ZGJEDHJA E QEVERISË SË KOSOVËS SI E PËRCAKTON KUSHTETUTA/
Në Kushtetutën e Republikës së Kosovës për zgjedhjen e e Qeverisë shkruan:/
“Neni 95 [Zgjedhja e Qeverisë] 1. Pas zgjedhjeve, Presidenti i Republikës së Kosovës i propozon Kuvendit kandidatin për Kryeministër, në konsultim me partinë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën e nevojshme në Kuvend për të formuar Qeverinë. 2. Kandidati për Kryeministër, jo më vonë se pesëmbëdhjetë (15) ditë pas emërimit, paraqet përbërjen e Qeverisë para Kuvendit të Kosovës dhe kërkon miratimin nga ana e Kuvendit. 3. Qeveria konsiderohet e zgjedhur nëse merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës. 4. Nëse përbërja e propozuar e Qeverisë nuk merr shumicën e votave të nevojshme, Presidenti i Republikës së Kosovës, brenda dhjetë (10) ditësh emëron kandidatin tjetër sipas së njëjtës procedurë. Nëse as herën e dytë nuk zgjidhet Qeveria, atëherë Presidenti i Kosovës i shpall zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se dyzet (40) ditë nga dita e shpalljes së tyre. 5. Nëse Kryeministri jep dorëheqjen ose për arsye të tjera, posti i tij/saj mbetet i lirë, Qeveria bie, dhe Presidenti i Republikës së Kosovës, në konsultim me partitë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën në Kuvend, mandaton kandidatin e ri, për të formuar Qeverinë. 6. Anëtarët e Qeverisë pas zgjedhjes, japin betimin para Kuvendit. Teksti i betimit rregullohet me ligj”.
SHTYPI I PRISHTINËS: QEVERIA E KOSOVËS VOTOHET PAS TAKIMEVE SERBE NË BEOGRAD
Sipas shtypit të Prishtinës, ka shumë gjasa që edhe seanca e ftuar për të shtunën e Kuvendit të Kosovës të zvarritet, së paku për disa orë, për shkak se deputetët e Listës Serbe, që po ashtu pritet të jenë pjesë e kabinetit qeverisës të Haradinajt, nuk kanë shumë gjasa që të mbërrijnë me kohë për fillimin e seancës në orën e caktuar.
“Lista Serbe, siç edhe ka paralajmëruar, para votimit të Qeverisë do të qëndrojë në Beograd për takime konsultuese me zyrtarët atje. Dhe janë takimet e caktuara në Beograd ato që duket se do ta pamundësojnë prezencën e deputetëve serbë në Kuvendin e Kosovës në orën 16:00.
Sipas një njoftimi të publikuar në ueb-faqen e Zyrës për Kosovë të Qeverisë së Serbisë, drejtuesi i kësaj zyre, Marko Gjuriç, do të presë kryetarin e Listës Serbe, Goran Rakiç, dhe deputetët e saj në Kuvendin e Kosovës, në ndërtesën e Qeverisë së Serbisë të shtunën në orën 13:00. Pas takimit, Gjuriç dhe Rakiç do të mbajnë një konferencë për gazetarë, në orën 14:00”, shkruan në numrin e të shtunës gazeta Koha Ditore me titullin “Qeveria e Kosovës votohet pas takimeve serbe në Beograd”.