
FETI MEHDIU/
Prania e shqiptarëve në Anadoll-Turqi, zë fill nga gjysma e shekullit XV, kur Mehmet Fatihu NGADHNJIMTARI – ngadhënjeu kundër Bizanti dhe mori Stambollin, në të cilën fitore mori pjesë edhe një komandant shqiptar nga Kosova _ Zaganoz pasha. *) Nga ajo kohë deri në vitin 1807, është faza e parë e pranisë së shqiptarët në Anadoll, dhe jo vetëm.*) Gjatë asaj kohe kanë ushtruar funksione të rëndësishme dhe kanë themeluar institucione, kanë ndërtuar objekte e kanë themeluar qytete që i kemi edhe sot. Për atë periudhë dhe motivet e praninë e tyre atje, nuk do të ndalemi më gjerësisht këtu.*)
Me vitin 1807 vazhdon faza e dytë e pranisë së shqiptarëve në Turqi, por këtu do të trajtohet vetëm periudha nga dhjetori i vitit 1877* deri në vitin 1918.*) kur shqiptarët në Turqi gjetën strehim, si POPULL I DËBUAR- I PËRZËNË nga vatrat e tyre stërgjyshore.*)
U përqendrova në periudhën 1877-1917., sepse kjo periudhë ngërthen çështjen shqiptare nën sundimin e sulltanatit Osman. Pas vitit 1918, kjo çështje i përket Mbretërisë SKS, RSFJ dhe Republikës së Turqisë. Këtë periodizim e kushtëzojnë rrethana dhe motive të ndryshme pse shqiptarët sot janë në Turqi, disa milion. Dhe Kjo çështje nuk është trajtuar si e meriton.
Duke u mbështet në veprën RUMELI`DEN TÜRK GÖÇLERI, të autorit turk në dy vëllime do të sjelli disa raporte telegrafike nga dhjetori i vitit 1877 kur fillon dëbimi i shqiptarëve nga sanxhaku i Nishit.
Telegramet në vazhdim janë këmbyer ndërmjet Komandantit të Nishit, gjeneral-kolonel Halil Pashës, guvernatorit të Nishit Reshid Pashës dhe Komandantit të përgjithshëm të Rumelisë – Sulejman pashës.
Disa fragmente nga telegramet:
Nr. 113
Nish, 16 dhjetor, 1877.
“Ora tetë…Dje rreth njëqind shtëpi u zhvendosën drejt Leskovcit…….një pjesë e tyre u vendosën në dyqane e nëpër medrese… për shkak se nuk kishte mjaftueshëm shtëpi për strehim…”
Nr. 115
20 dhjetor, 1877, “ me mjetet që kishin në dispozicion, me tërë pasurinë … janë shpërndar, kanë ikur të hutuar, pa e ditur se çfarë të bëjnë…..rrugët për Prokuple dhe Leskovc janë bllokuar, prandaj qerret që ishin nisur sot, janë kthyer prap.”;
Nr, 116
22 dhjetor, 1877, “… është urdhëruar që popullsia islame e Nishit të largohet prej këtu… popullsia myslimane hezitojnë të shpërngulen dhe në një telegram të ardhur në emër të popullsisë së Nishit, ankohen për gjendjen e zyrtarëve dhe njerëzve me ndikim…”
Nr. 117
22, dhjetor, 1877 ,, Disa fshatra të vilajetit të Kosovës janë zaptuar nga serbët, administrata e Leskovcit ka kaluar në Vranjë. Disa familje kanë ngarkuar qerret dhe kanë ikur… në Kumanova është përhapur panik dhe ka filluar përgatitja për mbrojtje, por nuk ka armë dhe municion.”
Kjo gjendje, që na rikujton vitet 1997-1999, kur dëboheshin shqiptarët nga Kosova, kërkon nga studiuesit e Historisë, filologjisë, diplomacisë, ekonomisë, etj., që zhvillimet e proceseve të tilla t`i emërtojnë me saktësi dhe qartësi duke bërë dallimin SHPËRNGULJE dhe DËBIM.
Derisa nga shekulli XV deri në fund të shekullit XVIII, shqiptarët në Turqi mund të trajtohen si emigrant, muhaxhirë etj., nga fillimi i shekullit XIX, shqiptarët në Turqi kanë gjetë strehim si POPULL I DËBUAR, POPULL I PËRZËN nga vatrat e veta stërgjyshore me qëllim të realizimit të projektit: “për shfarosjen dhe dëbimin e popullatës joserbe”*)
Me këto veprime të dhunshme e mizore Serbija gjatë shekullit XIX, e katërfishoi territorin fizik.
Për këtë dhunë sistematike e reprezalje të intensitetit të lartë, kundër shqiptarëve, me qëllim të spastrimit të territoreve të marra nga sulltanati Osman, flasin burime të ndryshme historike në gjuhën turke, frenge e në gjuhën shqipe, të cilat kam pasë mundësi t`i shfrytëzoj për këtë kontribut modest.*) ( Shimshiri, Karpati, Gjidara, Uka, Gjoshi, Mehmeti, etj… )
Janë botuar libra të veçanta*) e studime sporadike*) në mbështetje të literaturës, apo dokumenteve arkivora të vjelura në arkiva, të dorës dytë*), që gjithsesi vlejnë, por pjesa dërmuese FLASIN PËR SHPËRNGULJE, MIGRIME…zhvendosje-vendosje, etj., të shqiptarëve në Turqi pa dallim, prej shekullit XV e deri në shekullin XX., që si rezultat ka mohimin apo relativizmin e DËBIMIT të shqiptarëve gjatë dy shekujve të kaluar.
Tani më janë krijuar kushtet, si nga aspekti profesional ashtu edhe këndvështrimi material, çështja e shqiptarëve në Turqi të merret në shqyrtim duke shfrytëzuar dokumente të dorës parë që ruhen në Arkivat e Kryeministrisë në Stamboll e në Ankara dhe t`i afrohen opinionit shkencorë sipas standardeve më të reja e të besueshme, të pajisura me faksimile. Vetëm kështu mund të formohet një pasqyrë e qartë se PREJ CILIT VEND U DËBAN SHQIPTARËT dhe NË CILIN VEND janë strehuar dhe jetojnë sot në Turqi.
Një pasqyrim të tillë sot kemi për TË DËBUARIT NGA NISHI 1877-1896, e që KANË GJET STREHIM NË Tetovë, Gostivarë, Kërçovë e gjetiu. Numri i tyre dhe në cilat lagje të qytetit e në cilat fshatra u vendosën, si në Shemshovë, Përshevc, Poroj, Xhepçishtë, Reçicë, Nepërshten, Sedllarcë, etj.
Disa të dhëna statistikore sipas autorëve: Bilal Shimshir dhe Kemal Karpat, mund të ndihmojnë studiuesit e fushave përkatëse të thellojnë njohurit e tyre për këtë periudhë.
Sipas autorit Bilal N.SHIMSHIR, në vitin 1877:
Nishi kishte 283.000 bullgar*) dhe 148.000 jo-bullgar*) = 430.900.
Shkupi kishte 99.850 bullgar dhe 206.850 jo bullgar = 306.790
Manastiri kishte 167.350 bullgar dhe 297.550 jo bullgar = 454.900
Sipas autorëve KEMAL KARPAT dhe FIKRET KARÇIQ, në vitin 1911:
Kosova kishte 959.175 musliman *92.541 grekë*531.000 bulgarë*3287 hebrenj*16.493 të tjerë.
Manastiri kishte :181.980 musliman*149.785 grekë*199.938 bulgar*5.454 hebrenj*1715 të tjerë.
Sot më lehtë se kurrë më parë mund të shfrytëzohen arkivat valide të sulltanatit Osman që presin hulumtuesit shqiptarë në Stamboll, në Ankara e gjetiu.
Janë përpiluar dokumente, konventa, marrëveshje – madje edhe të panënshkruara – për të zbatuar DËBIMIN e shqiptarëve dhe jo vetëm këta, nga hapësira e Ballkanit. Të gjitha këto duhet rishqyrtuar dhe të vlerësohet validiteti i tyre nga këndvështrimi juridik, historik, diplomatik, politik, strategjik, ekonomik, etj.
Këtu duhet vënë theksin ç`është PREOKUPIMI DHE OBLIGIMI I INSTITUCIONEVE SHQIPTARE
1-Preokupimi i hulumtuesve… studiues të fushave të ndryshme t`i emërtojnë me emrin e vërtetë – saktësisht dhe qëndrueshëm shkencërisht: Popullsia e dëbuar nga Sanxhaku i Nishit a ishte turke dhe bullgare?, siç thuhet te autori Shimshir; u shpërngulën apo u dëbuan?; në Kosovë ishte luftë apo konfliktë? ; u vendosën në Turqi apo u strehuan në Turqi dhe ku janë sot? Çfarë ishte qëllimi i DËBIMIT TË SHQIPTARËVE NGA TORJET STËRGJYSHORE dhe çfarë pasojash kishte për shqiptarët NË TURQI? Po ashtu të dallojë dhe të periodizojë format dhe metodat e DËBIMIT: Dëbimi me pushkë e zjarr dhe dëbimi me Pendë e projekte të ndryshme, si reforma agrare, aksioni i mbledhjes së “tepricës”, aksioni mbledhjes së armëve, etj.(1877-1917; 1918-1941; 1945-1966; 1990-1999).
2 – Obligimi i qarqve shtetërore …të vlerësojnë veprimet e tyre, të deritashme, angazhimin konkret dhe të marrin masa që shqiptarët në Turqi të ndihen dhe të frymojnë si shqiptarë, të mbajnë lidhjen e gjuhës e të gjakut me të parët e tyre, me vendin prej nga janë dëbuar. Të afrojnë mundësitë që shqiptarët që jetojnë në Turqi ta ndihmojnë vendlindjen e prindërve, gjyshërve e stërgjyshërve të tyre.
SEMINARI NDËRKOMBËTAR… është njëra nga format e realizimit të këtyre qëllimeve, që tani më është dëshmuar si institucion i cili e luan këtë rol me sukses.
Feti Mehdiu, Prishtinë, 044 897 439, fetimehdiu44@gmail.com
Prishtinë, 22. Gusht, 2025
Nga tryeza: Shqiptarët në Lindjen e Mesme – Seminari… 43, Prishtinë, 22 gusht, 2025
****