Behar Gjoka/
Petro Marko gjatë kohës që qëndroi në Spanjë me brigadat internacionale, pati rastin të takohej me shumë personalitete të artit dhe letërsisë. Ndër personazhet më të rëndësishëm që ka takuar është edhe shkrimtari amerikan Ernest Hemingway. Në librin autobiografik ‘Retë dhe gurët’ Petro Marko e kujton Hemingwayn si më poshtë:
“Para se të mbaronim kursin në Pozo Rubio, erdhën shumë personalitete dhe na folën. Mbaj mend kur na erdhën Hemingueji dhe Ehremburgu. Isha kureshtar për këto dy figura të njohura dhe u shkoja pas. Pas fjalimeve që mbajtën-i pari foli për luftën e bashkimit dhe të clirimit të Shteteve të Bashkuara, i dyti për luftën e Napoleonit në Rusi-na dhanë cigare.
U shkoja pas. I tha Ehremburgu Heminguejit:- Shumë i rënduar je me këta hekura në sup e në kurriz!(se Hemingueji ishte i ngarkuar me aparate kinematografike, me armë, me dylbi, me bomba, xhironte filma nga fronti dhe i shiste për Republikën.) –
Më shumë më rëndojnë mendimet sesa hekurat! iu përgjigj Hemingueji.
Unë i kisha parë këta dy shkrimtarë në Konferencën e Shkrimtarëve Antifashistë, që u mbajt në Valencia.
Mbaj mend se nga Bashkimi Sovjetik ishin Aleksej Tolstoj, Ehremburgu e të tjerë. Nga Gjermania-Ana Segers, Ludvig Reni. Ishin aty Pablo Neruda, Nikolas Guilen, Cezare Valejo, Neksoe, Andre Marlo e shumë e shumë shkrimtarë e poetë nga Anglia, Amerika Latine, Evropa. Unë isha si i ftuar dhe dëgjoja zërin e kulturës botërore nga goja e njerëzve më të shquar të letërsisë së këtij shekulli.”