
Me trishtim të madh dhe dhimbje të thellë morëm vesh lajmin e largimit nga jeta tokësore të Presidentit Bujar Nishani. Të gjithë si vatranë dhe shqiptaro-amerikanë u tronditëm nga kjo ikje e parakohshme në amshim e mikut të Vatrës, mikut të shqiptarëve përtej Atlantikut, President Nishanit. Në emër të Federatës Pan- Shqiptare të Amerikës VATRA, në emër të të gjithë vatranëve të Shqiptaro-Amerikanëve e të familjes sime ju përcjell ngushëllimet tona më të sinqerta e më të dhimbshme mbarë familjes Nishani, bashkëshortes Odeta, fëmijëve Ersi dhe Fiona, dhe gjithë të arfërmëve për këtë humbje të pa zëvëndësueshme. Ikja e President Nishanit varfëron shoqërinë, institucionet dhe politikën shqiptare. President Nishani kishte një vlerësim dhe respekt të veçantë për Vatrën e Vatranët. Ne do i jemi përherë mirënjohës për kujdesin dhe dashurinë e treguar ndaj nesh. Presidenti Bujar Nishani do të kujtohet gjithmonë në memorien tonë si njeri me integritet të lartë njerëzor, politik, njeri me largpamësi dhe me kontribut të shquar në forcimin e institucioneve, qeverisjen qëndrore dhe tranzicionin politik të Shqipërisë demokratike.
I paharruar përjetë kujtimi i burrit të shtetit shqiptar President Bujar Nishanit
I pikëlluar
Pranë jush dhe me nderime
Kryetari i VATRËS
Elmi BERISHA