
Prof.as.dr. Hasan Bello/
Për myslimanët muaji i Ramazanit konsiderohej si “sulltani” i dymbëdhjetë muajve. Ardhja e tij mezi pritej nga të gjithë besimtarët. Një pjesë e tyre i fillonte përgatitjet disa muaj më parë. Kjo, sepse menuja e Ramazanit kishte specifikat e saj.
Në vitet 30-të, fillimi i Ramazanit përcaktohej me metodën klasike, me shikimin e hënës. Kryetari i Komunitetit Mysliman informonte zyrtarisht Ministrinë e Drejtësisë. Kjo e fundit merte masa për të respektuar protokollin (vizatat, kujdesin ndaj besimtarëve dhe objekteve të kultit, shkurtimin e orarit zyrtar për myslimanët që punonin në administratë etj). Pjesë e kësaj ishte edhe hedhja e fishekzjarreve, të cilët lajmëronin hapjen e iftarit në qytetet kryesore të Shqipërisë.
Në çdo xhami këndohej mukabele (lexim i Kur’anit me zë të lartë nga një person i caktuar, i cili dëgjohej ose ndiqej nga të tjerët me zë të ulët).
Në xhaminë e medresesë dhe në ato më kryesoret mbaheshin ligjërata të posaçme për komentimin e Kur’anit. Në këto aktivitete, përveç hoxhallarëve të njohur angazhoheshin edhe nxënësit e vitit të fundit të medresesë.
Në xhami këndoheshin hatme për personalitete të njohur publik (siç ishte ajo për babain e mbretit) dhe njerëz të thjeshtë.
Ndërsa për nxënësit e Medresesë së Përgjithshme në Tiranë përgatitej ushqim i veçantë, sipas një liste që miratohej paraprakisht nga KMSh me propozim të drejtorit të saj.
Për fëmijët jetimë dhe të vobegtët kishte iftare dhe syfyre, që organizoheshin jo vetëm nga institucionet, por edhe nga besimtarët me gjendje të mirë ekonomike.
Në përfundim të Ramazanit njoftohej për natën e Kadrit, e cila për institucionet e shtetit ishte pushim zyrtar.
Në fund vinte festa e Bajramit, kur rrugët e kryeqytetit dhe të qyteteve shqiptare mbusheshin me besimtarë, që vizitonin njëri-tjetrin dhe fëmijë plot hare.