Takim Botëror i Poezisë, Strasburg/
Nga Fotaq Andrea-Strasburg/*
Në datat 19-24 nëntor 2018, u mbajt në Strasburg, konsideruar si kryeqyteti i Europës, Takimi Botëror i Poezisë, organizuar nga Shoqata Mo-Zar (Mots-Arts), në bashkëpunim me Forumin Botëror të Demokracisë (Këshilli i Europës), me Bashkinë e Qytetit të Strasburgut si dhe me pjesëmarrje poetësh, shkrimtarësh e studiuesish nga pesë kontinente, nën drejtimin e një Komiteti shkencor përbërë nga profesorë universitetesh europiane, konferencierë, shkrimtarë, botues, doktorë në Letra, etj. dhe kryesuar nga Enrique Uribe, profesor në Universitetin e Strasburgut.
Në Takim, ndër poeteshat, poetët e studiuesit që morën pjesë nga mjaft vende – nga Franca, Portugalia, Spanja, Maroku, Çadi, Kanadja, Irani, Iraku, Belgjika, Rusia, Bullgaria, Rumania, Greqia, Venezuela, Kolumbia, Anglia, Shtetet e Bashkuara, Palestina, Peruja, Gjermania, Algjeria, etj. -, merrte pjesë edhe autori i këtij shkrimi për të përfaqësuar Shqipërinë, ku mbajti kumtesën “Shqiptarët një popull poet” më datën 23 nëntor në Villa Schützenberger, si dhe prezantoi në mënyrë të veçantë dy poetë shqiptarë: poetin martir të demokracisë Havzi Nelën, dhe poetin Moikom Zeqo në Kinema Odysée më 24 nëntor 2018 me poezi që i kishim përkthyer posaçërisht për këtë ngjarje të shënuar.
Takimi botëror i Poezisë u udhëhoq nën moton “Poezi, çfarë ke për të na thënë?”, ku poetë, studiues, botues, librarë, amatorë të poezisë, studentë e gjimnazistë që mbushën sallat për një javë rresht kishin shumë për të thënë në këtë periudhë të cilësuar “Krizë e shoqërisë, Krizë e poezisë”, përballë apatisë së masës njerëzore për mbrojtjen e demokracisë dhe paqes në botë, për kultivimin dhe ruajtjen e tyre nëpërmjet institucioneve demokratike dhe bashkimit e bashkëpunimit mes popujve, duke kundërshtuar çdo fatalizëm, çdo humbje besimi në regjimin demokratik dhe integrimin europian. Në Manifestin e miratuar në përfundim të veprimtarisë, titulluar: “Ruhu Europë, Europa për Europianët”, u vu në dukje fuqimisht se poetët dhe poezia janë në gjendje të rigjallërojnë besimin në vlerat demokratike, se pasioni poetik nuk është thjesht e vetëm në varg, por se atë e përjetojmë të gjithë përditë si qytetarë të këtij universi harmonik që na bashkon mrekullisht, dhe më në fund se poezia mbetet thelbësisht e pandashme nga vetë nocioni i lirisë e i besimit në shoqërinë njerëzore, themeli për ta mbajtur përherë gjallë këtë poezi, siç parashikonte poeti peruvian Cesar Vallejo që më 1937: “Europë, po të kujtojmë: “Ruhu për veten tënde!… Ruhu për të ardhmen…!”
Paraprakisht, në takim me kryetarin e shoqatës Mots-Arts Enrique Uribe Carreño, i paraqitëm Komitetit drejtues të aktivitetit një abstrakt të kumtesës sonë si dhe dymbëdhjetë poezi të përzgjedhura nga poetë shqiptarë, klasikë e të sotëm (në frëngjisht), nga N. Frashëri, Migjeni, Çajupi, L. Poradeci, D. Agolli, I. Kadare, F. Arapi, Xh. Spahiu, M. Ahmeti, M. Velo, P. Shllaku, D. Çomo. Kërkuam me këtë rast t’i bëhej nderim i veçantë në Takim poetit martir shqiptar Havzi Nela (varur më 1988 nga regjimi komunist – dy vjet para shembjes së Murit të Berlinit), poezia e të cilit “Quand je mourrai” (“Kur të vdes”), së bashku me foton e tij të botoheshin në faqen web kushtuar kësaj ngjarjeje. Kjo kërkesë e jona u miratua menjëherë.
Në kumtesën tonë, për gati një orë e gjysmë, bëmë një historik të shkurtër të poezisë shqipe ndër shekuj, duke u ndalur konkretisht në tre etapa të zhvillimit të poezisë: asaj rilindëse, post rilindëse dhe poezisë së sotme, si dhe duke paraqitur pikëtakimet e poezisë shqipe me poezinë europiane e posaçërisht me poezinë frënge. Vumë në dukje se që më 1847, Lamartin, i shkruante poetit arbëresh De Rada se “poezia ka ardhur nga brigjet tuaja dhe duhet të rikthehet atje”. Po ashtu, në vitet ’40 të shek. XX, një artikull në italisht për kombin shqiptar mbante si titull “Gli Albanesi, un popolo di poeti et di soldati”. Më 1989, një personalitet i njohur francez Xavier Diniau, ish sekretar shteti dhe ish sekretar i përgjithshëm i asamblesë parlamentare të frankofonisë, në një shkrim kushtuar Shqipërisë, vinte në dukje: “Atdheu shqiptar… është krijuar nga poetët”. Veç kësaj, Alain Bosquet dhe Michel Métais, që në vitet ’70, duke prezantuar Kadarenë tek lexuesi francez, nxirrnin në pah shpirtin poetik ndër shekuj të popullit shqiptar dhe po në atë periudhë, dy poezi të Kadaresë do të figuronin për vite me radhë në një Antologji letrare për sistemin e shkollës së mesme franceze (kolegjet e gjimnazet).
Që në fillim, theksuam dallimin midis poezisë gojore, tradicionale dhe tepër të pasur nga njëra anë dhe nga ana tjetër, poezisë së shkruar, të kultivuar apo “savante”, sipas termit të përdorur nga prof. Alexandre Zotos në Antologjinë e tij “Poezia shqipe” me mbi 70 autorë (botuar më 1996). Vumë në dukje se është pikërisht poezia gojore ajo që përbën bazën themeltare të vetë poezisë së shkruar, shtratin historik të saj. Tradita e fortë e poezisë gojore shqipe, së bashku me folklorin e pasur, njihet që në mesjetën e hershme dhe një libër për poezinë epike shqipe është botuar në Francë më 1968, titulluar “Chansonnier des preux albanais”, (Eposi shqiptar i kreshnikëve), që përmban shumë vëllime në origjinal për këngët historike shqipe me zanafillë në shekujt XI-XII dhe që trajtojnë ngjarje të ardhjes së sllavëve në Ballkan në shekujt VI-VIII. Theksuam në këtë mes pikëtakime të eposit shqiptar me eposin frëng dhe se Këngët e Rolandit (eposi francez) përmbajnë disa strofa për kalimin e frankëve të Karlit të Madh në Shqipëri gjatë periudhës së Kryqëzatës së parë.
Nga ana tjetër, tërhoqëm vëmendjen se kjo poezi gojore është e pasur në zhanre të ndryshme, dhe arrin kulmin e vet me këngët polifonike të Jugut të Shqipërisë dhe këngët me lahutën monokorde të Veriut të Shqipërisë, për të cilat ka shkruar edhe Prosper Merimé. Një lloj i tretë kënge krejtësisht të veçantë përbën korpusi i këngëve çame të Epirit të Veriut, apo të shqiptarëve të Greqisë, pa harruar këngët e shqiptarëve të Italisë (arbëreshëve), apo ato të shqiptarëve të Kosovës. Nëse kënga dhe poezia gojore janë tejet të zhvilluara historikisht në Shqipëri, kjo ndodh thjesht për faktin se gjuha e shkruar ishte e ndaluar gjatë pushtimit osman prej pesë shekujsh të vendit. Nga ku dhe rëndësia e poezisë gojore, e baladave, legjendave, këngëve epiko-historike, që jo vetëm përcilleshin lehtë me gojë nga brezi në brez për shekuj të tërë, por ishin edhe një përgjigje e drejtpërdrejtë e popullit ndaj pushtimit të egër osman, dhe kur populli i thjeshtë, për çdo ngjarje brenda fshatit, qytetit, krahinës, për çdo bir të tij martir, për çdo bëmë të lartë thurte menjëherë këngë për të pavdekësuar çastin epiko-historik e për të përjetësuar me lirizëm çdo gëzim e dashuri të njeriut shqiptar me jetën dhe natyrën. Në këtë kuptim, theksuam se poezia në Shqipëri është po aq e lashtë sa dhe vetë gjuha shqipe, një degë e veçantë, origjinale, në familjen e gjuhëve europiane.
Katër tiparet themelore të poezisë shqipe:
- Poezia gojore ka qenë shkollë për lëvizjen patriotike shqiptare, që e ka shoqëruar krejt Rilindjen shqiptare dhe i ka shërbyer në pikën më të lartë zgjimit të ndjenjës kombëtare. Tërë promotorët e Rilindjes shqiptare (rilindësit) kanë qenë para së gjithash poetë, dhe tërë përpjekjet e tyre u kurorëzuan me aktin e shpalljes së pavarësisë më 28 nëntor 1912. Pikërisht, kjo është forca madhore e poezisë së angazhuar militante, të motivuar dhe të mbështetur masivisht.
- Poezia gojore i ka shërbyer fuqishëm vetë emancipimit të shoqërisë mesjetare dhe feudale shqiptare për ta afruar sa më shpejt me botëkuptimin përparimtar të kohëve moderne, dhe në këtë kuptim, kjo poezi emancipoi edhe vetveten duke u afruar me shkollat poetike europiane.
- Poezia gojore çeli perspektiva të reja zhvillimi drejt një poezie që përdor bukurinë e gjuhës për ta bërë këtë edhe më shprehimisht artistike dhe të pasur në figura letrare. Synohet drejt idealit të poezisë së kulluar artistike dhe në këtë mes vumë në dukje forcën shprehëse të vargut shqip, aftësinë e gjuhës shqipe nga pikëpamja gramatikore, që lejon zhvendosje të lehtë leksiku dhe veshje të tij bukur artistikisht.
- Më në fund, poezia e kultivuar në këtë mënyrë ia kthen monedhën e vet poezisë popullore, domethënë, mban gjallë frymën poetike të këtij popullit poet.
Tre etapat (moshat) klasike të poezisë shqipe (sipas prof. Zotos) janë:
Etapa e parë: Rilindja shqiptare, që shkon nga vitet ’40 të shek. XIX (me De Radën), deri në vitet ’20 të shek. XX;
Etapa e dytë: është ajo e lulëzimit të poezisë realiste e kritike kur shohim të formohet rryma progresiste e viteve ’20-30’ dhe që kulmon me Migjenin. Ky autor i fuqishëm shqiptar, ndër poetët e parë modernë njihet për forcën e fjalës, me varg të lirë e të ngjeshur, por edhe të shkurtër: “Unë jam djepi juaj, dhe ndoshta varri juaj”, shkruan ai për vargun e tij poetik. Për herë të parë shohim tek ai lindjen e prozës poetike shqipe.
Etapa e tretë: është ajo e izolimit dhe e hermetizmit të vendit gjatë sistemit komunist, konkretizuar me rrymën e soc-realizmit, që zgjati rreth pesëdhjetë vjet dhe që kulmoi në vitet 60-70, kur poezia veshi petkun zyrtar të ideologjisë sunduese, po ku dalluan edhe poetë disidentë, që i largoheshin rrymës ideologjike e për më tepër që u persekutuan e u dënuan rëndë për mospajtim me sistemin në fuqi. Mbi 200 intelektualë të shquar, shkrimtarë, artistë, poetë, përkthyes, etj. njohën shtypje, tirani, martirizim dhe ndër të tjerë përmendëm fatin tragjik të poetëve martirë të demokracisë Trifon Xhagjika, Vilson Blloshmi, Genc Leka dhe Havzi Nela, duke u ndalur konkretisht në vargun e tyre të lirë e fuqishëm dhe në vdekjen torturuese, me pushkatim apo varje.
Një etapë e katërt vazhdon sot me poezinë e quajtur moderne të autorëve të rinj poetë.
Në zbërthimin e këtyre etapave u ndalëm në mënyrë të veçantë në poezinë e Rilindjes shqiptare, para, gjatë dhe pas saj, duke vënë në dukje se poezia e Budit dhe e Bogdanit në shekujt XVI-XVII, edhe pse me theks kënge tradicionale të krishterë, ishte para së gjithash përgjigje e drejtpërdrejtë e regjimit osman.
Në etapën përgatitore të Rilindjes dhe të poezisë së saj të angazhuar u dalluan fillimisht poetët e diasporës shqiptare, pasuar drejtpërdrejt nga poetët brenda vendit: De Rada, si shtylla e fillimit të Rilindjes njihte nga afër poezinë klasike dhe romantike europiane të shek. XIX dhe mbante lidhje epistolare me Lamartinin, Hygoin, Mistralin dhe Dora d’Istrian. Këtu u ndalëm posaçërisht te figura e Dora d’Istrias, duke qenë se ky vit përkon me 190 vjetorin e lindjes së saj dhe 130 vjetorin e vdekjes. Duke vënë në dukje origjinën e saj shqiptaro-rumune dhe duke theksuar lidhjet e ngushta që ajo mbante me rilindësit tanë, ngritëm lart figurën e saj si princeshë e kulturës evropiane, që ka kapur e zbërthyer thelbin e shpirtit poetik të mbarë popujve të Europës me 30 esetë e saj të mrekullueshme, botuar në Revistën prestigjioze franceze “Revue des Deux Mondes”, nëpërmjet të cilave nxjerr në pah e zbërthen me penë të fuqishme lidhjen e ngushtë kombësi – poezi popullore. Me këtë rast, në prani të Znj. Ana Maria Girlenau, pedagoge dhe drejtore e departamentit të studimeve rumune UNISTRA (e cila na miratoi në propozimin tonë), formuluam kërkesën që Pllaka përkujtimore që mban emrin e Dora d’Istrias (Helena Ghica) në një nga sheshet e Strasburgut të pasqyrojë origjinën e vërtetë të saj si shqiptaro-rumune dhe jo vetëm rumune. Theksuam se ky propozim i yni i bën nder jo vetëm Rumanisë, por edhe Shqipërisë në kuadrin e Europës së Bashkuar, duke qenë se shumë herë vetë Dora d’Istria ka pohuar origjinën shqiptare të saj dhe të krejt familjes princërore Gjika. Shpresojmë që kjo kërkesë e jona të merret parasysh nga autoritetet e Bashkisë së Strasburgut, dhe të ndiqet nga përfaqësia shqiptare pranë Këshillit të Europës.
Poezia shqipe shfaqet që në fillim të shekullit XIX në përmbledhjet e këngëve historike dhe heroike të Greqisë, përkthyer frëngjisht nga M. Mépomucène dhe L. Lemercier, si dhe në antologjinë e përgatitur nga Claude Fauriel, ku zinin vend heronjtë dhe udhëheqësit arvanitas të Revolucionit grek dhe të pavarësisë së Greqisë (1821-1824), për të cilët do të kushtonte vargjet më të bukura të “Orientaleve” të tij vetë Viktor Hygoi, duke ngritur lart bëmat e shqiptarëve. Po ashtu, vend të nderuar zinin këtu edhe Udhëpërshkrimet e konsullit frëng Pouqueville nëpër Shqipëri e në pashallëkun e Janinës kur flet veçanërisht për këngët polifonike, si dhe punimet e filologut frëng Auguste Dauzon për poezinë popullore shqipe, të gjuhëtarit Louis Benloew për metrikën e poezisë popullore shqipe, etj. Por, interesimi i publikut në Villa Schützenberger u bë edhe më i madh kur vumë në dukje se në dy raste konkrete historike, poezia shqipe, e sublimuar në këngë do të shërbente si “melhem” shërimi për dy gjeni të mëdhenj të letërsisë botërore: për Shateaubriand-in, pararendësin e romantizmit francez dhe emër i madh i Letrave frënge, dhe për Lord Bajronin, poetin e ndritur të Letrave angleze, i cili mbante përherë një shpurë shqiptarësh besnikë gjatë udhëtimeve të tij nëpër Greqi e Shqipëri. Në fakt, do të ndodhte që Shatobriandi i madh do të sëmurej rëndë, me temperaturë të lartë në Kerathia (Athinë) dhe do të strehohej për një javë rresht në kasollen e një arvanitasi, ku një vashë shqiptare do përkujdesej për atë duke i njomur ballin me napë me uthull, pa e ndërprerë këngën e saj shqipe gjatë tërë ditës (“në gjuhë të panjohur”, thotë poeti i “Kujtimeve përtej varrit”), dhe pikërisht ajo këngë shqipe do të shndërrohej në shtrat shërimi të vetë poetit dhe politikanit të madh frëng Shatobriand. Ja pra, forca e poezisë së kënduar shqipe, e asaj kënge-poezi, që mban gjallë mbi të gjitha shpirtin e paepur të popujve!
Po ashtu, Bajroni, që do të përjetësonte shqiptarët, veshjet, armët dhe këngët e tyre, u sëmur rëndë gjatë udhëtimeve nëpër Epir, dhe trimat e tij shqiptarë të pandarë e mbajtën mbi supe në shtrat prej druri dhe pikërisht, në përhumbje të plotë nga ethet, do të ndiqte mes erërave, shiut, furtunës, tallazeve, jehonën e këngës polifonike shqipe (labe), që vinte nga thellësitë e kohërave, atë këngë që ishte bërë për të burim frymëzimi për vargjet hyjnore të “Çajld Haroldit”. Ai është ndër të parët autorë të huaj që sjell të transkriptura edhe dy këngë të lashta shqipe në epistolarin e tij.
Tipar themelor i poezisë së Rilindjes shqipe është se tërë promotorët e saj janë poetë, ashtu sikurse tërë arsimtarët e shkollave të para shqipe të çelura në fund të shekullit XIX janë poetë. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për ideologët e lëvizjes politike të Rilindjes dhe për drejtuesit e kryengritjeve të armatosura që ishin në një pjesë të mirë edhe këta poetë. Pikërisht një fakt i tillë i përgjithëson shqiptarët si popull poet e luftëtar dhe se pavarësia shqiptare është fryt i shpirtit rilindës e liridashës të këtij populli. Numërohen mbi njëqind poetë rilindës shqiptarë të njohur për poezitë e tyre militante të fuqishme, e ndër ta vend të nderuar zë Naim Frashëri, i konsideruar edhe si poeti kombëtar shqiptar.
Temat kryesore të poezisë rilindëse shqiptare janë: dashuria për atdheun, dashuria për gjuhën amtare, glorifikimi i historisë e i heronjve të Shqipërisë, konkretisht Skënderbeut, Heroit kombëtar shqiptar, për nder të të cilit ky vit u shpall “Viti Skënderbeu – 2018”, që po festohet me madhështi në mbarë kombin shqiptar me rastin e 550 vjetorit të vdekjes së tij.
Domosdo, detyra kryesore e Rilindjes shqiptare ishte pavarësia e vendit, çlirimi nga zgjedha e perandorisë osmane, por kjo detyrë e shenjtë shkonte më larg: drejt emancipimit të mbarë shoqërisë, drejt progresit të saj dhe integrimit në familjen e madhe evropiane. Në këtë drejtim, poezia e kultivuar dhe e angazhuar shqipe kishte një theks mjaft kritik dhe nuk është aspak rastësi nëse motoja e Rilindjes Shqiptare ishte: “Mos shikoni kishë e xhamia, feja e shqiptarit asht shqiptaria”. Janë në fakt, vargjet më të fuqishme të poetit Pashko Vasa në poezinë e tij “O moj Shqypni”. Ngaqë kërcënimi i konflikteve fetare rëndonte ashpër në Shqipëri. Po ashtu, vend i rëndësishëm i njihej që në atë kohë emancipimit të gruas shqiptare dhe rolit të shkollave për të luftuar analfabetizmin masiv.
Vlen të theksohet roli që luajti Diaspora shqiptare gjatë periudhës së Rilindjes kombëtare – e cila ishte në kontakt të drejtpërdrejtë me poezinë europiane – duke përgatitur botime të shumta tekstesh shkollore dhe përmbledhjesh poetike, sidomos në Rumani, Itali, Bullgari, Francë, Belgjikë, Egjipt, etj. Në këtë mes, Faik Konica, një personalitet i shquar shqiptar me përmasë europiane, sa shkrimtar, botues, gjuhëtar, përkthyes aq edhe poet me varg elegant, dhe që vepronte në Francë, Belgjikë e Angli, mbante lidhje të ngushta me poetin e shquar Guillaume Apollinaire dhe ndiqte nga afër zhvillimet e poezisë simboliste dhe të krejt plejadës së poetëve simbolistë. Revista e tij “Albania” pasqyron ndër të tjerë, edhe mjaft poetë evropianë e botërorë, klasikë e modernë.
Lidhur me moshën e tretë klasike të poezisë shqipe, në Takimin botëror të Poezisë u ndalëm në mënyrë të veçantë te poezia “Kur të vdes” e poetit martir Havzi Nela, të cilën e recituam dy herë gjatë takimeve tona me lexuesin frëng të poezisë, pasi theksuam fatin e tij tragjik dënuar me varje nga diktatura komuniste, dhe akoma më tragjik “varrimi” i tij në një vrimë të mbetur bosh nga heqja e një shtylle elektrike në një vend të humbur, që u gjet me vështirësi pas pesë vjet kërkimesh. Edhe vetë nuk i mbajtëm dot lotët gjatë recitimit, dhe duartrokitjet që pasuan, dhe lotët tek disa të moshuar, ishin si një tufë lule, me simbolikë tashmë botërore, mbi varrin e Havzi Nelës, ashtu siç ishte edhe dëshira e tij e fundit në poezinë e tij: “Kur të vijë pranvera/Kur bilbili nis me këndue/Mbi vorrin tim me gurë e ferra/Nji tufë lule me ma lëshue”. Po ashtu, përshtypje të thellë tek të pranishmit bëri vdekja tragjike me pushkatim e poetit Trifon Xhagjika që më 1963, si dhe komenti ynë për poezinë e tij “Atdheu është lakuriq”, ku poeti denoncon fuqishëm kastën në fuqi për të keqen që i ka futur në trup, kokë, shpirt krejt atdheut, në prag të vetizolimit, hermetizmit dhe diktaturës komuniste.
Vend të veçantë i kushtuam poezisë së Moikom Zeqos, ku bëmë këtë prezantim për autorin dhe recituam në frëngjisht poezinë e tij nga më të fundit “Psalmi 160”:
“Moikomi, i vetmi në botë që mban një emër të tillë kaq origjinal, ka një korpus voluminoz poezie, të cilën e praktikon me zell, eth e përkushtim që nga adoleshenca e tij. Është sot Boris Viani shqiptar, duke qenë ai vetë njëkohësisht historian, arkeolog, poet, piktor, shkrimtar, gazetar, filolog, publicist, erudit. Mjeshtër i lirisë së fjalës, e kërkon forcën shprehëse të verbës poetike në një përmasësi (dimensionalitet) të shumëfishtë, duke shkuar gjer në kufijtë e përtej-përmasësisë (supra-dimensionalitetit). Të shkruash ndryshe, është tipari themelor i poezisë së tij që i hedh rrënjët në poezinë futuriste, surrealiste, simboliste, si dhe në një univers tepër origjinal, ku bota njerëzore, artistike, letrare, madje filozofike pasqyrohet nëpërmjet forcës magjike të verbës së tij poetike. E ndjen veten sa në parajsë të bukurisë artistike, ku vallëzojnë nimfa të botës shpirtërore me krahë fluturash e pilivesash, aq edhe në ferrin e lumenjve infernalë, ku fjalët grinden, duke mbjellë erëra e stuhi. Poet me tejdukshmëri të larmishme, i etur për metafora e alegori, Moikomi dallohet nga universalizmi i tij poetik brenda një marrëdhënieje të ngushtë kohë-hapësirë, njeri-natyrë, dhe realitet metafizik-realitet sensual. Është arkitekti i fjalës poetike shqipe par exellence.
Edhe më thjesht, vargu është tek ai një emocion i përhershëm, duke testuar pareshtur të shkuarën, të tashmen e të ardhmen, është burimi i tij i pashtershëm jetësor e krijues. Moikomi di të pikturojë me fjalë, duke zotëruar mjeshtërisht ritmin dhe muzikalitetin e vargut shqip, duke xhongluar me tropet dhe duke u bashkëngjitur ide e figura letrare nga më të çuditshmet e më të ndryshmet.
Është i përkthyer në shumë gjuhë.”
Kjo Kumtesë e jona u ndoq me interesim nga të pranishmit.
© Ndalohet ribotimi i këtij shkrimi pa lejen e autorit.