Dr. Arlind Lika, mjek në Urgjencën e Ulqinit, rrëfen nga Mali i Zi ekskluzivisht për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, situatën e pandemisë globale në Mal të Zi, masat e ndërmarra nga autoritetet malazeze, gjëndja e shqiptarëve në Mal të Zi, ecurinë e infektimeve dhe trendin e shifrave në rritje. Me Dr. Arlind Likën bisedoi gazetari i “Diellit” Sokol PAJA.
SITUATA E COVID-19 NË MAL TË ZI, MASAT E AUTORITETEVE.
Sipas të dhënave të fundit në Mal të Zi ka një trend të rritjes së menjëhershme të shifrave të të infektuarve me SARS CoV-2, sidomos në muajin e fundit. Të dhënat nga Instituti Shëndetësor i Malit të Zi japin shifrat e 16259 të të infektuarve në total, 3913 të infektuar aktiv, 285 të hospitalizuar, 253 të vdekur, 12093 të shëruar, 2485 persona nën vëzhgim. Sot (dje) nga 837 mostra kanë rezultuar 190 qytetarë si raste të reja pozitive ku më së shumti janë kryeqyteti Podgorica me 121 raste pastaj Ulqini me 15 raste, Budva me 10 raste e kështu me radhë. Siç e dini ne kemi qenë në një situatë “Corona Free” disa muaj më parë, ndërkohë tani kemi arritur në një ndër vendet më të prekura në Evropë. Autoritet e Malit të Zi përkatësisht “Trupi Kordinues Nacional” në rang vendi i ka shtrënguar masat duke bërë kështu kufizime të ngjashme me valën e parë të përhapjes së virusit. Kësaj radhe restriksionet i ka ndarë në katër kategori apo zona sipas përqindjes së të infektuarve në secilin qytet. Duke filluar me restriksione më të lehtë për zonat e gjelbërta dhe të verdha, deri tek restriksionet më të rënda te zona portokalli dhe e kuqe ku në disa qytete si për shëmbull Ulqini, Zhablaku, Kollashini, Cetina kanë ndalur shërbimet e kafeterive, kanë ndaluar grumbullimet në rastet e dasmave, rasteve të vdekjeve përveç për familjarët e afërt. Edhe pse restriksionet janë goxha të mëdha, vërehet një rritje e madhe dhe e hovëshme e rasteve të reja të infeksionit.
NDIKIMET E COVID NË PROBLEMET E SHËNDETIT MENDOR
Sigurisht për sa i përket shëndetit mendor në të gjithë popullatën duke filluar që nga fillimi i pandemisë në vend ka patur ndikim të madh negativ, duke shkaktuar kështu tek një pjesë e mirë e popullsisë çrregullime ankthi, depresion, çrregullime të gjumit e kështu me radhë. Ndërkohë sa i përket statistikave në lidhje me divorcet, dhunën në shoqëri apo të tilla, nuk kemi akoma studime të sakta e serioze në lidhje me këto çështje.
NDIKIMI I COVID-19 NË EKONOMI DHE TURIZËM NË MAL TË ZI
Ashtu si edhe shumica e vendeve të botës edhe Mali i Zi është prekur ekonomikisht nga pandemia globale, duke u humbur shumë vende të punës, duke u vënë në vështirësi të vazhdueshme bizneset e rangjeve të ndryshme. Ndërkohë sa i përket turizmit në Mal të Zi mund të themi që thuajse nuk ka ekzistuar fare.
SITUATA E KOMUNITETIT SHQIPTAR NË MAL TË ZI
Komuniteti shqiptarë në Mal të Zi është i ndarë në komuna të ndryshme, si në Ulqin, Tuz, Plavë, Guci, Tivar, Rozhaje. Aktualisht më e prekura nga pandemia është komuna e Ulqinit, dhe është komuna me restriksione strikte përsa i përket masave të ndërmarra nga Trupi Kordinues Nacional. Në Ulqin vërehet ndryshim rrënjësor në jetën e qytetit, aktualisht kemi kufizime, janë të mbyllura restorantet, kafeneti, muzetë etj. Ndërsa në lidhje me turistët në Ulqin, qyteti ka vuajtur në sezonin veror duke regjistruar humbje të mëdha ekonomike, e të mos flasim për tani.
MESAZHI JUAJ PËR LEXUESIT E DIELLIT DHE DIASPORËN SHQIPTARE NË USA
Uroj që pandemia të kalojë sa më shpejt, deri atëherë kujdesuni për të afërmit tuaj duke mbajtur distancën, duke pastruar duart dhe sigurisht duke mbajtur maskat.