





KRAHË TË NJË SHQIPONJE – Patriotët nga Shqipëria e Kosova festuan së bashku 110 vjetorin e Pavarësisë – Boston.
Nga Fuat Memelli
Dita e shënuar e Pavarësisë mblodhi shqiptarët e Bostonit, ardhur nga Shqipëria e Kosova për të përkujtuar ngjarjen e shënuar. Nuk mund të ndodhte ndryshe. Bostoni, qendra e patriotëve të shquar shqiptarë Fan Noli, Faik Konica e plot të tjerë, ku ka patur qendrën e saj “Vatra”, vazhdon të mbajë ndezur prushin e shqiptarizmës. Meritë të veçantë ka Shoqata “ Mass.Besa”, e cila organizoi edhe këtë vit veprimtari përkujtimore gjatë dy ditëve rrjesht.
DITA E PARË…
U përkujtua në restorantin “Alba” të shqiptarit të njohur, Leonard Keka. Restoranti i tij prej vitesh është bërë vatër e veprimtarive të shqiptarëve të Bostonit. Rreth 250 vetë ishin të pranishëm ditën e dielë në këtë veprimtari kushtuar 110 vjetorit të Pavarësisë. Pas fjalë së mirseardhjes të veprimtares Arbëresha Beqiri me origjinë nga Ferizaj i Kosovës, në sallë jehuan tingujt e himnit amerikan dhe atij shqiptar. Tingujt na emocionojnë, pasi janë të vendit ku jetojmë dhe atij nga vimë. Kanë një shprehje të bukur amerikanët:
” Po të mos e dish nga vjen, nuk e di ku shkon.”
Më pas përshëndeti të pranishmit kryetari i Shoqatës “Mass.Besa” Sokol Lushllari. Ndër të tjera ai theksoi se qysh prej 120 vjetësh kur kanë ardhur këtu shqiptarët e parë e deri sot, ata vazhdojnë të mbajnë ruajnë gjuhën, traditat e kulturën shqiptare. Një punë e veçantë për mbajtjen gjallë të gjuhës sonë, luajnë dy shkollat shqipe, njëra në Quincy dhe tjetra në Pepody, ku vazhdojnë shkollën mbi 60 fëmijë. Ai falenderoi mësueset dhe veprimtaret e kësaj shkolle, Blerina Omari, Arbëresha Beqiri, Riva Milloshi dhe Vjollca Avrami. Sokoli falenderoi edhe veprimtare të tjera të “Mass. Besës” që punojnë me përkushtim, si Jorida Qirollari, etj.
Atmosferë emocionuese krijoi në sallë poezia e Nolit për Himnin e Flamurit, të cilën e recitoi plot pasion kryetari i Shoqatës “Besa Besë”, Petrit Alibej.
”O flamur gjak, o flamur shkabë
O vend e vatër, o nënë e babë,
Lagur me lot, djegur me flakë,
Flamur i kuq, flamur i zi…”
Programi vazhdoi me përshëndetjen e ish kryetarit të Shoqatës “Kosova” Hafiz Kabashi, i kudondodhur në çdo veprimtari të shqiptarëve të Bostonit. Stoli e bukur e kësaj veprimtarie ishte programi i fëmijëve të shkollës shqipe me recitime dhe këngë për Shqipërinë, Skënderbeun, Ismail Qemalin, etj. Më pas nën tingujt e muzikës, u ndez atmosfera me këngë e valle nga Shqipëria e Kosova, dy krahët e shqiponjës arbërore.
DITA E DYTË
Data 28 Nëntor, dita e shpalljes së Pavarësisë mblodhi shqiptarët te sheshi i bashkisë së Bostonit për ceremoninë e ngritjes së flamurit. Prej vitesh shqiptarët mblidhen te ky shesh për ngjarjen e shënuar. Edhe këtu pati përshëndetje nga kryetarët e shoqatave “Mass. Besa” e “Besa Besë”, përfaqësuesi i asaj të Kosovës, nga ish kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti, nga At Theofan Koja që shërben në kishën e Shën Gjergjit, etj. Ashtu si vite të tjera, edhe sivjet kishte dërguar përshëndetje kryetarja e bashkisë së Bostonit, zonja Michelle Wu, të cilën e lexoi James Regionald Coliman, përfaqësues i bashkisë për mardhëniet ndërkombëtare. Në përshëndetje ndër të tjera thuhej:… “ Komuniteti shqiptaro-amerikan në Boston kontribuon shumë për të pasuruar historinë, kulturën dhe shumëllojshmërinë në qytetin e Bostonit. Ky komunitet është i ndërtuar dhe veçohet nëpërmjet shumë organizimeve të komunitetit, bizneseve duke mos harruar historinë dhe prejardhjen e vet.”
Nën tingujt e himnit tonë, u bë ngritja e flamurit shqiptar, i cili u valvit në krah të flamurit amerikan. Flamuri ynë do qëndrojë aty për dy javë rresht.
Kështu përfundoi edhe dita e dytë e veprimtarive të shqiptarëve të Bostonit për 110 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë.