Visar Berisha, Farmacist në Silver Fox Pharmacy, Ontario, Kanada rrëfen ekskluzivisht për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, situatën e Kanadasë nga Covid-19, ecurinë e infektimeve dhe trendin e shifrave. Me Visar Berisha bisedoi gazetari i Diellit Sokol PAJA.
SITUATA E COVID-19 NË KANADA DHE MASAT E AUTORITETEVE.
Kanadaja është një vend federal i përbërë nga 10 provinca dhe 3 territore. Ka 3 nivele të qeverisjes (nivel federal, provincial/krahinor dhe nivel komunal) ku secili nivel qeverisës ka përgjegjësite e veta. Në përgjithësi mund të them se ka pasur një koordinim të mirë midis niveleve të ndryshme të qeverisjes në menaxhimin e situatës me Covid-19. Qeveria federale ka ndërmarrë hapa për të siguruar që sistemi shëndetësor ka mjetet e nevojshme për t’iu përgjigjur rritjes së rasteve, ka siguruar mbështetje ekonomike dhe financiare për bizneset dhe njerëzit dhe ka për detyrë të menaxhojë kufinjtë. Që nga Janari 2020 e deri sot (10 Tetor 2020) në Kanada ka pasur 173,604 raste dhe 9,574 vdekje si pasojë e Covid-19. Nga këto shifra, 81,914 raste dhe 5,906 vdekje janë nga provinca e Quebec-it. Quebec-i është provinca më e prekur në Kanada nga Covid-19. Në provincen ku jetoj unë (Ontario), qeveria provinciale ka ndërmarrë masa të ndryshme për të siguruar që rastet të mbahen të ulëta dhe sistemi shëndetësor të mos mbingarkohet. Disa nga këto masa kërkojnë që njerëzit të mbajnë maska të fytyrës në vende ku distancimi nuk është i mundur. Është kufizuar numri i njerëzve në restorante dhe ka patur fushata ndërgjegjësimi se si të veprojmë në mënyrë që të parandalojmë përhapjen e virusit. Së fundmi, shkollat janë rihapur për studentët me protokolle të rrepta, për të zvogëluar gjasat e shpërthimit të rasteve. Prindërit kanë mundësinë ti mbajnë fëmijët e tyre në shtëpi dhe janë krijuar mundësi që shkollimi të ofrohet mes internetit dhe disa prindër e kanë zgjedhur këtë mundësi. Duhet thënë që jo gjithçka ka shkuar normalisht. Pas 3 muajsh me numër të rastëve relativisht të ulët, ne po fillojmë të shohim një rritje të rasteve në Ontario të ngjashme me ato në mes të Prillit 2020. Qeveria e Ontarios tashmë po flet për rikthimin e disa prej kufizimeve që patëm gjatë muajve Mars,Prill dhe Maj, nëse numri i rastëve vazhdon të rritet.
NDIKIMET E COVID NË PROBLEMET E SHËNDETIT MENDOR
Sa i përket shëndetit mendor, përveç distancimit social, situata e krijuar nga Covid-19 mund të shkaktojë frikë dhe shqetësim për shëndetin tonë apo shëndetin e të dashurve tanë. Njerëzit gjithashtu shqetësohen për gjendjen e tyre ekonomike pasi shumë njerëz kanë humbur vendet e punës. Këto frikëra dhe shqetësime ndikojnë në cilësinë e gjumit, mënyrën e ushqyerjes, përkeqësimin e problemeve shëndetësore kronike dhe në ngritjen e përdorimit të alkoolit, duhanit apo substancave të tjera. Në një sondazh të kryer nga Centre for Addiction and Mental Health shihet se kishte një rritje të ndjeshme të ankthit gjatë muajit Maj (kur numri i rasteve ishte akoma i lartë) krahasuar me muajt vijues. Disa nga këto frikëra dhe reagime burojnë nga kuptimi i vërtetë i rreziqeve, por shumë nga këto reagime ushqehen gjithashtu nga thashethemet dhe dezinformatat. Për këtë arsye rekomandohet që të qëndroni të informuar por shmangni ekspozimin e tepruar ndaj mbulimit mediatik të COVID-19. Kur keni nevojë për informata të sakta, vizitoni faqet e besuara si për shembull faqet e autoriteteve lokale të shëndetit. Për shqipfolësit, kemi krijuar një platformë (www.heda.al) inovative që ka si mision shpërndarjen e informacioneve të sigurta me qëllim promovimin e shëndetit të mirë e të sigurtë për të gjithë. Nëse ju apo një i dashuri juaj ka vështirësi me shëndetin mendor, Centre for Disease Control (CDC) ka përpiluar një listë të burimeve (https://www.cdc.gov/coronavirus/2019-ncov/daily-life-coping/managing-stress-anxiety.html) të cilat njerëzit mund të kenë qasje për të kërkuar ndihmë. Sa i përket ndikimit të Covid-19 në martesë, nuk ka studime të mirëfillta që tregojnë rritje të divorceve gjatë Covid-19. Megjithatë, ka pasur raporte të rasteve të divorcit si rezultat i Covid-19. Arsyeja themelore e këtyre divorceve ka qenë prezenca e dallimeve të mëdha midis të përfshirëve edhe para Covid-19 dhe se izolimi ka nxjerrë këto dallime në sipërfaqe. Çiftet që nuk kanë qenë në gjendje të zgjidhin këto dallime kanë arritur në përfundimin se divorci është e vetmja rrugë përpara.
SITUATA E KOMUNITETIT SHQIPTAR NË KANADA
Komuniteti shqiptar në Kanada është ndikuar pak a shumë në të njëjtën mënyrë si Kanadezët e tjerë. Disa sfida unike që i përkasin komunitetit tone është se njerëzit nuk kanë qenë në gjendje të vizitojnë familjet e tyre në Shqipëri, Kosovë dhe viset e tjera shqiptare për shkak të masave kufizuese për udhëtim. Përveç kësaj, ngjarjet e komunitetit që mbahen zakonisht gjatë vitit natyrisht që janë anulluar.
A KA VALË TË DYTË COVID? SA TË RREZIKUAR JEMI BASHKË ME GRIPIN E STINËS?
Shumë epidemiologë pajtohen se do të kemi rritje të rasteve të Covid-19. Sipas të dhënave të fundit në Ontario, ku tani kemi mbi 700 raste në ditë, mund të argumentohet se vala e dytë vetëm ka filluar. Parashikimet sugjerojnë që Ontario mund të ketë rreth 1,000 raste në ditë në gjysmën e parë të Tetorit. Këto shifra janë të ngjashme me shifrat e valës së parë. Rritja në raste mund të shpjegohet nga faktorë të shumtë. Së pari, ka një lodhje nga izolimi midis të rinjve që nuk u përmbahen rekomandimeve nga agjencitë lokale të shëndetit publik. Në Ontario, njerëzit e moshave midis 20-39 vjeç paraqesin rritjen më të madhe në rastet e Covid-19 kohëve të fundit. Përveç kësaj, të rinjtë besojnë se për shkak se nuk kanë sëmundje kronike nuk do të ndikohen negativisht nga Covid-19. Problemi është se këta njerëz ndihmojnë në përhapjen e virusit që mund të prekë të moshuarit dhe ata me sëmundje kronike ku dihet se pasojat janë tepër të rënda. Faktorë të tjerë për rritje të rasteve kohët e fundit është se disa nga kufizimet nga vala e pare janë relaksuar. Megjithatë, Covid-19 vazhdon të jetë i rrezikshëm dhe për këtë arsye është e rëndësishme që të vazhdojmë të ndërmarrim hapa për të parandaluar përhapjen e Covid-19, masa si larja e duarve, mbajtja e distances nga njerëzit e tjerë, mbajtja e maskave të fytyrës në vende publike etj. Gripi i stinës komplikon gjërat pasi disa nga simptomat e gripit sezonal janë të ngjashme me ato të Covid-19 dhe shkaktojnë panik tek ata që shfaqin simptoma të tilla. Mënyra më efektive për të parandaluar gripin sezonal është marrja e vaksinës kundër gripit. Kur vaksinoheni, ju zvogëloni rrezikun që të sëmureni me grip dhe ndoshta të shtroheni në spital ose të vdisni nga gripi. Këtë sezon, marrja e një vaksine gripi ka përfitimin e shtuar të zvogëlimit të barrës së përgjithshme në sistemin shëndetësor dhe kursimit të burimeve mjekësore për kujdesin e pacientëve COVID-19. Aktiviteti i gripit fillon të rritet në muajt Tetor dhe Nëntor, arrin kulmin midis Dhjetorit dhe Shkurtit dhe mund të zgjasë deri në Maj. Pas vaksinimit, duhen mesatarisht 2 javë që trupi të krijojë imunitet (antitrupa specifikë) kundër infeksionit. Gjatë kësaj periudhe, vaksina e gripit nuk siguron mbrojtje ndaj virusit. Prandaj rekomandohet që vaksinimi të kryhet pak më parë se virusi i gripit të përhapet. Muajt ideal për tu vaksinuar janë Tetor – Nëntor, por vaksinimi mund të kryhet edhe më vonë. Për më shumë detaje rreth vaksinimit të gripit, kemi një artikull në faqen Heda ku lexuesit e Diellit mund të kenë mundësinë të mësojnë më shumë rreth gripit sezonal dhe vaksinimit për mbrojtje nga gripi.
MESAZHI PËR LEXUESIT E DIELLIT DHE DIASPORËN SHQIPTARE NË USA
Mesazhi im për lexuesit e Diellit dhe Diasporën shqiptare është që të vazhdojnë ti përmbahen udhëzimeve të agjencive të shëndetit publik në mënyrë që të parandalojnë përhapjen e Covid-19. Gjithashtu, unë do t’i rekomandoja njerëzit që të marrin vaksinen e gripit sezonal për arsyet që përmenda më lart. Së fundmi, situata e krijuar nga Covid-19 ka shkaktuar shumë stres për shumë njerëz. Me këtë në mendje, ju lutem bëni kohë të kujdeseni për veten dhe ata përreth jush. Gjeni kohë për të bërë ato gjëra që gjithmonë ju pëlqejnë t’i bëni. Kushtojini vëmendje llojeve të ushqimit që hani dhe përpiquni për të përfshirë ushqime të shëndetshme në dietën tuaj. Nëse keni vështirësi, kontaktoni ata që u besoni dhe kërkoni ndihmë dhe mos vuani vetëm. Ju falendëroj përzemërsisht për vëmendjen tuaj.