Kolec Topalli, pasuria që la pas në studimet mbi historinë e gjuhës shqipe/
TIRANE, 24 maj /ATSH/ -Akademiku, gjuhëtari dhe studiuesi Kolec Topalli, me një kontribut të jashtëzakonshëm shkencor në fushën e studimeve mbi historinë e gjuhës shqipe, u nda nga jeta në moshën 80-vjeçare, duke lënë pas një trashëgimi të vyer në kulturën shqiptare.
Ai është autor i shumë veprave të rëndësishme studimore mbi gjuhën shqipe, monografi, përmbledhje studimesh dhe vepra kolektive. Ndër to përmendim vepra thelbësore si “Theksi në gjuhën shqipe” (1995); “Për historinë e hundorësisë së zanoreve në gjuhën shqipe” (1996); “Zhvillimi historik i diftongjeve të shqipes”(1998); “Shndërrime historike në sistemin zanor të gjuhës shqipe” (2000); “Fonetika historike e gjuhës shqipe” (2007); “Sonantet e gjuhës shqipe” (2001); “Mbylltoret e gjuhës shqipe” (2002); “Fërkimoret e afrikatet e gjuhës shqipe” (2003); “Dukuritë fonetike të sistemin bashtingëllor të gjuhës shqipe” (2004); “Bazat e fonetikës historike të gjuhës shqipe” (2005); Shoqëria “Bashkimi” (1899), Shoqëria “Agimi” (1901)” dhe “Shekulli i Komisisë Letrare Shqipe në Shkodër : (1916-1918) : 100 vjet të rrugëtimit të saj” të autorit Tomor Osmani; etj.
Kolec Topalli punën shkencore e ka nisur në fillim të viteve ’70, duke u përqendruar në fushën e historisë së gjuhës shqipe, si dhe ishte njohës shumë i mirë i frëngjishtes, anglishtes, gjermanishtes, italishtes. Ka dhënë leksione dhe ka mbajtur konferenca shkencore për historinë e gjuhës shqipe në Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi, si edhe në disa universitete e qendra shkencore jashtë vendit (Kozencë, Romë, Lecce, Palermo, Bari, Napoli, Mynhen, San-Peterburg, Detroit, Bukuresht, Zagreb, Glaskow, Krakov, Riga etj.).
Ka botuar artikuj shkencorë në disa revista të huaja (Gjermani, Itali, Rumani, Bullgari, Rusi, Kroaci etj.); ka referuar në shumë simpoziume e seminare ndërkombëtare dhe është anëtar i redaksive të disa revistave. Për 15 vjet radhazi (1994-2009) ka dhënë leksionet e Fonetikës historike në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Tiranës.
Për kontributin e tij në fushën e arsimit, në vitin 1993 është nderuar me titullin e lartë “Mësues i Popullit” dhe për meritat në fushën e shkencës, në vitin 1994 ka marrë titullin shkencor “Drejtues kërkimesh” (“Profesor”). Është zgjedhur anëtar i Akademisë së Shkencave në korrik të vitit 2008; rektor i shkollës së lartë “Gjon Buzuku” Shkodër në vitin 2010; anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës në vitin 2012. Vepra “Fonetika historike e gjuhës shqipe” është nderuar me çmimet “Ekselenca Shqiptare 2007” dhe “Çmimi i Albanologjisë 2008”. Më 2011 ka botuar veprën “Gramatikë historike e gjuhës shqipe” dhe është shpallur fitues i çmimit të Akademisë KULT 2012 për librin studimor më të mirë të vitit.
Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, si një homazh kushtuar akademikut dhe gjuhëtarit Kolec Topalli, çeli një ekspozitë përkujtimore me veprat dhe studimet e tij, si një vëmendje e veçantë kushtuar kontributit dhe personalitetit të tij të jashtëzakonshëm shkencor. /e.malaj/ /a.g/