Fationa Mamo, avokatja e suksesshme rrëfen historinë e saj/
Interviste e avokates Fationa Mamo drene gazetarit Saimir Sulaj-Washington/
Si quhet zyra ligjore për të cilën ju punoni?
Zyra ligjore për të cilën unë punoj quhet “Robert B. Markus Law Office”. Në fakt është një zyrë e vogël, por që ka korrur sukses vit pas viti dhe që po rritet me hapa të shpejtë. Unë punoja më parë në një zyrë tepër të madhe ligjore. Ishim mbi 200 punonjës dhe ishte firmë shumë e njohur. Por mundësitë për arritje profesionale aty ishin më të kufizuara. Në zyrën që punojmë së bashku me zotin Markus, jemi të angazhuar me më shumë dinamikë për dhjetëra raste të ndryshme në javë, për të cilat na duhet të shkojmë në gjykatë. Robert B. Markus është i specializuar prej 35 vitesh në ngritjen e padive për dëmtime personale dhe është i suksesshëm vazhdimisht në përfitimin e miliona dollarëve për klientët e tij. Së bashku, ne punojmë me zell dhe ndihmojmë klientët tanë të cilët mund të kenë pësuar dëmtime në çfarëdolloj aksidenti.
Çfarë bëni ju konkretisht? Më tregoni si është një ditë e zakonshme pune e avokate Fationës.
Zyrën tonë e kontaktojnë shumë klientë çdo ditë. Në New York ka shumë avokatë, por ka edhe shumë aksidente të ndryshme çdo ditë. Nëse një klient është i dëmtuar rëndë, mua më duhet të shkoj ta shoh në spital dhe të komunikoj drejtpërdrejt me të. Marr të gjitha detajet dhe të gjitha analizat mjekësore dhe faktet që ndihmojnë në ngritjen e padisë ndaj atyre që janë përgjegjës për aksidentin, që mund të jetë një kompani apo individ i caktuar. Më duhet të kthehem në zyrë dhe të përpunoj një mal me letra. Në punën tonë kemi edhe pjesën e padukshme të përpunimit të dosjeve të shumta. Nuk është vetëm ajo që duket, që shohin njerëzit nëpër filma e kudo, avokatët që bëjnë betejën e tyre në gjykatë, përpara gjykatësve. Pas përfundimit të këtyre dosjeve, i vjen radha përballjes në gjyq. Ka raste kur e gjithë java kalon nëpër gjykata. Ka raste që më duhet të qëndroj në zyrë për të përmbushur të gjithë punën e nevojshme.
Si arritët të vinit deri këtu? Cila ishte ambicia juaj? Mund të na flisni pak për rrugëtimin tuaj që nga shkolla e gjer këtu ku keni arritur?
Babai im erdhi nga Shqipëria në SHBA kur ishte vetëm 20 vjeç. Ai nuk arriti të përfundojë universitet këtu pasi i duhej të punonte shumë. Ishte shumë i ri dhe nuk kishte mbështetje. Është ajo historia tipike e një emigranti që vjen në një vend të madh si Amerika dhe synon të gjejë vetveten dhe të arrijë sukses. Ishte në fakt ai që na shtyu ne fëmijët e tij që të shkolloheshim. Që kur isha e vogël më thoshte vazhdimisht që ti do të bëhesh avokate. Babai më nxiste gjithmonë që të bëja më shumë gjëra në jetë, të arrija shumë, të shkollohesha. Gjëra që ai nuk kishte mundësi t’i bënte. Që kur isha e vogël, e shtyrë edhe nga dëshira e babait, dëshiroja të bëja gjëra të mëdha në jetë. Doja të bëhesha avokate dhe doja të qëndroja pranë njerëzve, t’i ndihmoja ata. Ndaj mbase zgjodha edhe këtë fushë të avokatisë, në mbrojtje të njerëzve që pësojnë aksidente të ndryshme. Edhe tani, e dua shumë punën time dhe e bëj me pasion çdo ditë. Pasioni për punën vetëm shtohet.
Ju keni lindur në SHBA dhe jeni rritur me kulturën dhe me mënyrën amerikane të jetesës. Por ju e flisni shumë mirë shqipen, madje edhe e shkruani shumë mirë. Si keni arritur ta bëni këtë?
Po. Babai im erdhi në Amerikë kur ishte i ri, ndërsa mamaja ime ka lindur këtu. Megjithatë në shtëpinë tonë flitet vetëm shqip. Kam edhe shumë të afërm këtu në SHBA dhe me të gjithë flasim në shqip. Madje ruajmë edhe kulturën e traditat tona. Në shtëpi gatuajmë ushqimet e shijshme shqiptare. Shtëpia ime gjendet në Amerikë, por në momentin që hyn brenda, gjen Shqipërinë. Është një Shqipëri e vogël aty brenda.
A jeni e përfshirë në jetën e komunitetit shqiptar, si një profesioniste e re dhe me çfarë merreni në ndihmë të komunitetit?
Unë angazhohem me sa mundem në aktivitetet e komunitetit shqiptar. Këtu në SHBA, sidomos në New York ka shumë organizata shqiptare që merren me aktivitete të ndryshme. Unë e kam për kënaqësi qoftë edhe të takoj një shqiptar të vetëm. Kam dëshirën që të afrohem e të bisedoj me të gjithë dhe të shkëmbejmë ide dhe mendime. Gjithashtu marr pjesë në aktivitete kulturore apo takime të natyrave të ndryshme, siç janë edhe ato për mbledhjen e fondeve për çështje të ndryshme që kanë lidhje me shqiptarët. Organizojmë edhe shumë festa dhe koncerte.
Ju jeni në një rrugë suksesi që me shumë siguri do të shtohet edhe më shumë siguri. Por a mendoni të shkoni në Shqipëri dhe të jepni kontributin tuaj atje?
Po unë kam dëshirë që të shkoj në Shqipëri dhe të qëndroj për muaj të tërë. Është pak e vështirë për momentin për shkak të punës dhe për shkak se Shqipëria është shumë larg. Por dëshiroj që të shkoj atje dhe të takoj shumë njerëz, sidomos të rinj. Dua të flas me të rinjtë dhe t’i inkurajoj për të ardhmen. E kam vënë re se të rinjtë atje janë shumë pesimistë. E shohin të ardhmen e tyre vetëm duke ikur jashtë shtetit. Unë dua të flas me ta dhe t’u tregoj përvojën time. Dua t’i inkurajoj që të punojnë shumë dhe të besojnë në ëndrrat e tyre dhe t’i realizojnë ato në Shqipëri.
Ju jeni avokate, ndonëse jo në profilin që të merreni me rastet e krimeve. Në Shqipëri është mjaft e nxehtë tema e reformës në drejtësi. Ju si pjesë e fushës së drejtësisë, çfarë këshille do të jepnit për përmirësimin e sistemit të drejtësisë në Shqipëri?
Unë nuk jam shumë e informuar mbi këtë por ajo që mund të them është se ndryshimi nis nga vetja. Gjithsecili prej nesh, gjithsecili prej shqiptarëve, duhet ta nisë ndryshimin nga vetja. Duhet të mendojë dhe veprojë pozitivisht. Duhet të shohë se si t’i ndryshojë gjërat në kuptimin pozitiv. Në momentin që të gjithë do të mendojmë dhe do të veprojmë në këtë mënyrë, atëherë çdo gjë do të përmirësohet. Edhe sistemi i drejtësisë gjithashtu. Duhet të japim shembullin personal. Nëse unë si avokate nuk korruptohem dhe e kryej me zell punën time, njerëzit do të mendojnë, Fationa nuk është e korruptuar. Fationa punon mirë. Dhe të gjithë do të nisin të ndjekin shembullin tënd. Pra, nëse të gjithë mendojmë dhe veprojmë në këtë mënyrë, i jepet fund korrupsionit dhe të metave në çdo fushë. Mjafton një njeri që të veprojë pozitivisht dhe me integritet në sistemin e drejtësisë dhe gjërat do të ndryshojnë pak nga pak. /tesheshi.com