Nga Rafael Floqi

Në vitet e fundit, Shqipëria është përmendur me një intensitet të paprecedentë në raportet e diplomacisë amerikane si një vend që rrezikon të kthehet në nyje të rëndësishme të krimit të organizuar global.
I njoftuari i shpëtuari
Paralajmërimi i fundit i Shteteve të Bashkuara, i përcjellë nga e Ngarkuara me Punë Nancy Van Horn, nuk ishte thjesht një mesazh diplomatik, por një diagnozë e qartë: mafia shqiptare ka hyrë në fazën e saj më të avancuar, është globalizuar, është strukturuar në mënyrë klanore dhe ka ngritur ura direkte me kartelet e Amerikës Latine. Fjalimi i saj para hetuesve të SPAK dhe BKH nuk ishte vetëm alarm për atë që po ndodh; ishte një akuzë ndaj institucioneve shqiptare që kanë dështuar të reagojnë ndaj pastrimit masiv të kapitalit kriminal që po përmbyt vendin.
Harta aktuale e mafies shqiptare
Për të kuptuar këtë transformim, nuk mjafton më të shohim brenda Shqipërisë. Harta aktuale e mafies shqiptare shtrihet nga portet e Guayaquil-it në Ekuador deri në laboratorët e Roterdamit, nga depozitat e Antwerp-it deri në rrjetet kripto të Londrës, nga Venezuela te Dubai dhe në fund prapë kthehet në Tiranë, aty ku kapitali i drogës kërkon formalizim dhe imunitet.
Ajo që përpara pak vitesh dukej si një bashkëpunim sporadik i grupeve shqiptare me kartelet, sot është sistem global i konsoliduar. Një prej provave më të qarta ishte operacioni ndërkombëtar “Kompania Bello”, i konsideruar nga Europol si goditja më e madhe ndaj rrjeteve shqiptare të kokainës. Në qendër të tij qëndronte Dritan Rexhepi, një figurë e padukshme për publikun, por e frikshme për agjencitë e inteligjencës. Hetimet zbuluan laboratorë të tërë të kontrolluar nga shqiptarët, kimistë të trajnuar në Kolumbi, kanale të koduara komunikimi dhe marrëveshje direkte me kartelët e fortë latino-amerikanë. Ishte hera e parë kur autoritetet ndërkombëtare e pranuan se rrjetet shqiptare nuk ishin më “palë ndihmëse”, ato ishin kartel në vetvete.
Operacioni “Los Blancos” në Antwerp konfirmoi të njëjtën gjë. Në zemër të portit më të madh të kokainës në Europë, shqiptarët kishin ngritur një sistem të tërë korrupsioni dhe logjistike. Depo të fshehta, kompani guackë, ndërmjetës të infiltruar në dogana dhe ekipe të specializuara për manipulimin e kontejnerëve mbanin gjallë linjat që furnizonin Europën Perëndimore me kokainë të pastër. Operacioni gjerman “Flamingo” zbuloi një tjetër dimension: trafikun e heroinës me rrjete të sofistikuara, të maskuara si lëvizje emigrantësh, me itinerare të ndryshuara çdo 48 orë.
Mafia Shqiptare Oktapodi i etur
Këto operacione nuk ishin episode të izoluara, por kapituj të një transformimi të thellë. Mafia shqiptare sot funksionon si një trup unik me shumë koka, të organizuar mbi strukturën e klanit. Besnikëria familjare dhe e prejardhjes gjeografike e lidh më fort sesa ritualet e mafies italiane. Ndryshe nga Cosa Nostra, e cila ka hierarki të ngurta, kode të ngadalta dhe strukturë konservatore, mafia shqiptare është moderne, e zhveshur nga ritualet, agresive, mobile dhe jashtëzakonisht e gatshme për të marrë rrezik.
Ky fleksibilitet e ka bërë që ajo të zëvendësojë mafien italiane në korridoret kryesore të trafikut të kokainës. Mafia italiane, sidomos ‘Ndrangheta, ende mbetet e fuqishme, por është e goditur nga një valë e re arrestimesh dhe bashkëpunimesh me drejtësinë. Shqiptarët e shfrytëzuan boshllëkun dhe u shfaqën më të shpejtë, më brutalë, më të përkushtuar dhe më të gatshëm të negocionin vetë me Kolumbinë dhe Perunë. Prokurorët italianë e përshkruan në mënyrë lapidare këtë zhvendosje të pushtetit: “Shqiptarët punonin kur italianët flinin”.
Fitim me shpejtësi skëterre
Etja për fitim të shpejtë e ka bërë mafien shqiptare një strukturë të jashtëzakonshme të ekonomisë së zezë. Ndryshe nga strukturat italiane apo spanjolle që ndërtonin perandori ngadalë, shqiptarët blejnë, ndërtojnë, investojnë dhe riciklojnë paratë me shpejtësi marramendëse. Në Europë, kjo i ka bërë të pakapshëm. Ata nuk hezitojnë të përdorin dhunë, nuk ngadalësohen nga tradita, nuk e njohin frikën institucionale dhe kanë krijuar ekosistemin e tyre të brendshëm të krimit.
SPAK institucionet shqiptare asnjë kallëzim
Por ndërsa në Europë mafia shqiptare është forcuar për shkak të aftësive, në Shqipëri ajo është fuqizuar për shkak të dobësisë së shtetit. Paratë e krimit hyjnë lirshëm dhe legalizohen përmes ndërtimit dhe turizmit. Kulla shumëkatëshe ngrihen pa burim kapitali, kompani të reja marrin leje gjigante infrastrukture brenda pak ditësh, dhe resortet turistike rriten në zonat më të virgjëra të vendit pa marrë asnjë kredi bankare. Vetë SPAK ka deklaruar se institucionet shqiptare nuk kanë dërguar asnjë kallëzim administrativ për pasuritë e dyshimta, fakt që dëshmon mosfunksionimin e institucioneve të kontrollit financiar.
Rasti i familjes Hysa është ilustrim i qartë i këtij përdorimi. Të sanksionuar nga SHBA për trafik ndërkombëtar droge, ata kishin ngritur perandori të tëra biznesi në Shqipëri pa u penguar asnjë ditë. Fotografia ku një prej tyre hyn në zyrën e kryeministrit është simbol i asaj që ndodh sot: krimi nuk troket më te dera e shtetit, ai hyn brenda pa pengesë.
Albania como América Latina
Shqipëria rrezikon, kështu, të përsërisë modelin latinoamerikan, ku kapitali i krimit infiltruan strukturën ekonomike, politike dhe institucionale. Në Ekuador, kartelet morën kontrollin e porteve; në Venezuelë ata kapën ekonominë e ndërtimit dhe turizmit; në Honduras ndikuan drejtpërdrejt në politikë. Shqipëria është në rrezik t’i përjetojë të tre skenarët njëkohësisht.
Mafia shqiptare nuk është kufizuar në Amerikën Latine dhe Europë. Ajo është rrënjosur edhe në Mbretërinë e Bashkuar, ku rrjetet shqiptare janë shndërruar në kontrolluesit kryesorë të tregut të kokainës në Londër, Manchester, Birmingham dhe Liverpool. Raportet e inteligjencës britanike e përshkruajnë këtë fenomen si “strukturën më të sofistikuar kriminale në territorin britanik”, e cila kombinon importet nga Belgjika dhe Holanda me pastrimin e parasë nëpërmjet bastoreve online dhe kriptomonedhave.
Dubai, parajsa ky s’pyetet ku i gjete paratë
Parisë së krimit i mungon vetëm një element për të qenë e paprekshme: një destinacion pa pyetje. Dhe ky destinacion është Dubai. Në Dubai, shqiptarët blejnë prona, krijojnë kompani brenda 24 orësh, hapin llogari kripto, përdorin shërbime offshore dhe pastrojnë fitimet nga Guayaquil, Antwerp dhe Londra para se t’i kthejnë në investime të ligjshme në Shqipëri. Në Dubai nuk pyetet për origjinë kapitali, por për shpejtësi transaksioni. Kjo e bën atë parajsën perfekte të mafies shqiptare.
Dhe pikërisht këtu lind rreziku më i madh për Shqipërinë: vendi nuk është më thjesht stacion tranziti i drogës, por është kthyer në destinacion final të kapitalit kriminal. Shqipëria, ndryshe nga çdo vend tjetër europian, nuk ka struktura të forta të kontrollit financiar, nuk ka polici të specializuar për pastrimin e parave, paraja qarkullon cash. nuk ka transparencë për investitorët, nuk ka sekuestrime të rëndësishme dhe nuk ka vullnet politik për të ndalur këtë valë.
Call Center-at – kjo industri “e pafajshme”,
Në këtë klimë të turbullt, mafia shqiptare nuk është më një armik i shtetit , është kthyer thuajse në një partner strategjik, një lloj “investitori i huaj direkt” që operon pa tender, pa kontroll dhe pa asnjë ndalesë morale. Ekonomia rritet me para që askush nuk pyet nga vijnë, politika bën sehir, ndërsa administrata i shërben krimit me devotshmëri që nuk e ka treguar kurrë ndaj qytetarëve. Në Shqipëri, kush ka më shumë para të pista, merr më shumë leje ndërtimi. Kush ka më shumë lidhje kriminale, bëhet më i respektuar se ligji vetë.
Dhe pastaj vijnë Call Center-at – ajo industri “e pafajshme”, që sipas qeverisë është histori suksesi, por sipas dosjeve ndërkombëtare është supermarket i mashtrimit: mashtrime financiare, grabitje të kursimeve të europianëve, skema investimi që nuk ekzistojnë, dhe sipërmarrje fantazmë që zhduken sa hap e mbyll sytë. SPAK me në fund arreston disa prej tyre, por qeveria vazhdon t’i quajë “të rinj inovatorë”. Ironia është se në Shqipëri mashtrimi me telefon është bërë më i sigurt se biznesi i ndershëm: nuk ke nevojë të eksportosh më drogë, mjafton t’i vjedhësh gjyshes gjermanishtfolëse pensionin me një telefonatë. Ndërkohë në Tiranë, Call Center-at vazhdojnë të shiten si “startupe të suksesshme”, ndërsa janë në fakt shkollat e para të krimit ekonomik, akademitë ku trajnohen mashtruesit e së ardhmes. Sot vjedhin me telefon, nesër legalizojnë paratë në kulla, pasnesër blejnë pasqyra politike.
Nëse Shqipëria nuk ndërron kurs, dhe shpejt, atëherë rruga është e qartë: ose vendi do të bashkohet me Europën e ligjit, ose do të shndërrohet në një version ballkanik të republikave të kapura latino-amerikane. Deri tani, sinjalet e politikës shqiptare duken si “GPS i bllokuar”: gjithmonë të çojnë drejt rrugës së gabuar.
Dhe ja ironia më e hidhur: edhe vetë Nicolás Maduro, mjeshtër i regjimeve të kapura dhe ekonomive të krimit, i druhej ndikimit të mafies shqiptare në Ekuador – aq shumë sa filloi ta shihte atë si konkurrent serioz për kontrollin e territorit. Imagjinoni një diktator që i trembet një grupi shqiptarësh me kontejnerë, banane dhe laboratorë kokaine. Po ky është realiteti.
Kështu që pyetja nuk është më nëse mafia shqiptare ka zëvendësuar Cosa Nostra-n në korridoret e kokainës. Pyetja e vërtetë – dhe më sarkastike – është kjo: po shtetin shqiptar kush po e zëvendëson? Sepse në këtë ritëm, së shpejti mund të vijë dita kur Shqipëria të ketë nevojë të marrë “leje qëndrimi” nga vetë mafiozët që po e qeverisin nga prapaskena.
Në këtë klimë, mafia shqiptare nuk është më një armik i shtetit, është bërë partner i padukshëm i tij. Nëse Shqipëria nuk ndryshon kurs, atëherë e ardhmja është e parashikueshme: ose vendi do të bëhet pjesë e Europës së ligjit, ose do të rrëshqasë drejt modelit latino-amerikan të kapjes së shtetit nga krimi. Deri tani, fatkeqësisht, shenjat flasin për rrugën e dytë.
Dhe deri atëherë nuk dihet se cili “Maduro” do ta ketë radhën?