Shkruan: Dr. Hasan Ademaj/ New York/
Shpesh, gjatë kohës së lirë më është bërë zakon t’u kthehem librave e materialve të tjera që kanë të bëjnë me luftën çlirimtare të viteve 90-të, si, fjala vjen përshkrimeve të betejave të ndryshme, dëshmive të ish-luftëtarëve të atëhershëm tek përshkruajnë akte heroike të shokëve të tyre, një pjesë e të cilëve nuk jetojnë më, por edhe qëndrime burrërore të njerëzve të thjeshtë të cilët sfidonin terrorin e pushtuesit serb, pa i u dridhur qerpiku. Një ditë, ndërsa isha duke shikuar një emision televiziv, kushtuar vëllait tim, Vezir Ademaj, i cili braktisi perëndimin e begatë për t’u radhitur në formacionet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në mendjen time m’u bë një listë jo e shkurtër me emra të rinjsh të cilët kishin bërë të njejtën gjë. Dhe, me të vërtetë, vetë UÇK që në embrionin e saj, nuk ishte tjetër veçse një produkt vullnetarësh, të cilët, mbi të gjitha vunë idealin e lirisë, të çlirimit të vendit nga pushtuesi serb, ideal për të cilin kishin luftuar edhe paraardhësit e tyre. Askush nuk i u bashkua radhëve të UÇK-së si pasojë e ndonjë urdhëri të ndonjë grupimi politik apo të çfardo karakteri tjetër, askush nuk mori armët për të nxjerrë ndonjë përfitim personal e aq më pak për të synuar ndonjë post a privilegj tjetër pas çlirimit nga kthetrat e Serbisë.Ashtu si vëllai im, një pjesë jo e vogël e luftëtarëve të saj i përkasin asaj kategorie që braktisën perëndimin me të mirat dhe privilegjet që kishin atje për t’u vënë totalisht në shërbim të luftës për liri. Jo pak prej tyre, do të bënin sakrificën më sublime duke dhënë jetën e tyre të re për kauzën e shenjtë të lirisë ose falë vetmohimit tëe treguar në beteja do të bëheshin udhëheqës kryesorë të formacioneve të UÇK. Por, nuk ishte vetëm kjo; radhët e UÇK-së do të mbusheshin dhe me vullnetarë nga të gjitha trevat ku jetojnë shqiptarë, në radhë të parë dhe nga vendi amë Shqipëria. Përsa i përket kësaj, është mjaft domethënës fakti se ndër 2260 dëshmorë, 68 ishin vetëm dëshmorë dhe martirë nga Shqipëria. Një faqe të shkëlqyer që do të linte gjurmë të pashlyeshme do të shkruanin vullnetarët nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës të inkuadruar në Batalionin “Atlantiku” disa prej të cilëve do të radhiteshin në listën e dëshmorëve të luftës. Kështu, duke hulumtuar për këtë dukuri të “vullnetarizmit” që karakterizoi luftën e viteve 90-të, ndoshta dhe për faktin që mbijetesa e kombit shqiptar, brez pas brezi, është e lidhur me beteja të vazhdueshme për liri, dashje pa dashje filluan të më kujtoheshin shumë gjëra nga ato që kisha lexuar nga historia e luftrave të shumta të shqiptarëve falë të cilave ata do të siguronin mbijetesën e tyre.
Duke i hedhur një sy periudhave të ndryshme të historisë së kombit shqiptar, në çdo moment të rëndësishëm e vendimtar, veçanërisht, kur kanë qenë në lojë fatet e kombit , mund të gjesh shembuj të panumërt kur shqiptarë nga treva të ndryshme kanë braktisur gjithçka duke u vënë në dispozicion të çeshtjes kombëtare, për t’u ndodhur aty ku ndaheshin fatet e kombit, ku vendosej e ardhmja e tij, apo ishte e kërcënuar nga rreziqe, të cilët nuk kanë qenë të paktë. Ishte mëse e natyrshme, që, në mungesë të një shteti të tyrin, e vetmja gjë e cila u kishte mbetur shqiptarëve, për të mbrojtur trojet ku jetonin e punonin,ishin organizimet në baza vullnetare. Vullnetarë ishin ata të cilët në kuadër të Lidhjes së Prizrenit do t’i bënin një rezistencë të pashembëllt ushtrive osmane të cilat kishin si qëllim të nënshtronin “shqiptarët e pabindur” që duke hedhur poshtë vendimet e Kongresit të Berlinit u ngritën në mbrojtje të trojeve, të cilat, fuqitë e mëdha kishin vendosur t’u a jepnin fqinjëve. Më vonë, kjo gatishmëri për të dalë vullnetarë do të shpalosej në çdo moment, sa herë të lëshohej kushtrimi për të mbrojtur trojet në të gjitha viset ku jetonin shqiptarët, pasi dihet që teritore të tëra shqiptare ishin bërë objekt pazaresh ndërmjet fuqive të mëdha të cilat në kuadër të kontrasteve për të shtrirë ndikimin e tyre në Ballkanin që po çlirohej nga pushtimi disa shekullor otoman po synonin që ta arrinin këtë duke zgjeruar shtetet e sapokrijuara duke u dhuruar troje shqiptare. Në këtë mënyrë, nën pretekstin e luftës kundër Turqisë ato nxisnin shtetet në fjalë që të aneksonin territoret historikisht shqiptare. Në rrethana të tilla, shqiptarëve, të lënë në mëshirën e fatit, u është dashur t’i dalin zot vetes duke u përballur me ushtritë e organizuara të fqinjëve, që kishin dhe mbështetjen e fuqive të mëdha. Kështu, vullnetarët shqiptarë, të udhëhequr nga Isa Boletini, gjatë luftës greko-turke, do të merrnin pjesë në frontin e Thesalisë, sigurisht, jo për të mbajtur gjallë “të sëmurin e Bosforit”, por, me qëllim mbrojtjen e tokave shqiptare nga grekët. Edhe në veri, të organizuar po vullnetarisht, nën drejtimin e prijësave të tyre, shqiptarët do të kundërshtonin përpjekjet e vazhdueshme të serbëve për të depërtuar në teritorin e Kosovës. Gjithashtu dhe kryengritjet e viteve 1910-1912, të cilat e tronditën pushtetin e sunduesit turk duke e shtrënguar të ulet në bisedime me shqiptarët ishin të organizuara në baza krejtësisht vullnetare sipas parimit të njohur shqiptar “sa pushkë do të nxjerrë filan fshat apo filan krahinë…”. Shpërthimi i luftrave ballkanike, në një kohë që Turqia ishte në gjendje agonie, bëri që vetë shqiptarët të ngriheshin në mbrojtje të vendit të tyre duke organizuar një qëndrese vullnetare përballë ushtrive të rregullta të vendeve fqinje, të cilat i u vërsulën trojeve shqiptare si të ishin një mall pa zot. Kështu, në mesin e tetorit të vitit 1912 ushtria e rregullt serbe në radhët e së cilës numëroheshin rreth 260 mijë ushtarë, do të sulmonte nga tre drejtime teritorin shqiptar. Në kohën që Turqia u gjend krejt e papërgatitur për luftë, mbrojtja mbeti plotësisht në duart e formacioneve vullnetare shqiptare. Edhe armët e premtuara nga shteti turk nuk i u dërguan asnjëherë vullnetarëve shqiptarë. Megjithatë, kjo ushtri vullnetare shqiptare do të zhvillonte beteja të ashpra duke u shkaktuar humbje të paparashikueshme armatave serbe. Duke qenë se ushtria turke kishte braktisur frontin një ditë para se të fillonin luftimet ishin forcat e vullnetarëve shqiptare të Kosovës, nën udhëheqjen e figurave të tilla si Isa Boletini, Hasan Prishtina, Idriz Seferi, Bajram Curri… ato të cilat mbajtën vijën e gjatë të frontit.
Lufta e Vlorës është një tjetër ngjarje historike ku spikat edhe njëherë gatishmëria e shqiptarëve për t’u organizuar vullnetarisht në një luftë të pabarabartë me ushtrinë italiane e cila mbante të okupuar qytetin e Vlorës dhe disa zona përreth. Nga të gjithë qytetet e Shqipërisë do të dilnin vullnetarë të shumtë për të marrë pjesë në Luftën e Vlorës në mbështetje të vëllezërve vlonjatë. Mjafton të përmendet fakti që edhe një qytet i vogël si Kavaja arriti të krijonte një batalion prej 400 vullnetarësh i cili mori pjesë aktivisht duke u shquar në betejat me italianët. Por në luftën e Vlorës do të kishte vullnetarë edhe nga radhët e shqiptarëve të cilët kishin emigruar në vende të ndryshme kryesisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Qysh në pranverë të vitit 1920 do të hidhej ideja e dërgimit të vullnetarëve që do të shkonin në Shqipëri në mbështetje të çështjes kombëtare duke filluar me Luftën e Vlorës. Sipas dokumentave 200 shqiptarë të cilët dhe kishin filluar të stërviteshin shprehën gatishmërinë e tyre për të marrë pjesë në Luftën e Vlorës. Ata udhëhiqeshin nga Aqif Përmeti. Jo vetëm kaq, po Organizata “Vatra” vendosi të dërgonte në Shqipëri edhe bandën e saj muzikore nën drejtimin e Thoma Nassit.
Ende pa mbaruar Lufta e Vlorës Shkodra do të gjendej e kërcënuar. Beogradi dhe Çetinja kishin planifikuar me kohë të pushtonin Shkodrën pavarësisht se në Konferencën e Paqës në Paris kishin njohur shtetin shqiptar dhe kufijtë e tij. Me tu lëshuar kushtrimi rreth 200 vullnetarë nga Shkodra do t’u bashkoheshin dy kompanive të xhandarmërisë të komanduara nga minstri i brendshëm 25-vjeçar, Ahmet Zogu dhe sapo ushtria italiane do të largohej nga Vlora mbi 300 vullnetarë nga pjesë të tjera të Shqipërisë do të mbërrinin në brigjet e Bunës të gatshëm për të kaluar në veprime luftarake. Ndërkohë, sipas shtypit të kohës, 200 luftëtarë nga Gjakova e Prizreni ishin rreshtuar përkrah vullnetarëve shkodranë kurse 260 vullnetarë të tjerë nga Kosova ndodheshin të dislokuar në Shkodër në pritje për t’u nisur në frontin e luftimeve. Një rast i veçantë është edhe ai i personalitetit arbëresh, Terenc Toçi, i cili, vullnetarisht, do të vendosej në Shqipëri që në vitin 1911 me qëllimin për të krijuar një qeveri të përkohshme gjë të cilën edhe e arriti me përkrahjen e disa prej krerëve të Veriut. Para se të vinte në Shqipëri, Terenc Toçi kishte qenë në Amerikë në përpjekje për të sensibilizuar komunitetin e atjeshëm në mbledhjen e fondeve për organizimin e luftës në Shqipëri si dhe për të tërhequr vemendjen e perëndimit lidhur me çeshtjen shqiptare. Duke qenë se dhe unë nuk jam një historian i mirëfilltë, është e kuptueshme që shembujt e përmendur më sipër janë vetëm një pjesë shumë e vogël e morisë së madhe që ofron historia e kombit shqiptar lidhur me këtë aspekt. Por nga ana tjetër, më shqetëson fakti i pamohueshëm që ne shqiptarët kemi mangësi të konsiderueshme për të evidentuar jo vetëm ndjenjën e “vullnetarizmit” nëse do ta quaja kështu, por edhe shumë cilësi pozitive e vlera që kemi si komb në përgjithësi. Kështu, në muzeumet tona mund të gjesh shumë pak materiale, dokumente e objekte të tjerë me të cilat mund të ilustrohet konkretisht gatishmëria e treguar historikisht nga shqiptarët për nisma vullnetare në mbrojtje të interesave të atdheut e kombit. E njejta gjë mund të thuhet dhe për ata që merren me historinë, të cilët shpesh përqëndrojnë gjithçka rreth rolit të ndonjë individi duke injoruar të tjerët më saktë kontributin e këtyre. Jo rrallë ka ndodhur që edhe heronjtë tanë i kanë respektuar më shumë të huajt se sa ne vetë. Dhe pastaj ankohemi se “po këta heronj” po na i vjedhin të tjerët. Fakti që në qendër të Shkupit i ndërtojnë një monument madhështor Nënë Terezës, ndërsa në Tiranë janë munduar ta përjetësojnë me një statujë “lilipute”, në një shesh sekondar, flet shumë në këtë aspekt. Madje dhe nga lufta e UÇK-së e cila shërbeu si zanafillë për këtë shkrim, nuk mungojnë shembujt e nënvleftësimit të herojve. Heroi Bekim Berisha i cili dha jetën në betejën për mbojtjen e Junikut në vitin 1998 mund të thuhet se më shumë është nderuar në Kroaci, ku dhe atje u shqua në luftime të ashpra siç ishte Vukovari se sa në Kosovë. Presidenti kroat, Tugjman ndërsa bëri që kroatët të mbanin zi ditën e rënies së do të shprehej se “ Bekim Berisha është një hero, me të cilin duhet të krenohen Kosova dhe Kroacia” ndërsa me kohë i kishte dhënë dhe gradën e lartë të gjeneralit të ushtrisë kroate. Eshtë me të vërtetë për të ardhur keq kur përballesh me mungesën e kujdesit por edhe të përgjegjësisë që kemi në shqiptarët për të ngritur heronjtë, figurat e personalitetet tanë si dhe për të ruajtur objekte historike që kanë të bëjnë me ngjarje të rëndësishme historike. Siç duket nuk e marrim aspak në konsideratë rëndësinë që kanë gjëra të tilla në edukimin e brezit të ri me ndjenja kombëtare. Gjithashtu, nuk ka si të mos indinjohesh kur shikon që përballë interesash fare banale sakrifikohen materiale, dokumenta e objekte me rëndësi historike dhe pastaj studiuesit tanë detyrohen të gërmojnë në arkivat e vendeve fqinje.(Dielli, numer special 28 nentor 2013)
* Ne Foto, luftetaret e Batalionit Atlantiku, nga Amerika shkuan ne Kosove per ta cliruar nga pushtuesi serb