-Në Prishtinë nis Seminari XXXVII Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare. Historiku…/
Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/
PRISHTINË, 20 Gusht 2018/ Në Prishtinë, në sallën e madhe të Fakultetit të Filologjisë të Universitetit Publik, u zhvillua sot ceremonia solemne e hapjes së punimeve të Seminarit XXXVII Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, i cili vijon deri në 31 gusht, ndërsa që gjatë ditës së djeshme janë mirëpritur seminaristët. Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj dhe Ministrja e Arsimit e Republikës së Shqipërisë, Lindita Nikolla, morën pjesë në hapjen e Seminarit. “Në kohërat e errëta të jetës tonë, një dritë e shqipes është shpërndarë nga këtu në botë, dhe atë jo nga ne, por nga ata që kanë ardhur të njohin më për së afërmi dhe të transmetojnë shqipen dhe shqiptarët te popujt tjerë”, tha kryeministri Haradinaj.
Para seminaristëve nga e mbarë bota, Kryeministri Haradinaj tha se shqiptarët kudo që janë çdoherë dhe gjithë jetën u janë mirënjohës studiuesve të huaj të shqipes, atyre që kanë ardhur dhe kanë qëndruar me ne, që janë njoftuar me shqipen e shqiptarët dhe i kanë njoftuar të tjerët me shqipen dhe shqiptarët.
“Nuk është kohë e lëvdatave të mëdha, meqenëse shqipja dhe shqiptarët kanë vështirësitë e zhvillimit të vet, qoftë si gjuhë, qoftë si kulturë, qoftë si komb, në rrethanat nëpër të cilat po kalojmë, por një gjë nuk ka ndryshuar, jemi vlerë universale, i takojmë këtij globi. Gjuha jona është prej më të hershmëve në botë dhe njëkohësisht është e pasur dhe si e tillë e meriton që ta njohin më shumë, meriton që sa më shumë studiues ta njohin për së afërmi”, tha kryeministri Haradinaj.
Kryeministri Haradinaj tha se Qeveria e Kosovës, jo vetëm tash, por çdoherë duhet t’i jep përkrahje seminarit të gjuhës shqipes dhe të gjithë atyre që e bëjnë të mundur që shqipja dhe shqiptarët të njihen për së afërmi nga studiuesit nga e mbarë bota.
Ministrja e Arsimit e Republikës së Shqipërisë, Lindita Nikolla, tha se në gjithë këtë rrugëtim përmes studimeve dhe hulumtimeve keni treguar se si një popull duhet të nxjerrë në pah dhe mbrojë gjithë shenjat dhe burimet e veta shpirtërore për atë çka jemi, për gjuhën, kulturën, historinë, letërsinë, folklorin, identitetin tonë.
Ajo tha se albanologjia ka luajtur një rol të vyer në konsolidimin e kombit shqiptar.
“Gjuha shqipe fatmirësisht nuk hynë në gjuhët e rrezikuara të Europës për të cilat BE ndanë fonde, por edhe pse kjo është e mirë, na takon qeverive të dy vendeve tona, Kosovës dhe Shqipërisë, që t’iu mbështesim juve, të jemi krahë jush, për të patur seminare të tilla të standardeve të larta. Unë jam shumë e lumtur që kësaj nisme të Fakultetit të Filologjisë i është bashkuar edhe Universiteti i Tiranës”, theksi Ministrja Nikolla.
Sipas saj, nga ky vit edhe Universiteti i Bolonjës mundëson që gjuhën shqipe ta ketë pjesë të ofertës akademike për shumë studentë dhe studiues.
Lindita Rugova, dekane e Fakultetit të Filologjisë në Prishtinë, tha se ka qenë një rrugëtim i vështirë me shumë peripeci, por gjithnjë në kërkim të ngritjes dhe avancimit të dijes, në kërkim të forcimit të bashkëpunimit ndërakademik dhe në kërkim të promovimit të vlerave tona në botë.
Ajo më tej, tha se falë miqve tanë seminaristë, albanologjia vazhdon të studiohet dhe të mësohet në Pragë, Kozencë, Shën Petërburg, Sofje, Mynhen, Napoli, e shumë qarqe të tjera botërore.
“Investimi në një seminar si ky i yni është investim në ardhmërinë e një shteti”, tha dekanja Rugova, duke theksuar se dyert e Fakultetit të Filologjisë të Universitetit të Prishtinës janë të hapura për të gjithë seminaristët ngado që vijnë.Drejtori i Seminarit të 37-të Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, Rrahman Paqarizi, foli për punën dhe angazhimin e të gjithëve që është bërë në përgatitjen dhe mbajtjen e seminarit, duke thënë ju seminaristë të dashur jeni shtylla kurrizore e seminarit e arbëreshët tanë të dashur janë shpirti dhe emblema e tij.
Ai vlerësoi lartë punën që kanë bërë figurat e ndritura të albanologjisë Idriz Ajeti, Rexhep Ismajli, Besim Bokshi, Zejnullah Rrahmani, profesor Imri Badallaj, Sabri Hamiti dhe studiuesit e tjerë.
Para të pranishmëve një fjalë e mbajti edhe dekani i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë të Universitetit të Tiranës, prof. Sabri Laçi, i cili uroi studentët dhe studiuesit e shqipes.
“Është rasti që në kuadër të këtij seminari, të gjithë pjesëmarrësit, të përfitojnë risi, të përfitojnë arritjet më të fundit të studimeve shkencore në këto fusha”, u shpreh prof. Laçi.
Programi bazë i Seminarit është: Kurse intensive të mësimit të shqipes (tre nivele); Ligjërata të veçanta të gjuhësisë; Ligjërata për letërsinë shqiptare; Ligjërata për kulturën shqiptare; Referime shkencore; Ligjërata të përgjithshme; Tryeza të rrumbullakëta; Tryeza e doktorantëve; Program kulturor plotësues për t’i njohur seminaristët me bukuritë natyrore, me veprimtaritë kulturore e të mira të tjera në qendra të Kosovës.
Ndërsa, temat bosht të Seminarit për sesionet shkencore që zhvillohen në 30 e 31 gusht janë:
1. Gjuhësi: Shqipja në diasporë – diasporat e shqipes – Përshkrimi gjuhësor i të folmeve të kolonive shqiptare; Rreziku i zhdukjes së të folmeve të shqipes; Kontekstet gjuhësore të të folmeve të kolonive; Shqipja në mërgatën e re; Bilinguizmi në të folmet e kolonive dhe mërgatës së re shqiptare; Vdekja e gjuhëve; Ndryshimi i statusit të gjuhës shqipe i kushtëzuar nga faktorë politike; Integrimet evropiane – sfidat dhe mundësitë e shqipes.
2. Letërsi: Topika e letërsisë shqipe –
Topika mitike në letërsinë shqipe; Topika e trashëgimisë retorike në letërsinë shqipe; Topika e heronjve arketiporë në letërsinë shqipe; Topika e rashëgimisë folkloristike; Topika e simbolizmit religjioz në letërsinë shqipe; Topika e vendeve dhe e hapësirave në letërsinë shqipe; Topika etnike e historike në letërsinë shqipe; Topika klasik, moderne e postmoderne në letërsin shqipe.
3. Kulturologji: Kultura në epokën digjitale –
Kultura e digjitalizuar; Ndikimi i internetit në “kulturimin” dhe akulturimin; Sfera publike në epokën digjitale; Shpërndarja e informatës dhe cilësia e saj përmes internetit; Kultura në rrjetet sociale dhe në medien online; Media në epokën e internetit – gjendja dhe sfidat; Ristrukturimi i medies dhe i skenës mediale.
Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare është themeluar pranë Fakultetit të Filologjisë (atëherë Fakulteti Filozofik) të Universitetit të Prishtinës, në vitin 1974. Ishte viti i Kushtetutës që avanconte të drejtat e shqiptarëve të Kosovës si element konstituiv me të drejtë vetoje, i federatës së atëhershme.
Seminarit në vitin 1991 është ndërprerë veprimtaria e tij nga organet e dhunshme serbe. Në vitet 1995 e 1996 sesionet e këtij seminari u mbajtën në Tiranë në bashkëpunim me Institutin e Gjuhësisë e të Letërsisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.