Nikollë Camaj, Kryetar i Lidhjes Demokratike Shqiptare, në një rrëfim ekskluziv për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, analizon situatën politike në Mal të Zi pas zgjedhjeve dhe shqiptarët si faktor politik përcaktues në skenën politike malazeze. Kryetari z.Camaj analizon fenomenin politik “Abazoviq”, orientimin pro-perendimor të qeverisë së re, shëmbjen e perandorisë së pushtetit politik Gjukanoviq, dhe sfidat e Komunës së Tuzit me administrim shqiptar. Me z. Nikollë Camaj bisedoi gazetari i “Diellit” Sokol PAJA.
POZICIONI I SHQIPTARËVE PAS ZGJEDHJEVE NË MAL TË ZI
Ne dolëm në zgjedhje me premtimin se do jemi pjesë e qeverisë, dhe se nga ajo pozitë do zgjedhim shumë çështje të pazgjidhura deri më tani, e në rend të parë çështjet ekonomike dhe zhvillimore të trevave ku jetojnë shqiptarët. Pritnim, dhe dëshironim, që të jemi çelësi i qeverisë së re, por ja se ajo nuk ndolli. Zgjedhjet krijuan një shumicë të re, shumicë që bëhet edhe pa ne. Mirëpo, për faktin se kjo qeveri i ka të nevojshme pakicat brenda, besoj se jemi në pozitë mjaft të favorshme, nëse sjellim vendim që të bëhemi pjesë e sajë. Për të qenë i qartë, LDSH është e mendimit se duhet të hyhet në qeveri, sepse, ku pikon çatia mund të vërehen nga brenda, edhe pse të ndërtohet duhet nga jashtë. Për ne pra, ka rëndësi të pozicionohemi në favor të zgjidhjes së çështjeve të shqiptarëve, e me qëndrim në opozitë, nuk besoj se mund të zgjedhim gjë. Por, se a do të jemi më të fortë, apo më të dobët, shumëçka do të varet edhe nga aftësitëe liderëve që do të bëjnë bisedimet. Natyrisht, pozicionet tona do të ishin edhe më të favorshme, sikur në zgjedhje të kishim dalë me një listë.
SHEMBJA E PERANDORISË SË PUSHTETIT 30 VJEÇAR TË GJUKANOVIQ
Rezultati i zgjedhjeve sikur i ka habitur njerëzit. Derisa një pjesë e madhe e shoqërisë në Malin e Zi e ka kuptuar si çlirim; një pjesë tjetër, ndër ta edhe shumë shqiptarë, për fat të keq edhe në diasporë, e kanë kuptuar si humbje të veten. Personalisht, nuk mund ta kuptoj prej nga e gjithë kjo nostalgji për humbësit e zgjedhjeve. Edhe pse, ndoshta ne nuk kemi tepër arsye për t’u gëzuar, por aq më pak kemi arsye që të bashkë-vuajmë humbjen e një oligarku, duke e arsyetuar atë me faktin se në taborin fitues ka dhe parti me prefiksin serb. Kjo më kujton kohën kur një pjesë e shqiptarëve kërkontebanën sulltan, pas shpërbërjes së perandorisë turke. Sindromi i Stokholmit, duket! LDSH, si parti e vërtet opozitare, e vetme ndër shqiptarët, që parapëlqen ndryshimet, e kupton si ajo pjesa e madhe, pra, si çlirim!
QEVERIA E RE NË MAL TË ZI DHE RAPORTET ME SHQIPËRINË E KOSOVËN
Mendoj se qeveria s’do të ketë orientim as pro-serb, as pro-rus, por pro-perëndimor. Ne rast se tenton te marr atë drejtim, forcat pro-perëndimore, brenda bllokut, janë të mjaftueshme, dhe tejet të qëndrueshme në kursin e vet pro-evropian, saqë forcat eventuale të cilat do provonin të ndërronin drejtim, do mbeteshin të pakta dhe pa përkrahje. Prandaj frikësimi me gogolin pro-serb e pro-rus, është më tepër në favor të arsyetimit të atyre që qajnë për humbësin.
DRITAN ABAZOVIQ SI FENOMEN POLITIK SHQIPTAR
Ai vërtet nuk është i mbështjellë me flamurin shqiptar, por si një kozmopolitevropian, ndoshta edhe utopik, për kohën dhe vendin, nuk ngurron të mburret se është shqiptar. Është fenomen, edhe si njeri edhe si politikan. I mençur e parimor, besnik ndaj idealeve të veta. Paraqitjet e tij teatrale tashmë kane fituar simpatinë e një rrethi të gjerë, por e di fare mirë se as malazezët as serbet, hero s’do ta shpallin, prandaj zor se do të lejojë të dalë i shfrytëzuar, siç pretendon ta paraqes ndokush, por do të çojë deri në fund idealin e vet për një Mal të Zi evropian, në kuptimin e plotë të fjalës. Si person, nuk ka nevojë as ta mbroj, e as ta këshilloj, por duhet ta kemi para sysh se një shqiptar e bëri të mundur ndryshimin e qeverisë dhe rënien e perandorisë Gjukanoviq, çka nuk besoj se ka ndodhur pa bekimin e Perëndimit. Përçarjet ndërnacionale, të shkaktuara gjatë 30 viteve, dhe grabitja e pasurisë, dhe resurseve kombëtare, në emër të ruajtjes së shtetit , më në fund e morën hakun.
SFIDAT E KOMUNËS TUZ ME ADMINISTRIM SHQIPTAR
Deri më tani ia kemi dal mirë, edhe përkundër problemeve që na ka shkaktuar procesin i ndarjes me Podgoricën, të cilit nuk po i shihet fundi. Podgorica akoma vazhdon të sillet sikur nuk ka ndodhur asgjë; vazhdon të marrë pagesat nga banorët e Tuzit, kurse shërbimet i bën sikur Tuzi të ishte një lagje e parëndësishme e Podgoricës. Kjo kërthizë thithëse, me Podgoricën, duhet të ndërpritet urgjentisht, nëse mendojmë të zhvillojmë trevën, siç e meriton Malësia dhe banorët e sajë. Përpos kësaj, ajo në çka,tutje duhet të fokusohemi, është ruajtja, mirëmbajtja dhe rregullimi i hapësirave publike dhe vënia e resurseve lokal në funksion të zhvillimit të Malësisë, e jo të Podgoricës, siç është rasti deri më tani. Mirëpo, përkundër këtij realiteti, duhet apostrofuar një realitet tjetër; se administrata shqip po funksionin me entuziazmin, frymën dhe përkushtimin fillestar. Përndryshe, vlerësimet janë se, edhe përkundër obstruksionit që vjen nga kryeqyteti, më shumë është bërë për Malësinë tash 2 vite se për 50 vitet e fundit. Malësia, shtëpia jonë, e lënë tepër gjatë mbas dore, ka nevojë, dhe e meriton dorën e kujdesshme të atyre që e duan.
MESAZHI JUAJ PËR LEXUESIT E “DIELLIT” DHE DIASPORËN, NË USA
Qëndroni pranë vendlindjes siç keni qëndruar deri më tani. Keni besimin në ne, se do t’i shërbejmë vendit pa hile, me aq sa kemi mundësi e dije. Ndikimi juaj në jetën ton është i madh, prandaj kujdes, si e shfrytëzoni atë ndikim. Duhet ta kuptojmë se gjerat mund t’i shohim ndryshe, por qëllimet i kemi të njëjta; që shqiptarët të shkëlqejnë në çdo drejtim. Ndërsa për ata që po kanë frik nga ndryshimet: duhet ditur se ndryshimet është dashur që njëherë të ndodhin, dhe pa votën e atyre që i mbajmë për çetnik, ajo s’mund të ndodhte. Prandaj, ndarjen në çetnikë,ballistë e partizanë t’ia lëmë të së kaluarës dhe pushtetit aktual që i ka krijuar. Mendoj se për ne janë njëlloj, prandaj ne duhet të fokusohemi në interesat e shqiptarëve dhe jo në zënkat hileqare ndër-sllave. Por, që shqiptarët të shkëlqejnë është e paimagjinueshme pa faktorin diasporë. E ka thënë Noli, e ka dëshmuar Kosova, e madje edhe komuna jonë. E thash edhe në fillim: se ku pikon çatia shihet nga brenda, por të ndreqet, mundet vetëm nga jashtë! Pra, që të mos pikojë shtëpia jonë, e quajtur Shqiptari, njëlloj duhen njerëzit që rrinë brenda, dhe ata që rrinë jashtë!
Ju faleminderit