
Fejton nga Rafael Floqi
Më 1 gusht të vitit 2025, ndërsa pjesa tjetër e Evropës diskutonte për inteligjencën artificiale, ndryshimet klimatike dhe të ardhmen digjitale, Shqipëria – një vend krenar për eksportin e domateve dhe deklaratave me lot në sy – po i vinte drynin humorit. Qeveria shqiptare, nën udhëheqjen vizionare të Edi Ramës (tani me syze të kuqe mode) dhe Presidentit që ka më shumë selfie se fjalime, vendosi të fusë në burg çdo qytetar që do të guxojë të qeshë në drejtim të gabuar.
Kur Shteti Bëhet Simbol dhe Kryeministri Shenjt
Na u bëka gjoja për ligj! Na u derdhka nga maja e pushtetit një “nen”, që nuk paska asgjë kundër medias, as kundër gazetarëve – por në fakt është një kamxhik i lyer me bojë parlamentare për t’i rënë fjalës së lirë pas qafe. Sepse, siç thotë i drejtë e i prerë miku im i mirë, gazetari Agim Baçi: ky nuk është ligj, por akt armiqësor ndaj vetë demokracisë.
Na thuhet me buzë të ngrira se shpifja nuk duhet të tolerohet. Dakord! Por që me shpifje po barazohet kritika, ironia, tallja dhe revolta qytetare – kjo është jo vetëm qesharake, por e rrezikshme. Një vend ku fyerja ndaj një “zotnie me pushtet” dënohet më rëndë se vjedhja e pronës publike, është një vend që ka filluar të kafshojë vetveten.
Neni 236 alias /55 është hallka e re në zinxhirin e artë që pushteti kërkon t’i vërë rreth qafës popullit. Aty nuk mbron shtetin – por fytyrat që e sundojnë. Nuk mbron flamurin – por frakun e kryeministrit. Nuk mbron Kushtetutën – por arrogancën e atyre që e përbuzin atë përditë nga foltoret dhe ekranet.
Kush janë këta që duan të shpallen “simbol kombëtar”? A është flamuri? A është alfabeti i Kongresit të Manastirit? Jo! Simboli i ri qenka “ai që nuk duhet kritikuar”. Kryeministri. Kryeparlamentari. Ministri që bërtet. Drejtori që vjedh. Kryebashkiaku që i ka hapur llogari gruas me paret e bashkisë për djegëse .Të gjithë – të shenjtë, të mbrojtur me ligj nga fjalët e rënda të qytetarit që nuk ka as bukë, as drita, as drejtësi!
Jo, zoti kryeministër! Nuk je simbol kombëtar. Je funksionar shtetëror. Je i zgjedhur nga populli për të shërbyer, jo për t’u adhuruar. Kritika ndaj teje nuk është tradhti – është frymëmarrja e fundit që ka mbetur në këtë vend pa oksigjen lirie.
Kodi Penal i Ri – tani me aromë autoritarizmi me parfum evropian
Sipas draftit të ri, çdo tallje, memë, status thumbues, mimikë sarkastike apo pështymë metaforike kundrejt institucioneve të Republikës konsiderohet “përdhosje”. Dhe për këtë, qytetari rrezikon deri në tre vjet burg. Çfarë është liria e fjalës kur mund të zëvendësohet me një kod me nene që ngjajnë si të shkruara nga një grup redaktorësh të serialit “Black Mirror”, por me angazhim ligjor shqiptar?
Në këtë realitet të ri, parodistët, karikaturistët dhe gazetarët do të kenë statusin e “armikut publik me sfond gazmor”. Armët e rrezikshme për rendin: meme-t në Instagram, video-t satirike në TikTok dhe komentet në Facebook që fillojnë me “Po ky Presidenti…”.
Kur BE-ja u zgjua nga gjumi i zgjerimit
Ndërkohë në Bruksel, zyrtarët e BE-së, duke pirë espresso italiane dhe duke përkëdhelur një pako direktivash që askush nuk lexon, morën vesh se Shqipëria po prodhonte një Kod Penal me përbërës jashtë recetës evropiane. Reagimi i tyre ishte si i një prindi që zbulon se fëmija i tij ka vizatuar me bojë murin: “Ne nuk kemi qenë pjesë e këtij grupi!”
BE-ja shprehu shqetësim të thellë, që në gjuhën diplomatike përkthehet: “Çfarë dreqin po bëni?” Ata kujtuan se negociatat me Shqipërinë kërkojnë dekriminalizimin e shpifjes, jo institucionalizimin e qeshjes së ndaluar me nen penal. Dhe sikur për t’i vënë kapakun farsës, Bashkimi Evropian kujtoi se është gati të ndihmojë me “asistencë teknike”, si për të thënë: “Mos e përzieni diktaturën me direktivat tona, ju lutem!”
Portokallia e vërtetë jeton në Parlament
Në vend të ndjekjes penale për krime reale si trafiku i drogës, pastrimi i parave apo abuzimi me detyrën, Kodi i Ri i Ramës përqendrohet te “abuzimi me metaforën”. Pra, për shembull, nëse ti thua: “Kryeministri ngjan si Elton Ilirjani me ato syze të kuqe”, për këtë jo vetëm që mund të paditesh, por edhe të jesh subjekt i një raporti të posaçëm nga Këshilli i Sigurisë Kombëtare për destabilizim memetik.
Opozita? Ajo e përfaqësuar nga Balliu e quan këtë kod “represion institucional në emër të shtetit ligjor”. Ndërkohë që në TikTok po përgatitet një trend i ri: “3 vjet burg për një meme”, i cili do të konkurrojë me trendin e gotave “Bëj sikur je në burg se the që Begaj nuk flet dot”.
Nëse ky nen kalon, atëherë do të na duhet të mbyllim gojën, të ulim kokën dhe të përshëndesim si ushtarë çdo absurditet që del nga kupola e Rilindjes. Madje të themi “faleminderit” kur na burgosin për një status ironik. Ose më mirë, të kërkojmë leje që të mendojmë.
Nëse pushtetarët barazohen me simbolet kombëtare, atëherë ky vend nuk quhet më republikë, por Hakmarrje e Madhe ndaj Fjalës. Dhe në këtë hakmarrje, e vetmja gjë që ngrihet lart nuk është më flamuri – por censura.
Mos e prekni kritikën, se ajo është e vetmja që ju ka mbetur për të mos u bërë qesharakë.
Kush është shoferi i Kodit?
Me një stil që do ta bënte edhe Pinokun të skuqej nga turpi, Edi Rama deklaroi në rrjetin social “X” se “Ministria e Drejtësisë dhe Këshilli i Ministrave nuk kanë marrë pjesë në hartimin e draftit”, por, siç e tha me modesti të skajshme, ia kanë lënë në dorë “një grupi ekspertësh të nderuar”, të udhëhequr nga vetë profesori Arben Rakipi – një lloj Shën Benedikti juridik, që zbret nga maja e Shkollës së Magjistraturës për të ndriçuar shtigjet e drejtësisë.
Qeveria? Jo, ajo është veç një “nga shumë palët”, e cila “e ka marrë dhe po e studion draftin”, sikur të ishte një disertacion i panjohur, jo një dokument që ka dalë nga oborri i saj. Sepse, siç e dimë tashmë, qeveria shqiptare nuk ndërhyn kurrë, vetëm sodit nga larg me një gotë verë dhe një penë të artë në dorë.
Por, fatkeqësisht për këtë fabul alibish, ekspertët që kanë punuar me draftin kanë thënë se Ministria e Drejtësisë jo vetëm që nuk ka qenë në pushime gjatë hartimit të tij, por ka qenë ndër organizatorët më aktivë, me përfaqësues të saj në çdo kthesë të grupit të punës. Me pak fjalë, ndërsa Rama e paraqet qeverinë si një kalimtar të rastit, dëshmitarët e rrëfejnë si shoferin kryesor të kësaj makine legjislative.
Konkluzioni?
Shqipëria nuk ka më nevojë për humor, sepse tashmë jeton brenda një satire të mirëfilltë. E vetmja gjë që mungon është që vetë Kodi Penal të botohet në formë albumi me karikatura, të shpërndahet falas me gazetën “Zëri i Batutës së Kontrolluar” dhe të ketë kapitullin e vet të titulluar:
“Neni i të Qeshurit të Pashallarëve”/ Neni 236 /alias 55 – Kush qesh, prangoset.