• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ZOJA JONË E KËSHILLIT TË MIRË

October 10, 2026 by s p

Fotaq Andrea 

Permbledhje shkrimesh

Të shkruash për Zojën e Këshillit të Mirë të Shkodrës, cilësuar “Virgjëresha e shenjtë shqiptare”, shpallur Mbrojtëse dhe Pajtore Qiellore e mbarë Shqipërisë, nuk ka se si të mos sjellësh ndër mend vargjet monumentale me tingëllesë hyjnore të Gjergj Fishtës, kryepoetit të Gegërisë :

“Të falemi, o Mri! Virgjina e dlir’, / O nana e bukur e K’shillit t’Mir; Ty ndim të kena në kët’ shkreti: / të falemi, o Mri, të falemi, o Mri./ Të falemi Virgjin’ Nana e Tënzot, / Ndihma e kshtenimit me hire plot;/ T’bin në mend se Zoja e Shkodrës je: / Lutu për ne, lutu për ne! / Lutu, po, e derdhi hiret e m’dhaja / Si n’kohët e moçme n’kishë te Kalaja, / Ku t’lutej Shkodra plot me dobi;/ Të falemi, o Mri, të falemi, Mri! / Lutu, se Shqiptarët, o Zojë, të tanë, / Te Ti e çojnë zanin në Gjenacanë:/ M’shir’ për ne thona m’shir’ për Shqypni! / Të falemi, o Mri, të falemi, o Mri”! 

Është një lutje e dalë nga shpirti për ndihmë amnore, për dritë e shpresë, me shkëlqimin dhe forcën e fjalës shqipe në gegërishte të pazëvëndësueshme, është një psalm me energji sa të përshpirtshme, aq edhe poetike e patriotike nën penën homerike të At Gjergj Fishtës, një himn, murmurimë lutjeje e kulluar për shpëtim shpirtëror dhe bekim të përjetë.

Shihni me vëmendje imazhin e Shën Mërisë shqiptare, Zojës së Këshillit të Mirë, ngulini sytë mbi sytë e saj përgjysmë mbyllur, me vështrim të ulur, përulur, dhe do shihni në to gjithë forcën patetike që ajo mbart në vetvete, tek ngjall te kundruesi një ndjenjë të fuqishme dashurie, po se po, por edhe një ndjesi dhimbjeje, vuajtjeje, trishtimi, njëfarë mëshire për ta falë atë tjetrin, mëkatarin e përjetshëm.    

Duke hulumtuar mes autorëve të huaj që kanë shkruar për figurën e Zojës të Këshillit të Mirë, Virgjinës Mari, e cila mban në krahë fëmijën Jezus, stilizuar artistikisht në mënyrë aq origjinale me krerët pa flokë, na ra në sy historiku i veçantë që i bën kësaj figure autori Attilio Galli në veprën e tij “Madre della Chiesa nei cinque continenti” (Edizioni Segno, 1996). Mbështetur tek studiuesi shqiptar Mikel Prenushi, A. Galli vë në dukje: 

“Në shekullin XV, turqit myslimanë pushtuan Shqipërinë duke iu kundërvënë besimit të krishterë. Gjergj Kastrioti Skënderbeu ia besonte veten e tij Zojës Sonë të Shkodrës dhe lutej para saj. Ai u bëri qëndresë pushtuesve për njëzet e pesë vjet me radhë dhe është mbiquajtur Atleti i Krishtit. Më 1467, Shkodra ra në duart e myslimanëve dhe shqiptarët duhej të zgjidhnin kësisoj ose të bëheshin skllevër ose të iknin në mërgim.

Një dashuri e dëlirë qiellore e Zojës së Shkodrës me të Birin Jezu Krisht.

Djali i Skënderbeut, Gjoni, shoqëroi atëherë të mërguarit gjatë kalimit të detit Adriatik. Pikërisht, në këtë kontekst, më 25 prill 1467, figura e Shën Marisë së Shkodrës, apo Nan’ e Këshillit të Mirë, u zhduk nga kisha dhe u rishfaq në kishën e Etërve agustinianë në Gjenacano pranë Romës, e cila në atë kohë ishte në ndërtim e sipër. Disa përmendin me këtë rast një mrekulli, por ka shumë të ngjarë që figura të jetë mbartur prej refugjatëve shqiptarë të krishterë, me qëllim që ikona e Virgjëreshës Mari t’i shoqëronte gjatë kohës së mërgimit. Më 1854, katolikët shqiptarë organizuan një procesion në Shkodër nën vështrimet e turqve, duke kënduar lavde për Gjithëfuqishmen e Shenjtë. Më 1895, peshkopët shqiptarë e shpallën Zojën Tonë të Këshillit të Mirë “Patrone të krejt Shqipërisë” dhe e festojnë më 25 prill.

Marrja nën patronazh nga ana e Zojës Sonë u ndie së tepërmi gjatë bombardimit të Shkodrës më 12 mars 1913: dëmtimet ishin shumë të pakta, çuditërisht të pakta, ndërkohë që 35 000 predha u lëshuan mbi qytet!

Më 1917, u rindërtua Kisha “Zoja Jonë e Këshillit të Mirë” në Shkodër, pikërisht atje ku më 1467 ndodhej figura e Zojës Sonë të Këshillit të Mirë para se të çohej në Gjanacano të Italisë. Më 11 shkurt 1943, Imzot Prenushi, duke parë komunizmin në portat e Shqipërisë përjetësoi kombin në zemër të Virgjëreshës Mari. Komunizmi vjen më 1945 me ateizmin më të pastër e më të ashpër. Më 1967, nën entuziazmin e revolucionit kulturor kinez, ata që i bënin ende qëndresë ateizmit, do të eliminoheshin nga diktatori Enver Hoxha, dhe kleri u torturua e pushkatua. Tempulli i Zojës Sonë të Këshillit të Mirë u rrafshua. Kishat e xhamitë u 

Zoja e Këshillit të Mirë në Kishën

që mban emrin e saj në Paris, tablo.

shndërruan në stalla apo depo. Por kjo fitore e komunizmit ateist ishte tepër  e përkohshme : ai ra më 4 nëntor 1990 dhe katolikët rindërtuan kishat e tyre. Gjon Pali II shkoi më 22 prill 1993 në tempullin Zoja Jonë e Këshillit të Mirë në Gjenacano para se të shkonte edhe në Shkodër më 25 prill 1993 për të bekuar gurin e parë të rindërtimit të tempullit të Zojës Sonë të Këshillit të Mirë, kishën “Zoja e Shkodrës”. Tërë shqiptarët ishin përkrah njëri-tjetrit, katolikët, ortodoksët e myslimanët, duke dhënë shembullin e një bashkëjeteje paqësore.”

Papa Gjon  Pali II duke u lutur përpara

“Zojës së Këshillit të Mirë” gjatë vizitës në Shqipëri,1993 .

Vlejnë të shënohen nga ky historik i bukur e konçiz i figurës së Zojës së Këshillit të Mirë disa momente kyçe e kuptimplota, dhe konkretisht:

Së pari, shohim, në mënyrë aq domethënëse, se vetë Skënderbeu, KryeHeroi Ynë, bie në gjunjë dhe falet para Zojës së Këshillit të Mirë. Lypset të hamendësojmë në kësi rasti se një tablo e dytë e kësaj Zoje të Shkodrës duhet të ketë qenë edhe në kishëzën brenda kalasë së Krujës ku falej KryeTrimi dhe familja e tij; 

Së dyti, nëse mërgimtarët shqiptarë e morën me vete në Itali portretin e Zojës shqiptare, kjo u bë jo vetëm që tabloja të mos lihej të binte në duar të turqve uzurpatorë, por edhe që ajo të vazhdonte t’u shërbente atyre si një shpëtim shpirtëror dhe si një simbol i fuqishëm i lidhjes së tyre me atdheun e lashtë;

Së treti, thuhet në këtë historik se vetë Gjoni II, djali i Skënderbeut, e shoqëroi largimin dhe shpëtimin e saj në dhé të huaj, një gjest tejet adhurues nëse vërtet ka ndodhur kësisoj para fatalitetit të pashmangshëm të pushtimit osman të Arbërisë. Një hipotezë e tillë vlen të studiohet  hollësisht duke pasur parasysh kushtet dhe rrethanat e kohës në prill të vitit 1467, sidomos qëndrimin hipokrit, me lojë të dyfishtë të Venedikut që mbante nën kontrollin e tij Shkodrën dhe rrethinat e saj;  

Së katërti, figura e Zojës së Këshillit të Mirë ruhet thellë dhe fuqimisht në ndërgjegjen dhe në kujtesën tonë kombëtare, pa dallim feje, kur dimë se kronistë e udhëpërshkrues të huaj nuk kanë munguar të dëshmojnë për një të vërtetë sa reale aq edhe irreale, që jo rrallë herë qëllonte që besimtarët katolikë shqiptarë të faleshin në oborr të xhamive dhe, po aq e kundërta, që besimtarët myslimanë të faleshin në oborr të kishave shqiptare. 

Së pesti dhe më në fund, ashtu sikurse vepra e Barletit “Histori e Skënderbeut” mori përmasë botërore duke u bërë historikisht shembull frymëzimi për lirinë e popujve, edhe figura e Zojës së Këshillit të Mirë do të merrte përmasë botërore. Me Zojën e Këshillit të Mirë dhe Nënë Terezën, kombi shqiptar i dha botës Shenjtet e shpirtit të vet. Për nder të Zojës Sonë do të ndërtoheshin gjithandej, deri në Kanada, kisha me emrin e saj. Dhe jo vetëm, por shumë përshpirtje do të hartoheshin në liturgji me emrin e Zojës Mari të Këshillit të Mirë. Ja dy prej tyre:

“YnëZot, / Ti e di se mendimet tona në Tokë, / Janë plot frikë e pasiguri,/ Po falë ndërhyrjes së FatLumes Virgjëreshë Mari, / Që Birin tënd, gjithë mish e gjak, / Në krahë e mban, / Frymë të Këshillës së Mirë sillna ne, / E Vullnetin tënd ta njohim, mësona ne… / YnëZot, / Gjithë të fshehtat e tua zbulona, / Te ky monument kushtuar Virgjëreshës Mari, Nënë e Këshillit të Mirë. / Amen.” 

“O Mari e Këshillit të Mirë, / Ndizi zemrat tona, / Dhe të gjithë atyre që përshpirten për ty, / Që për secilin prej nesh / Strehë të përhershme të kesh./ Amen.”

Leon Buffet, duke shkruar më 1925 për jetën dhe veprën e Atit Pierre Tissot, udhëheqësi madhor i Misionarëve të Shën Fransuait de Sales në Ansi (Annecy) të Francës, thotë për të se “tërë jetën ai (Tissot) ishte një i përkushtuar i zellshëm i Zojës së Këshillit të Mirë, dhe për nder të saj, gjatë pelegrinazhit që ndërmori në Gjenacano, ai hartoi këto vargje plot poezi e hir: Me sytë e ulur, e heshtur, gjithë ngrohtësi të vërtetë,/ Maria mban vesh: një këshillë po pret”.

Duke iu rikthyer autorëve francezë që kemi përfshirë në Antologjinë tonë “Arbëreshët e Italisë”, rikujtojmë paraprakisht se në prill 2027 do të kremtohet 560 vjetori i Zojës së Këshillit të Mirë të Shkodrës dhe, me këtë rast, kemi ndërmarrë nismën për të gatitur një antologji e ekspozitë artistike e dokumentare me rreth 170 ilustrime të veçanta për figurën e Zojës së Këshillit të Mirë. Do Zoti dhe vetë Zoja Jonë e Këshillit të Mirë t’i ndijë në vesh kujtdo të interesuari, dashamirësi e filantropi për të na mbështetur konkretisht në këtë projekt tonin.

Fotaq Andrea, 30 shtator 2026.

Ceremoni fetare për Zojën e Këshillit të Mirë, Shkodër, Lufta e parë botërore.

Revista l’Ami du Clergé (Miku i Klerit)

Organ i themeluar më 1878 e i konsideruar

si një Kryevepër e Shkencës Katolike franceze.

ZOJA JONË E KËSHILLIT TË MIRË,

NGA SHKODRA NË GJENACANO

– Për festën e Zojës së Këshillit të Mirë –

Vëllezër,

Me dekret të datës 22 prill 1903, Selia Qendrore e Riteve urdhëroi t’u shtohet Lutjeve të Virgjëreshës së Shenjtë kjo përshpirtje: “Mater boni Consilii, ora pro nobis. Nan’ e Këshillit të Mirë, lutuni për ne”.

Sanktuari i Gjenacanos ku ndodhet 

Zoja Jonë e Këshillit të Mirë.

Dekreti parashtron me këtë rast titujt e ndryshëm që mban Zoja Jonë në përmendjen e saj: pranimin që i bëhet, me mendje e me zemër, në qëllimet e përjetshme të Perëndisë për misterin e Mishërimit, rolin e saj si këshilluese, e bindur në martesën e Kanas, ndihmën dhe këshillat që ajo u dha gjatë gjithë jetës apostujve, shpirtrave të devotshme dhe dishepujve të të Madhit Zot, e më në fund drejtimin me dashuri tërësisht amtare që u ngarkua të ushtrojë tek Shën Jani nga vetë Shpëtimtari duke dhënë shpirt mbi Kryq; mirëpo, tradita e Etërve të Kishës dëshmon se Jani përfaqësonte në atë kohë tërë të krishterët. Andaj, në historinë e Kishës, përmendja e Marisë nën emrin “Zoja e Këshillit të Mirë” është shumë e lashtë. Leoni XIII i dha nxitje të fuqishme gjatë kohës që qëndroi në fronin papal, nëpërmjet shërbesash të përkujdesshme e të posaçme. Dekreti i 22 prillit përfundon me këto fjalë: “Më në fund, për të lartuar edhe më shumë nderin dhe kultin e Virgjëreshës së Shenjtë nën titullin e saj të lartpërmendur, Shenjtëria e Tij vendosi dhe dekretoi që pas përshpirtjeve të Loretës në lutjen: Nan’ e admirueshme, të shtohet dhe kjo përshpirtje: Nan’ e Këshillit të Mirë, lutuni për ne! – duke pasur kështu besimin e plotë se mes tërë atyre gjëmave e errësimeve, kjo Nan’ e devotshme, e quajtur nga Etërit e shenjtë “thesarmbajtëse e hireve qiellore dhe këshilltare e përbotshme” do t’u shfaqet të gjithëve si Nan’ e Këshillit të Mirë nëse do thirret kudo me këtë emërim, dhe se do të na falë të gjithëve atë hir të Shpirtit të Shenjtë që ndriçon zemrat e shpirtrat, domethënë vetë aftësinë për këshillim të mirë.” Në lutjet gjatë festës për nder të Zojës Sonë të Këshillit të Mirë dy mendime duhen pasur parasysh e thelluar për të nxjerrë mësime për vetveten. 1° Është fjala para së gjithash për shfaqjen mrekulli të një pamjeje të Mërisë: speciosam imaginem mira apparitione 

Nënë e Këshillit të Mirë e cilësuar “Thesarmbajtëse e 

 Hireve Qiellore dhe Këshilltare e Përbotshme”.

clarificare dignalus es. 2° Kisha i kërkon Mërisë të na mbajë në gji të saj, e nëpërmjet saj të shohë përherë atë çka lypset të bëjmë, si dhe të ketë kurajën për ta bërë një gjë të tillë: ea quœ agenda sunt jugiter videre faciat, et ad implenda qua viderint convalescant. Fillimisht, është pra fjala për një shfaqje mrekullie, mira apparitione. 

Në kufijtë e Latiumit, disi në Lindje të qytetit antik të Prenestës apo Palestrinës, ndodhet qyteti i vogël Genazzano [Gjenacano], i famshëm në analet fetare të Italisë për devotshmërinë e tij të lashtë ndaj Marisë. Historianët e vendit e shohin gjatë periudhës së pontifikatit të Siksti III, në shekullin V, ngritjen në këtë qytet të një tempulli ndërtuar mbi një terren që i përkiste më parë bazilikatës së Shën Marisë Madhore, që quhej Zoja Jonë e Këshillit të Mirë. Në mesin e shekullit XIV, më 1356, princi Pierre [Pietro] Colonna, fisnik feudal i Gjenacanos dhe i territorit të saj, ia besoi shërbimin e këtij tempulli besimtarëve agustinë vendosur në një kuvend pranë kishës. Kuvendi u njoh nga papa Siksti IV më 1475 dhe që nga ajo kohë, besimtarët agustinë nuk kanë reshtur së qeni rojtarë të tempullit.

Sanktuari i Gjenacanos që në atë kohë ishte mjaft i frekuentuar nga popullatat përreth dhe u bë edhe më i frekuentuar kur një kishë e re, me përmasa më të gjera, zuri vendin e së vjetrës, e cila prej kohësh rrezikohej të shembej. Një vejane e devotshme, e quajtur Petruccia, shiti tërë pasurinë e vet për të mbështetur shpenzimet e mëdha që nevojiteshin për ndërtimin e saj. Përkushtimi që ajo shfaqi u shpërblye me anë të një mrekullie, në mes dëshmitarësh të ndodhur atje në numër të madh, dhe vërtetuar mjaft herë me radhë, që prej më shumë se katër shekuj, nëpërmjet një tradite të pandërprerë mirësish të jashtëzakonta, shpirtërore e kohore, dhe që e kanë bërë kështu Gjenacanon një nga vendet e pelegrinazhit më të frekuentuara të krejt Italisë.

Nënë e Këshillit të Mirë, stilizim italian. 

Më 25 prill 1467, në pasditen e ditës kur kremtohej festa e Shën Markut dhe kur një turmë e madhe ishte grumbulluar mbi sheshin para kishës, pak çaste para orës së mbrëmjesoreve, një harmoni qiellore u ndie në ajër, dhe pak më pas një re bardhëllore zbriti mbi altarin e një kishëze përkushtuar Shën Blezit. Kur reja u shpërnda, u vu re, kundrejt faqes së murit, një pamje e Virgjëreshës së Shenjtë, që mbante në krahë Fëmijën Jezus dhe pa e prekur atë. Rrethuar nga një kornizë me metale të çmuara, veshur 

Origjinali “Nënë e Këshillit të Mirë” në Gjenacano.

me gurë të rrallë, ajo ka zënë të njëjtin pozicion si në fillim, duke mos pasur asnjë pikëmbështetjeje, as nga pas, as nga anët. Mund të thuhet se ajo qëndron e varur dhe nuk mbahet nga asgjë. Është një mrekulli e vënë re shumë herë e me shumë kujdes. Piktura e pakrahasueshme, e vetme në gjininë e saj, paraqet Nënën e Perëndisë me Fëmijën e saj hyjnor. Me krahun e tij të djathtë, Jezusi mbulon ngrohtësisht qafën e Marisë, teksa me dorën e majtë mban bordurën e petkut të saj. I ka mbështetur kryet e tij verdhanë, me dashurinë e birit për të ëmën, përkundër faqes të së Ëmës anuar drejt tij. Vështrimet e tyre që kryqëzohen, të butë e të trishtë, shprehin dashuri e dhembshuri. Fizionomia e të dy personazheve  përputhet me traditën orientale; një ngjashmëri e përkryer vihet re në dy fytyrat. Nëna dhe Fëmija janë të mbështjellë nga palat e së njëjtës pelerinë, në ngjyrë të kaltër të çelët. Veshja e Marisë vjen si në të gjelbër të kaltërreme; ajo e fëmijës Jezus, në të kuqe. Një brerore e praruar rrethon kryet e secilit, që vjen e lartohet në formë baldakini, në njëfarë aureole me ngjyra ylberi. E pamundur të jepet një ide e plotë rreth asaj bukurie mbinjerëzore që buron nga tërësia e veprës. Pavarësisht nga koha, kolori shfaqet me një freski të ëmbël dhe tiparet shfaqen në tërë forcën e tyre.

2° Edhe më mahnitëse shfaqet ndryshueshmëria e vazhdueshme e shprehjes së fytyrës tek Virgjëresha e Shenjtë, siç e vërtetojnë pelegrinë të shumtë me besën e përbetimit. Herë duket e trishtuar, herë e gëzuar; herë e zbehtë dhe e zymtë, herë e ndritur, me një refleks bojëgjak, sipas vetë gjendjes shpirtërore të vizitorit që vjen e lutet, sipas mirëpritjes që i bëhet pak a shumë ankimit dhe nevojës që ka ai në vetvete.  Nuanca dhe shkëlqimi i syve pësojnë të njëjtat ndryshime, sikurse e pohojnë dëshmitarë të shumtë.

3° Asnjëherë, cilido qoftë artisti, piktor a makar fotograf, nuk ka mundur të riprodhojë bukurinë ideale të asaj pamjeje dhe t’i afrohet, qoftë edhe së largu, origjinalit qiellor. I tillë është mendimi i Tostit, një nga mjeshtrit e 

Zonja e Këshillit të Mirë, Madona e Papëve,

Me bukuri ideale mbinjerëzore.

pikturës në Romën e shekullit XVII, nisur nga vetë përvoja e tij vetjake. Nga ana tjetër, Zoja Jonë e Këshillit të Mirë quhet edhe “Madona e Papëve”, për shkak të devotshmërisë së ngrohtë e vëllazërore që kanë predikuar vazhdimisht ndaj saj famullitarët e Jezu Krishtit. Mjaft të përmendim për këtë Palin II, që pranon vërtetësinë e mbartjes mrekullore të Figurës së nderuar; Sikstin IV, që rindërton kuvendin dhe kishën e Xhenacanos; Urbinin VIII, që shkon si pelegrin në tempullin e famshëm; Inoçentin XI, që urdhëron kurorëzimin solemn të Madonës; Benuain XIV, që miraton “Bashkimin e Përshpirtshëm” ngritur për nder të Virgjëreshës shqiptare; Piun VII, që gjen ngushëllim tek shesh një figurë të vogël të Zojës Sonë të Këshillit të Mirë, gjatë kohës kur u 

Kisha “Zoja e Këshillit të Mirë”, Shkodër.

kap në Fontenblo; Piun IX, që kremton meshën e tij të parë para Virgjëreshës agustiniane në Romë, që i jep emrin e saj “Bashkimit të Përshpirtshëm” dhe që viziton Gjenacanon më 15 gusht 1864, duke ruajtur përherë figurën e saj të ëmbël para syve të tij; Leonin XIII që, së bashku me të ëmën, që kur ishte fëmijë, e më vonë prift, gjatë pushimeve, ka bërë shumë herë të njëjtin pelegrinazh dhe u regjistrua si anëtar i “Bashkimit të Përshpirtshëm”, duke u ndjerë i gëzuar të hedhë mbi supe skapularin e ri të bardhë, miratuar prej vetë tij, dhe që vazhdimisht, deri në vdekje, ka mbajtur, Figurën e shenjtë në vendin e nderit të zyrës, ka hartuar për lavdinë e saj tre distike fort të bukura dhe pati nga ana tjetër mirësinë të shkruaj me dorën e tij, poshtë një tabloje, këtë tekst të përzgjedhur në mënyrë të admirueshme : “ Fili asquiesce consiliis ejus – Bir, ndiq këshillat e Nanës tande”; dhe pa përmendur këtu të tjera nderime të mëdha, e përfundoi karrierën e vet të lavdishme duke regjistruar zyrtarisht përshpirtjen e saj në Lutjet e Virgjëreshës së Shenjtë për të gjithë shekujt e ardhshëm. Çfarë trashëgimie e bukur dhuruar Kishës! Çfarë lulëze e ndritur shtuar në kurorën e Marisë. […]

L’Ami du Clergé, 19 avril 1928.

ABATI Léon JAUD

Abati Leon Jod (1856-1934), bibliograf i njohur, i cili ka shkruar historinë e mjaft shenjtëve dhe i njihen mbi 15 vepra.

ZOJA JONË E KËSHILLIT TË MIRË

Shfaqja e Zojës Sonë të Këshillit të Mirë është aq e famshme, figura e Saj aq e përhapur dhe aq e nderuar në Kishë, sa lypset t’i lihet vend kësaj forme devotshmërie.

Qyteti i vogël i Gjenacanos, rreth dhjetë lega larg Romës, mbi malet e Sabinës, nderoi që në shekullin XV Virgjëreshën e Shenjtë nën emrin Zoja Jonë e Këshillit të Mirë.

Në shekullin XV, kisha kërcënohej të rrënohej. Një grua e devotshme e quajtur Petruccia i hyri rindërtimit të saj, edhe pse në moshë tetëdhje-tëvjeçare; vuri me këtë rast në përdorim krejt

“Një harmoni qiellore u ndie në ajër…” 

Zoja Jonë e Këshillit të Mirë mbartur në Gjenacano. 

pasurinë, pa mundur ta shohë të përfunduar. Petruccia predikoi që Virgjëresha e Shenjtë do të mbaronte veprën e saj. Dhe ja ku, më 25 prill 1467, në çastin e mbrëmjesoreve, një harmoni qiellore u ndie në ajër dhe turma pa të zbresë poshtë një re e bardhë që qëndroi mbi altar të kishëzës së Shën Blezës, nga ku kishte nisur restaurimi i tërë kishës. Në po atë çast, tërë kambanat e vendit u ndjenë të bien gëzueshëm. Reja u zhduk dhe turma e mrekulluar vuri re një pamje të Marisë duke mbajtur Fëmijën Jezus, pikturuar mbi shtresë gipsi dhe duke qëndruar në thellësi të altarit, pranë murit, pa mbështetje natyrore.

U vu re në mënyrë të sigurt se kjo pikturë ishte mbartur mrekullisht nga një kishë e Skutarit, qytet në Shqipëri. Providenca kishte dashur t’ua shkëpuste atë 

poshtërimeve të Turqve, të bërë tashmë zotër të vendit, dhe ta dërgonte kështu në Xhenacano, duke shpërblyer besimin e Petruccias dhe të banorëve të qytetit.

Historia e mrekullive të krejt llojeve, të kryera që nga ajo kohë përreth figurës mrekullore do të kërkonte vëllime të tëra për t’u shkruar. Shpesh është parë figura duke ndërruar pamje, dhe sytë e Virgjëreshës së Shenjtë të marrin jetë, duke shprehur gëzimin apo dhembjen. Sa e sa sëmundje e gjymtime të shëruara! Sa e sa hire shpirtërore të fituara!

Xhenacano mbetet përherë një vend pelegrinazhi i nderuar dhe mjaft i frekuentuar, dhe shumë pelegrinë të devotshëm, madje edhe të huaj e jo italianë, nëse kanë 

Pelegrinë shqiptarë duke shoqëruar 

Zonjën Tonë të Këshillit të Mirë për në Gjenacano. 

mundësi e kohë, priren të vizitojnë këtë tempull të bekuar. Papët sovranë e kanë mbushur tërë indulgjenca devotshmërinë e Zojës Sonë të Këshillit të Mirë, dhe Leoni XIII ka përfshirë në Lutjet për Virgjëreshën e Shenjtë përshpirtjen e titulluar Nan’ e Këshillit të Mirë.  

Jeta e Shenjtëve për tërë ditët e vitit, Tur, Mame, 1950. 

Buletini dymujorsh i Shkollës San-Francesko të Salës në Dizhon – Kryeartikull

ZOJA JONË E KËSHILLIT TË MIRË

Dëshira që kishim shprehur pak kohë më parë do të realizohet brenda disa ditësh: kishëza jonë e Shën Apolinerit do të ketë së shpejti një figurë të Zojës Sonë të Këshillit të Mirë. A mund të zgjidhnim vallë një mbrojtëse tjetër për një tempull kaq të paqtë, ku nxënëset tona të sapoardhura do mësojnë të fshehtat e Kungimit të parë, ku më të vjetrat do thellohen për të dalë me sukses në provime dhe për të pasur dritësime të qarta për të ardhmen? Zoja Jonë e Këshillit të Mirë do të jetë për ne Zoja Jonë e Kungimit të parë, Zoja Jonë e provimeve, Zoja Jonë e thirrjes së shenjtë…

Anonime, vaj. Turmë pelegrinësh në Gjenacano me sytë nga qielli duke parë të vijë mes reve

Zoja e Këshillit të Mirë të Shkodrës.

Ishte një e shtunë, 25 prill 1467, rreth orës katër të pasdites, kur një turmë e madhe pelegrinësh ardhur nga larg ishte përhapur në rrugët dhe sheshin e Gjenacanos, rreth 30 milje larg Romës. Befas, një muzikë e çuditshme, e mrekullueshme u përhap në ajri; tërë vështrimet dallojnë, shumë lart fillimisht, dhe më pas gjithnjë e më pranë, të avitet një re e vogël bardhëllore, gjithë shkëlqim e rrezatim. Reja zbret dhe shkon e prehet ndaj një copëze muri. Ngadalë, zë e shpërbëhet dhe lë të shfaqet figura e buzëqeshur hyjnërisht e Marisë. Turma e përfshirë nga emocionet kërkon të shohë më nga afër mrekullinë: vihet re që figura qëndron e varur, pa asnjë mbështetje dhe me njëfarë largësie nga muri. Kleri, besimtarët, princërit Colonna, fisnikët e qytetit të vogël, kapitenët me trupat e tyre kalojnë para saj, njëpasnjë. Brenda disa ditëve, lajmi i çuditshëm merr dhenë, në rrethina, Romë, Napoli, në krejt Italinë : ngado njerëzia veç rendin; qytete të tëra, fshatra zbrazen krejt, tek dërgojnë turma pa fund pelegrinësh mbërthyer nga një emocion i papërshkrueshëm; dhe mrekullitë pasojnë njëra tjetrën; të verbërve u vjen drita e syve, të shurdhëve dëgjimi, sakatëve fuqia e gjymtyrëve, të marrëve, qetësia e mendjes, ndërkohë që plagët mbyllen dhe dhimbjet e shpirtit shërohen. Ngado dëgjon veç një britmë entuziazmi e mirënjohjeje. Që ditën e dytë, u vërtetua në vend gjithë mrekullia. Tre muaj më pas, papa Pavli II 

Nënë Tereza duke u lutur para  

Zojës Sonë të Këshillit të Mirë.

ngarkonte një komision për të ndjekur nga afër ngjarjet dhe i miratoi plotësisht ato manifestime entuziaste ndezur nga mrekullia.

Gjenacano, që ndodhet mes një treve të admirueshme të Latiumit të lashtë, në një luginë të përzgjatë të Apenineve, shtrihet përmes rrënojash të lajtoreve antike, mbi një sukë pjellore të nderur, dikur veshur me korije e kopshte; atje lulëzonin trëndafilat e famshëm Prenestina; atje kremtoheshin, në kohë të perandorëve, me tepri marramendase, festat e pranverës sipas kalendarit të Verrius Flaccusit, për nder të Robigos e Florës. Kostantini, trashëgimtar i Klaudius Neronit, i Augustit dhe i Antoniusëve, i dhuroi papës së shenjtë Silvestri qytetin e madhërishëm Antonina. Shën Marku, pasues i Shën Silvestrit, ngriti pranë lajtoreve kishën e parë për nder të Marisë, me emrin “Zoja e Këshillit të Mirë”. Më 1356, Giordano Colonna, patroni i kishës e lëshoi dhe ia besoi restaurimin e saj Eremitëve të Shën Agustinit. Më 1466, kisha ishte ende e rrënuar. Vejusha e shenjtë Petruccia i kushtoi tërë pasurinë e saj veprës restauruese; për fat të keq, burimet shpejt do shteronin, dhe muret e kishëzës San Bagio nuk ishin më të larta nga gjashtë këmbë. Dhe pikërisht atje, mes lotësh, lutjesh e parandjenjash të fshehta të gruas së përshpirtshme u përkrye shfaqja qiellore.

Nga vinte ajo figurë e bukur? Nga parajsa, thoshte populli i mirë që vazhdoi një kohë të gjatë ta quante Zoja Jonë e Parajsës. Jo, ajo vinte nga Skutari i Shqipërisë, nga ai vend ku Gjergj Kastrioti, i famshmi Skënderbe, “i Frikshmi Luan i Luftës” kish sprapsur turqit për njëzet e katër vjet me radhë, duke i korrur krejt ushtritë e panumërta të Muratit e të Mehmetit II

Portrete ballore origjinale të Skënderbeut nga Cola Rapicano, 1465 (Napoli), Gentile Bellini, 1467 (Venedik), Zoan Andrea, Romë, 1508 dhe medalion onyx, 1453, (anonime Venedik). Portretet janë përpunuar artistikisht 

në bazë të origjinaleve të tyre në profil dhe gjeneruar me pamje ballore nga AI. Botohen për herë të parë. © 

Dhe burim i pashtershëm i gjenisë dhe guximit të tij të pamposhtur ishte tempullari i Skutarit. Mirëpo, ai sapo kishte vdekur (janar 1468). Një numër i madh të krishterësh, të trembur nga afrimi i turqve, braktisën vendin dhe Madona lëshoi edhe ajo kishën e shkretuar që së shpejti do përdhosej. Emigrantë shqiptarë strehuar në Romë, të tërhequr nga mrekullitë e Gjenacanos, shpejt do njihnin figurën e tyre të shenjtë, që aq e aq herë e kishin nderuar. Figura është pikturuar mbi një shtresë gjipsi të zakontë, i trashë si karton; edhe pse e brishtë, dhe pas tërë atyre shekujve, ajo ruan krejt freskinë e kontureve dhe ngjyrave të veta, nuk është e fiksuar dhe as e varur në mur, por vetëm e prek pak murin me anën e sipërme, dhe ngado gjetkë nuk ka kurrfarë mbajtëse, dhe me prekjen më të vogël zë e lëkundet lehtë, e qëndruar në ajër siç është

Bartolomeo Perez, Zoja jonë e Këshillit të Mirë, 1680 (vaj mbi fletë bakri ), riprodhim nga MeisterDrucke.

“Përfaqëson Nënën Virgjëreshë të re tek mban në krahë Fëmijën Jezus, i cili e përqafon me një dashurie të ankthtë. Njërin nga krahët e vegjël e ka kaluar përreth qafës së Nënës, ndërkohë që gishtat fëmijërorë i shfaqen në anën tjetër. Doçka tjetër është e vendosur mbi bordurën e qëndisur të fustanit tradicional të zakontë me ngjyrë të gjelbër. Fëmija është i veshur me të kuqe dhe si njëra e tjetri kanë përsipër nga një mantel të kaltërremë

Tiparet e Nënës Virgjëreshë afrohen shumë me ato çka ia njohim nga traditat më të mira. Ngjyra e flokëve, vetullat e mirëharkuara, balli madhështor, plot zgjuarsi, ngjyra dhe përmasat e syve, faqet, hunda më shumë greke dhe shqiponjë se sa çifute, buzëqeshja e ëmbël, buzët e kuqe, fustani dhe bordurat, gjithçka gjendet aty… 

Shprehja e krejt fytyrës është aq jashtëzakonisht e ëmbël, aq e trishtë, aq e këndshme, aq e përmbushur me bukuri qiellore, aq e fuqishme, sa i bën për vete tërë zemrat përmes lidhjes së papërcaktuar të gjithçkaje që mendimi mund të konceptojë si më të përkryerën në një dashuri të re, virgjërore, të pafajshme e të kulluar, e prapë amësore, me gjithçka që ka si më të lartësuarën e më të kulluarën brenda një përkryerje shpirtërore – përkryerje që vetëm njerëzimi i Birit të saj ka mundur të tejkalojë – gjë që tek i krishteri përbën idealin e vërtetë që ai ka për Marinë pas Shfaqjes së Jezusit në tempull… Kryet e Virgjëreshës anohen ngrohtësisht, por trishtueshmërisht, drejt fytyrës së Birit; dhe sytë drejtuar sidomos nga Jezusi e kthyer drejt Atij, janë plot me ato lot që burojnë pa dashje nga zemra e tij plot brengë.”

Zoja Jonë e Këshillit të Mirë, stilizim gjerman.

Sipas dëshmive të shumta e të pamohueshme, figura e shenjtë ndonjëherë zë e gjallërohet, ndryshon shprehje e ngjyrë, si një figurë e gjallë: tiparet e buta dhe të zbehta bëhen të gëzueshme, çelen e vishen me një të kuqe të ndezur; sytë, po ashtu, i çelen dhe bëhen më të shndritshëm, ogur i sigurt ky se dëshirat e bëra janë plotësuar. Piktura ka aq finesë, është aq e këndshme, gjer në hollësitë më të imta, sa shfaqet e papërngjasueshme : një artist me emër, Luigi Tosti, që e studioi ngeshëm për ta riprodhuar, do pohonte se ajo ishte e paimitueshme dhe se kopjet më të përkryera në të vërtetë nuk përngjasonin me të. Megjithatë, kjo besnikëri e përpiktë nuk është e domosdoshme, sepse shumë nga kopjet e saj janë bërë të famshme nëpërmjet mrekullive që kanë kryer; kësisoj ka ndodhur me atë të Gjenovas, me atë të Modenës, me atë të Monte Kasinit, me atë të Frosinones, me atë të Shën Markut në Romë, me atë të Napolit, etj. Spanja, Belgjika, Baviera, Austria, kanë gjithashtu madonat e tyre mrekullore

Devotshmëria e Zojës Sonë të Këshillit të Mirë po përhapet edhe në Francë… Shumë shpejt edhe ne vetë do të provojmë mirësitë me të cilat Maria shpërblen të gjithë ata që e nderojnë nën titillin NËNA E KËSHILLIT TË MIRË.

Buletini dymujorsh i Shkollës San-Francesko

të Salës në Dizhon, Kryeartikull, N°18, 

E Shtunë, 2 korrik 1892. 

Filed Under: Kulture Tagged With: Fotaq Andrea

Shën Pali në Durrës…

September 4, 2022 by s p

Nga Fotaq Andrea/

Libri i Prof. Thanas L. Gjikës « Disa korrigjime në shënimet sqaruese dhe hartat e Dhiatës së Re »  – një kontribut me vlerë për historiografinë shqiptare. Këto ditë doli nga shtypi libri më i ri i Prof. Thanas L.Gjikës « Disa korrigjime në shënimet sqaruese dhe hartat e Dhiatës së Re ». Është libri i tij i tretë me tematikë të mirëfilltë shkencore në fushën e shpirtërores ungjillike, bazuar drejtpërdrejt te Dhiata e Re, tek ka botuar tashmë me sukses “Kur dhe ku u shkrua Dhiata e Re” më 2007, dhe “Shën Pali punoi dhe në brigjet e Adriatikut” më 2014. Vepra këto që përbëjnë sot që të trija një korpus unik dhe një risi të veçantë për historiografinë shqiptare, të lidhura ngushtë siç janë me udhëtimet misionare të Shën Palit, sidomos në trevat iliro-shqiptare të Ilirikumit të lashtë dhe me fillimet e përhapjes mes tyre të krishtërimit, Frymës së Shenjtë.

Me bagazh të rëndë si studiues i mirëformuar para viteve të demokracisë, kur kish punuar tashmë për 26 vjet me radhë në Institutin e Gjuhë-Letërsisë, prof. Gjika vjen me këtë libër të ri, i një veçantie të dukshme, për të vërtetuar sërish se edhe në fushën e Shkrimeve të Shenjta, përtej dogmave dhe vendimeve historike të Koncilit, përtej paragjykimeve në rrafsh të brendshëm e të jashtëm, ka vend përherë për studime të thelluara shkencore, të cilat e vendosin sot prof. Gjikën në radhën e studiuesve dhe biografëve më të njohur sidomos të jetës apostolike të Shën Palit, madje, do thoshim pa ndrojë, në pararojë të tyre, me prurje përherë të reja, përmes vështrimesh dhe analizash shkencore nën filtrin e kritikës konstuktive.

Dhe nuk kishte si të ndodhte ndryshe përderisa këto vepra janë fryt i një pune këmbëngulëse 25 vjeçare filluar nga prof. Gjika që më 1997 në Amerikë, kur me përpjekje të vazhdueshme shkencore ai rrok fuqishëm e guximshëm një tematikë me përmasa botërore dhe me rëndësi madhore për vetë forcën e shpirtërores njerëzore. Kësisoj, tek bën objekt të punës së tij shkencore këtë fushë mjaft të vështirë e delikate, si ajo Frymës së Shenjtë përhapur nëpërmjet apostujve të saj, prof. Gjika ka meritën e padiskutueshme se ia del mbanë të flasë me sukses, në rrafsh ndërkombëtar, për kundërthëniet apo përplasjet nga një studim te tjetri të Dhiatës së Re, për kontradiktat dhe pasaktësitë që hasen në këto studime dhe në hartat historike shoqëruese të tyre, sidomos lidhur me jetën dhe veprën e apostujve të Jezusit. Duke respektuar traditën shekullore të Kishës së krishterë dhe doktrinën e saj të shenjtë, Prof. Gjika guxon dhe korrigjon me forcën e besimit shkencor tërë pasaktësitë që përmbajnë studimet historike lidhur me Shkrimet e Shenjta. Sepse ai e zotëron plotësisht lëndën biblike, di ta ndajë dhe ristrukturojë atë në mënyrë të saktë shkencore, për t’i trajtuar veçmas dhe hollësisht pikërisht katër Udhëtimit misionare të Shën Palit. Dhe e tërë kjo domosdo mbi bazën e hulumtimit këmbëngulës, tek ka vëzhguar, qëmtuar, krahasuar, arsyetuar me analiza të thella faktet dokumentare në shënimet dhe hartat e Dhiatës së Re, gjë që e lejon atë të sjellë saktësimet dhe korrigjimet e duhura, me probabilitet të pashmangshëm historiko-shkencor. 

Njohës i thellë, i përpiktë, i kujdesshëm, specialist i veçantë në fushën e shpirtërores sipërpore, Prof. Gjika nxjerr fuqishëm në pah krijimin e bashkësive të para të krishtera arbërore në Iliri, krahas bashkësive greke e maqedone, si dhe rolin e madh që luante Kisha e krishterë themeluar në Durrës nga Shën Pali. Ashtu si në librat e tij të këtij korpusi të veçantë, edhe në këtë vepër të re, prof. Gjika i përmbahet me besnikëri dhe frymë krijuese ndër të tjera dy burimeve kryesore bibliografike me tematikë shqiptare, konkretisht: veprës madhore të Barletit nga njëra anë, i cili jep të dhënën e rëndësishme se “në Shtëpinë princërore të Pal Dukagjinit, në TejDrinën e Sipërme, vërehen përmendore prej mermeri, ku shihen emra perandorësh romakë… dhe gjurmë se këtu apostulli Pal u ka predikuar njerëzve besimin e Krishterë” (f.79); dhe nga ana tjetër, të dhënën burimore të jezuitit dhe historianit Daniele Farlati në veprën e tij madhore “Illyricum Sacrum”, sipas së cilës Shën Pali themeloi në Durrës në v.56 bashkësinë e parë me të krishterë dhe Kishën e saj. Dhe, pikërisht aty, në Durrës –  ku ishte bërë në fushën e saj edhe përplasja historike Cezar-Pompe për fatet e botës pas kalimit të Rubicon-it dhe zbarkimit të Cezarit në gjirin e Palasës sonë –, po aty, në Dyrrahiumin historik, Shën Pali shkroi Letrën e famshme kanonike drejtuar romakëve. Nuk mungon me këtë rast, dhe me të drejtë, propozimi i prof. Th. Gjikës, me shumë largpamje dhe ndjenjë krenarie kombëtare që të ngrihet shi në Durrës përmendorja e Shën Palit duke shkruar këtë letër kanonike. E mbështesim fuqimisht këtë propozim të tij me besimin se së shpejti koha do ta bëjë realitet.

Udhëtimi i tretë misionar (UM3) dhe Udhëtimi i katërt misionar (UM4) i Shën Palit në trevat shqiptare përbëjnë kështu objekt studimi të hollësishëm për Prof. Gjikën, i cili, pasi parashtron tërë toponiminë me emrin e Shën Palit në trevat shqiptare, propozon edhe korrigjimet e tij të nevojshme të hartave zyrtare UM3 për lëvizjet e Shën Palit në këto treva shqiptare, si dhe kohëzgjatjen e këtyre udhëtimeve në vitet  52-57 (f. 92). Po ashtu, edhe për UM4, prof. Gjika nxjerr në pah sërish lëvizjet e Apostullit Pal në trevat iliro-shqiptare, gjithnjë duke pasur për bazë qytet-portin e Durrësit dhe rrugën Egnantia gjatë periudhës mars 62 – qershor 63. Dhe e jep me përpikmëri tërë këtë udhëtim: Romë – Puteoli – Brindisi – Durrës – Nikopol – Lasca – Cezara – Milet – Peloponez, etj dhe përsëri kthimin nga qyteti i Durrësit (f. 114-115).

Është e njohur se kryesisht gjatë shekullit XIX, studiues dhe dijetarë të huaj ishin të parët që trajtuan shkencërisht të dhënat historiko-gjuhësore për Shqipërinë dhe shqiptarët, sikurse ndodh edhe me këtë të dhënë të akademistit francez Jacques Bourcart (1891-1965) për udhëtimin e Shën Palit në Shqipëri tek nënvizon: “Shën Pali e predikoi atë (kristianizmin) mbi kodrën e Dyrrahut” (sipas librit F.Andrea, Pena të arta franceze për shqiptarët, f. 509-516). E megjithatë, baza e shkencave albanologjike do fillonte mrekullisht me kontributin e figurave të ndritura të Rilindjes shqiptare dhe do themelohej shkencërisht në mesin e shekullit XX, kur do të ishin tanimë dijetarët shqiptarë, historianë, arkeologë, gjuhëtarë, etj. që do të thoshin me vendosmëri e vërtetësi dokumentare fjalën e tyre shkencore që frymëzon sot dijetarët e huaj për thellime të mëtejshme në shkencat albanologjike. Dhe në këtë mes, prof. Thanas Gjika, me kompetencë studiuesi serioz flet bukurisht e ndërkombëtarisht, për të na e sjellë figurën e Shën Palit tepër njerëzor dhe tepër përkushtues për kauzën e tij të shenjtë apostolike. E paraqet këtë figurë me dashuri, vërtetësi, me tërë cilësitë e larta njerëzore e mbinjerëzore (misionare e hyjnore), duke parashtruar të dhëna të reja, saktësime e korrigjime, me frymë novatore, përtej çdo ndjenje inferioriteti, kur popuj të vegjël kanë nxjerrë dhe nxjerrin përherë figura të ndritura historike si Nënë Tereza, shenjëtorja shqiptare. 

Por, që të studiuesit shqiptarë të flasin sot ndërkombëtarisht dhe në mënyrë dinjitoze në tërë fushat e albanologjisë, e sidomos në këtë fushë të shpirtërores supreme, siç bën prof. Gjika me librat e tij, lypset para së gjithash e mbi të gjitha një strategji e tërë kombëtare për punë të mirëfilltë përkthimore të veprave madhore albanologjike. E më tej me revista shkencore dhe deri te dokumentarë shkencorë. Lypset popullarizimi i figurave dhe vendeve historike shqiptare me tabela e shënjues në gjuhë të huaja, me lapidare e përmendore, me tregues historikë e katalogë, si dhe me punë të vijueshme krijuese nga autorët dhe artistët shqiptarë, nga piktorët e skulptorët tanë të talentuar. 

Shqipëria po hapet përherë e më shumë për vizitorin dhe turisitin e huaj, Shqipëria ka se çfarë t’i tregojë denjësisht njerëzimit pasuritë e veta historiko-kulturore, traditat e saj të famshme në mikëpritje dhe dashuri të shenjtë njerëzore. Dhe këtë dashuri të shenjtë për figurën e Shën Palit dhe misionin e tij historik e shpreh fuqimisht libri më i ri i prof. Thanas L. Gjikës « Disa korrigjime në shënimet sqaruese dhe hartat e Dhiatës së Re ». 

Duke përshëndetur daljen në dritë të kësaj vepre të re, po sjellim në vëmendje të lexuesit një hartë të vitit 1886 nga gjeografi dhe kartografi i njohur gjerman Richardf Andrée që shfaq bukurisht nisjen e udhëtimit të Shën Palit pikërisht nga Durrësi ynë historik, siç e vërteton po ashtu edhe një hartë tjetër e dytë që paraqet të plota katër udhëtimet e famshme misionare të Shën Palit për të realizuar shërbimin e tij të shenjtë të përhapjes së Krishtërimit.

Filed Under: Kulture Tagged With: Fotaq Andrea, Thanas Gjika

Skënderbeu i Fotaq Andreas

June 5, 2021 by dgreca

Nga Astrit Lulushi/

Për qindra vjet tiparet e fytyrës së tij u tretën, ose u ndërruan deri në mosnjohje; fotografia nuk ishte shpikur, por njerëzit e mbajtën gjallë duke kujtuar heroizmat e tij. Si dukej në të vërtetë Skenderbeu? Përgjigjia është evazive, edhe studiuesit ngrenë supet. Por nga sot e shohim ndryshe këtë Princ evropian, Kryezotin e Arbërit, Heroin Kombëtar të Shqiptarëve, ashtu siç e fiksoi drejtpërdrejt piktori Gentile Belini, ulur përballë heroit në vitin 1465 në Venecia. Bëmat e tij dihen, pamja e tij mes shqiptarëve erdhi në fund: “Skënderbeu” i Belinit, është zbulim i rrallë historik i Ikonografisë, që nga koha mbi 100 vjeçare kur Konica zbuloi pamjen e flamurit. Kjo pikturë skënderbegiane vjen nga studiuesi me sqimë e virtuozitet Fotaq Andrea. Puna e tij, dhe e studiuesit Dritan Muka, duke rrëmuar nëpër ankande dhe në arkivat mesjetare në Europë, nxjerr në dritë nga pluhurat e kohës portretin e Skënderbeut, krijuar në kohë reale 556 vjet më parë, ndërsa Gjergj Kastrioti ndodhej për një vizitë pune në Venedik. Piktura me titull “Scander Beco” doli në ankand në Nju Jork më 2020, dhe sot ndodhet – besojmë – në duart e ndonjë koleksionisti shqiptar, është nënshkruar nga Gentile Belini, piktor i njohur i Rilindjes Evropiane, bashkëkohës i Skënderbeut. Fotaq Andrea shkëlqeu përsëri pas një serie studimesh të shkruara mbi Heroin Kombëtar.

Filed Under: Analiza Tagged With: Astrit Lulushi, Fotaq Andrea, Skenderbeu

Ikonografi skënderbegiane – Portretet origjinale të Heroit Kombëtar

March 8, 2021 by dgreca

Pjesa e parë/

Nga Fotaq Andrea e Dritan Muka /

Nisur nga ideja madhore e Prof. Kristo Frashërit që Skënderbeu “nuk është thjesht udhëheqës i luftës çlirimtare… por është nismëtar i shtetit kombëtar, strateg, burrë shteti, faktor ndërkombëtar, ligjvënës, administrator, njeri”1, kohët e fundit përherë e më shumë po flitet për një degë të veçantë të shkencave albanologjike, për sudimet skënderbegiane apo “skënderbegologjinë”. Termin e hasim në fillimin e viteve 2010 nën penën e të ndjerit erudit Moikom Zeqo, si dhe të Prof. Aurel Plasarit, duke përfshirë brenda kësaj kategorie historiografinë kastriotine në tërë gamën e saj të gjerë, dokumentalistikë, bibliografi, kronologji, memoralistikë, art ushtarak, topologji të fushatave të Skënderbeut, etj. Por bëjnë pjesë në studimet skënderbegiane edhe fusha të tjera të shkencave, si heraldika, kartografia, kasteologjia, letërsia, folkloristika e ikonografia apo krejt artet pamore (pikturë, skulpturë, gravurë, stampim, art ilustrativ, numismatikë, filateli, kartëpostale, etj. etj.), – të gjitha këto kushtuar ndër shekuj figurës madhore të Gjergj Kastriotit. Skënderbegologjia shfaqet kësisoj si degë e plotë dhe e mëvetësishme e albanologjisë, që shkon përherë e më shumë drejt pasurimit me zbulimet e reja që sjellin vazhdimisht fushat e dijes kastriotine. Fakti është se vepra e George Petrovitch T., “Scanderbeg, Essais de Bibliographie raisonnée…” (Sprovë Bibliografie përshkruese), Paris, 1881 – vepër madhore të cilën mund ta konsiderojmë si gjerdan të artë të skënderbegologjisë, me mbi 170 tituj botimesh historike të referuara kronologjikisht nga viti 1480 dhe mbi 50 botime “imagjinative” apo thjesht letrare2 –, fakti është pra që sot kjo vepër bibliografike është tejkaluar tashmë nga qindra-mijëra tituj që përbëjnë një korpus të tërë monumental me shkrime, studime shkencore e punime letraro-artistike autorësh shqiptarë e të huaj, si dhe me dokumente arkivore të botuara apo ende të pabotuara për figurën e ndritur të Kastriotit të Madh.

Por le të fokusohemi në këtë studim tek ikonografia kastriotine – fusha jonë e parapëlqimit –, mbi bazën e Album-Antologjisë sonë “Skënderbeu, Heroi Kombëtar Shqiptar, Atlet i Krishtit, Mbrojtës i Europës” (Zenit, 2017)3, që përfshin shkrime nga rreth 200 autorë shqiptarë e të huaj, me rreth 1000 ilustrime, brenda një diapazoni të gjerë kohor (1414-2017). Vëmë re dhe vëmë në dukje që në fillim, e pa kurrfarë ngurrimi, se kjo fushë e artit pamor e ka, dhe duhet ta ketë domosdoshmërisht zanafillën e vet që në gjallje të Heroit Kombëtar, ashtu si edhe vetë historiografia skënderbegiane, e cila nis me letërkëmbimin e tij me figura e personazhe historikë me të cilët bashkëpunonte e vepronte, duke i vulosur epistolat e tij, dalë nga kancelari e zhvilluar, me vulë zyrtare e sekrete. Sot, nën dritën e zbulimeve të reja, mbi bazën e studimeve serioze e të thelluara dhe mbështetur në burime arkivore e referenca historike, mund të themi me plot gojën se nuk bëhet më fjalë për një portret të vetëm autentik të Skënderbeut, siç e kërkonte që më 1901 Faik Konica tek Albania e tij,4  dhe siç do ta kërkonin më pas me ngulm edhe mjaft studiues, skeptikë në shumicën e tyre deri edhe kohët e fundit. 

Faik Konica, që e pagëzoi aq bukur Heroin tonë Kombëtar “Babai i Kombit” dhe që zbuloi te Barleti flamurin e Skënderbeut, ka mbi të gjitha meritën e madhe të padiskutueshme se, në fushën e ikonografisë kastriotione, përmend i pari në botën shqiptare rilindase piktorin e famshëm Gentile Bellini (1429-1507) si autorin e mundshëm të portretit të vërtetë të Skënderbeut, me skicime drejtpërdrejt në natyrë, por që mjerisht këto skicime janë konsideruar “të humbura”. Kësisoj, për Konicën, tërë portretet e Skënderbeut pas vdekjes së tij, sidomos në shekullin XVI, me Barletin dhe pas Barletit, do të ishin thjesht “kopje” të një origjinali të zhdukur! Dhe porta këtu dukej kështu për dekada me radhë si e mbyllur hermetikisht. 

E megjithatë, pavarësisht nga një pohim i tillë i Konicës, i formës së prerë, për mendimin tonë, kjo tezë lypset të merret me rezervë, kur vetë kohët moderne, me çelje të arkivave për një publik sa më të gjerë, me dixhitalizim dokumentesh dhe përhapje planetare të internetit, si dhe me një qarkullim të shpejtë të vlerave antikuare nëpër ankande të fuqishme nxjerrin vazhdimisht në dritë të dhëna të reja, të vyera, që çojnë përherë përpara dijen njerëzore e domosdo edhe vetë shkencën albanologjike. Tanimë, kemi të drejtë të pohojmë, pa ndrojë, se s’bëhet më fjalë thjesht për një portret unik e autentik të Skënderbeut, një e i vetëm, kur është ngulmuar për ta gjetur këtë të shkretë portret “me qiri” për shekuj me radhë, sikur Heroi ynë Kombëtar të ketë ngelur i ngrirë përgjithnjë në Histori vetëm përpara penelit të një Bellini të famshëm, por  “të humbur”, dhe vetëm në një moshë të caktuar 60 vjeçare, moshë që do të shndërrohej me kohë në legjendare. Jo, s’ka pse e kërkojmë domosdoshmërisht portretin e tij të vërtetë vetëm në formën klasike të një tabloje muzeale në vaj! Sot, portrete të Heroit na shfaqen dukshëm që në gjallje të tij në disa gjini të artit pamor, në disa stilizime dhe në disa mosha të caktuara, portrete nga më të hershmet të ikonografisë skënderbegiane, që i paraprijnë edhe vetë “Skënderbeut të humbur” të Gentile Bellini-t (“i humbur” gjithnjë në thojëza), por fatmirësisht, do thoshim paraprakisht, i strukur skutave të historisë, që pret më në fund të zbardhet nga ana jonë në Pjesën e dytë të këtij studimi. 

“Dhurtatën e do edhe mbreti”, thotë populli ynë. Kjo shprehje e thjeshtë gjen kuptimin e vet më sublim sidomos gjatë shekullit XV, kur pikërisht zë fill e zhvillohet me shpejtësi edhe vetë simbolika e dhuratave mes fisnikërisë europiane, si një gjest mirënjohjeje e afrimi, si një shpërblim e normë shoqërore, deri edhe si një joshje e element vital. Përtej lidhjeve martesore me gjak fisnik, përtej aleancave të familjeve të mëdha të një kombi, përtej aleancave në rang shtetëror mbi bazë besimi fetar, gjesti “i vogël” i dhënies së dhuratave, merrte kështu kuptim të madh, të thellë. Dhe nuk ishin dhurata dosido, por të vyera, me simbolikë të fuqishme, duke u shoqëruar shpesh me ndihma financiare e materiale, me ndihma në forca njerëzore e ushtarake, etj. Është vërtetuar tashmë mbi bazë dokumentesh, duke pasur parasysh personalitetin e lartë të Gjergj Kastrioti Skënderbeut gjatë kohës që jetonte e vepronte si rrallë kush si ai – kur për një çerek shekulli me radhë i bëri ballë me sukses dyndjes osmane, superfuqisë më të madhe të kohës –, se për dhuratë atij i janë bërë nga papët e Romës tri shpata simbolike shoqëruar nga përkrenarja me kokën e dhisë, i janë dhuruar katër kodikë të rrallë, tre nga të cilët përmbajnë emblemën e tij dhe kodikun për artin ushtarak të quajtur “Libri i Skënderbeut”5.

Por, veç këtyre objekteve fizike që kanë qenë drejtpërdrejt në pronësi të Skënderbeut dhe pjesë përbërëse e bibliotekës së tij, e cila duhet të ketë qenë e pasur, siç i takonte një fisniku të lartë të kohës dhe një Princi të Madh në krye të shtetit të parë të Arbërit, na shfaqen si objekte të hershme me të njëjtin portret origjinal të Skënderbeut tri medaljone (fig.1), stampuar në vite të ndryshme (1449, 1451 dhe 1461) dhe me materiale të ndryshme, por me të njëjtën autorësi: Antonio di Puccio Pisano (Pisanello, 1395-1455). Për herë të parë këto medaljone na dalin të referuara e përshkruara në veprën e Alfred Armand, “Les médailleurs italiens des 15e et 16e siècles” (Medaljepunuesit italianë të shkujve 15 et 16), Paris, 1883-18876. Studiues të shumtë shqiptarë e të huaj, duke filluar nga Atë Leonardo di Martino e Atë Vincens Malaj, për të kaluar te Dh. Dhamo, K. Frashëri,  K. Biçoku, F. Hudhri, M. Ahmeti, K. Naska, P. Voltolina, L. Nadin, I. S. Karanxha, etj., të tërë kanë vënë në dukje autorësinë e këtyre medaljeve me portretin e Skënderbeut si të Pisanello-s. Përshkrimin dhe studimin e plotë të tyre na e jep gjithë profesionalizëm prof. Lutfi Alia në shkrimin “Tetë medaljone me portretin e Gjergj Kastrioti Skënderbeut të shekullit XV”.7 Kurse në shkrimin tonë “Medaljoni varse kameo me portretin e Skënderbeut, vepra e parë artistike për Heroin kombëtar – Letër prof. Lutfi Aliajt”8 kishim vënë tashmë në dukje se skicime të këtij portreti të Skënderbeut duhet të jenë bërë që herët, vite para Bellini-t, nga gravuristë vendas, arbër, që qarkullonin lirshëm në Republikat italiane, kryesisht në Venedik, por edhe në Raguzë aty nga fundi i viteve 1440 dhe se këto skicime duhet të kenë shërbyer si bazë edhe për portretin e parë të Skënderbeut realizuar në medaljon më 1449 sipas porosisë që duhet të ketë bërë mbreti Alfonsi V te mjeshtri i madh Antonio Pisano, piktor, medaljonist e miniaturist. Fakti është se po ky artist i shquar i Rilindjes italiane ka bërë në të njëjtën kohë – me porosi – edhe portretin e Alfonsit V, në bronz (fig. 2) me vit stampimi MCCCCXLVIIII. Gjë që na lejon të pohojmë së paku se Alfonsi i Aragonës duhet ta ketë bërë dhuratë medaljonin e argjendë me portretin e Skënderbeut te familja e Heroit shqiptar pikërisht atë vit kur ai dërgoi ndihma materiale e ushtarake në shtetin e Arbrit për të përballuar furinë osmane në portat e Europës. Një vështrim i kujdesshëm i këtij portreti të Skënderbeut na shfaq në fakt pamjen reale të Heroit rreth moshës 45 vjeçare, për aq sa na e mundëson këtë portret rë vërtetë vetë stampimi i medaljonit si një gjini tepër e vështirë për t’u realizuar në pllakëza metalike, e veçanërisht në argjend, kur reflektimi i vështirëson dritë-hijet sipas relieveve dhe e “gabon” syrin po qe se nuk ke përpara origjinalin. Megjithkëtë në një tjetër medaljon – ka të ngjarë këtë radhë në bronz (Pisanello, 1451), gjetur kohët e fundit -, shfaqen dukshëm në portret (fig. 3) krejt karakteristikat e Heroit, nga kapa, shamia, veladoni, te mollëzat kockore, hunda pakëz e kërrutë, nofulla e fortë, mustaku i rëndë dhe mjekra e derdhur, tipare këto që do të përcaktonin shumë shpejt një tipologji të ardhshme skëndergebiane të formës klasike pas Barletit, sidomos në gjininë e pikturës ushtruar mjeshtërisht nga emra të mëdhenj të shkollës italiane të Rilindjes.

Në rend kronologjik, le të shohim portretin e dytë origjinal të Gjergj Kastriotit (fig.4), me bukuri mahnitëse, aq sa do të na pëlqente ta pagëzonim “Skënderbeu dhëndër”. Është një stoli kameo (cammeo) realizuar rreth vitit 1450, sipas skedinës së British Muzeum të Londrës dhe të dhënave të studjuesit anglez Dalton M.O. (v.1913), me referenca të plota dhe me komente të bollshme e të vlefshme paraqitur kohët e fundit nga prof. Lutfi Alia9. Në letrën përgëzuese që ne i dërgonim me këtë rast prof. Aliajt – pasi parashtronim historikun e kësaj vepre të bërë të njohur për publikun shqiptar më 2007 nga ana jonë10 -, vinim në dukje se medaljoni kameo shfaqte për herë të parë artistikisht e bukurisht portretin e Skënderbeut që në gjallje të tij, tek parashtronim me këtë rast hipotezën se ky zbukurim i rrallë duhet të jetë bërë dhuratë e shtrenjtë nga dozhët e Venedikut në familjen e Kastriotit të Madh, me rastin e martesës së tij më 1451 me Andronika Arianitin11. Është, në fakt, një gdhendje me reliev në gur të tejndritshëm oniks, me bardhësi vezulluese, mbështetur në kalçedonit të zi dhe me bazament një pllakë ari masive vezake, e dimensioneve 4,11 cm x 2,54 cm, ku bie dukshëm në sy edhe varësja e stolisë, e artë po ashtu. Në komentin tonë për këtë portret të Kryetrimit shqiptar – shfaqur me krejt elementët e fisnikërisë së lartë, ku dallon kurora e lavdisë à la César, që do çelë një model më vete në ikonografinë kastriotine -, theksonim se këtë varëse duhet ta ketë mbajtur në gjoks për vite me radhë vetë Andronika Kastrioti Skënderbeu. Përndryshe, pyesim: kujt dhe përse do t’i hynte në punë ky medaljon, me këtë portret të Skënderbeut, jashtë funksionit të vet si varëse në vitet 1450-1451? Dhe më tej, si rrjedhim logjik i kësaj pyetjeje: a nuk do duhej që imazhi i kësaj varëseje të shëmbëllente sa më besnikërisht, dhe që në gjallje të tij, me vetë portretin real të Burrë-shtetit dhe Kryetrimit shqiptar të kohës, pra me fytyrën e bashkëshortit të Princeshës Donika, e cila sigurisht që do ta mbante në gjoks gjithë dashuri portretin e ImZotit të vet që po çudiste botën me bëma të papara për të ndalur hordhinë turke para portave të Europës? 

Mbi të gjitha, ky medaljon i “Skënderbeut dhëndër”, me floknajë aq të pashme, tërë krela, shuan përfundimisht çdo hipotezë se Skënderbeu mund të ketë qenë i shogët, si te personazhet e dhëna nga Carpaccio në afresket e tij në Shkollën e Dalmatëve dhe Shkollën e Shqiptarëve – Venedik, nisur thjesht e pa bazë nga “përngjashëria” e një mjekre të derdhur të Jakobit apo të qytetarit selen që pret të pagëzohet, me mjekrën e ksilografisë kastriotine botuar te Barleti (v.1508), një hipotezë kjo e studiueses Harula Economopulos, hedhur poshtë me argumente e referenca historike nga studiuesi Ilia S. Karanxha (fig. 5)12

Dhe ja ku vimë tani te një portret i tretë i Skënderbeut, me një bukuri po aq mahnitëse e të veçantë, në të cilën Heroi Kombëtar na shfaqet përsëri si i gjallë, tepër jetësor, në moshë edhe më burrërore (rreth të gjashtëdhjetave), veçse këtë radhë në miniaturë (381 × 238 mm) me ngjyra dhe në mbyllje të kodikut “De Romanorum Magistratibus”, vepër e humanistit të shquar fjorentinas Andrea Domenico Fiocco (Romë, 1465). Ky portret (fig. 6), i realizuar me shumë ngrohtësi, dashuri e madhështi,  mjerisht, nuk na e shfaq emrin e artistit miniaturist që ka ilustruar këtë vepër të Fiocco-s. Është komentuar gjatë kohët e fundit nga studiuesit Karanxha, Alia, Muka e Andrea, kur sinjalet e para për praninë e këtij portreti u dhanë nga prof. Sh. Sinani dhe prof. Prof. K. Naska në vitin 2007. Historikun dhe komentin tonë për këtë portret e kemi bërë tashmë në esenë “Kodiku i katërt në bibliotekën kastriotase me portret origjinal të Skënderbeut”,13 ku parashtrojmë tezën se Kodiku i Fiocco-s duhet t’i jetë bërë dhuratë Skënderbeut në Vatikan nga Papa Pali II më 1466. Fakti që ky portret i Heroit shqiptar ilustron një vepër të shquar të kohës, kodik i karakterit juridik, është tepër domethënës, kur dhurimi në këtë rast (fig. 7) merr një kuptim tërësisht politik, aleancën e Skënderbeut me Papatin që e pagezoi heroin shqiptar “Atlet të Krishtit”. 

“Skënderbeu është Rolani i Shqipërisë, thotë Faik Konica që vijon: për njëzet e shtatë vjet, ai i kundërvuri një qëndresë fitimtare islamizmit brutalisht pushtues. Ronsëvoja dhe Kruja janë dy tempujt që krishtërimi mirënjohës lypset t’i nderojë me pelegrime të përvitshme”.14 I përmendim këto fjalë të Konicës për të vënë në dukje se madhështia e Skënderbeut ishte e tillë në shekullin XV saqë domosdoshmërisht ndihej nevoja që Heroi shqiptar të kishte edhe ai portretin e vet origjinal, që në gjallje të tij, mes burrave të mëdhenj të kombeve të tjera të Europës me të cilët ai bashkëpunonte e vepronte, nga Papati dhe dozhët e Venedikut, te Aragoni V dhe Filipi i Mirë (Duka i Burgonjës, 1396-1467), kur ky i fundit, për nder të Arbërorit të Madh, e kishte pagëzuar që më 1448 me emrin “Pirgu i Skënderbeut” një nga kështjellat e tij në Savojë. 

Pra, në mungesë të “Skënderbeut” të Bellini-t cilësur historikisht “të humbur”, ja ku na shfaqet sot, origjinal, portreti i Heroit që në gjallje të tij. Ky portret në miniaturë duhej domosdo të përngjasonte me “Skënderbeun” e Bellini-t dje, kur kjo vepër ende qarkullonte. Përndryshe, zhgënjimi do të ishte i madh jo vetëm te modeli à vif – vetë Skënderbeu, që do merrte kodikun dhuratë -, por edhe te kolegët bashkëkohës të artistit miniaturist, e mes tyre Bellini. Pale që Papati, nga ana e tij, veç të turpërohej po qe se kjo miniaturë “Skënderbe” nuk do ngjasonte me portretin real të personazhit të cilit i kushtohej. E që kjo miniaturë e kodikut të Fiocco-s të shëmbellente sa më shumë me krejt pamjen fizike e fisnike të Heroit, duhej me patjetër që portreti të ishte sa më i saktë e dinjitoz.15

Duke çelur këtu një parantezë për një trajtim realist e artistik të një portreti klasik, Dr. Parim Çarçani, i apasionuar pas teknikave piktoriale (dhe i lidhur me mua me miqësi të hershme stërgjyshore – F.A.)  na vinte kohët e fundit në dijeni se në pikturën e Rilindjes europiane ka pasur shumë metoda a mënyra të hershme për të pasur një përpikmëri apo saktësim në “kopjimin” artistik të portreteve, apo edhe të vetë natyrës16. Dhe kjo, falë një sistemi të përcaktuar të lenteve ose pasqyrave, si për shembull sistemi optik “camera lucida”. Në këtë drejtim, vërejmë konkretisht se piktori i sotëm i shquar David Hockney, teoricien i artit britanik, mjeshtër portretist e peisazhist, i njohur për artin pop dhe hiperrealizmin e tij, ka zbuluar se nga viti 1420, nisi përdorimi mjeshtëror i lenteve të cilësisë së lartë, me xham të pastër kristalinë, në Firence, Napoli, Murano e kudo në Itali, për të pasqyruar mbi telajo imazhin apo modelin që do pikturohej, dhe se këtë teknikë të lenteve e kanë përdorur mjeshtërisht piktorët e mëdhenj klasikë, romantikë, etj.17 të cilët arrinin “të bënin fotografim” me mënyrën e tyre pesë shekuj më parë se vëllezërit Lumière të realizonin fotografimin e vërtetë! Kemi kështu këtu, në mënyrë shkencore, një argumentim më shumë lidhur me përpikmërinë dhe origjinalitetin e vetë portretit të Skënderbeut në miniaturën e kodikut të Fiocco-s, kur dihet që mjeshtërit e mëdhenj të Rilindjes italiane “nuk të falnin” për saktësi portreti, duke e dhënë edhe “qimen qime”, si në rastin konkret kur shohim në miniaturën e Skënderbeut të përhimen e ëmbël të mjekrës së tij të derdhur. Dhe as që nuk ka vend në këtë mes për një trajtim legjendaresk të figurës së Skënderbeut kur, në fakt, nuk ka munguar ndonjë studiues të shprehet naivisht se “ku kish kohë Skënderbeu të pozonte orë të tëra për një portret të tij, se i duhej të luftonte pareshtur maleve me shpatë në dorë” – sikur Heroi ynë të mos ketë pasur kohë as të merrte frymë, as të vizitonte kalatë e tij, të organizonte mbrojtjen, të vilte taksat, deri edhe të shëtiste, domosdo edhe të lëçiste libra me vlerë, siç thotë Lamartini për të, apo makar edhe të dashuronte fuqishëm “Donisën” e tij të zemrës, siç e shfaq Kryetrimin shqiptar që më 1688 Anne Marie de la Roche në librin e saj “Le grand Scanderbeg” (Skënderbeu i madh).

Nga ana tjetër, dihet që miniatura e shek. XV është një art i rrallë e i kushtueshëm, e që në këtë gjini shkëlqente edhe vetë Bellini me katër anëtarët mjeshtër të familjes së tij. Po ashtu, dihet që miniatura e shekullit XV realizohej vetëm mbi pergamen (lëkurë viçi të njomë nderur mbi pllakë bakri a druri), me guash apo akuarel, mbi bazën e pikëzimeve të padukshme nga syri, falë një mjeshtërie të lartë (punë argjendari e qendistari) për të ravijëzuar krejt tiparet karakteristike, fizike e morale, të një portreti. Çdo miniaturë, sikurse çdo vepër artistike ishte vetëm e porositur dhe ndiqte përgjithësisht një kontratë të rregullt, sidomos kur ishte fjala për porosi nga lart – në këtë rast Papati për portretin e Skënderbeut. Sepse Papatinë atë kohë ishte porositësi më i madh mes fisnikëve të mëdhenj porositës. Dhe porosia paguhej tepër shtrenjtë për të mos qenë një punim artistik dosido, por punë e pastër, e nivelit superior, për një portret sa më realist, origjinal, sidomos të një Njeriu të Madh, një portret pra sa më pranë modelit, qoftë në natyrë (à vif), qoftë sipas skicimesh të parapërgatitura nga vetë autori i veprës artistike. E nuk mungonin rastet kur në sallonet mondane të pritjes zyrtare a të lirë (dihet që Skënderbeu u prit disa herë në Vatikan!), gjatë bisedimeve kokë më kokë a të hareshme të ishin të pranishëm edhe skicuesit kokulur, duke vizatuar e modeluar me shpejtësi gjithçka që mbërthente “syri i tyre i mjeshtrit”, si te Fabula e La Fontenit, pikërisht ato detaje “të padukshme” për të tjerët. A nuk është shprehur me të drejtë Viktor Hygo, si një pararendës i hiper-realizmit, se “Imazhi është më i fortë se vetë realiteti”?…

Në inventarin e portreteve të Skënderbeut që në gjallje te tij, prof. Lutfi Alia jep edhe dy medaljone të tjerë, me autor anonim, kataloguar në vitet 1463-1465 (fig. 8), nga Voltolina, i cili, për fat të keq e shkruan gabim emrin e Skënderbeut në një nga medaljonet (SCANDERBERGUS, në vend të SCANDERBEGUS), duke shtuar një R e duke mos iu përmbajtur origjinalit, gabim që, pa dashje, veç ta “shtynte” me mbi një shekull stampimin e medaljonit. Sepse mbaresa fisnike BERG në nofkën SCANDER siç e ka vënë në dukje i pari Faik Konica18 shfaqet si një mbaresë fleminge e germanike, konkretisht rreth viteve 158019. Siç do të vërejmë më pas, ortografimi i emrit të Skënderbeut në forma tepër të larmishme ka shumë rëndësi, sepse përbën një kriter më vete për të përcaktuar edhe kohën se kur mund të jetë realizuar një vepër e caktuar, sidomos e fushës ikonografike. Por, e rëndësishme këtu është se këto dy medaljone, së bashku me portretet e Skënderbeut që trajtuam më sipër do të përbënin në fakt themelin e fuqishëm të tipologjisë së ardhshme kastriotine, e cila do vinte duke u pasuruar që nga fillimi i shek. XVI, pas ksilografisë së parë të Skënderbeut tek Barleti (fig.5), me portrete të llojit klasik të Skënderbeut, që do shfaqen madje kohët e fundit edhe me një stilizim modern nën penelin e fuqishëm të mjeshtrit të madh Bashkim Zano, duke na dhënë një portret të Heroit hyjnor e qiellor (fig. 9). 

Një tjetër portret i Skënderbeut, këtë radhë në skulpturë dhe ndoshta nga më të hershmit, në mos portreti i parë i tij në rend kronologjik (fig. 10), që i paraprin edhe vetë medaljonit të “Skënderbeut” të Pisanello-s më 1449, është koka e skulpturuar e Kryeheroit shqiptar në katedralen e Shën Jakut në Shibenik të Kroacisë, vepër që i njihet artistit arbër Andrea Aleksi, realizuar rreth vitit 1448 sipas studiuesve të artit mesjetar I.Paviçiç, A.Mutkaloviç, M. Ahmeti. Historikun e kësaj vepre na e jep të detajuar prof. Ferid Hudhri në studimin e tij për ikonografinë skënderbegiane, tek thekson se “skulptura në Shibenik është një tjetër krijim artistik i realizuar në gjallje të Skënderbeut, që na bën të besojmë se është autentik”20 dhe se ajo renditet mes “71 skulpturave të tjera që paraqesin personalitetete të tjera të shquara të kohës”, Gjon Paleologu VII, mbreti Alfonsi V i Napolit, Vladislavi II, Papa Eugjen IV, Huniadi, etj.21 Nga ana jonë, vërejmë se kjo skulpturë është nga më të rrallat në gjininë e saj me pamje ballore, kur pothuaj bustet e Skënderbeut të shek. XVI shfaqen disi në profil, si për shembull “Skënderbeu” në faqen ballore të pallatit dukal në Corigliano d’Otranto në rajonin e Pulias (fig. 11). Megjithkëtë, ngjashmëria portretuale është e madhe dhe vërtetohet kështu edhe një herë se skicime të portretit real të Skënderbeut qarkullonin lirshëm jo vetëm në republikat e Italisë (Venedik, Napoli, etj.), por edhe nëpër Ballkan, në Raguzë, apo në vetë shtetin e parë të Arbërit me kryeqytet Krujën. 

Këto skicime të portretit të Gjergj Kastriotit ishin realizuar me një fjalë që në gjallje të Heroit, në mënyrë anonime, dhe nga piktorë të talentuar, sidomos arbër. A nuk ishin në fakt me origjinë arbërore një brez i tërë artistësh e humanistësh të famshëm të Rilindjes italiane, Andrea Aleksi, Marko Bazaiti, Viktor Karpaçi, Franko Albani, Nikollë Leonik Tomeu, Beçikemi e plot e plot të tjerë që bashkëpunonin ngushtë me artistët e humanistët italianë?22 Këta emra të shquar të dheut arbëror nuk lindën nga hiçi, një brez tjetër i njohur artistësh e humanistësh arbër – për fat të keq ende i panjohur – iu paraprin, pikërisht gjatë periudhës skënderbegiane, si i ndrituri Andrea Aleksi. Konkretisht, mbi bazën e këtyre skicimeve anonime është realizuar, për mendimin tonë, edhe një portret-gravurë e Skënderbeut (fig.12) shumë e veçantë për tekstin që përmban të shkruar me germa kapitale përreth: “Vera effigie del invitto Scanderbeg” (Portret i vërtetë i të pamposhturit Skënderbeg – nënvizimi ynë), për të cilën autori frëng Albert Surier pretendon se ky imazh i Skënderbeut është i vitit 1463, kur Skënderbeu u shfaq në Romë.23 Po kjo gravurë ilustron edhe vargjet e poetit të shquar venecian Luigi Grotto për Skënderbeun në vitet 1580, ku e cilëson Heroin shqiptar “Skënderbeu i pamposhtur”.24 Ndonëse nuk kemi burim a referencë dokumentuese që të vërtetojë se ky imazh është real, që në gjallje të Heroit (përveç tekstit të shkruar mbi të  “Vera Effigie”), përsëri, një gjë mund ta themi me bindje të plotë për këtë portret me autor anonim: që është i shkollës veneciane dhe që është i realizuar mbi bazë skicimesh reale të shekullit XV. Dhe ngjashmëria është e madhe me portretin autentik të Skënderbeut të vitit 1465.

Në fakt, qëllimi i autorit frëng Surier që boton këtë portret është të përshkruaj bukur portretin fizik të Heroit tonë duke cituar Lavardinin (Barletin): me shtat të lartë, me forcë mrekullore, përherë krahëzhveshur, dimër e verë, përherë me dy shpata në mill, burri më i pashëm i Europës, me rrudha hallesh e dërrmimesh gjatë një jete të mundimshme, me fytyrë që i ruante një pjesë të bukurisë rinore, kur mjekra sapo kishte filluar t’i përhimej. 

Vërtet, një portret i tillë ngjall emocion dhe krejt vepra përcjell një mesazh të qartë: ja portreti i një njeriu të pashëm, real, i shquar për Bëmat e tij. Po prapë, fjalët e mësipërme që e përshkruajnë Heroin “me rrudha hallesh e dërrmimesh” na tërheqin veçanërisht vëmendjen për të studiuar nga afër këtë portret, duke sjellë ndër mend komentet e shumta bërë nëpër forume interneti e media se Skënderbeu ka pasur një vurrajë në tëmthin e djathtë. Prof. Ferid Hudhri, që hodhi bazat shkencore për pasqyrimin e artit botëror për shqiptarët në vepra të ndritura për nga rëndësia e bukuria, shpjegon i pari se në korrespondencë me Gallerie degli Uffizi më 1981, portreti i Skënderbeut nga Cristofano dell’Altissimo, realizuar mbi bazën e tablosë së dikurshme të Bellini-t, “ka pasur mbi ballin e heroit shenjën e një plage”25 (nënvizimi ynë), kur në fakt kjo shenjë, vurrajë, na del e qartë, konkretisht, në tre vepra që po i paraqesim këtu (fig.13). Jo, nuk mund ta quajmë assesi rastësi, një gropëz te kameo, një plagë e vërtetë te “Skënderbeu” i parestauruar i Altissimo-s, apo një errësim vurraje pikërisht në të njëjtin vend të “Effigie Vero”. Kjo vurrajë reale është, do thonim, dekorata më e bukur fizike e portretit të vërtetë të Skënderbeut. Si luftëtar i madh, “që ka vrarë me dorën e tij mbi 2000 turq”, siç e vënë në dukje autorë të shumtë të huaj bazuar te Barleti, Skënderbeu me siguri edhe trupin do ta kishte të mbushur me vurraja, goditje kordhash, heshtash, çomangesh, etj. ndonëse garda e tij e ruante si sytë e ballit. Kush është marrë me geme, a gurë ekzotikë, ametiste, kristalina, onikse, agate, etj. e di mirë se një gur i çmuar, po të ushtrosh forcë mbi të, thyhet, copëtohet, cifloset, dhe nuk krijon assesi gropëz, siç e shohim në pjesën e tëmthit të portretit të Skënderbeut në kameo. Ajo shenjë është thjesht prekje mjeshtërore e skulptorit anonim të portretit të Skënderbeut në gur të çmuar, si të skaliste mbi të një “organ” më vete të Heroit, vurrajën e tij – dekoratë lufte çerekshekullore.     

Në përfundim, mund të themi se dhjetë portretet origjinale të Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, që analizuam më sipër, dëshmojnë se figura e tij na shfaqet absolutisht reale, në përmasë të vërtetë njerëzore, ashtu sikurse ishte një realitet i madh vetë Bëma Kastriotine, burim frymëzimi e shembull vetmohimi gjatë periudhës së ndritur të Rilindjes europiane. Nga ana tjetër, këto portrete autentike të KryeHeroit, realizuar mbi një bazë të pasur skicimesh në natyrë që qarkullonin që në kohën e tij, do të përbëjnë, që pas Barletit, bazën e gjerë dhe të larmishme të tipologjisë skënderbegiane, e cila do vijonte të pasurohej në gjini nga më të ndryshmet përgjatë shekujve, për të mishëruar e pavdekësuar portretin e tij, aq të dashur për kombin shqiptar. 

Dhe koha, që rezervon përherë të papritura të këndshme, nuk do mungojë të dëshmojë, sot, nesër e pasnesër, për portrete të tjera të panjohura të Kastriotit të Madh, madje që në gjallje të tij. 

© Fotaq Andrea e Dritan Muka

©  Gazeta Dielli

Ndalohet ribotimi dhe botimi i pjesshëm i këtij materiali pa leje të autorëve.


1 Kristo Frashëri, « Skënderbeu – Jeta dhe Vepra », bot. Toena, 2002, f. 20.

2 Parathënien e kësaj vepre e kemil botuar në Album-Antologjinë tonë, F. Andrea, « Skënderbeu, Heroi Kombëtar Shqiptar, Atlet i Krishtit, Mbrojtës i Europës », botimet Zenit, Tiranë 2017, f. 464 (tirazh i kufizuar).  

3 Për arsye të kostos shumë të lartë të këtij libri voluminoz, me format të madh e ngjyra dhe për mungesë fondesh, ky libër është botuar në tirazhin  minimal më të mundshëm.

4 Faik Konica, « Existe-t-il un portrait authentique de Skanderbeg ? » (A ekziston një portret i vërtetë i Skënderbeut) , revista Albania, nr. 4, v. 1901, përkthyer në shqip e botuar te F. Andrea, Album-Antologji, vep. cit. f. 249.  

5 Këtyre dhuratave, dy shpatave, përkrenares, katër kodikëve, si dhe dy vulave të kancelarisë së tij, vula zyrtare dhe vula sekrete unazore u kemi kushtuar tashmë studime të veçanta të cilat i kemi botuar në bashkautorësi me hulumtuesin e vlerave të rralla historike shqiptare antikuarin Dritan Muka: « F. Andrea, Gjurmime në Letrat Franceze, shkrime-përkthime, vëll. 1 bot. Edfa, 2016 » ; F. Andrea, « Enigma e shpatës së tretë “ensis” të Skënderbeut, e më tej… » ; F. Andrea « Sekretet e vulës sekrete të Skënderbeut…e më tej », botuar në media dhe në forumin « Zemra Shqiptare ».  Po ashtu, Dr. Moikom Zeqo botoi të plotë « Librin e Skënderbeut », të këtij kodiku të rëndësishëm të shekullit XV.   

6 Një përshkrim i hollësishëm i këtyre medaljeve jepet në vëllimin e parë veprës së Alfred Armand-it, f. 156, zëri Albanie, dhe botuar te “F. Andrea, Skënderbeu, Heroi Kombëtar i shqiptarëve… Album-Antologji”, vep. cit., f. 474. 

7 Forumi « Zemra shqiptare », 8 qershor 2020. http://www.zemrashqiptare.net/news/54035/lutfi-alia-tete-medaljone-me-portretin-e-gjergj-kastriotit-skenderbeut-te-shek-xv.html

8 Forumi « Zemra shqiptare », 20 tetor 2018. http://www.zemrashqiptare.net/news/48919/fotaq-andrea-medaljoni-varese-kameo-me-portretin-e-skenderbeut-vepra-e-pare-artistike-per-heroin-kombetar.html

9 Forumi “Zemra Shqiptare”, “Lutfi Alia, Medaljoni varëse kameo me portretin e Gjergj Kastriotit në British Muzeum”, http://www.zemrashqiptare.net/news/48685/lutfi-alia-varese-me-portretin-e-kastriotit-ne-londer.html

10 Korrespondencë, D. Muka e F. Andrea, v.2007.

11 Forumi “Zemra Shqiptare”, “Fotaq Andrea, Letër prof. Lutfi Aliajt, 20 tetor 2018”, http://www.zemrashqiptare.net/news/48919/fotaq-andrea-medaljoni-varese-kameo-me-portretin-e-skenderbeut-vepra-e-pare-artistike-per-heroin-kombetar.html

12 I.S. Karanxha, “Shëmbëlltyra më e hershme e Skënderbeut në një vepër të Carpaccio-s”, 8 tetor 2012, http://www.zemrashqiptare.net/news/29433/ilia-s-karanxha-shembelltyra-me-e-hershme-e-skenderbeut-ne-nje-veper-te-v-carpaccio-s.html

13 Forumi « Zemra shqiptare », 6 maj 2018. http://www.zemrashqiptare.net/news/48126/fotaq-andrea-kodiku-i-katert-ne-biblioteken-kastriotase-me-portretin-origjinal-te-skenderbeut.html

14 Albania, nr. 5, 30 korrrik 1897, f. 83, përkthim nga frëngjishtja (F. A.). 

15 F. Andrea, artikull i cituar, Forumi « Zemra shqiptare », 6 maj 2018. 

16 F. Andrea e Përparim Çarçani, Korrespondencë , nëntor 2020 .

17 “L’Histoire de la peinture selon David  Hockney » ( Historia e pikturës sipas David Hockney), ttps://www.courrierinternational.com/article/2001/11/29/les-maitres-anciens-faisaient-de-la-photographie ; BBC David Hockneys Secret Knowledge 1of2 DivX MP3 MVGForum.

18 F. Andrea, korrespondencë me prof. L. Alia, Forumi « Zemra shqiptare », 8 qershor 2020. http://www.zemrashqiptare.net/news/54035/lutfi-alia-tete-medaljone-me-portretin-e-gjergj-kastriotit-skenderbeut-te-shek-xv.html

19 « Chronicorum Turcicorum in quibus Turcorum origo… « vëll. 3, Georgii Castrioti… qui ScanderbeRgus cognominatus… », me autorë Marin Barleti, Philippus Loncier, Johannes Aventius, Ed. Francforti ad Moenum, 1578. 

20 F. Hudhri, « Skënderbeu nga Kruja në kështjellat, muzetë dhe sheshet e Europës », forumi FV.AL, 15 prill 2013.

21 Po aty.

22 Tërë këto figura të ndritura të atdheut arbër i kemi pasqyruar në antologjnë tonë,  « F. Andrea, Arbëreshët e Italisë, 1413-2007 », bot. Via Egnantia, Tiranë 2012 ».  

23 F. Andrea, Album-Antologji, «  Skënderbeu në Romë burri më i pashëm i Europës »,… vep.cit. f. 109-110.

24 Po aty, f. 70.

25 Ferid Hudhri, “Shqipëria dhe shqiptarët në veprat e piktorëve të huaj”, Tiranë, 1998, f. 26, 28.

Filed Under: Featured Tagged With: Fotaq Andrea

Këta shqiptarë me vlerë proverbiale…

September 12, 2020 by dgreca

Nga Fotaq Andrea–

Në vazhdë të rubrikës “Gjurmime shqiptare”, e shohim me vend t’i paraqesim sot lexuesit një historian ushtarak francez, gjeneral i Ushtrisë së Madhe napoleoniane, Baronin Fréderic-François Guillaume de Vaudoncourt (1772-1845), i syrgjynosur politik fillimisht (proskrit) dhe i dënuar me vdekje në mungesë gjatë regjimit të Terrorit të Bardhë në Francë. Ka qenë që herët i lidhur me elitën liberale europiane, tek u shqua si republikan demokrat i hapur, duke u vënë në qendër të revolucioneve europiane në vitet 1820-1830. Ka qenë anëtar aktiv i Karbonerisë europiane dhe me lidhje të ngushtë veprimi me personazhet më të rëndësishëm të kontinentit të vjetër, me një vizion përparimtar dhe ndërkombëtar. Në një duzinë veprash ushtarake, me vlerë historike e letrare, rrëfen përvojën e tij si luftëtar i lirisë, duke përshkruar gjithë talent një rrugëtim atipik nga ushtar i Republikës në gjeneral të Napoleon Bonapartit. 

Baroni Frédéric François Guillaume de Vaudoncourt.jpgMe interes për ne shqiptarët në këto vepra janë udhëpërshkrimet dhe letërkëmbimi i tij i dendur, sidomos Kujtimet dhe Raportimet që ai bën gjatë misionit të tij në Hercegovinë, Shqipëri dhe Epir në vitet 1806-1807, kur u ngarkua nga perandori N. Bonaparti “për të mbështetur Ali Pashën në kundërshtimin e tij ndaj Rusisë”, në një situatë të veçantë politiko-ushtarake gjatë luftës për hegjemoni e aneksionizëm të fuqive europiane, luftë që do të çonte në Traktatin e paqes të Tilsitit (korrik 1807), dhe kur Ishujt Ionianë do të lëshoheshin nga Rusia për t’u marrë nën kontrollin e Francës. 

“Kujtimet” e Guillaume De Vaudoncourt janë botuar fillimisht në anglisht, Memoirs on the Ionian Islands, Considered in a Commercial, Political, and Military Point of View, në Londër më 1816, dhe vetëm kohët e fundit është botuar mbi bazën e shënimeve origjinale në frëngjisht “Raporti i Misionit” të tij gjatë dërgimit në Shqipëri, Raport që mban datën 13 dhjetor 1807, përgatitur për botim nga prof. Nicolas Vernicos i Universitetit të Egjeut.  

Baroni Frédéric François

Guillaume de Vaudoncourt

vaudoncourt anglisht.jpgRaporti në anglisht është i gjatë, rreth 500 faqe libër, me të dhëna të shumta etnografike, historike, gjeografike, ushtarake, politike, kulturore, madje edhe linguistike, ku bie në sy njëfarë objektiviteti dhe prirje e autorit për t’i parë gjërat disi realisht, me një vizion 

Baroni Frédéric François Guillaume de Vaudoncourt

të gjerë, herë-herë edhe me paragjykim e angazhim të theksuar politik, në emër të interesit hegjemon të Francës dhe të politikës napoleoniane, së cilës i shërben me besnikëri e devotshmëri. 

E fillon udhëtimin e tij të gjatë nga Hercegovina, në prill 1906, përshkon fushën e Kosovës, “të famshme, për vdekjen e Muratit I-rë,” siç shprehet ai, dhe e paraqet qytetin e Prishtinës “me 2 a 3000 shtëpi”, “fortifikuar rishtas në mënyrën turke, domethënë rrethuar nga një hendek, me parapet gjerdhesh me hunj”, dhe administruar nga një “pasha i quajtur Malik, mik dhe aleat i Ali Pashës të Janinës”. Kalon Pejën, të cilën e quan “fshati Peć/Pecciana”, merr drejtimin e Drinit të Bardhë, si përshkon “një fushë të bukur e të kultivuar” dhe mbërrin në Prizren, qyteti “i përbërë nga 4 000 shtëpi dhe që numëron 30 000 frymë, ndërtuar rrëzë maleve që mbyllin Drinin e Bardhë, mbi rrugën Shkodër-Kostandinopojë, sunduar nga një kështjellë, e fortifikuar keq, ku Pashai ka një nga sarajet e tij”. E konsideron Prizrenin si pjesë përbërëse të “veziratit të Shkodrës”, të pavarur nga ish mbretëria e Serbisë, administruar nga Seid pasha, dhëndër i Ibrahimit të Shkodrës, të cilit i bindet në gjithçka”. Vë në dukje se “Ky qytet nën Perandorinë Romake ka qenë kryeqytet i Dardanisë dhe Trajani – që dërgoi aty një koloni -, e quajti Ulpiana; Justiniani i dha emrin e tij, duke e quajtur Justiniana e Dytë”, për ta dalluar nga Justiniana e Parë që ishte Lykindusi [Akrida/Ohrida]. Po ashtu, Gjenerali De Vaudoncourt nënvizon se “Ka në Prizrenda një manifakturë mjaft të mirë për armë zjarri, që furnizon Shqipërinë e Epërme.”

Si përshkon rrugën e Drinit të Bardhë, zonën e Shalës dhe të Sheldisë, i drejtohet Pashallikut të Skutarit dhe jep historikun e lashtë të krahinës, duke theksuar se “Ilirët zinin gjithë rajonin që përbën Serbinë e sotme, Bosnjen, Kroacinë, Hercegovinën, Dalmacinë dhe Shqipërinë, deri në lumin Stirnaza [Erzeni], që është Panyasusi i lashtë.” I kushton një paragraf popujve të ndryshëm të Ilirisë në luftë me pasuesit e Karnusit të Maqedonisë dhe nxjerr në pah se vetëm dardanët nuk iu nënshtruan mbretërimit të Filipit II, babai i Aleksandrit të Madh. Më pas, jep një përshkrim të shpejtë historik të provincave ilirike gjatë Bizantit, të “prefekturës Epirius Novus”, “Epirius Vetus” dhe të Shqipërisë, sidomos gjatë periudhës nga Mikeli VIII Paleolog tek “familja e Kastriotëve, siç thotë ai, që shtiu në dorë provincat ilirike – duke formuar prefekturën e lashtë Prevalitane dhe atë të Provincës së Re të Epirit -, si dhe brigjet e Epirit të lashtë, që përfshinte Kaoninë e Thesprotinë (rajonet e Himarës, Gjirokastrës dhe Delvinës).”

scutari.jpg

Skutari (Shkodër) fundi i shek. XIX.

Me interes këtu për t’u vënë në dukje është se, siç shprehet autori, vendi i Shqipërisë, “që përbën provincë më vete, krijohet nga tre pashaliqe: i Shkodrës e i Beratit në pjesën ilirike, dhe pashaliku i Delvinës, në pjesën epirote. Pjesa tjetër e Epirit, që përfshin ish popujt e lashtë të quajtur Molosë, Delopë apo Kasiopë, Atintantë e Stimfajanë, krijojnë pashalikun e Janinës”. Në mënyrë të pështjellë, autori bën një dallim artificial midis “popullatave ilirike me të cilat sllavët erdhën e u përzien” dhe shqiptarëve, “popull absolutisht i dallueshëm nga grekët e nga turqit, dhe që nuk ka as gjuhën, as zakonet e popullatave të tjera ilirike”. Çuditërisht, dhe pa asnjë argument historik e shkencor, por me obsesion terminologjik ushtarak, Gjenerali De Vaudoncourt i sheh shqiptarët si “mbetje të ushtrisë së perandorëve latinë të Kostandinopojës” dhe të “asaj të mbretit të Pulias e të Siçilisë, Rogeri II” (në vitet 1100-1130). Me sa duket, i prirë pas idesë se “zanati i shqiptarëve është lufta”, gjenerali as që e ka idenë e Albanopolit dhe të albanëve, fisit të lashtë ilir përmendur nga Ptolemeu që në shek. II si paraardhës të iliro-arbër-shqiptarëve. 

Pashalikun e Shkodrës, apo “Veziratin e Skutarit”, siç e quan ai, e sheh të veshur me “pyje të bollshme, të pasur në dru për ndërtime” (ku mund të mbështetet me interes, sipas tij, tregtia me Francën), e sheh “me fusha të kultivuara më së miri dhe pjellore”, me “prodhime rrushi, drithi dhe kullota”, ndërkohë që rajonet e Klementit dhe të “Mereditëve” (Mirditorëve) janë për të më pak të kultivuara se provincat e tjera. I mëshon si tepër idesë për shfrytëzim të pyjeve dhe drurit për ndërtime, kur “Alessio (Lezha) do të shërbente si magazinë për drurin e nxjerrë nga brigjet e Drinit” dhe “Ulqini për pyjet e Moravisë (Moravës) e të Zenës”.

Por, çka shfaqet origjinale nën penën e tij është “veshja ushtarake e shqiptarëve”, siç e quan ai përshkrimin e veshjes popullore të shqiptarëve, apo “kostumin shqiptar”, që e bëri të famshëm në botë Lord Bajroni. Lexojmë konkretisht: “Shqiptarët kanë ruajtur përgjithësisht veshjen ushtarake të romakëve. Një tunikë [fustanellë] e mbajtur me brez, ku rrasen njëkohësisht pisqollat e tyre, kamat dhe dy vezore të vogla mbushur me fishekë. Një parzmore me thurje, por pa mëngë, ku gajtanet dhe qëndismat me filigrame kanë zëvendësuar tashmë thurimet e hekurta; një lloj dollomaje [xhamadan] me mëngë, e hapur përpara, një pantallon i ngushtë [tirk] përmbi tunikë; kundra të ngjashme me ato që shohim në monumentet e ushtarëve romakë, bashkuar me tirkun falë rripash lëkure kaluar në tre rrathë të praruar a të argjendë; leshrat mbuluar nga një qeleshe e kuqe, të cilën e mbështjellin zakonisht në formë çallme me një lloj shalli, pak a shumë të gajtanuar, që u shërben për të fshirë djersët, për të lidhur plagët, për të mbajtur sende, madje edhe si mbulesë të kryeve gjatë natës.” 

E veçanta që lypset të kundërshtohet në këtë përshkrim të bukur të kostumit shqiptar është se fustanella jonë mbi 2.500 vjeçare, dëshmuar nga statueta dhe një skulpturë ilire e shek. V p.e.s. (fustanella e Mariborit) i paraprin prej tre shekujsh epokës romake, pa shkuar më tej në argumentet tona kur kjo fustanellë është përdorur gjerësisht, nga Veriu në Jug të Shqipërisë, deri edhe në kohët moderne (F. Andrea, Letër Presidentit të Republikës së Shqipërisë Z. Alfred Moisiu, “Fustanella shqiptare përfaqëson nderin, dinjitetin dhe krenarinë tonë kombëtare”, 20 nëntor 2006).

Ndryshe nga 27 vjet më vonë, kur harton zërin “Arnautë” (1833), që po e paraqesim më poshtë në këtë shkrim, dhe kur i sheh shqiptarët më me simpati, gjenerali De Vaudoncourt, i zhgënjyer me sa duket më 1806 nga mungesa e gadishmërisë së pashallarëve shqiptarë për të mbështetur politikën napoleoniane, del jashtë kontrollit në rolin e tij të historianit, duke e trajtuar karakterin e shqiptarit me nofkat e kohës, sikurse pat bërë para tij konsulli francez Pouqueville: i sheh shqiptarët “të ashpër, të egër, barbarë, [që] kanë marrë nga karakteri i ilirëve të dikurshëm”, madje, çuditërisht, i sheh edhe “mosmikpritës” (!).  Por le të kujtojmë me këtë rast tezën filozofike të antropologut dhe etnologut të famshëm francez Claude Lévi-Strauss sipas së cilës « barbari nuk është njeriu i zhveshur nga çdo kulturë, përkundrazi, barbari është njeriu që përdor argumentin e dallimit kulturor për të përjashtuar tjetrin si pjesë përbërëse e njerëzimit ». Pra, barbarë janë vetë ata që përdorin nofkat për popujt e tjerë. Një shekull më vonë, më 1906, Faik Konica do të firmoste te “Albania” e tij me pseudonimin “Një i egër” shkrime të rrepta me argumente të mprehta, kundër propagandës së huaj dhe kryesisht serbo-greke për t’i paraqitur shqiptarët me krejt etiketimet e mundshme, si “të prapambetur”, “të egër”, “banditë” e ç’nuk tjetër!  

Duke u rikthyer te Vaudoncourt, me sa duket edhe ky gjeneral frëng e ka pasur zhgënjimin të plotë, tek nuk i ka ecur hiç në synimet e veta, përderisa shkruan se pashai i Skutarit “nuk pranon të marrë pjesë në asnjë prej ekspeditave tona”, ndërkohë që pashai i Janinës, sipas tij, “kishte pikëpamje të veçanta dhe absolutisht të ndryshme nga interesat e Perandorisë franceze… [dhe se ] nuk njeh kufi në ambicien e vet duke lakmuar prej kohësh Shtatë Ishujt jonikë”. 

Duke iu shmangur paksa temës, e shohim këtu të dobishme të japim një episod nga ekspedita e parë e gjeneralëve të Bonapartit për të bindur pashallarët shqiptarë (në emër të Sulltanit) të përkrahnin perandorin francez në përpjekjet e tij për kontroll të Shtatë ishujve jonianë, por mbi të gjitha për kontroll të vetë Shqipërisë, episod që e kemi nxjerrë nga revista “Albania” e Faik Konicës: 

“Gjenerali Pavteau dërgoi shtatë oficerë të zgjedhur, nga Antivari [Ulqini] në Shkodër, për t’i dorëzuar fermanin [e sulltanit] Ibrahim pashës dhe për të ngritur në këmbë një trupë shqiptarësh. Oficerët francezë u pritën me nderime të mëdha, por Ibrahim pasha, si lexoi fermanin, u thotë atyre: “Unë kam guximin të mos i bindem këtij fermani; po të më ishte marrë më parë mendimi, në asnjë mënyrë nuk do mund të jepej një urdhër i tillë; sulltani nuk e njeh këtë vend dhe në Stamboll veç mburren se i dinë të gjitha”.

Oficerët francezë, të çuditur nga kjo qëndresë e paparashikuar dhe nga kjo mosbindje, u përpoqën ta kandisnin Ibrahim pashën se plani i tyre nuk përmbante kurrfarë rreziku për atë vetë, dhe se ai plan drejtohej vetëm kundër anglezëve, armiku i tyre i përbashkët.

Ibrahim pasha i dëgjoi francezët me durim dhe ua ktheu: “A e dini, Zotërinj, historinë e bretkosës dhe të akrepit? Një akrep, në bregun tjetër të Bujanës [Bunës] donte të vinte në Shkodër, por duke mos ditur not, iu lut bretkosës që të kalonte lumin mbi kurriz të saj. “Edhe mund ta bëj, ia ktheu bretkosa, po ti je i keq, se me të mbaruar punën tënde, ti veç kur të më ngulësh thumbin. Gjithë akrepat njihen për tradhtarë, mosmirënjohës e vrasës”. Akrepi ynë protestoi: “Jo gjithë akrepat janë të këqij, – tha. Ja, dje një bretkosë kaloi Bujanën me një akrep dhe asnjë e keqe nuk i ngjau”; akrepi po i betohej kështu bretkosës me be e rrufe se kishte vetëm qëllime të mira dhe se do t’i ishte mirënjohës e mirëbërës për tërë jetën.

Bretkosa zemërmirë, pa ç’pa, më në fund u bind, nderi këmbët e pasme dhe akrepi u ngjit mbi kurriz, teksa bretkosa notoi drejt bregut tjetër. Para se të zbriste, akrepi zu të bërtasë se e zuri xanxa dhe se nuk mbante asnjë përgjegjësi për veprimet që do bënte, dhe se lypsej tanimë t’i ngulte thumbin. Dhe e pickoi mu në zemër të gjorën bretkosë e cila ngordhi në vend.

E pra, ju francezët, jeni si akrepi i fabulës. Me të futur këmbët në Shqipëri, do të gjeni njëmijë pretekste për të mos shkuar në Korfuz. E di më së miri që ju nuk jeni të kënaqur nga Dalmacia, që doni të rrëmbeni edhe bregun e bukur dhe pjellor të Shqipërisë dhe në zakonet tuaja franke ka helm si te akrepi. Sulltani nuk i ka kuptuar qëllimet tuaja, dhe unë nuk ua dorëzoj kurrë Shqipërinë. Ndërgjegjja ime dhe vetë vullneti i të parëve të popullit tim më ndalojnë kategorikisht t’i bindem Padishahut, dhe ai, vërtet mund të më ndëshkojë për mosbindje, por ju nuk do arrini kurrë të realizoni planin tuaj.”

Gjithçka në këtë anekdotë, me vlerë të fuqishme aktualilteti dhe patriotizmi flet vetë, pa qenë nevoja për komente e perifrazime të tepërta nga ana jonë. Le t’i kthehemi pra, raportit të gjeneralit De Vaudoncourt: 

E konsideron forcën ushtarake të Pashait të Skutarit mjaft të madhe që, në rast nevoje, mund të ngrejë në këmbë deri në 40 000 burra. Pjesa më e madhe përbëhet nga “latinët” (domethënë shqiptarë të fesë katolike) dhe do të ishte e lehtë t’i mobilizoje “kundër turqve, që i urrejnë jashtëzakonisht… Vetëm Mereditët [mirditorët], që janë 10 000 burra të armatosur e frikësojnë Ibrahim Pashën” – shkruan ai. 

shqiptar ng Shkodra.jpgMë tej, jep të dhëna demografike për qytetin e Shkodrës – 6 000 shtëpi me 60 000 frymë dhe e sheh qytetin të shtrirë në një lega e gjysmë gjatësi dhe treçerek lega gjerësi; në kështjellë ndodhet saraji i pashait, kurse pazari dhe qyteti i vjetër janë rrëzë kështjellës, përshkuar nga rrugë të ngushta, anashkaluar nga shtëpi ngjitur njëra pas tjetrës; pjesa tjetër e qytetit përbëhet nga shtëpi të shpërndara e të distancuara. E sheh Ibrahim Pashë Shkodrën si “një nga njerëzit më të shkathët që mund të haset, dhe që ka në të njëjtën kohë talente të jashtëzakonta në krahasim me një pasha turk. “Është i pajisur me mendje të hollë, me gjykim të shpejtë e të fuqishëm, me mprehtësi të rrallë, me finesë të madhe takti e vetëpërmbajtjeje, aq sa asgjë në dukje nuk e turbullon njëtrajtshmërinë e gjendjes së tij shpirtërore, tek ruan baraspeshën më të përkryer në krejt qëndrimet dhe veprimet e tij, dhe tek fsheh tërë nuancat e karakterit të tij falë mirësjelljes më të dashur dhe që shfaqet si më e çiltra”. 

“Pashaliku i Shkodrës, thekson autori, që ka qenë në zotërim të babait dhe më pas të vëllait të tij Mahmudit, është shndërruar në çiflig të trashëguar, aq sa ai e sheh njëfarësoj veten si Princ sovran dhe thjesht vasal i Portës. Kjo mënyrë të konceptuari të gjërave e bën Ibrahim pashën, jo më pak nga vëllai i tij, i ndjeri Mahmud, të mos e shohë veten skllav të dëshirave të Sulltanit, madje ai shfaqet edhe më finok dhe ia arrin qëllimit që i cakton vetes me mënyra të tjera… Duke bërë çmos të mos shpallet rebel ndaj Portës otomane, kënaqet t’u bëj bisht urdhrave që merr apo të bëjë të pamundur zbatimin e tyre me anë manovrash politike, pa rrezikuar shumë.” Më pas, autori ndalet në qëndrimet politike të Pashait të Shkodrës me Malin e Zi, Rusinë, Pashain e Bosnisë, me Hercegovinën, ku ruan, në rajonin e Podgoricës, një korpus të tij për të mbajtur një sy hapur ndaj malazezëve. “Kam përshtypjen, vijon raportimin e tij De Vaudoncourt, se ai [Ibrahim Pasha] është i gatshëm të ndihmojë gjeneralët francezë në një ekspeditë të drejtdpërdrejtë ndaj grykës së Kotorrit, madje më dha pozitivisht siguri. Kjo ekspeditë do ta çlironte atë nga përafria e rusëve në këtë rajon dhe nga frika e një invadimi nga ana e tyre, e kombinuar me malazezët dhe me pasoja të rënda për të”. Po ashtu, autori ndalet edhe në synimet e Pashait të Shkodrës për të vendosur lidhje tregtare me Mbretërinë e Italisë, sidomos për shitjen e drurit për ndërtime [anijesh], që është e një dobie të madhe për Venecian, por edhe për vetë grykën e Kotorrit. 

Nga Shkodra, autori vijon itinerarin e tij drejt Jugut, (jep Zadrimën me 2 a 300 shtëpi), depërton kodrinave të pyllëzuara të Alessios (Lezhës) – jep historikun e qytetit, “i lulëzuar gjatë sundimit të mbretërve të Ilirisë Dalmate dhe nën perandorinë romake, por i shkatërruar plotësisht gjatë dyndjeve barbare. Princërit kastriotas e bënë Alession vendbanimin e tyre të zakonshëm dhe qyteti rimori shkëlqimin e tij të dikurshëm por, qëkurse ndodhet nën pushtetin e turqve, ai vazhdimisht ka degraduar dhe nuk shpreson më të ringrihet, për aq kohë sa do të lëngojë nën një qeverisje [osmane] shtypëse dhe shkatërrimtare për nga vetë natyra e saj”. E sheh qytetin të banuar nga 10 000 frymë, me një pazar, si mbetje e dikurshme e lulëzimit të saj tregtar. Kalon lumenjtë Mati e Fani, i afrohet Krujës, “trashëgimi e familjes Kastrioti”, për të marrë drejtimin e Durrësit (Durazzo-s), “qytet dikur i famshëm, që sot nuk është veçse një fshat i madh i rëndomtë”, vijon zbritjen e tij, duke lënë Durrësin në të djathtë për të përshkuar një varg kodrinash, “të famshme, thotë ai, për fushatën e bukur midis Cezarit e Pompeut, që i parapriu betejës së Farsalës… Sikur të mos kisha të bëja me xhelozinë barbare turke, vijon gjenerali De Vaudoncourt, që nuk e lejon një të huaj të përdorë pendën dhe kalemin në prani të tyre, do kisha bërë në vend planin e atij terreni aq i ndryshëm nga mendimi që mund të krijohet duke lexuar vërejtjet e ndoca autorëve modernë mbi “Komentarët” e Cezarit”. (Në parantezë, shënojmë se arkeologu i famshëm francez Leon Heuzey ka vërtetuar se Cezari zbarkoi në gjirin e Palasës, Palæstéa (Shqipëri), dhe jo në Farsalia, (Greqi) për të rrethuar Pompeun në kodrat e Durrësit për betejën e famshme të Dyrrahut Cezar-Pompe në v.48 p.e.s., për të cilën mendojmë se do t’ia vlente të vendoseshin sot shenja përkujtimore historike përgjatë itinerarit të ndjekur nga Cezari nëpër Shqipëri: Palasë, Llogara, Orikum, Myzeqe, Kavajë, Durrës).

Nga Durrësi, trupa e gjeneralit të perandorit francez i drejtohet Kavajës dhe fushave të saj “shumë pjellore, me vreshta të kultivuara, me kullota të pasura”. Vetë qyteti, me 20 a 25 000 frymë “administrohet nga një pasha me dy bishta (tuga), që kishte qenë zëvendës i Vezirit të Shkodrës. Është rajoni i fundit i Pashalikut të Shkodrës”. 

Më pas, si kalon Panyasusin e lashtë [Erzenin] “me anijata” (sic! – që dëshmon se ky lumë ka qenë i lundrueshëm dhe i gjerë, si Buna), depërton në Veziratin e Beratit, ku nuk mungon të bëjë përshkrimin e tij gjeografik e historik dhe të ndalet në tre qytetet kryesore të këtij vezirati: Berati, Elbasani dhe Vlora. Vë në dukje se Vlora (Avlona) ka qenë qytet me emër për tregti, qendër e rëndësishme në rrugën Romë-Kostandinopojë nëpërmjet Otrantos, që “ka humbur shkëlqimin e vet të dikurshëm, por duke mbetur prapëseprapë qendër aktive tregtie me republikën e Napolit dhe që ka përparësinë e një rade në gjendje mjaft të mirë.”

E sheh po ashtu Elbasanin si qendër tregtie të brendshme, me njerëz punëtorë e të zotë në përpunimin e hekurit dhe bakrit, si dhe me traditë në organizimin e panaireve. Ndërsa Beratin e sheh qytet mjaft të bukur, ngritur në bregun e djathtë të Apsusit (Osumit), në një bërryl që formon ky lumë, me 3 a 4 000 shtëpi dhe me 30 000 banorë. Vetë kështjella (që është me sa duket Dautia e lashtë e Eordeteve – Dassaretët e Ilirisë) e lartuar në jug-lindje të qytetit ka brenda 400 deri në 500 shtëpi, krejt të banuara nga shqiptarë të fesë ortodokse, që autori pëlqen t’i quajë “grekë”. Nga ana tjetër, e shohim autorin të mos e kursejë antipatinë e tij për vezirin e Beratit Ibrahim Pashën, të cilit i kërkoi një trupë shoqëruese dhe të lëshonte urdhër për të vënë kuaj në dispozicion të ekspeditës frënge gjatë udhëtimit. “Pashai nuk e pranoi kërkesën e parë dhe i thartuar në fytyrë, mezi lëshoi urdhrin për kërkesën e dytë, duke bërë vërejtjen se nuk dëshironte që francezët të qëndronin gjatë në shtetet e tij”. Ja këtu një qëndrim dinjtoz, një mësim nga historia jonë, do thonim, për puthadorasit e sotëm politikanë, me ndjenjë të theksuar inferioriteti dhe të gatshëm për “lepe-peqe” servile e hipokrite ndaj të huajit, tek e konsiderojnë këtë “të fuqishëm”.

beratinus fa.jpg

Nga ana tjetër, ashtu si paraardhësit e tij udhëpërshkrues, historiani ushtarak frëng nuk mungon të nxjerrë në pah kundërshtitë, armiqësitë dhe rivalitetet mes tyre të pashallarëve shqiptarë, konkretisht mes Ibrahim Pashës të Beratit dhe Ali Pashës të Janinës të cilët, për interesat e tyre të caktuara – zgjerim të kufijëve palashikë – lidhin aleanca me fuqi të ndryshme për të dëmtuar e dobësuar njëri-tjetrin, një luftë kjo e brendshme, mjaft e ashpër, që të kujton republikat italiane në Mesjetë, para bashkimit garibaldin të Italisë.

Si jep me hollësi itinerarin Berat-Janinë nëpërmjet fshatit Tozari, Klisurës (Këlcyerës), Përmetit, Zagorisë, zbret në fushën e Janinës që të lashtët e quanin Shamp-Elizé, për t’iu drejtuar qytetit si destinacioni i fundit i udhëtimit, qytet që përbëhet nga 45-50 000 frymë, me tregti të lulëzuar, ku qenë vendosur edhe “ndoca tregtarë frëngj, por që ishin larguar të frikësuar nga veprimet e tepruara të Ali Pashës”, siç shprehet autori. Jep historikun e qytetit, ndërtuar nga një Gjon Kantakuzeni, fillimisht një lagje përqendruar rreth kështjellës (Kastros), me mure të përforcuara, vetë kalaja dhe saraji kryesor i vezirit ngritur mbi një shkëmbishtë që përparon mbi liqen. Janina u mor e u plaçkit nga ushtria e Rogerit II, mbretit të Pulias, që rrënoi edhe kështjellën. Por “bukuria pozicionuese e qytetit, pjelloria e fushave përreth, prodhimtaria e pasur, tregtia dhe sidomos pazaret dhe panairet tërhoqën përherë e më shumë banorë dhe qyteti jo vetëm u rindërtua, por edhe u zmadhua parreshtur… Aktualisht, Janina është kryeqyteti i shteteve të Ali Pashës.”

Në një syth më vete jep historinë e njohur të Ali Pashës, “plot 40 vjet luftëra, pabesi e uzurpime” – siç thotë autori, sikur luftërat, intrigat, krimet, tradhtitë dhe tërë veset që i vishen Pashait të Janinës të ishin thjesht e vetëm tipare të tij dhe jo karakteristika të frymës, zakoneve dhe veprimeve agresive të kohës që përjetoi, plot tollovi, pushtime, hegjemoni, me mbretër, perandorë, sulltanat, patriarkat, etj. si aktorë kryesorë luftërash për pushtet, sundim e hegjemoni. E në tërë historinë e tij, autori nuk i kursen episodet, anekdodat, epitetet, plot mllef e përbuzje ndaj pashait shqiptar kur, ndryshe nga Bajroni i madh, shembullin për denigrim e diskreditim të figurës së tij historike e kishin dhënë tashmë Pouqueville, Gjenerali frëng La Rose, alzasiani renegat Alphonse Cerfberr i konvertuar në islamizëm me emrin Ibrahim-Manzour Efendi, të cilët dështuan keq përballë politikës rafinuese dhe diplomacisë mëvetësuese të Pashait të Janinës.  

ali pasha source gallica.jpgE megjithatë, historiani dhe gjenerali i Napoleonit tregohet realist e objektiv për mikëpritjen e ngrohtë që i bëri Pashai i Janinës. “U prita tepër mirë”, – thotë ai, “me fjalë plot dashuri për Perandorinë franceze”. Më pas, autori bën një paraqitje të shkurtër të forcave ushtarake të Aliut: 10 000 trupa në More nën komandën e Veli Pashës, 7-8 000 trupa në Lepante nën drejtimin e birit tjetër të Aliut Muktarit, 5 000 vetë nga këto trupa në gadishmëri për ushtrinë e Vezirit të Madh, 8 000 burra në Plaja përballë ishullit të Shën Maurës, nën drejtimin e Jusuf agës, vëllai i natyrshëm i Aliut, 4 000 trupa në Prevezë, 6 000 trupa në Janinë. Dy kampet e Aliut në Plaja dhe Prevezë i kishin bërë në atë kohë të dështonin me turp trupat ruse të Shën Maurës, që ishin të detyruara të mbanin në ishull, të mbërthyera e në gadishmëri të plotë, 2 000 trupa për mbrojtje, si dhe të lidhnin aleancë me Mustafa Pashën e Delvinës, por edhe me siamidët (çamët) e paramitianët (parathimiotët), “shqiptarë e grekë në armiqësi me Ali Pashën… Armiqtë më të egër të Aliut, nënvizon autori, ishin në fakt suljotët dhe tërë shqiptarët “grekë” (të fesë ortodokse), në shërbim të Rusisë”. Me këtë rast, autori nuk mungon të vëjë në dukje se Ali Pasha përdori rreth 20 000 trupa kundër 6 000 suljotëve, të cilët i bënë “një qëndresë të fuqishme… për 17 vjet me radhë”. Dhe, në këtë kontekst, gjenerali De Vaudoncourt ngre lart heroizmin e gruas shqiptare, tek shkruan : “Në këtë Trojë të re – e ka fjalën për fshatin Suli –,  një vashë amazonë, që kishte humbur në luftë të shoqin, dhe që kishte parë të masakroheshin para syve fëmijët e saj, u bë nga tërë krerët e Sulit ajo që e dëmtoi më rëndë Ali Pashën (kjo grua nuk është më shumë se 30 vjeçe, dhe është e një bukurie të rrallë dhe, pasi drejtoi jo më shumë se para një viti një korpus trupash në shërbim të Rusisë, u tërhoq në një fshat të Alkiomës në ishullin e Korfuzit).”

Nga Janina, gjenerali frëng shkon në Prevezë, ku shqyrton terrenin konkret për të ngritur ai vetë një fortifikatë (në kepin e Shën Gjergjit) për mbrojtje të garnizonit shqiptar si dhe të kanalit që çonte në Gjirin e Artës. Jep këtu një tablo të zymtë të rrezikut që po kalonte Ali Pasha dhe qyteti i Janinës, i kërcënuar në atë kohë nga çamët, paramithiotët e suljotët, të mbështetur me arsënal ushtarak nga rusët. Për të dalë nga kjo gjendje, gjenerali frëng propozon një dredhi, me vënie  në veprim të parasë, si dhe të niseshin bashkëbisedimet, me qëllim që të garantohej njëfarë statu quo-je, sa të përforcoheshin pozicionet ushtarake dhe të ndërtoheshin anijata me kuvertë të sheshtë. Dhe ashtu ndodhi, dredhia frënge eci, shqiptarët ortodoksë lanë në baltë aleatët rusë, por jo që të bashkoheshin me armikun e tyre të betuar Ali Pashën.

Me interes shfaqet përshkrimi që i bën De Vaudoncourt mendimeve novatore dhe përpjekjeve të Ali Pashës jo vetëm për fortifikimin e Prevezës, por edhe për fabrikimin e barutit, derdhjen e topave dhe përgatitjen e 200 topçinjëve. Veçse, jo të gjitha këto plane të Aliut u realizuan, sidomos plani për derdhjen e topave, kur u shfaq dukshëm mungesa e metalit, lëndës së parë. 

Shqipërinë e Jugut, historiani ushtarak frëng e konsideron përgjithësisht si një trevë jo shumë të kultivuar, me shpate malesh të thepisur përgjatë rrjedhës së Vojuzës (Vjosës), pa kullota të pasura për kopetë e shumta të bagëtive; e quan rajonin e Himarës Kaonia e lashtë, dhe krejt vargmalet e Akrokerauneve i sheh të djerra, me përjashtim të zonës bregdetare mbjellë me ullinj. Po ashtu, e sheh të pasur fushën e Artës, luginën e Akelousit, pjesën perëndimore të Molosisë, të cilën e përshkoi nga Zagoria në Janinë; nuk lë mënjanë pa përshkruar as luginën e pasur të Argiro Kastros (Gjirokastrës), që e quan Antigonea e lashtë, as luginën e Tiamisit, nën Delvinaq, as atë të Metristrit (Dodonës). 

Pasuar nga gjenerali  frëng, Ali Pasha shkon në Prevezë për të përforcuar mbrojtjen e saj dhe hyrjen në gji, përballë ishullit të Shën Maurës, ku ndodheshin pra, të përqëndruara 2000 trupa ruse, të trembura nga një sulm i mundshëm i përbashkët i francezëve dhe i Ali Pashës. Flota franceze, mbështetur nga ajo turke dhe nga tetë anijata të Aliut, bënte presion në ujërat përreth ishullit, me qëlllim që trupat ruse të dorëzoheshin, por, tek përshkruan me hollësi gjendjen ushtarake dhe pozicionet e zëna, “… asgjë në botë nuk do mund t’i bindte shqiptarët – thotë historiani frëng – për t’u angazhuar në një sulm frontal ndaj trupave ruse”. Shihet qartë me këtë rast që Aliu i Tepelenit as që do donte kurrsesi të bëhej mashë në duart e francezëve për të nxjerrë gështenjat nga zjarri, kur Shën Maurën, si pozicion kyç për kapjen e ishullit të Korfuzit, ai synonte ta merrte nën kontrollin e tij, tek e shihte veten zot të krejt atyre trevave. Dhe jo vetëm kaq, por “ambiciozi Vezir, thotë De Vaudoncourt, nuk dëshiron të shohë asnjë fuqi europiane në zotërim të shtatë ishujve, që i lakmon prej kohësh. Ai doli hapur kundër Rusisë me shpresë për ta dëbuar që andej, dhe po qe se Ingliterra do t’i kishte premtuar ndihmë për t’i larguar trupat ruse nga Deti Jon, ai me siguri do ta shpallte veten në përkrahje të saj, dhe këtë propozim ia bëri madje edhe konsullit anglez M. Mouriere…”.  

  Në rreth 20 faqe të raportit të tij, historiani De Vaudoncourt paraqet me hollësi dyshimet e Ali Pashës për planet franceze, evolucionin e gjendjes ushtarake në frontin Prevezë-Plaja-Shën Maur, zbarkimin e 2000 trupave suljote, mbështetur nga rusët, për të goditur trupat e Aliut, të cilat u tërhoqën duke humbur rreth 80 vetë, goditjen që dha një anijatë ruse duke bombarduar pozicionet e korpusit shqiptar, kundërsulmin e artilerisë franceze dhe më tej, marrdhëniet e ndera midis ushtarakëve francezë dhe Seliktar agës, si përfaqësues i Ali Pashës në Prevezë, që nuk u bindej urdhrave të tyre dhe që bëri të mundur të dështonte plani ofensiv i francezëve për goditjen e trupave ruse. Gjenerali frëng detyrohet atëherë të tërhiqet nga Preveza, të kthehet në Janinë, ku vihet në dijeni për “plane të reja të Pashait” dhe, i zhgënjyer që nuk sulmoi dot trupat ruse, largohet nga Janina për të inspektuar tashmë nga afër trojet shqiptare, Gjirokastrën, “qytet i përbërë nga 30 000 frymë… i pavarur nga Ali Pasha, i cili i trembet guximit të banorëve në pjesën më të madhe shqiptarë të fesë greke [ortodoksë]. Gjatë fushatës së vitit 1799, qyteti, shkruan gjenerali, ishte gati të ngrinte flamurin francez, sikur ne të mos kishim dështuar në Korfuz”. Më tej, De Vaudoncourt vijon itinerarin Labovë, Tepelenë, Klisura (duke ndjekur rredhën e Vjosës) me synim t’i drejtohej më pas Porto Palermos, Himarës, Vlorës. “Nga Tepelena, – thotë ai – ka një rrugë që çon në Porto Palermo duke ngjitur përrroin e Bënçës, nëpërmjet një terreni jashtëzakonisht malor e të pyllëzuar, banuar nga kaçakë të pavarur, aleatë të popullatave të Shimarrës (Himarës), në atë kohë të lidhur me rusët… Por një tjetër udhë çonte në Vlorë, duke zbritur Vojusën nëpërmjet të njëjtave gryka, ku Filipi, mbreti i parafundit i Maqedonisë u mund për herë të parë nga Konsulli T. Quintus Flaminius… Një rrugë e tretë, duke ngjitur Vojusën, çon në Klisura (Këlcyrë), ku bashkohet me rrugën e madhe Berat-Janinë”. 

Nuk mund të lëmë pa shënuar synimet e Gjeneralit frëng për të inspektuar nga afër këto treva nga pikëpamja gjeologjike, kur shprehet: “… duke pasur nga ana tjetër sigurinë që qoftë në Benza [Bënçë ?], qoftë në Tepeleni nuk kishte gjurmë minierash për asnjë lloj metali, mendova të rikthehesha dhe iu drejtova Spillia-s [Spilesë ?], ku lypsej të gjeja një minierë ari, por ku nuk gjeta veçse masa të mëdha të një mermeri mjaft të bukur në ngjyrë të përhime”.

Traktati i Tilsitit 1807.JPG

Traktati i Tilsitit, 1807

Fundi i luftës, apo armëpushimi i Tilsitit (korrik 1807) e rigjen Gjeneralin frëng në Janinë, ku Ali Pasha “dukej i çuditur dhe i pikëlluar nga lajmi… dhe kur në qytet po përhapeshin lajme alarmuese për turqit”, tek thuhej se “Perandoria franceze kishte bërë paqe të njëanëshme duke ia dorëzuar Rusisë Perandorinë osmane”, apo që “Turqia europiane do të copëtohej”. Kësisoj, Gjenerali frëng i rikthehet edhe një herë qëndrimit të Ali Pashës dhe synimeve të tij pas armëpushimit, kur Pashai, “i pakënaqur që kishte në zotërim Livadinë e Morenë, administruar nga djemtë e tij, po përgatiste pushtimin e pashaliqeve të Beratit e të Delvinës, si dhe nuk rreshte së lakmuari Ishujt jonikë, të cilat i shihte si pronë të tij për t’iu bashkuar Epirit”. Edhe më tej, Baroni De Vaudoncourt, këmbëngul në planet e Vezirit të Janinës “për të pushtuar pjesën tjetër të Shqipërisë, Vlorën, por duke pushtuar rajonin e Himarës me anë të detit… Sepse me anë të tokës, arrihet në këtë vend vetëm nëpërmjet grykash pothuaj të pakalueshme, dhe kohët e fundit 300 himariotë, më me fat dhe më të zgjuar se Leonidha, mundën plotësisht 6000 nga të tijtë (grekë)… Për të dëbuar Pashain e Beratit, Aliu u përpoq të shtinte në dorë Elbassanon për ta goditur Pashain nga kjo pikë…por nuk ia arriti dot qëllimit” […]. Sikurse vihet re, kemi të bëjmë këtu me një dëshmi të hershme konkrete nën penën e historianit De Vaudoncourt lidhur me qëndrimin e Ali Pashës për ta vlerësuar atmosferën politike të krijuar nga Traktati i Tilsitit (1807) mëse të favorshme për të realizuar planin e tij jo vetëm për një bashkim të plotë të Shqipërisë së Jugut, por edhe për të shpallur mëvetësinë e tij ndaj Portës, kur fillimi i shekullit XIX po e gjente tashmë Turqinë europiane përpara sfidash të reja dhe kur Greqia nuk do mungonte të shpallte pavarësinë e saj më 1824, me arvanitasit në krye të “revolucionit grek”.   

Më 30 gusht 1907, gjenerali Guillaume de Vaudoncourt i jep fund misionit të tij nëpër Shqipëri dhe më 20 shtator largohet me anije nga Preveza për në Korfuz, e më tej nëpër gjrin e Otrantos, pa harruar të ndalet në Kasopi, Porto Palermo, Drimadhes dhe në Kepin Shën Teodor “për të njohur, thotë ai, shtresat mineralmbajtëse të Bregut (?!)” .  

Po japim më poshtë të përkthyer në mënyrë të plotë zërin “Arnautë”, nga historiani ushtarak, gjenerali Guillaume de Vaudoncourt, duke ruajtur sigurisht rezervat tona përsa i përket mendimeve që shpreh ky autor në shkrimin e tij.

G. De Vaudoncourt

Zëri ARNAUTË (ARNAUTES), sipas “Dictionnaires de la conservation et de la lecture” (“Fjalor i bashkëbisedimit e i leximit”), Paris, 1833.

“ARNAUTË. Është emri që turqit u japin popujve që ne i quajmë Albanë, dhe që në gjuhën e tyre vetëquhen Skipetars. Banojnë jo vetëm në Epirin e lashtë, por edhe në një pjesë të Ilirisë që ndodhet në Jug të Drinos [Drinit] dhe të Skutarit të Shqipërisë. Ndahen në katër fise të mëdha: Mirditët në Jug-Perëndim, Gegët, në Veri-Lindje, Tsamidët [Çamidët], në Jug-Perëndim, dhe Toksidët [Toskët] në Jug-Lindje. Është e padiskutueshme që Shipëtarët apo Skipëtarët janë një popull i dallueshëm nga grekët dhe sllavët, fqinjët e tyre, dhe jo më pak nga turqit. Ndonëse gjuha e tyre është e mpleksur me një numër të madh fjalësh greke e latine, madje edhe turke e sllave, është prapëseprapë një gjuhë e veçantë dhe e ndryshme nga këto që përmendëm si për nga rregullat gramatikore ashtu dhe për nga shprehjet që përdor. 

Origjina e shqiptarëve nuk është e lehtë për t’u përcaktuar, ndryshe nga dallimi karakteristik që kanë me fqinjët e tyre. Disa autorë, nisur nga emri albanë që u japim, i shihin pasardhës të albanëve të malit Kaukaz, të cilët i pandehin të njëjtët me alanët [alpanët]. Mirëpo, këta alanë ishin tatarë apo turkomanë, ndërkohë që thelbi i gjuhës shkipe nuk ka asgjë të përbashkët me gjuhët turkomane apo tatare. E njëjta gjë mund të thuhet edhe kur pretendohet për prejardhjen e tyre nga bullgarët, komb sllav që, për një kohë të gjatë, ka sunduar në Greqinë perëndimore. Autorë të tjerë i shohin pasardhës të ilirëve të lashtë. Ky mendim nuk mund të vërtetohet, duke qenë se ne nuk kemi kurrfarë njohjeje të gjuhës ilire; veçse, ka në mbështetje të saj një gjasë me peshë të madhe. Skipëtarët, që në mënyrë të veçantë i quajmë albanë, janë ata që i përkasin Ilirisë maqedone në jug të Drinit, domethënë mirditët [mirditorët] dhe krejt gegët. Banojnë në male pothuaj të pakapërcyeshme në dy anët e Drinit dhe në pjesën që e ndan me Adriatikun; dhe dihet që malësorët në të shumtën e rasteve i kanë shpëtuar shkatërrimit që vjen si rezultat i dyndjeve pushtuese. 

Ka shumë të ngjarë po ashtu që galët skordiskë, të dëbuar prej sllavëve nga brigjet e Danubit dhe nga rrethinat e Beogradit, të kenë ardhur për t’u strehuar në ato male e të jenë përzier me sikpëtarët. E pakta që mund të thuhet është se hasen në gjuhën shqipe një numër jo i paktë fjalësh gale. Kështu, lidhur me simbolin e apostujve haset tashmë fjala alti (athir apo athair) [altar]; pain në fr. = bukë – shqip: bukum, (bukkëm apo busckon); bouchée në fr. = çapë bukë apo ngrënie; sod (aujourd’hui në fr.) = sot; dhe po ashtu, keç apo keq – në fr. mal, shqip = keq. Shënojmë nga ana tjetër se emri Albanie është i njëjtë me Albanack, vend malor në galisht. Veçse, rregullat gramatikore shkipe janë të ndryshme nga ato të galëve. Dy fise shkipëtarësh banojnë në Epir, por nuk duhet arritur në përfundimin se janë epirotë. Këta të fundit ishin pellazgë, gjuha e të cilëve ishte shumë e përafërt me të grekëve, pra, jo shkipe. Këtu përfshihen në thelb tërë hipotezat që mund të ngrejmë mbi origjinën e skipëtarëve, apo albanëve, apo arnautëve.

Shqipëria u pushtua nga Mehmeti II pas marrjes së Kostandinopojës. Lufta që i kundërvunë këtij pushtuesi skipëtarët e udhëhequr nga Georges Kastriota, i mbiquajtur Skanderbeg, të cilin e kishin zgjedhur si princ të tyre, zgjati 24 vjet, dhe humbjet që pësuan turqit e tejkaluan në numër popullsinë e fiseve të Gegëve dhe të Mirditës, mbi të cilët ra pothuaj tërësisht pesha e luftës. 

Pas nënshtrimit të Shqipërisë, tre fise shkipe përqafuan fenë myslimane, të paktën në pjesën më të madhe të tyre. Ato të Mirditëve dhe të Akrokeraunisë e të Sulit ngulmuan të vetme në krishtërim, duke ruajtur fenë e tyre.

Karakteri luftarak i skipëtarëve bëri që ata të viheshin në shërbim të sulltanëve dhe të pashallarëve të ndryshëm. Po ashtu, bejlerët e tyre apo fisnikët, në krye të trupave që mbajnë, u kanë shërbyer gjatë Mesjetës klientëve të ndryshëm si kondotierë italianë. Vlera e tyre është e mirënjohur prej turqve, aq sa u kanë dhënë për këtë arsye, siç thuhet, emrin arnautë. Me këtë rast, vëmë në dukje se arnaodh në galisht do të thotë trim, nga fjala naodh, vlerë. 

Shqipëria është një vend pastoral, me male, pyje dhe me pak kultura bujqësore; por ka shumë kope dhënsh, që përbëjnë pasurinë e saj. Skipëtarët janë përgjithësisht trupa të lidhur, të hajthëm, të zhdërvjelltë e të fuqishëm, me karakter të gjallë e të prirë pas të papriturave, dhe me vlerë proverbiale. Si gjithë popujt e tjerë gjysmë të egër, janë gjuetarë dhe barinj. Vjedhja e bagëtive është një prej zakoneve të tyre të parapëlqyera, por është vjedhje me armë, të cilën e konsiderojnë si ushtrim për të mësuar zanatin e luftës.   

Gjenerali G. De Vaudoncourt.    

Filed Under: Histori Tagged With: Fotaq Andrea, shqiptarë me vlerë proverbiale

  • 1
  • 2
  • 3
  • …
  • 10
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Doracaku i një tirani”, kur pushteti bëhet më i rëndësishëm se populli
  • Koreografi Bekim Murati: “Grupi i valleve “Besa”, kontribut në ruajtjen e rrënjëve shqiptare dhe edukimin e brezave të rinj në Florida”
  • “Vjeshta Arabe” në Europë dhe Shqipëria
  • 𝗔𝘃𝗼𝗸𝗮𝘁𝗶 𝗶 𝗣𝗼𝗽𝘂𝗹𝗹𝗶𝘁 𝗽𝘂𝗯𝗹𝗶𝗸𝗼𝗶 𝘀𝗼𝘁 𝗴𝗷𝗲𝘁𝗷𝗲𝘁 𝗲 𝗺𝗼𝗻𝗶𝘁𝗼𝗿𝗶𝗺𝗶𝘁 𝘁𝗲̈ 𝗽𝗿𝗼𝘁𝗲𝘀𝘁𝗲̈𝘀 𝗻𝗲̈ 𝟮𝟰 𝗼𝗿𝗲̈𝘁 𝗲 𝗳𝘂𝗻𝗱𝗶𝘁
  • Mark Gjonaj: Thirrje Kryeministrit Rama t’i japë fund dhunës ndaj protestuesve dhe të japë dorëheqjen
  • 2500 euro për të ruajtur përbindëshin: Rama, Frankenstein- i dhe shpresa e një populli
  • Qeveritar i tmerrshëm që ka shkatërruar perspektivën dhe ka kriminalizuar çdo qelizë e policisë, qeverisë e parlamentit
  • KUR PËRDHOSET E SHENJTA, TRONDITET SHPIRTI I KOMBIT
  • “The Versailles Order and the Making of Albania, 1918–1926”
  • Political Power Is Temporary. The Soul of a Nation Is Not
  • STOP DHUNËS NDAJ STUDENTËVE!
  • JO NJË KATOVICË TË DYTË! – SHQIPËRIA KA NEVOJË PËR NJË FILLIM TË RI, JO PËR RICIKLIMIN E PUSHTETIT!
  • “Humanoidët”, një çast në atelierin e Artur Muharremit
  • Life in “Time Shelter”
  • Akademia e Shkencave kujton sot, në përvjetorin e ndarjes nga jeta poetin e madh të kombit që i dha zë Rilindjes Kombëtare, Naim Frashërin

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT