Elez Osmani/
Pas pushtimit nga shtetet e Bllokut fashist (prill 1941), Jugosllavia e Vjetër u shpërbë dhe u copëtua, po ashtu edhe trevat shqiptare që ishin nën sundimin e saj. Pjesa më e madhe e Kosovës, si dhe trevat veriperëndimore të Plavës, Gucisë, Rozhajës, Tutinit, Ulqinit, Tuzit, trevat lindore etnike shqiptare dhe pikërisht Tetova, Gostivari, Dibra, Kërçova e Struga u përfshinë në Zonën Italiane të pushtimit. Në bazë të Dekretit nr. 264 të Mëkëmbësit të mbretit, dt. 12 gusht 1941, këto territore iu rikthyen Shqipërisë. Kështu, me shtetin amë u bashkua një territor me një sipërfaqe prej 11.780 km katrorë me një popullsi prej 820.000 banorësh. Ndërsa pjesa tjetër e territorit të Kosovës u vu nën pushtimin bullgar dhe gjerman.
Kosova nën administrimin italian u nda në tri rajone administrative (prefektura): Prishtinë, Prizren dhe Pejë. Të gjithë banorët e Kosovës së pushtuar nga Italia, në bazë të dekreteve tetor 1941 dhe shkurt 1942, u bënë shtetas të Shqipërisë. Kjo gjendje zgjati deri në mbrëmjen e 8 shtatorit 1943, kur Italia kapitulloi.
Gjatë sundimit të tyre, italianët paraqiteshin si kujdestarë të secilës prej feve të shqiptarëve, dhe Islami për arsye të epërsisë numerike, në drejtimin italian të kulteve në Shqipëri, trajtohej, me një konsideratë oportune. Duke respektuar përpjesëtimet numerike, angazhimi më i madh i politikës fetare italiane në Shqipëri synonte, pra, të kënaqeshin kërkesat e përfaqësuesve myslimanë, të cilëve u referoheshin nga pikëpamja ideore më se dy të tretat e popullsisë shqiptare, dhe, pas krijimit të Shqipërisë së Madhe, pothuaj 80% e saj. Me fjalë të tjera, myslimanët shqiptarë gradoheshin në rangun e ruajtësve të ekuilibrave fetare shqiptare.
Kështu, ndryshimet e mëdha, të shkaktuara nga rrethanat politike shoqërore ndër shqiptarë, ndikuan edhe organizimi i ri fetar, ndaj në qershor 1941 bëhet një riorganizim i Komunitetit Mysliman Shqiptar, duke zëvendësuar Këshillin e Përgjithshëm të Bashkësisë, organizëm i Shqipërisë së “vogël”, me një Këshill të Ylemave, pesë anëtarët e të cilit u emëruan që të gjithë nga qeveria e asaj kohe.
Myslimanët shqiptarë i shfrytëzuan me zgjuarsi kushtet e krijuara nga zhvillimi i luftës, sidomos ndryshimin e kufijve – forcuan lidhjet me myslimanët shqiptarë të Kosovës, të trojeve shqiptare të Malit të Zi, të trojeve shqiptare të Maqedonisë si dhe të popullsisë çame. Vajtje-ardhjet, bashkëpunimi i tyre, i forcoi tepër lidhjet dhe ndihmoi në ngritjen e ndërgjegjes kombëtare në ato zona. Një pjesë e literaturës islame në gjuhën shqipe, e panjohur më parë nga popullsia e zonave të pushtuara nga ish-Jugosllavia dhe Greqia, filloi të hynte në ato troje dhe të luante një rol të rëndësishëm në pikëpamje fetare.
Kjo ishte një mënyrë për të krijuar një hapësirë për të përfaqësuar myslimanët e territoreve të tjera, që deri në ato kohë ndodheshin jashtë kufijve të Shqipërisë londineze, territore, të cilat, me situatën e krijuar, iu bashkuan atdheut mëmë.
Meqenëse me Bashkësinë Islame në Kosovë udhëhiqte Ulema Mexhlisi me seli në Shkup (organizim në kuadër të Jugosllavisë), paria islame në Kosovë, duke iu përgjigjur rrethanave të reja, dhe me ndihmën e Tahir Kolgjinit riorganizohet.Ai në një shkrim të botuar te Koh Jonë ndër te tjera shkruan”
“….Pikë së pari iu drejtova të ndiemit Hafiz Abdullah Telaku nga Prizreni që ishte kryetar i imameve zyrtarë dhe njeri sa i dijshëm,aq edhe atdhetar, te cilin e kam pas njoftun qysh në vje tin 1922.Bisedoj me te dhe ia shpjegoj çeshtjen. Më pranoi pikpamjen pa nji pa dy..Vendosem bashkë që ti thërrasim imamët zyrtar të vendeve të lirueme në nji kongres të klerit mysliman në Prizren dhe në këtë kongres, mbasi të diskutohej çështja, të demarshohet pranë autoriteteve në Tiranë…Data e kongresit u shënua fundi i nantdorit 1941 tue u shenue edhe vendi i mbledhjes. Gjithsejt ishin 52 imamë zyrtarë…Shkrova me daktilo pesdhejtë e dy letra,tue i ftuem imamët qi të paraqitën në Kongres.
Dhe kështu, për këtë qëllim, u mbajtë Kongresi në nëntor, në të cilin morën vendimet e duhura për t’i integruar e për t’i bërë pjesë përbërëse të Komunitet Mysliman të Shqipërisë edhe strukturat e Bashkësisë Islame të Kosovë.
Në procesverbalin e mbajtur nga punimet e Kongresit të Prizrenit, thuhet:
“Mbas bisedimesh të zhvilluara, si program punimi u arrit në vija të përgjithshme:
1)Ky kongres ka për qëllim kryesor me i ardhe në ndihmë sa më mirë “Bashkimit Kombëtar”;
2)Kongresi si interpret i popullit musliman kosovar, dëshiron me ndjekë qëllimin për me pasë, sa të jetë e mundur, të perfeksionueshëm një organizimin fetar për realizimin e parimeve të nalta islame;
3)Përderisa të stabilizohet gjendja juridike e vendeve të çlirueme, kongresi e mendon të nevojshme që administrimi fetar në këtë vend të dirizhohet prej një Myftiu të Përgjithshëm dhe i përbërë prej 4 anëtarëve të zgjedhun nga ky kongres, me qendër funksionimi Prizrenin.
Këshilli në fjalë ka për kompetencë me zgjedhë sekretarin e përgjithshëm të Këshillit të Naltë të Sheriatit…
Në harmonizim me përmbajtjen e këtij programi, prej shtatë pikash, të gjitha kompetencat e “Ulema Mexhlis-it” si dhe ato të Drejtorisë së Vakfeve të Shkupit, i mveshen Këshillit të Naltë të Sheriatit në Prizren.
Nga të dhënë që disponojmë në Kongresin e parisë islame të Kosovës në Prizren morën pjesë: 1) Hafiz Abdullah Hizri; 2) Asim Lusha; 3) Hasan Islami; 4) Hafiz Qemali (kundër); 5) Hafiz Vejseli; 6) Hasan Sulejmani; 7) lmer Mustafa; 8) Ahmet Latifi; 9) Mehmet Ademi. 10) Sulejman Jakupi; 11) Qemal Hamiti; 12) Rexhep Bajrami; 13) Rexhep Arifi; 14) Fetah Haxhi Abdullahu; 15) Beqir Bajrami; 16) Mehmet Haxhi Hasani; 17) Bajram Shabani; 18) Bahtjar Neziri; 19) Salih Ramadani; 20) Xhemal Limani; 21) Faik Sherifi; 22) Hafiz Sadik Shporta; 23) Qemal Emini; 24) Qamil Hurshiti; 25) Beqir Hizri; 26) Sulejman Esati; 27) Abdyl Ahmeti; 28) Ejub Bajrami; 29) Maliq Sulejmani. Ndersa Tahir Kolgjini, më 10.02 1986 në Revistën “Koha Jonë”ftvgyfggyhuji thekson se: U paraqitën pesëdhjet e nji,pasi nji prej tyre paska pas kenë i semute. Dhe në daten, kohën dhe vendin e caktuem u hap Kongrsi i Klerit Mysliman i vendve të lirueme.Kongresisn e kryesoi Hafiz Abdullah Telaku”
Kongresi mori vendim që, strukturat e Ulema Mexhlist tani e tutje t’i quante Këshilli i Naltë i Sheriatit me qendër në Prizren, si dhe emëroi strukturën e re drejtuese në krye me Hfz. Ali Krajën.
“Ne të nënshkruemit, pjesëtarë të Kongresit të Klerit Musliman të Kosovës, në konformitet me programin e punimeve, redaktue me datë 22. XI. 1941, si përfaqësues të popullit musliman të Kosovës për me dirizhue veprimet e “Ulema Mexhlis-it”, me cilësinë si Këshillë i Naltë i Sheriatit, me qendër në Prizren dhe me kompetencat që akordojnë ligjet në fuqi, me unanimitet votash emërojmë personat e poshtëshënuar:
1) Z.Hafiz Ali Kraja nga Shkodra, Myfti të Përgjithshëm;
2) Z. Haxhi Iljazi, nga Prishtina, anëtar;
3) Z. Hasan Islami, nga Gjakova, anëtar;
4)Z. Hafiz Sulejmani, nga Tetova, anëtar;
5)Z. Abdullah Hizri, nga Prizreni, anëtar.
Me qëllim të funksionimit sa më efikas Kongresi për çdo anëtar të Këshillit i cili për çfarëdo arsye mund të mungonte në mbledhjet e Këshillit emërohen anëtarët rezervë-zëvendësues për secilin prej tyre. Me këtë rast, Kongresi emëron kryetarin e tij të përkohshëm, z. Hafiz Abdulla Hizrin (Telakun). Kështu që nga viti 1941 Kryesia ë Këshillit të Ylemave të Komunitetit Mysliman më seli në Tiranë ushtronte pushtetin e vet gati në tërë hapësirën shqiptare. Më rregullat e reja administrative fetare u formuan edhe kryemyftinitë, myftinitë, nënmyftinitë dhe imamët e xhematit.
Kryetari i ri i myslimanëve shqiptarë, në cilësinë e kryetarit të Këshillit të Ulemave, ishte, nga 16 qershori i vitit 1942, Hafiz Sherif Langu, atdhetar që kishte marrë pjesë më 28 nëntor 1912 në ngritjen e Flamurit më rastin ë Shpalljes së Pavarësisë.
Më 16 tetor 1943 mblidhet Kuvendi Kombëtar. Ftohet të marrin pjesë kryetari i Këshillit të Ulemave dhe kryemyftinjtë:
l) Muharrem Mullaj – kryemyfti i Tiranë,
2) Hafiz Sabri Bushati – kryemyfti i Shkodër;
3) Hasan Islami- kryemyfti i Prizren,(lexo Dukagjinit)
4) Rexhep Remziu – kryemyfti i Prishtinë..
Ftesa këtyre u ishte bërë nga Ibrahim Biçaku.
Gjatë kësaj përudhe u bë edhe riemërimi i imamëve të xhematëve. Të gjitha dekretet e emërimit për nëpunësit fetarë islam lëshoheshin nga kryeqendra në Tiranë. Ata veprimtarinë fetare e gërshetuan më çështjen kombëtare shqiptare. Kjo shihet nga dokumentacioni i shumtë i kësaj kohë ku, pos tjerash, thuhej: “Imamët do të qëndrojnë kurdoherë në krye të detyrës që u është ngarkuar dhe njëkohësisht do të japin vaiz fetar dhe atdhetar”.
Të gjithë hoxhallarët dhe nëpunësit fetarë, shtetëror dhe fetarë që mund të ushtronin detyrat e veta, ishin të obliguar të posedonin dekretin e emërimit të Kryesisë të Këshillit të Ylemave të Komunitetit Mysliman në Tiranë, Para çdo dekretimi, kandidati ishte i obliguar të betohej në besnikëri ndaj fesë dhe atdheut
Teksti i betimit ishte i njëjtë për të gjithë dhe ai kishte përmbajtje fetare dhe kombëtare mjaft domethënëse.
“Betohem në emën të Perëndisë se do të jam besnik i shtetit Shqiptar, i Statutit, i Atdheut e se do të kryej detyrën t’eme me ndërgjegje të pastër Kombëtare, tue ruejt besnikrinë e urdhnavet fetare dhe tue respektue plotësisht statutin e gjithë Rregulloret e Komunitetit.”
Dhënia e betimit para organeve kompetente atë kohë bëhej sipas nenit 26 të Statutit të Komunitetit Mysliman dhe atë duhej ta kryenin-jepnin të gjithë nëpunësit fetarë, përfshirë këtu edhe imamët dhe myezinët.
Per organizimin dhe ideshmërinë e këtij integrimi mësojmë nga një shpjegim që e bën Tahir Kolgjini:
Ai i shkruante Mustafa Krujës.
“Në Egjipt në “Revak el Etrak” ne konviktin e studenteve turq (lexo europianë ) të “Al Az-harit”, në Kajro, ndodhet hafiz Teufik Islami, nga Gjakova, llagapi i tij asht Xhehenemi. Në Kosovë ia njohë vëllain Hasan efendi Xhehnemi. Të dy janë nga të diplomuem në t’Ezherit. Hafiz Teufikun nuk e njoh drejtpërdrejt. Mirëpo e di që asht dijetar dhe orator, ndër njerëzit e penës e hoxhallarët e shekullit. Myfti Salihu e njeh. Ndonji here qenkan takuar me te. Ky djal i ri e me vlera asht kandidat qe ne të ardhmen të bahet kryetar i Bashkësisë Muslimane.
Miku jem gjakovar, Beqir Maloku,qe gjendet në Izmir- nuk ka lidhje me Kristë Malokun-do t’i shkruej që të lidhet me ju..Edhe unë po të rekomandoj. Duhet ta shfrytëzojmë ndikimin e tij në Deçan. Edhe për Shqipninë e vjetër, edhe për Kosovën, ka shumë punë me ba. Njihu me te, që ta njohesh personalitetin dhe mandej, mendimet e bindjet e tua, t’i bajnë edhe atij dobi… Nëse dëshiron t’i bash fjalë, për mua, para se të mberrijsh ne kryeministri, asht mirë që ti flasish për një kongres që u mblodh në Prizren, i përbamë prej pesëdhjetë klerikësh. Boshti qi lëvizi kët Kongres të njohun isha unë. Madje, edhe kur të pata vizitue në Kryeministri të dhash do spjegime… Qëllimi jem ish “Laicisme”,as qeveria te mos lidhet mbas fesë e as feja mbas qeverisë. Do me thanë, autonomia e fesë, sidomos për të ardhshmen në Kosovë, ishte nji gja shume e rendesishme “
Ndërsa në autobiografinë e tij, Tahir Kolgjini e shtjellon edhe me shume këtë ngjarje:
“Ishte Nandori 1941. Shkova në Prizren-Gjakovë-Krumë dhe në ket rasë mora kontakte me klerin e Prizrenit dhe të Gjakovës. Dakord me ‘ta… dhe në marrëveshje me Hafëz Abdullah Telakun dhe me disa të tjerë, provokova mbledhjen e klerit mysliman të vendeve të lirueme dhe si erdhën të gjithë, me cillësinë t’eme si sekretar i këtij kongresi, mbajta nji bisedë mbi randësinë e çashtjes dhe u lshue nji vendim, i cilli, iu njoftue Tiranës se, elementi mysliman i vendeve të lirueme, do të vazhdojë në zbatimin e dispozitave të autonomisë fetare, pa marrun parasysh pjesën e legjislaturës shqiptare, qi vjen ndesh me to. Ky njoftim, iu ba Mbëkambësisë, Ministrisë së Drejtësisë, Kryeministrisë dhe Ministrisë së Mbrendshme.
Kur këthej në Kukës, gjej nji telegram të Ministrit të Mbrendshëm, qi thotë: -Kryetar’ i asaj Bashkije, të mos largohet nga qendra pa lejen e kësaj ministrije.
– Si duket, Komisari i Naltë për vendet e lirueme, Fejzi Alizoti, më kishte raportue randë. Zemrohem dhe kërkoj leje. N’ato ditë, kishte ardhun në fuqi Mustafa Kruja, i cilli, përveç kryeministrinë, kishte marrun përsipër dhe dikasterin e mbrendshëm.
-Shkoj në Tiranë. Vizitoj dhe uroj Mustafa Krujën. Pyetja e parë, qi më bani, qe: “Ç’asht Kongresi i Klerit Mysliman në Prizren?” Ia shpjegova; U bind dhe m’u përgjegj: “Keni të drejtë!”…
Kush ishte Tahir Kolgjini
Ky ka lënë një autobiografi të titulluar “Jetëshkrimi i em shkurtimisht…” ku pos tjerash thekson:
-“Kam lemë në Lamshejtë të Lusnës më 24 Prill 1903. Jam i biri i Ali, Osman, Hasan, Sulë, Idris, Sulë, Bajram, Shahin Kolgjinit. Nana e eme, asht Qamile Kolgjini, e bija e Sadik Totës nga katundi Vilë po i Lumës.
Kam pasë vazhdue dy vjet mësimet në shkollën fillore të katundit Lusën, tue pasun si mësues nji farë mulla Ademin nga katundet e Shkupit. N’ato vjet, me ndërmjetësimin e të ndiemit Sulejman Laçit nga katundi Bardhoc i Lumës, Stambolli, kishte hapun shkolla fillore turkisht në katundet Lusën, Imisht, Vilë, Kalisë, Kolesjan, Bicaj, Shtiqën, Topojan e tjera të Lumës. Ende janë gjallë disa njerëz, që kanë pasë ndjekun këto shkolla, si Muharrem Bajraktari në Belgjikë e Aziz Isak Azizi në Ferizaj”.
Në fillim të vjetit 1913, dy javë ma para se ushtrija serbe, të pushkatonte shtatëdhet’e pesë vetë nga katundi Lusën Familja e Tahirit emigron në Turqi, por edhe atje nuk gjenë rehati. ” Mbas gjashtë muejsh, kur Luma, me përjashtimin e disa katundeve, i ngeli Shqipnisë, em atë, me përjashtimin tem, pjestarët e familjes krejtsisht i këthej për Shqipni. “
Ndersa Tahiri vazhdon mësimet në Stamboll: “Mbrenda dy vjetve, mbarova shkollën fillore të quejtun “Sultan Mahmut”. Mandej, baba, më regjistroi në Medresen Darulhilafetulaliyye. Në ket institut, vazhdova mësimet deri në vjeshtën 1924 dhe pastaj u ktheheva në vendlindje.”
Prej vitit 1925 deri me 1932 kryen detyra te ndryshme arsimore, pedagogjike , shoqërore – politike dhe juridike gjithandej nëpër Shqipëri. Për të vazhduar kështu edhe me ardhjen e italianeve, siç shprehet edhe vet:
“Me 7 Prill 1939, shkarkuen italianët. Me 13 Prill 1939 erdh Konti Çiano në Tiranë dhe disi deklaroi se, Shqipnija, do t’ishte e pavarun, vetëm se kunorën mbretnore, ushtrinë dhe xhandarmërinë do t’i kishte të përbashkëta me Italinë. “Kur s’asht pula, hahet sorra”…
Mbas shkatrrimit të Jugosllavisë, me 15 Prill 1941, shkova në Prizren dhe mora në dorzim Bashkinë e qytetit, për të kthyem formalitetet në shqip, ku vazhdova si kryetar deri në fund të Tetorit t’atij vjeti dhe mandej ktheva në bashkinë e Kuksit…
Masandej Ministrija e Mbrendshme, me transferoi si prefekt i klasit të parë në Prishtinë.
Në Prishtinë, bana shërbim deri në vjeshtën e vjetit 1943. Erdhën gjermanët në Shqipni. Xhafer Deva, qi ishte ministër i mbrendshëm, më ngarkoi me detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë. E pranova…”
Tahiri si antikomunist
Autori i këtij shkrimi, si gazetar i Programit Dokumentar – Fejtonistik, në Televizionin e Prishtinës, gjatë viteve 1980-89, ka takuar bashkëbisedues të ndryshëm të cilët e njihnin Tahir Kolgjinin dhe flisnin me simpati për punën dhe personalitetin të tij, si antikomunist dhe anti sllavist. Bile thoshin se ai ishte shumë i afërt për të biseduar me popullin dhe e njihte shumë mirë mentalitetin dhe hallet e tyre.
Komunistëve dhe serbëve të ardhur- kolonistëve, të cilët u kishin marrë fshatarëve tokën shtëpitë, pyjet etj., me bekimin e Mbretërisë Serbe, u kishte shpallur luftë të hapur, thoshin ata. Këtë segment të veprimtarisë se tij e përmend edhe Fadl Hoxha në ditarin e tij të luftës “Kur pranvera vonohet”, fq.122-123, ku shkruan:
“ 13 Prill 1943
Qysh dje Velku na tregoi se në Dobranjë gjenden dy mësues shqiptarë, simpatizues të LNÇ…Mësuesit na informuan gjerë e gjatë se si ishte situata në Prishtinë, në Lipjan e në vende të tjera përreth Prishtinës. Treguan se si prefekti, Tahir Kolgjini, me atë demagogjinë e vetë djallëzore, me dua e sure dhe me Kuran në dorë, i ka shtie burrat e Kosovës që të betohen se do të luftojnë kundër partizanëve; se mban lidhje direkte me të gjitha kapobandat e vullnetarëve dhe i paguan mire; se këto banda janë të armatosura me pushkë dhe automatikë dhe kanë kontroll të plotë gadi në të gjitha fshatrat. Politika e Tahir e Kolgjinit ka për qëllim të asgjësoj LNÇ dhe te bëjë presion kundër të gjithë kolonistëve me qëllim që të largohen nga Kosova.
Kapobandave e vullnetarëve u ka premtuar tokën e kolonstëve, kurse shqiptarëve u thotë se italianët janë kundër asaj që kolonistët të dëbohen nga Kosova. Prandaj ata edhe kundër dëshirës së italianëve , duhet të bëjnë presion mbi kolonistët, ndërsa serbëve vendës duhet shtuar zullumin dhe të shtërngohen qe t’ua japin bereqetin bejlerëve dhe agallarëve…..Njerit prej mësuesve që mu duk më i vendosur, ia ngarkova për detyrë që ta vrasë Tahir Kolgjinin. I thash se po ia japim dy partizanë me vete qe t’ua bëjë te mundshme të kontaktojnë me Tahir Kolgjinin.
U prenë të dy, duke belbëzuar, zunë të më bindnin se, gjoja kjo punë është e pamundur, meqë prefekti ruhet prej një mori njerëzish”…
Me ardhjen e komunistëve ne Shqipëri Tahiri në Gusht 1944, largohet nga Tirana për në Shkodër. Më 24 Nëntor 1944 bashkë me kapedanin e Mirditës, Gjon Marka Gjonin, pas një udhëtimi te gjatë e të mundimshëm mbërrin në Vjenë, duke kalua nëpër vende të ndryshme në Jugosllavi.
“Me 3 Prill 1945, jam nisun nga Viena me tetë shokë, tue kalue Brenerin me 19 Prill 1945.
Kam shkue në Milano. Me kamiona amerikanë, u nisëm për Romë.
Në Romë, si u regjistruem në kampin “Cine Citta”, na nisën për “Santa Maria Di Leuca” dhe në vjeshtën e vjetit 1945 ne shqiptarëve na çuen në “Ex Casa Balila” në Reggio Emilia. Këtu kemi qëndrue shum vjet dhe mandej ata, qi ishin regjistrue me emigrue për Turki, u nisën për Napoli.
Me 27 Qershuer 1948, me vaporin “Istanbul” jemi nisun njimijë shqiptarë dhe me 30 Qershuer 1948, kemi mbërrijtun n’Istanbul.”
Tahir Kolgjini në Turqi fillon jetën e re, natyrisht me vështirësitë më të mëdha që e përcjellin çdo emigrant. Në një letër dërguar Mustafa Krujës i përmend disa nga vuajtjete tij.
Por ky nuk ndalet se punuari për çështjen kombëtare dhe atë shkencore .Ai nga Stambolli ka botuar libra dhe shumë artikuj të karakterit historiko-kombëtar..
Tahiri edhe në emigracion ishte i percjellë nga UDB-j. Ja një shënim i shkurtër nga UDB-ja për Tahir Kolgjinin: ”…Familja i ka mbetur në rrethin e Kukësit… Me të ardhur në Turqi, martohet përsëri. Gruaja e tij, këtu në Turqi është floktare dhe e ka punëtorinë e vet. Është simpatizant i Bllokut dhe shpeshherë ka marrë ndihma nga kryetari i Bllokut, Shevqet Verlaci. Ndërkohë, nga viti 1948 deri më 1952, ka marrë pjesë dy here në konferenca të mbajtura në Romë, si përfaqësues-simpatizant i Bllokut në Turqi. Në Jugosllavi e ka kushëririn, Rifat Kolgjinin, nga Luma, me të cilin ka letër këmbim. Ky gjendet tek ne si emigrant…”
Nipi i tij, Dr Mithat Gashi, i cili jeton dhe punon në Nju Jork , kur po e përgatitnim këtë shkrim, na tha se kemi arritur ta kompletojmë deri diku, por jo të tërën, publicistikën e tij dhe së shpejti do ta botojë, shtëpia botuese “Logos A” në Shkupit, që nënkupton një komplet prej disa veprave
Nr. 1. Faksimil procesverbalit të betimit të kryemyftiut të Prizrenit Hasan Islami
Nju Jork, 2023