
Sokol Paja/
Shqiptarët në Texas zhvilluan në një bisedë të ngrohtë me mikun e madh të Kosovës e kombit shqiptar Kongresistin Keith Self i cili aktualisht është duke shërbyer mandatin e tij të parë në Kongres si Përfaqësues i Distriktit të 3-të të Teksasit nga Partia Republikane. Organizata patriotike shqiptare në Texas “Albanian’s For America PAC” e kryesuar nga Doc Vranici bashkoi shqiptarët e Texasit në një moment të rëndësishëm zgjedhor në Amerikë pritet fitorja e padiskutueshme e Keith Self më 5 Nëntor. Shqiptarët në Texas por edhe në shumë shtete në Amerikë kanë rritur peshën elektorale dhe fuqinë votuese duke u kthyer në faktorë të rëndësishëm elektoral e politik. Temë kryesore e diskutimit ishte situata politike, ekonomike dhe e sigurisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Një zë të veçantë zunë dhe diskutimet për Kosovën dhe se çfarë munden Shtetet e Bashkuara të Amerikës të kontribuojnë më shumë. Synimi i shqiptarëve në Texas dhe në të gjithë Amerikën është pasja e sa më shumë miqve në Kongres e Senat me qëllim që Amerika të ndërhyjë më shumë në çështjen e Kosovës deri në zgjidhjen përfundimtare të rrugëtimit të saj euro-atlantik. Në takimin patriotik që u quajt “Kafe shqiptare me Keith”, ligjvënësi nga Teksasit zhvilloi një bisedë frymëzuese me pyetje dhe përgjigje inspiruese për të gjithë të pranishmit. Falenderim i veçantë për anëtarin e AFA-s Agim Mixha për organizimin e eventit në Fairview Farmers Cafe. Shqiptarët në Texas janë gjithnjë frymëzues dhe dinjitozë që kontribuojnë për komunitet shqiptar dhe çështjen kombëtare.
Foto: AFA