Shqiptarët me banim në Zvicër kanë paralajmëruar një protestë tjetër më 2 nëntor para selisë së UEFA-s, për të kundërshtuar vendimin e Komisionit të Disiplinës që i dha fitoren në tavolinë Serbisë për ndeshjen e 14 tetorit në Beograd.
Siç njofton agjencia “Presheva Jonë”, organizatorët e kësaj proteste kanë deklaruar se presin një pjesëmarrje të madhe që ata e llogarisin deri në 10 mijë vetë, ku theksojnë se “duam t’i tregojmë botës se e drejta dhe fitorja është në anën tonë”.
Organizatorët e kësaj proteste, theksojnë në njoftimin e shpërndarë se “Ne si ”Tifozat Kuq e Zi” kemi marr një iniciativë që të protestojmë për drejtat tona, duke protestuar në mënyre paqësore për të dëshmuar para botës se e drejta është në anën tonë”.
Artim Elmazi, perfaqësues nga ‘Tifozat Kuq e Zi” i ka thënë “Presheva Jonë” se protesta e së dielës së ardhshme para selisë së UEFA-s synon të legjitimojë drejtesinë tonë nga mijëra tifoze dhe mërgimtarë që do të vijnë në protestën gjithpopullorë në Nyon. “Ne presim qytetarë jo vetëm nga Zvicra por edhe nga Franca, Gjermania e Italia”, thekson Elmazi.