Qemal Agaj/
Në albumin fotografik, THE PHOTO BOOK, botuar në vitin 2000 nga shtëpia botuese Phaidon, me 500 fotografitë më të famëshme të shekullit, gjeta një imazh të fotografit tonë të shquar, Kel Marubi, me titull:’’ Captain Mark Raka with the Head of the Shala Clan,’’ 1922. Kjo shtoi kureshtjen time. Duke shfletuar, një fotografi e piktorit të famshëm Pablo Picasso duke vizatuar në hapësirë një figurë interesante nga ana grafike, emri i autorit – Gjon MILI. Korçë ( ALB ), 1904, Stamford CT. ( USA ), 1984.
Emri Gjon Mili, dhe origjina e tij shqiptare më tërhoqën vëmendjen. Në prezantimin e imazhit midis të tjerash shkruhej: ’’… Në poçerinë e tij në Vallauris në jug të Francës, Picasso sapo ka vizatuar një centaur në hapësirë, duke përdorur një dritë në errësirë.’’
Mësova se kishte botuar dy libra me tituj: ’’PICASSO’s THIRD DIMENSION,’’ 1970 dhe ‘‘Photographs & Recollections,’’ 1980.
Prezantimi i Milit nga botuesit e TIME Inc. dhe fjala e Jean- Pol Sartre me rastin e hapjes së ekspozitës së Milit në Paris, 1946, me të cilat hapet libri Photographs & Recollections, më bën përshtypje dhe fillova të kërkoj për fotografin. Kështu rash në grackën e Milit.
Por si doli më vonë ky ishte vetëm fillimi…
Në prezantimin nga TIME të librit, Photographs & Recollections dhe fjalës së Jean- Paul Sartre me rastin e hapjes së ekspozitës së Milit në Paris,1946, gjeta përcaktime dhe përshkrime të veçanta për karakterin, personalitetin dhe mënyrën si e shihte Mili artin e fotografisë.
Ç’farë kishin parasysh prezantuesit kur thonë: ’’Mili është mjeshtër i aksidentit të kalkuluar.’’ Me kohë mësova se, nëqoftëse është ëndërr e çdo fotografi, të ndodhet në vendin e duhur në kohën e duhur, Mili nuk e priste momentin, ai e krijonte atë.
Jean- Paul Sartre duket e njihte Milin nga afër kur thotë:’’…Mili dëshëron çdo gjë: Të ngrënët, pijen, kërcimin. Harlemin ai e njeh më mirë se ç’do njeri i bardhë; Nju Jorkun ai e njeh më mirë se kushdo tjetër. Ai është i gëzuar. Ai nuk do t’ju vras – më keq akoma, ai do t’ju kap të gjallë…Për Milin ka aq mënyra për të fotografuar, sa ka dhe njerëz…Ai e bën çdo imazh një eksperiment…Nëqoftëse ai ju bën pjesë të koleksionit të tij,…ai ju ka vëzhguar, do t’ju njoh plotësisht.’’
Këto përshkrime shtuan kuriozitetin tim. Aspekti më interesant i artit të tij është shumëllojshmëria e subjekteve; Nga sportet, te baleti, nga muzika e Jazz-it si Duke Ellington, Billie Holiday, te artistët më të shquar të muzikës klasike, Pablo Casals, Igor Stravinsky,… nga kërcimi aq popullor Lindy Hop, te baleti klasik, nga këngëtorët e muzikës së lehtë, Edith Piaf, Frank Sinatra, Tina Turner,…të këngëtaret e operas, Licia Albanese, Maria Callas,…nga modernistët Europian, Matisse, Picasso…te dramaturgët e shquar, Sean O’ Casey, Eugene Ionesco, nga aktorët e shquar të teatrit, Paul Robenson, Helene Weigel…te aktorët më të shquar të kinematografisë, Sofia Loren, Juliet Greco, Silvana Mangano,.. nga politikanët e pas-luftës, Presidenti Truman, Molotov…te krimineli i luftës, Adolf Eichman. Në 1945 fotografon Konferencën e Krijimit të Kombeve të Bashkuara në SanFrancisco dhe një vit më vonë, 1946, Konferencën e Paqes, Paris. Me kërkesën e tij, në vitin 1974 fotografon skandalin Watergate gjatë presidencës së Richard Nixon.
Dhe më tërheqëse, pasioni dhe njohuritë e tij për antikitetin, që e çuan atë të fotogrfoj për LIFE civilizimet Greko – Romake dhe një nga katedralet më të veçanta në historinë dhe Arkitekturën Mesjetare, Chartres Cathedral, në Francë.
Të gjitha, shoqëruar me tekstin gazmor të Milit –‘’ Një përshkrim që arrinë të të prek dhe të krijoj humor në të njejtën kohë’’- shkruhet në introduksion.
Gjatë leximit të librave të tij, komente të ndryshme nga muzeume dhe në mënyrë të veçantë artikuj në revistën LIFE, për të cilën punoi për gati 40 vjet, të tjera fakte interesante shtronin pyetje për përgigje, që më nxitën të kërkoj. Midis tyre, duke i ndjekur ato në rrugë kronologjike:
-Cila ishte fotografia e tij e parë?
-Kur dhe ku fotografoi kërcimtarë për herë të parë?
– Kur akoma student, dëgjon për herë të parë një koncert të Bach luajtur nga violinçelisti Pablo Cazals, i mahnitur nga egzekutimi i tij, të nesërmen pret nga gazeta fotografinë dhe e mban të varur në mur gjatë gjithë jetës, abandonon oboen dhe fillon të ushtrohet në piano. Ishte kjo një nxitje e çastit, apo pasioni për muzikën klasike flinte brenda tij?
– Kur mësoi për dritën Stroboskopike, kur e përdori për herë të parë dhe ku e përdori më me sukses?
– Cili ishte subjekti më i preferuar i Milit?
– Kur hapi ekspozitën e parë?
– Nga personalitetet e fotografuara, kujt i është kushtuar më shumë?
– A është figura e vizatuar nga Picasso me dritë në errësirë, një centaur, si është quajtur nga vetë Mili, botime serioze, stjudjues dhe artikuj galerish të ndryshme?
– Çfarë e tërhoqi Milin në figurën kontradiktore të dramatutgut të shquar Irlandez, Sean O’Casey, për të cilin është thënë se, ‘’Drama Irlandeze dhe ajo Europiane nuk mund të quhen të kompletuara pa veprat e tij.’’
– Çfarë dëshire fshihej brenda tij, për të fotografuar për LIFE Artin e Rilindjes dhe qytetërimet Greko-Romake dhe sa dinte për Stoiçizmin, këtë filozofi lindur në Greqinë e Lashtë dhe përqafuar më vonë nga Romakët, kur thotë për duart e nënës së tij: ’’Për mua, ishin duart e saj përshkrimi më i mirë i stoiçizmit të saj.’’
– A pozoi Sofia Loren për Milin si është shkruar, apo…?
– Ç’rrugë mori arti i tij pas djegies së studios, në 1966.?
– Cila ishte fotografia e tij e fundit me subjekt baleti.?
Këto pyetje, po të përdor një shprehje shumë të përdorur, ishin maja e aisbergut. Komentet e tij të shkurtra dhe plot elegancë letrare, të shtyn të thellohesh. Ashtu si thotë ai për skulpturat e Picasso-s në librin : PICASSO’s THIRD DIMENSIONS: ’’Ato të ftojnë t’i studiosh…Më e vështira është ajo që fshihet në artin e tij.’’
Unë tashmë jam si ai peshku në rrjetën e Milit, që përpëlitet të dal jashtë. A do dal dot?
I takon lexuesit të gjykoj sa do të jem në gjendje t’ju jap përgjigje këtyre pyetjeve dhe të tjera që do dalin gjatë prezantimit të fotografit tonë të shquar.
Unë nuk jam njeri i letrave dhe nuk kam shkollim të veçantë. Jam thjeshtë një artdashës i tërhequr nga personaliteti i këtij artisti të shquar. E ndjej të nevojshme të kërkoj falje për pasaktësitë gjuhësore dhe mungesën e pregatitjes së duhur në këtë inisiativë të ndërlikuar dhe komplekse, sa vetë arti i Milit. Pjesa më e vështirë për mua ka qënë të kuptoj sensibilitetin artistik, natyrën rrebele, humanizmin e tij, jetën personale, qëndrimin e tij në periudhën historike që ai jetoi , modestinë dhe në mënyrë të veçantë aspiratën ( prirjen) e tij për lirinë. Që në fillimet e karierës së tij për revistën LIFE, 1938, zgjodhi të ishte fotograf pa kontratë (freelance). Edhe pse shok i ngushtë me krijuesit e shoqërisë fotografike, Magnum – (Robert Capa dhe Henri Cartier Brenson,) nuk u bë anëtar i saj, por si adhurues i lirisë u kthye në një artist bohemian – Francë, ( Paris, Golf Huan, Prades, Provence, Nice, Chartres), Itali ( Toskanë, Firence, Romë, Napoli, Venecia) , Spanjë, Greqi , Israel, Londër, Berlin , Munich, Jugosllavi, Austri, Meksikë, Puerto Rico… Dhe së fundi , si për të mbyllur ciklin e udhëtimeve, pas 48 vjetëve, 1971, në vizitën e tij të parë në Bukuresht, për të sjell në jetë kujtimet e nënës së tij, ku hapi dhe një ekspozitë.
Titujt që prezantojnë çdo kapitull janë nga Mili. Për t’i dhënë librit një dublikim origjinal, ky publikim është në të njejtin format si i librit të Milit, Photographs & Recollections.
Art-dashësit që janë të interesuar në detaje të tilla, duhet të dinë se fotografitë janë riprodhuar në formatin original ose të ndryshuar, sipas nevojës për komente.
Për të futur lexuesin në subjekt, shumë nga këto sesione, rrethanat e fotografimit dhe të tjera detale, i kam pasuruar me shkrime nga revista LIFE, albume, libra ku përmendet Mili, opinione nga ata që e kanë njohur dhe bashkëpunuar me të, komente, analiza dhe biografi.
Ana grafike është ndryshe nga ajo e librit të Milit. Jam munduar të gjej zgjidhje grafike në përshtatje me subjektin. Kjo bie në sy sidomos në kapitullin për Picasso-n.
Shpresoj ky volum do të shërbej si informativ tërheqës dhe nxitës për kritik, studjues arti të specializuar dhe për cilindo që pëlqen fotografinë, në informacione më të gjera dhe analiza më të thella për Milin dhe artin e tij – këtij fotografi të shquar, që s’pushoi së kërkuari metoda dhe teknika të reja fotografimi, për të cilin Artsy Gallery shkruan:
‘’Është e qartë që teknika dhe vizioni i artistit ishin shumë përpara për kohën. Puna e adhuruar e Milit nuk është thjeshtë produkt i aftësive të tij spektakulare krijuese – është gjithashtu reflektim i një prejardhjeje të veçantë kulturale dhe edukative.’’