*KOLË RODHE,VATRANI, DEPUTETI, PREFEKTI, LUFTËTARI I LIRISË U SHUA NË BURGUN BURRELIT…./
* Atdhetari vatran Kolë Rodhe, që la Amerikën për të bërë Shqipërinë, u akuzua si armik i popullit dhe u mbyll në burgun e Burrelit, ku u shua dhe sot nuk ka as varr…
Foto 1-Grupi i Besa-Besën me uniformat 1909, ku shkruhej shqip:”Liri a Vdekje”. 2- Ne krye te degës nr. 19 të në Marlboro( i dyti majtas) 3-Gazeta e tij”Vullnetari” 4- Kur Noli u dorezua Dhespot 5-Vajza e Koles Eleni me te shoqin Genc Leka, pushkatuar nga dikttaura komuniste/
* Vajza e Kolës, mësuesja Eleni Leka(Rodhe), e martuar me poetin e pushkatuar Genc Leka, do të persekutohej e flakej rrugëve…
NGA DALIP GRECA
Në radhën e vatranëve, që ndriçojnë në rrugëtimin më shumë se një shekullor të Federatës Panshqiptare të Amerikës ”VATRA”, qëndron edhe Kolë Rodhe, luftëtari i lirisë kundër bandave greke, ish kryetari i Besa-Besë, Kryetari i Shoqatës”Arsimi” në SHBA, vatrani i përkushtuar, botuesi i së përdyjavshmes kombëtare ”Vullnetari”, deputeti i Korçës, prefekti i Beratit, Gjirokastrës, Shkodrës, martiri që u burgos nga turqit, grekët dhe komunistët, i cili pati një fund tragjik duke u shuar në burgun famkeq të Burrelit. Më kot kërkova me ngulm kronikat e viteve 1946, 47, 48 të gazetës Dielli, për arrestimin, burgosjen, dhe vdekjen tragjike të vatranit Kolë Rodhe. Nuk e gjeta, shkaku merret me mend: Në atë kohë Vatra mendonte se Qeveria e Enver Hoxhës ishte demokratike dhe në faqet e Diellit botoheshin fjalimet, biografia e Hoxhës, reportazhet dhe sukseset e qeverisë komuniste, lëvdohej Enver Hoxha, madje shahej dhe Amerika e mbrohej Bashkimi Sovjetik. Edhe kur shkruhej ndonjë fjalë për arrestimet e nacionalistëve, qofshin edhe vatranë, kalohej me ndonjë fjali të thatë, ku lajmi mbetej i dyshimtë. Kështu kur u arrestuan intelektualë e nacionalistë të Korçës, në fund të kronikës shkruhej:”Thonë se me këtë grup armiqsor është arrestuar edhe Kristo Kirka e Kolë Rodhja…”
Ndërsa në Diellin e Prill-Maj 1955, gjuha e Diellit është e mprehtë, therëse, kritike. Kupa e helmit është mbushur.Vatranët e Amerikës e kanë mësuar të vërtetën. Që në faqen e parë botohet kronika e vdekjes në burgun e Burrelit: “Kriminelët komunistë bëjnë kërdinë… Vazhdon pamëshirë çfarosja sistematike e patriotëve në Shqipërinë e Kuqe….Edhe Kristo Kirka vdiq në burg….”
Shkrimi vijon:” Pas Kolë Rodhes, Bahri Omarit, Kol Tromarës, Akile Tasit, Hito Sadikut, dhe shumë shqiptaro-amerikanë e vatranë të tjerë, u vranë nga komunistët e Shqipërisë ose vdiqën në burgjet e tyre të tmerrshme…Kristo Kirka vdiq në burgun e”Kryetrimave”, ku kishin vdekë dhe vatranë të tjerë, si Kolë Rodhja”
Shqiptari i Amerikës ndjen dhimbje.Vatranët vajtojnë për vatranët që po i grinte diktatura…
***
… Kolë Rodhe është ndër ata vatranë, që u nderua vonë nga shteti shqiptar, ndërkohë që shteti komunist e pat shpallë armik, luftëtarin e Lirisë, që luftoi gjithë jetën kundër armiqëve të Shqipërisë. Etaloni i demokratëve, vuajti në burgun e Burrelit, ku u shua dhe ende nuk i dihet varri as sot. Nuk mjaftoi vetëm dënimi i tij, por dhe familja u përndoq e u end dhimbshëm në Kalvarin e vuajtjeve. Përveç bashkshortes, edhe vajza e tij do të kalonte në ferrin e vuajtjeve për shkakun se ishte e bija e armikut të Partisë, Kolë Rodhes, që kishte vdekur në burg, por ishte edhe e shoqja e poetit, “armikut të rrezikshëm të partisë”, që u pushkatua me akt-akuzë për poezitë dhe përkthimet, Genc Bardh Leka.
Me propozim të Vatrës, Kolë Rodhe u nderua nga presidenti Bujar Nishani me Urdhërin e Artë të Shqiponjës, në nëntor 2015.
Po kush ishte Kolë Rodhe?
Kolë Rodhe lindi me 25 Korrik 1883 në qytetin e Korçës. Familja i mundësoi shkollimin bazë, gjimnazin. Ndjenja e shqiptarizmit e burrëroi herët, e rreshtoi me armë në dorë në radhët e çetave të Lirisë, por edhe e përplasi herët në qelitë e burgjeve. Ishte 18 vjeç, kur u burgos nga Xhonturqit, si njeri që trazonte Perandorinë. Pas 9 muajësh burg lirohet, por nuk mundi të jetonte më në Korçën e dashur, pasi emri i tij ishte vendosur në rreth. Ndjenja e patriotizmit e çon në Odesë të Rusisë me qëllim që të mbledhë ndihma për familjen e dëshmorit Papa Kristo Negovani, të masakruar nga grekomanët. Më pas kontribuon për mbledhjen e fondeve për gazetën e Sotir Pecit”Kombi” që botohej në Boston. Atdheari është i kudondodhur në vorbullën e Lëvizjes Kombëtare. Gjendet në Sofje dhe në Bukuresht, ku ka vendosë lidhje me patriotët shqiptarë të atjeshëm, ka kontakte me priftin patriot At Naum Çere e të tjerë. Më 1908 është me taborrin e shqiptarëve që kërkojnë organizimin e Lëvizjes Kombëtare, mbështetës i patriotëve shqiptarë në Amerikë. Lëvizja e këtushme(SHBA) i jep pjekuri guximit dhe shpirtit të tij atdhetar. Fillimisht me Nolin e më pas dhe më Konicën, Kristo Kirkën, Kolë Tromarën, e patriotët e tjerë, bëhet një nga shtyllat e lëvizjes shqiptare në SHBA. Është në taborin mbështetës,kur Noli themeloi Kishën Ortodokse Shqiptare, gjendet aty kur u dha mesha e parë. Zgjidhet Kryetar i Shoqatës Besa–Besën, është kryetar i pleqësisë për degën e Vatrës në Marlboro, është ithtar i përgatitjes së Trupave vullnetare me djemtë e shqiptaro-amerikënve dhe i oficerave shqiptarë, për t’i dërguar më pas në Shqipëri për t’u mbrojtë nga fqinjët grabitqarë të tokave arbërore.
***
Që kur ishte tek shoqata Besa-Besën, Kol Rodhe kreu një akt që pakëkush do ta bënte. Shoqata Besën e kishte në programin e saj mbrojtjen e Atdheut. Ata kishin krijuar edhe uniformat ushtarake për të qenë të gatshëm kur t’i kërkonte Atdheu. Në kapelat e uniformës shkruhej në gjuhën shqipe”Liri a Vdekje”. Kur Kol Rodhe ishte në krye të Besa-Besë, si kryetar i saj, dha shembullin për të tjerët: Unë i pari,- tha ai. Pastaj bëri ftësën:
-Të tjerët pas meje t’i ndihim Atdheut që po rënkon!
Dhe u nisën drejt Shqipërisë. Kur mbërritën në Korfuz, u zbuluan dhe u arrestua nga Xhonturqit. E dërgojnë në burgun e Janinës, më pas në kalanë e Gjirokastrës. Gazeta “Koha” e Mihal Gramenos në numrin e saj të 17 majit 1917, jepte këtë kronikë:” Si vetëtimë u përhap kushtrimi prej Gjirokastre, që përcillte lajmin e bukur që atdhetarët Nikolla(Kolë) Rodhe dhe Vasil Tromara, pas 8 muajësh burg në Delvinë, Janinë e Gjirokastër, muarën berarët dhe u liruan nga burgu. Këta atdhetarë vuanin si martirë për çështjen kombëtare, se vjet në verë ardhë nga Amerika e i burgosën në Delvinë pas Kryengritjës.”
Sapo fiton lirinë, kthehet në qytetin e tij dhe vendos lidhje me luftëtarët e lirisë. Krijon grupimin e tij me një masë të konsiderushme luftëtarësh të lirisë nga Gora, Opari dhe me ta çliron Bërzeshtën, Pogradecin etj. Sërish kthehet në Korçë dhe merr pjesë në çlirimin e saj. Kapet prapë nga xhonturqit dhe burgoset në bodrumet e Mitropolisë së bashku me shokët e tij. Sapo u përhap lajmi, fshatarët e fushës së Korçës mësyjnë dhe shpërthejnë burgun. Kola lirohet dhe bashkohet me çetën e Sali Butkës dhe Kajo Babienit, sulmojnë Kolonjën e çlirojnë dhe nisën drejt Beratit.
Kudo ku luftohej për liri atje ishte Kol Rodhja. Mori pjesë në Luftën e Çifligut përkrah shokut të armëve Spiro Ballkameni. Shokë armësh e idealesh me Themistokli Gërmenjin, Çerçiz e Bajo Topullin, mori pjesë në Luftën e Mashkullorës, ku merr plagë dhe e nisin drejt Vlorës.
Nëse do të vazhdonim të shfletonim kronikat e bëmave atdhetare të këtij luftëtari të Lirisë, do të shënonim:Kolë Rodhen me 1 dhe 2 prill 1914, e gjejmë shef të Xhandarmërisë në Korçë. Në krye të forcave të mbrojtjes së qytetit ai shtyp kryengritjen e grupimeve të komitëve grekë, të ndihmuar nga ushtarët grekë, e ashtquajtur kryengritja e Vorio Epirit.
Më 1915 kthehet sërish në Amerikë. Si përherë aktiv. Në shkurt 1916 është ndër krijuesit e shoqatës “Arsimi Kombëtar” dhe në krye të saj, si kryetar.
Me gazetën e tij”Vullnetari”, që nisi botimin me 1916, u bë një avokat i aftë i Vatrës dhe i Lëvizjes Kombëtare në SHBA.
Numri i parë i Vullnetarit është publikuar me 18 Shkurt 1916 në Natick-Massachusetts. Botohej dy herë në muaj.Ishte gazetë politike e satirike.Që në numrin e parë gazeta botoi programin, ku spikaste qëllimi i botuesit dhe mbështetësve të gazetës: Gazeta ka si qëllim të mbrojë vetëqeverimin dhe tërësinë e Shqipërisë, të forcojë Lëvizjen Kombëtare, të godasë çdo kundërshtar, që pengon Lëvizjen Kombëtare, të demaskojë publikisht para shqiptarëve intrigantët, provokatorët, dhe përçarësit, të mbajë lart nderin e atdhetarëve të shkëlqyer dhe shqiptarëve Kombëtarë etj. Vullnetari, që në numrin e parë denonconte masakrat e grekëve në Jug të Shqipërisë dhe vajtonte fatin e popullit të masakruar, ndërkohë që godiste fort përçarjet mes shqiptarëve, përfshi dhe tek shqiptarët e Amerikës.
***
Si shumë atdhetarë të tjerë përkrahës dhe dishepuj të Fan S.Nolit, edhe Kol Rodhja, kthehet në Atdhe për të”bërë Shqipërinë”. Korça e vlerësoi kontributin e birit të vet duke e zgjedhur deputet të të parit Parlament Shqiptar më 21 prill 1921.
Gazeta “Posta e Korçës” e datës 9 mars 1922 shkruante: “Votoni për kandidatët e pandarë të Im Zot Nolit, zotin Kolë Rodhe dhe Faslli Frashëri…”.
Ndërsa më 11 Mars 1922, e njëjta gazetë shkruante:”Populli e tregoi me fakte besimin e tij, duke i dhënë votat zotit Kolë Rodhe për postin e deputetit.”
Studiuesi Teki Selenica do të shkruante në librin e tij statistikor”Shqipëria më 1927”: I zgjedhur për trimërinë dhe respektin që krijoi Korça e mrekullueshme, Korça shqiptare midis Banush, Hamdi, e Estref Frashërit, Loni Kristos, Pandeli Calës, Kristo Kirkës, Pandeli Evangjelit, Sejfi Vllamasit, Sotir Pecit, …vuri edhe Kol Rodhen.”
Në shtypin e kohës gjenden gjurmët e veprimtarisë së vlerësuar atdhetare të Kolë Rodhes. Gazeta e Vatrës, që dilte në Korçë nën drejtimin e Hasan Bitinckës”Shqiptari i Amerikës”, në artikullin me titull”Deputeti i Korçës” botuar në numrin e 24 marsit 1923, ku jepet një kronikë nga punimet e Parlamentit të 22 marsit, shkruan:” Pardje(22 mars), doli Qeveria para Parlamentit për shkoqitje e votëbesim.Fjala e Kryeministrit u karakterizua prej opozitës si konferencë premtimesh e shpresash për të ardhmen…prej opozitës folën Isuf Benga, Luigj Gurakuqi, Ali Këlcyra, Bahri Omari, Koço Tasi, Kol Rodhe e Medi Frashëri.”
Kol Rodhe përveçse deputet aktiv, kreu dhe detyra të tjera shtetërore, paçka se ishte kundërshtar i hapur i Monarkisë, Mbreti Zog, e ngarkoi me detyra qeveritare si Prefekt në Shkodër, Berat, Fier, Gjirokastër. Kundërshtarët politik ia vlerësonin atdhetarizmin dhe përkushtimin Kombëtar. Ai kishte dhënë prova me armë në dorë për mbrojtjen e Atdheut. Pushtimin fashist të Shqipërisë e priti me revoltë, ashtu siç kishte pritë të gjithë pushtuesit. Në ditëpushtimin fashist ai dha dorëheqjen nga detyra shtetërore. Edhe pse e përkrahu luftën kundër pushtuesit Kolë Rodhe nuk pranoi thirrjet për të marrë pjesë në Konferencën e Pezës, Kongresin e Përmetit, Konferencën e Beratit etj. Kola kishte përvetësuar demokracinë amerikane- ishte për një pluralizëm e demokraci alla amerikane.I kuptoi shpejt qëllimet e Partisë Komuniste Shqiptare dhe kërkoi të veprojë për ta ndalë të keqen.
Ishte kjo arsyeja që u vu në krah të opozitës përballë komunistëve, duke qenë në radhën e socialdemokratëve në zgjedhjet e para pas çlirimit. Nuk pranoi që të votonte me 2 Dhjetor 1945, abstenoi në votime së bashku me vajzën dhe gruan e tij. Ishte kundërshtar i hapur i bashkëpunimit me Jugosllavinë. Për këto qëndrime arrestohet me 27 Janar 1946 dhe në qershor, atdhetari, që kishte luftuar aq shumë për pupullin e tij, me pranga ndër duar, gjykohej para popullit si “armik i popullit”! Dhe kush?… Ai luftëtari i përhershëm për çlirimin e Atdheut, që kishte luftuar me turqit, grekët, e italianët…Gjykohet së bashku me 37 antikomunistë (Grupi i Sami Qeribashit dhe Musine Kokalarit) në qershor 1946.Mbajti qëndrim burërror para Trupit Gjykues. Dëshmia e atij gjyqi vjen nga kronika prej sallës së Gjyqit, që e ka përcjellë Gazeta e Frontit Demokratik”Bashkimi” në numrat e 19 dhe 21 qershor 1946, kur shkruan:
” Kolë Rodhja jep llogari.”
Akuza: Kolë Rodhja zhgënjeu komunistët, të cilët përdorën reputacionin e tij në popull duke e vënë në Kryesinë e Frontit Demokratik”…
Kryetari i gjyqit, sulmonte me mllef atdhetarin e orëve të para: – “Armik i popullit”!..
– Sabotator!
– Ujk plak…!
Kryetari i Trupit gjykues:- I pranon akuzat?
Kola:-Asnjë!
Kryetari:-S’ke pasur lidhje me tradhtarët?
Kola:-JO!
Prokurori:-Po asnjë faj nuk ke bërë ti, Kolë Rodhja?
Kola:-Asnjë!
Prokurori:- Mos të kemi sjellë kot këtu?…
(Salla dhe trupi gjykues(të orkestruar) qeshin…)
Prokurori:- Gënjen Kol Rodhe…Ti thua që rinia nuk duhet të merret me politikë. Ti ke qenë Inspektor i Ministrisë së Brendshme…Nuk ke përkrahur lidhjet tona me Jugosllavinë. Kërkoje Autonominë e Kosovës.Po, o Ujk plak, po Kol Rodhe…Ti deshe Regjencën e Mehdi Frashërit, deshe ndërhyrje të jashtme, se gjendja qenka e errët…Deshe shpërndarjen e ushtrisë, mbrojtjen e atdheut…deshe qeveri koalicioni me shumë partira, deshe të prishësh unitetin politik e popullit shqiptar…
Akuzat vazhdonin lumë….
Ç’ti thoshte Kola këtij prokurori militant ? Dhe zgjodhi heshtjen….
Kol Rodhja kur gjykohej ishte 67 vjeç… Trupin gjykues i dha dënimin me 30 vite burgu. Mosha, torturat, e lodhën patriotin, që një vit pas dënimit u shua në burgun famkeq të Burrelit…
Kalvarit të vuajtjeve nuk i shpëtoi as familja e tij, e cila u “shpërblye” për aktivitetin patriotik të Kolës duke e hedhur në krahët e mjerimit dhe punët e krahut!
Vajza e tij, e martuar me poetin disident Genc Leka,u përjashtua nga arsimi. Ndër akuzat që i formuluan ishte dhe ajo e vjehrrit, Kolë Rodhe,ish deputet i Zogut(kështu e quante Vangjel Çërrava) dhe shtonte në raportin e tij konfidencial për organet e diktaturës: Babai i saj, ka vdekur si “armik” në Burgun e Burrelit…Deputet i Zogut!
***
BIBLIOGRAFI
1- Gazeta Dielli, 16 Prill 1947, faqe 1(Gjyqi i Korçës)
2- Gazeta Dielli-Prill-Maj 1955, F .1
3- Klara Çelo”Udhëve të Historisë)-Të pathëna për shqiptarët e famshëm-Vëllimi i I, Faqe 99-104
4-Gazeta “Koha” e Mihal Gramenos 17 maj 1912, 25 Maj 1914
5-Gazeta”Shqiptari i Amerikës”,24 mars 1923
6-Gazeta e Korçës, 26 prill 1924
7-Gazeta “Bashkimi”, 21 Qershor 1946
8-Teki Selenica”Shqipëria më 1927”, f 21, Pasqyra A
9-Gazeta “LIRIA A”- 14 Mars 1996, faqe 6 , 8, autor Gaqo Rrota-ish deputet.
10-Gazeta”Dita”,6 tetor 2008: Klara Çelo”Kolë Rodhe, një jetë në shërbim të atdheut”.