
Besnik Imeri/
Ngacmimet për këtë shkrim m’u shfaqën para rreth një viti kur më ra në dorë libri “Pellazgët origjina e shqiptarëve”. Nisur nga emërtimi i këtij studimi dhe titujt shkencorë të autores, fillimisht u gëzova, pasi mendova se për herë të parë do të trajtohej në mënyrë të thelluar, bindëse, objektive dhe shkencore origjina e shqiptarëve, duke trajtuar vetëm territoret shqipfolëse, origjinën e të cilëve kishte marrë në trajtim, në këndvështrimin e lashtë të tyre. Por autorja merret më shumë me popuj të tjerë medhetarë se sa me parardhësit e shqiptarëve të sotëm.
Librin, nga fillimi në fund, dhe si një hije e lehtë, e përshkon ideja se shqiptarët e jugut, epirotët, e kanë origjinën nga pellazgët; ndërsa shqiptarët e veriut e kanë origjinën nga ilirët. Në fund të librit, në konkluzionet, thuhet: “Shqiptarët në veri janë pasardhës të ilirëve që ishin e njëjta racë me pellazgët”. Pra, shqiptarët e veriut nuk kanë origjinën nga pellazgët, dhe ajo, që zonja thotë në titullin e librit:Pellazgët, origjina e shqiptarëve, nuk është për të gjithë shqiptarët, veçanërisht për shqiptarët e veriut, por vetëm për ata të jugut. Për ta mbuluar këtë ide të mangët, zonja thotë, që, ilirët janë e njëjta racë me pellazgët. Kështu kreu i parë emërtohet: origjina pellazgjike e shqiptarëve, ndërkohë që në brendi të tij flitet vetëm për pellazgët e Epirit. Kreu i dytë emërtohet: Shqiptarët si pasardhësit e ilirëve, dhe flet vetëm për shqiptarët e veriut.
Në qoftëse do të shikonim më hollësisht kretë me rradhë do të vërenim se, në kreun e II, “Shqiptarët si pasardhës të Ilirëve”, ku pritej që çështjet të fillonin të trajtoheshin qysh nga fundi i mijëvjeçarit të III p.e.s, atëhere kur, pas dyndjeve stepike, filloi ngjizja e etnosit ilir; gjë që e kanë trajtuar të gjithë autorët seriozë; madje në mënyrë të thelluar dhe të saktë shkencore pothuajse të gjithë arkeologët tanë të nderuar. Por nuk ndodh kështu, pasi pas një prekje të përciptë të problemit në prehistori, nga legjendat, hidhet në mesjetë, prek shekullin e VIII të e.s., dhe menjëherë hidhet në shekullin e XI, XIII etj, ku trajton thirrjen e parardhësve të shqiptarëve si ilirë.
Në kreun e III flitet për pellazgët e Peloponezit, Atikës, Frigjisë, Kretës, trojanëve dhe gjithë Azisë; Italisë, etruskëve; madje duke i quajtur një pjesë të madhe të këtyre popujve, në mënyrën më të padrejtë dhe më të pasaktë shkencore, si popuj ilirë. Por vetëm për pararadhësit tanë pellazgë në trojet shqipfolëse sot, nuk flitet.
Në kreun e IV flitej gjithashtu në mënyrën më absurde shkencore për një lidhje të shqiptarëve me helenët antikë; bëheshin paralele të çuditshme, të pasakta, antishkencore dhe të rrezikshme midis ligjeve të demokracisë athinase me Kanunin e Lekë Dukagjinit, ndërkohë që sistemet politikë, shoqërorë dhe kronologjikë janë krejt të ndryshëm dhe në të kundërtën e tyre. Nëqoftëse për Kanunin mund të themi me plot gojën se është një legjislacion pellazg, që u rezistoi të gjitha ndryshimeve që pësoi shoqëria europiane nga antikiteti deri në kohët moderne. Zonja e nderuar besoj se duhet ta dijë që Sokratin e dënuan gjykatësit dhe jo pleqësia e fisit apo e fiseve helene, të cilat, ndoshta, kishin qindra vjet që nuk funksionin më.
Kreu i V merret vetëm me dyndjen sllave që, sipas autores, shkaktoi shpopullimin dhe zhdukjen e helenëve antikë. Nga të gjitha ato që shtjellohen në këtë kapitull, Nuk e kuptoj se çfarë lidhje mund të ketë ky me origjinën pellazgjike të shqiptarëve?!!! Në kreun VI, në mënyrë të çuditshme, gjuhën shqipe e lidh vetëm me pellazgjishten homerike, sikur në trojet tona nuk ka pasur pellazgë dhe ne shqiptarët e kemi origjinën nga ishujt e Egjeut, Atika, apo nga Lindja e Afërme.
Por tek kjo zonjë shfaqet edhe një dukuri: pasqyrimi i deformuar i fakteve historike. Në mjaft raste merren fakte historike dhe përdoren pa vend ose në vendin e gabur, në kohën e gabuar, duke e sjellë një ngjarje që ka ndodhur në një kohe të hershme në një kohë të vonshme, dhe e kundërta; madje, në disa raste e vërteta historike, përdoret në të kundërtën e vet, apo në të anasjelltën e saj.
I përmendëm të gjitha këto për të pasur një pamje të vetë librit, por edhe të metodës dhe stilit të autores gjatë trajtimit të çështjeve historike, para se të hidhemi tek problem kyesor i këtij shkrimi: Kur është themeluar tempulli i Dodonës dhe nga kush? Autorja thotë se, sipas studiusit gjerman Ernst von Lasaulx, tempulli i Dodonës “u themelua nga Dodanimi, i biri i Javanit, i biri i Japetit”. Në historinë biblike, Dodanimi ishte i biri i Javanit, të birit të Japetit, të birit të Nohut…Nga kjo rezulton se, pas përmbytjes Noha, Japeti, Javani dhe Dodanimi, kanë jetuar në të njëjtën kohë. Kështu vitet kur kanë ekzistuar këto personazhe të Biblës, me vitet e themelimit të tempullit të Dodonës përputhen. Ajo që është e sigurtë është se, ajo (Dodona) mban pikërisht emrin e stërnipit të Nohut, dhe si e tillë, duket se ka lidhje me të dhe se historia e përmbytjes pellazge, ngjan me atë hebreje…Emri i Dodonës është një provë shumë e fortë, gati e pakontestueshme, që e lidh atë me Nohun dhe mitologjia pellazge është në një linjë me tregimet hebreje…Aleksandri i Madh në Bibël quhet biri i Javanit…Shqiptarët sot janë të linjës Biblike.
Gjithashtu, kur ajo flet për simbolin e shqiponjës dykrenore të shqiptarëve. Fillimisht pohon se: Shqiponja është një nga simbolet më të vjetra të njerëzimit, dhe është e përhapur në simbolikën dhe ikografinë perandorake, dhe fetare tek sumerët akadët. Pastaj vazhdon: Origjina e shqiponjës dykrenore, mund të gjurmohet qysh në civilizimet dhe mbretëritë antike të Mesopotamisë,… (Paul Joseph Krause, The Mesopotamian origins of Byzantine Symbolism and Early Christian iconography…)…Para përdorimit të saj në periudhën bizantine, shqiponja dykrenore ishte përdorur nga turqit selxhukë dhe të tjerë…Zoti-shqiponjë, është një simbol i shquar ikonografik, i fesë antike në Mesopotami…Grekët dhe persët e shenjtëruan atë në diell…Për grekët antikë, shqiponja ishte emblema e Zeusit.
Zonja e nderuar, siç e shihni, e merr shqiponjën dykrenore dhe na tregon që e kanë pasur si simbol të gjitha fiset e vjetra aziatike, ua atribuon fiseve akade, fiset perse, fiseve selxhuke, kuptohet ka haruar fiset osmane. Mos vallë ajo e ka fjalën për hebrenjtë, pasi si nëpër tym na kujtohet nga të dhënat e burimeve shumë të lashta, që origjina e fiseve nomade hebreje kanë qënë zonat midis Tigrit dhe Eufratit në Mesopotami.
Vetë tematika e librit: Pellazgët, origjina e Shqiptarëve, në mënyrë rigoroze do të kërkonte që simboli ynë kombëtar, shqiponja dykrenore, të trajtohej brenda kuadrit pellazgjik. Dhe me domosdo, duhej ta lidhte me kryeperëndinë pellazge, Zeusin Pellazgjik të Dodonës, të cilin e kanë adhuruar të parët tanë,dhe i cili ka pasur si atribut kryesor shqiponjën.
“Me Dodonën lidheshin dy simbole. I pari ishte shqiponja. Në gërmimet që u bënë në Dodona më 1875 nga Karapanos, në gurin e tempullit të Zeusit u gjet e skalitur një shqiponjë dykrenare, e cila për njerëzit e lashtë përfaqësonte lajmëtarin e Zeusit. Sepse në Iliadë e shohim Zeusin që herë pas here dërgon një shqiponjë si një shenjë hyjnore për luftëtarët pellazgë.”
Lidhja e jonë si shqiptarë me simbolin e shqiponjës, kuptohet që rrënjët i ka tek Zeusi i Dodonës, ku arkeologët tregojnë edhe për një tempull kushtuar atij dhe Diones. Nuk e di në se zonja e nderuar ka dijeni për këta dy tempuj në Dodonën pranë Janinës, dhe jo në malin e Tomorrit, ku na hedh pa asnjë fakt, asnjë të dhënë, apo gjurmë arkeologjike. Historia, por edhe arkeologjia na kanë treguar se këta dy tempuj në Dodonë, i rindërtoi Pirro i Epirit bashkë me qytetin dhe u dha një shkëlqim dhe lulëzim të jashtëzakonshëm.
Zeusi Pellazgjik i Dodonës në lashtësi është adhururar, pothuaj në të gjitha trevat e sotme shqipfolëse. Arkeologët tanë të shquar e kanë zbuluar në monumente, tempuj, monedha dhe mbishkrime në gur në Amantie (monedha, basoreliev, tempull i munshëm në akropol), Olympe (monedha, tempull i mundshëm në akropol), Gurëzezë (tempull), Bylis (mbishkrim në gur), Dyrrah (monedha), Lis (monedha), Skodrion (monedha) etj. Nuk e dimë në se zonja e nderuar ka dijeni për këto, apo ajo nuk i njeh zbulimet madhështore arkeologjike që kanë bërë arkeologët e shquar shqiptarë.
Por ajo nuk ndalet këtu. Ajo krahason kapën e zezë hebreje me plisin e bardhë të malësorëve tanë, me demek, se edhe nga zakonet dhe veshjet, ne shqiptarët jemi të njëjtë me hebrenjtë!
Në mbyllje të librit na kumton: “Shqiptarët sot janë pasardhësit e drejtëpërdrejtë të popullsisë greke antike, pasi ata janë pasardhës të të njëjtave fise, që kanë banuar Greqinë antike…Në një pjesë të veçantë pamë edhe lidhjet që ekzistojnë midis shqiptarëve dhe grekëve antikë, si nga ana historike, gjuhësore, atropologjike, emërtimet etnike, kanunit dhe rezulton se, shqiptarët janë pasardhës direkt të grekëve antikë…”
Besnik Imeri