Në ceremoni Lulzim Basha, Ali Ahmeti dhe Hashim Thaçi/
Shtatorja e patriotit dhe atdhetarit të shquar Isa Boletini është inaguruar në Mitrovicë, në një ceremoni ku kanë marrë pjesë personalitete të politikës shqiptare. Ceremonia është hapur nga kryetari i komunës së Mitrovicës Avni Kastrati i cili ka shprehur rëndësinë e një evenimenti të tillë në 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë.
Në kuadër të festimeve të 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, në Mitrovicë është përuruar sot monumenti i patriotit të madh, Isa Boletini.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha nderoi sot figurën e Isa Boletinit dhe ka çmuar lart veprën së tij në Pavarësinë e Shqipërisë. Gjatë ceremonisë së vendosjes së shtatores së Isa Boletinit, Basha theksoi se burra si ai vijnë rrallë e vepra e tyre mbetet përjetë.
“Ai ishte një vazhdim mali dhe çdo fëmijë e di se malet nuk çrrënjosen. Fshati Boletin prej kohësh ka qenë i famshëm, kulla e Isës do të faktonte edhe dije, zgjim dhe vetëdije kombëtare. Kjo kullë e madhe ishte si një vazhdim mali, edhe Isa Boletini si një diamant i historisë shqiptare shkëlqen si ngahera, burra si ai lindin rrallë dhe ata janë mes nesh ngahera. Jam krenar që kam gjak si gjaku i tij dhe jam shqiptarë e bashkëkombës i tij. Ne sot e mot jemi me Isa Boletinin e Isa Boletini është me ne”- tha Basha, duke e cilësuar atë një nga ata burra që janë hipoteka dhe gjeneza historike e pavarësisë.
Në vijim të fjalës së tij, Basha vuri në dukje se ndjehet krenar për figurën e Isa Boletinit.
“Jam krenar që kam gjak si gjaku i tij dhe jam shqiptarë e bashkëkombës i tij. Ne sot e mot jemi me Isa Boletinin e Isa Boletini është me ne”- ka thënë Basha.
Më tej fjalën e mori dhe kreu i BDI, Ali Ahmeti dhe kryeministri Hashim Thaci që ngritën lart figurën e patriotit shqiptar.
Ndërkohë që kreu i qeverisë fliste, mes turmës kaluan kalorësit e pavarësisë. Të rinj të veshur me rroba tradicionale popullore të krahinës mbi kuaj sollën në vëmendje të të pranishmëve misionin e patriotëve dhe luftëtarëve shqiptarë të vitit 1912 që luftuan dhe kontribuan për të sjellë pavarësinë e shtetit shqiptar.
Basha: Burrat si Boletini, gjeneza e pavarësisë
I pranishëm ka qenë dhe kryetari i bashkisë së Tiranës Lulëzim Basha i cili në fjalën e tij ka përmendur faktin se Boletini luftëtar i lirisë që në moshën 17 vjeçare, së bashku me trimat e tij janë garda e parë shqiptare.
Në fjalën e tij kryebashkiaku i Tiranës vlerësoi rolin e Isa Buletinit në mbrojtjen e pavarësisë shqiptare të asaj kohe.
“Burrat si Boletini lindin rrallë janë gjeneza e pavarësisë”- u shpreh Basha.
Ahmeti: Boletini nuk reshti për aspiratën kombëtare
I pranishëm në këtë ceremoni kreu i BDI-së Ali Ahmeti vlerësoi figurën e Isa Boletinit, që u bë frymëzim për të gjithë luftëtarët dhe që nuk reshti asnjëherë së luftuari për aspiratën kombëtare.
Ai theksoi gjithashtu se nuk ka vend për të folur për ndarjen e Kosovës, pasi kjo është një çështje e mbyllur.
Thaçi: Sot Isa Boletini kthehet në Mitrovicën e tij
Pasi ka përshëndetur të pranishmit kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi u shpreh se 100 vjetori i pavarësisë e gjen Shqipërinë anëtare të NATO-s, dhe Kosovën të pavarur, dhe se sovraniteti i saj nuk do të cënohet.
“Në këtë 100 vjetor, Shqipëria anëtare e NATO-s. Kosova ka hyrë në 5 vjetorin e pavarësisë së saj. Janë këto arritje historike për të cilat u flijuan brezat”- theksoi Thaci.
Gjithashtu i pranishëm ka qenë dhe stërnipi i Isa Boletinit, Gazmend Boletini, i cili në emër të familjes së tij dhe pasardhësve të atdhetarit të shquar ka falenderuar të pranishmit dhe ata që bënë të mundur vendosjen e shtatores në Mitrovicë.
Aktiviteti është përmbyllur me një performancë të ansamblit të valleve Shota.(kronika u ndertua sipas shtypit)