Prof. Zymer Ujkan Neziri/
Shoqata e të Burgosurve Politikë e Kosovës përuroi vëllimin Shtigje të lirisë: Leksikon i të burgosurve politikë shqiptarë në Jugosllavi, 1944-1953, I. Përurimi, i drejtuar nga Binak Ulaj, veteran i Lëvizjes Kombëtare, u bë në sallën e Institutit të Historisë, në Prishtinë, më 27 dhjetor 2024. Fjalën e mirëseardhjes e mbajti Shefik Sadiku, kryetar i Shoqatës. Fjalë përshëndetëse mbajtën kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, si dhe drejtoresha e Institutit të Historisë, prof. dr. Teuta Shala-Peli. Veterani i Lëvizjes Kombëtare, Meriman Braha, foli në emër të Redaksisë (Zymer U. Neziri, Meriman Braha, Hydajet Hyseni, Berat Luzha, Binak Ulaj, Shefik Sadiku, Agim Sylejmani). Në emër të rreth 60 bashkëpunëtorëve të Leksikonit përshëndeti veterani i UÇK-së, Salih B. Lajçi, komandant brigade dhe i burgosur politik. Përurimin e mbylli me një fjalë rasti Zymer U. Neziri.
Përpos kryeministrit, Albin Kurti, dhe drejtoreshës, prof. dr. Teuta Shala-Peli, të pranishëm ishin edhe deputetët e Kuvendit të Kosovës, Avni Dehari, Gani Krasniqi, Hydajet Hyseni, Shemsedin Dreshaj, Enver Dugolli, familje të dëshmorëve, të burgosur politikë, luftëtarë të tri ushtrive tona çlirimtare, studiues e profesorë të Institutit të Historisë, të Institutit Albanologjik dhe të Universitetit të Prishtinës, mysafirë nga viset e ndryshme të Atdheut: nga Lushnja, nga Kërçova, nga Pollogu, nga Plava e Gucia, nga Medvegja, Bujanoci e Presheva dhe nga viset e tjera.
Ky libër, i financuar nga Korporata Energjetike e Kosovës, ka rreth 300 biografi të të burgosurish politikë. Ata i kishte dënuar pushteti jugosllav gjatë viteve 1944-1953. Ishin nga Kosova, Maqedonia Perëndimore, Lugina e Preshevës, Sanxhaku i Pazarit, Plava e Gucia, Ulqini me rrethinë. Disa i kanë dënuar me vdekje, i kanë pushkatuar, ose kanë vdekur në burgje dhe varret ende nuk u dihen. Vetëm të asaj periudhe, 1944-1953, kemi në evidencë rreth 900 sish. Vëllimet e tërësishme të planifikuara, 1944-1999, kalojnë shifrën dyzet, për rreth 12 mijë biografi. Por, ky projekt i madh kombëtar dhe evropian nuk mund të realizohet pa u themeluar Instituti përkatës, i cili më herët është miratuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Me këtë leksikon njëkohësisht po fillon edhe larja e borxhit për të pasuruar historinë tonë më të re me portrete të vuajtësve të dënimeve, që sipas historianes Sabile Keçmezi-Basha, janë rreth 700 shekuj burg politikë në burgjet jugosllave, në periudhën 1944-1999, e ndër ta i famshmi Adem Demaçi. Po ia shtuam kësaj shifre edhe rreth 300 shekuj të tjerë të viteve 1912-1941, del se për 100 vjet robëri jugosllave, veprimtaria e Lëvizjes Kombëtare është gjykuar me rreth 1000 shekuj burg politik. Mesatarisht, në çdo vit robërie kemi nga dhjetë shekuj burg politik.
Vuajtje të rënda për ata brenda edhe për ata jashtë. Jugosllavia ishte burg kolektiv për shqiptarët. Brenda atij shekulli edhe qindra e mijëra i kanë vrarë, i kanë përndjekur dhe i kanë shpërngulur në Turqi, por Lëvizja Kombëtare nuk është ndalur me kryengritje e demonstrata deri te lufta e brezit të Adem Jasharit, 1997-2001.
(Shtigje të lirisë: Leksikon i të burgosurve politikë shqiptarë në Jugosllavi, 1944-1953, I, përgatitës për shtyp Zymer Ujkan Neziri, 462 faqe (Prishtinë: Shoqata e të Burgosurve Politikë e Kosovës, 2024), ISBN 978-9951-833-12-7; 978-9951-833-13-4.