
Mark Simoni/
Sapo mësova se librat shqiptarë qenë nisur me anije prej atdheut, për të përshkuar detra e oqeane deri këtu në New York, ky gjest më romantizoi shumë. M’u kujtuan ato letra të futura në shishe, që marinarët i hidhnin në ujërat e botës me shpresën se dikush, diku, do t’i gjente.
Nuk ishte vetëm udhëtimi i librave nëpër detra e oqeane që më intrigoi, por sidomos fakti se, ashtu si çdo letërsi e madhe që mbart brenga, pritje, nostalgji, dhimbje e ankth, edhe këto libra bartnin në vetvete të njëjtat fate, si ato letrat e shisheve që udhëtonin pafund në sipërfaqet e ujërave.
Transoqeaniku mbërriti në New York duke sjellë me vete qindra emra shkrimtarësh, subjektet e veprave të tyre, personazhet, ngjarjet dhe botët letrare që ato përshkruajnë. Për disa ditë, mallin e nostalgjinë e shqiptarëve të Amerikës e “invadoi” ky prurje librash, dhe madje edhe ata që ndoshta nuk kanë një marrëdhënie të fortë me librin, u bënë blerës të zellshëm, po me atë pasion që blihen sendet e çmuara të antikuareve që përfaqësojnë një komb.
Në Panairin e Librit Shqiptar ndodhën disa nga takimet më të bukura të botës sonë letrare. Pothuajse të gjitha shtëpitë botuese kishin sjellë fondet e tyre më të mira. Mes tyre, personalisht më la përshtypje prania e botuesit gjeneroz dhe altruist Bujar Hudhri i “Onufrit”, i cili mbetet një nga zërat më të angazhuar në mbështetje të letërsisë shqipe. Ai ka vënë në shërbim të saj edhe gazetën prestigjioze “ExLibris”, që sot është një tribunë e denjë e shpalljes së letërsisë më të bukur shqipe dhe e analizës së vlerave të saj estetike.
Po aq mbresëlënës ishte botuesi i mirënjohur Frano Kulli i shtëpisë botuese “Gjergj Fishta”, me stendën e tij të botimeve të veçanta – sidomos të letërsisë së traditës – një target botimesh shumë i kërkuar e tepër i vlerësuar nga vizitorët.
Më gëzoi shumë fakti që me këta dy botues, meqë kishim kohë pa u parë, mundëm të vijonim bisedat e lëna përgjysmë në Shqipëri: për konkurset letrare, për veprat që kanë ndikuar tek ndërgjegjja estetike e lexuesve (por që juritë jo përherë i kanë vlerësuar drejt), për letërsinë me subjekte personale dhe ngjarje autoreferenciale.
Takova, po ashtu, studiuesin dhe autorin e veprës “Kryqtari i fundit” (Gjergj Kastrioti Skënderbeu – Ditar diplomatik), gazetarin Virgjil Kule, një vepër e gjerë, e thellë dhe tejet studimore.
U takova dhe me autorin Pashko R. Camaj, libri i të cilit “Porosia e kullës” (botim i “Onufrit”), ka pasur një tur të suksesshëm promovimesh në mbarë hapësirën shqiptare. Ai më dhuroi disa nga veprat e tij.
Më priti dhe gazetari i talentuar Sokol Paja, një djalë i angazhuar, pasionant dhe me frymëzim të thellë atdhetare, i cili më foli me shumë entuziazëm për “Vatrën” dhe gazetën “Dielli”.
Në këtë event libri më shoqëroi vajza ime, Raisa Simoni, që prej disa vitesh jeton, studion dhe punon në Shtetet e Bashkuara.
Në një stendë plot emocion, takova për herë të parë poetin nga Kosova Ilmi Tahiri, të cilin e kisha përfshirë prej kohësh në kolanën e 12 Antologjive të “Muzgut”, por nuk e kisha takuar kurrë. Mora prej tij falënderime të ngrohta.
Dhe më në fund, njerëzit e së dielës – qindra besimtarë, sapo mbaruan meshën në “Kishën e Shkodrës” këtu në New York – zbritën me shumë dëshirë në hollin e gjerë ku ishte Panairi. Nderuan me praninë e tyre këtë ngjarje të kulturës dhe të librit, duke shfletuar e duke blerë shumë nga veprat e autorëve shqiptarë.
Mendoj se edhe vetë panairet janë njëfarë “meshe frymëzuese”, ashtu siç vetë letërsia është një formë besimi, një lloj religjioni i shpirtit.
Urime të gjithëve!
(Ky reportazh i shkurtër është botuar sot në faqen 3 të gazetës më të madhe letrare shqiptare, “ExLibris”.)