindësit duhet të marrin mesazhin se batërdia e punësimeve nuk do të kalojë pa u ndëshkuar. Koha e llogaridhënies ka ardhur prej kohësh dhe, përveç djegësve, koncesioneve në shëndetësi, grabitjeve me rrugët, e shumë zullumeve tjera, do të mbahet përgjegjësi edhe për dhjetëra mijë parazitët e taksave të shqiptarëve.
》Së treti, parazitëve duhet të nisë t’u vijë turp nga vetja. Këtu sigurisht nuk e kam fjalën për hajdutët, kusarët dhe kriminelët e buxheteve, por për hallexhinjtë e ashtuquajtur të “bukës së gojës”. Në Shqipërinë e shkretuar nga rilindja nuk është e vështirë të gjesh një punë në sektorin privat, ku me dinjitet mund të fitosh shumë më tepër krahasuar me lëmoshat depersonalizuese të boratëve.
》Së fundi, opozita e cila prej kohësh e ka bërë konservatorizmin kalë beteje, duhet të shpalosë para shqiptarëve konceptin e shtetit të vogël. Punonjësve të ndershëm dhe të dobishëm t’u dërgohet mesazhi se shteti do të ketë gjithmonë nevojë për dijet, njohuritë dhe aftësitë e tyre. Sikundër do të ketë nevojë për ndershmëri dhe dinjitet. Nga ana tjetër, parazitëve duhet t’u tregohet dera duke nisur nga java e parë në detyrë e qeverisë së re. Jo për t’i ndëshkuar, por për t’u dhënë mundësinë e një jete profesionale dinjitoze, larg parazitizmit.
***
11 maji duhet të hyjë në histori si dita e çlirimit të shtetit dhe shoqërisë nga parazitët. Si dita kur shqiptarët do të çlirohen nga shteti shushunjë për të nisur kapitullin e një shteti të vogël, që krijon premisat për një individ të lirë dhe një shoqëri të drejtë!
11 maji duhet të hyjë në histori si dita kur shqiptarët do të çlirohen nga vargonjtë…