Reportazh nga Albert HABAZAJ*/
Ka vite e vite që, në kujtesën time, ka ngelur e dallueshme simbolika e festës, sa e traditës krenare, aq dhe e bashkëkohësisë korrekte, apo modernitetit, nëse do të përdornim terminologjinë e enciklopedistëve (gjithologëve, thënë edhe shqip). Çdo fshat, të paktën në Labërinë e Brendshme, po aplikon një pasuri shpirtërore, një traditë të bukur, takimin e përvitshëm të brezave, festën e fshatit. Gjë e bukur, shumë e bukur, e pranueshme, e pritshme, argëtuese, me mesazhe, kuptimplote dhe e njohur universalisht. Vranishti i Vlorës, si i veçantë me profilin e tij, ndër njësitë bazë të krahinëzave apo dhe krahinave etnografike shqiptare, e ka një specifikë, në këtë urë takimi, për tre apo katër breza njëhershi.
25 gusht 2013.
Vranishti pret bijtë e bijat e tij, vëllezër e motra, nipër e mbesa, miq e dashamirës, nuse e dhëndurrë. Vranishti ka festë. Këtë vit, fatmirësisht ashtu rastisi, që të ketë dy gëzime në një ditë. U jonizua pozitivisht atmosfera për takimin e brezave, qysh mbrëmjen e shtunës së datës 24. Tisi mistik i të shtunës së zjarrtë e bardhoshe paratakimore, si gati në çdo fshat me doke labërore, edhe në Vranisht, mund të quhet Nata e Rinisë. Një mrekulli, një ëndërr e bukur, që realizohet me shpirt të freskët e me zemër rinore, që rezonon bukur me festat simotra të bashkësive bazë njerëzore edhe në Europë, ndoshta dhe në Amerikë, Azi, Afrikë, Australi (s’flasim dot më shumë, kur s’ua njohim drejtpërdrejtë traditat). Në vijim, të dielën e datës 25 gusht, bashkë me festimin popullor, të takimit e përmallimit të përvitshëm vëllazëror, u krijua dhe u plotësua atmosfera epiko – historike, për të kujtuar 70 vjetorin e çetës partizane “Sali Murati”, aktivitet, që në Vranisht, organizohet çdo pesë vjet. Vranishti, për natyrën e mrekullueshme, me diell e me freski kujtese e gjithësore, me ujë të kulluar e me hije të shëndetshme, është i bekuar edhe nga Perëndia. Për historinë, për arsimin dhe për gjeoetnokluturën e këtij fshati të stërralltë në histori e kulturë, më duket se, Dafina e Letërsisë Shqiptare, dritëruesi i paharruar Ali Podrimja, ka vënë një piketë orientuese për studiuesit, për të interesuarit dhe vizitorët, se kur erdhi në Vranisht, u mahnit dhe fisnikërisht u shpreh: “…Kur vizitova fshatin Vranisht të Labërisë, aty takova njerëz të mrekullueshëm, me tradita e kulturë, që Zoti i kishte vënë me dorë në ato male kreshnike…”.
Për takimin e Vranishtit, të kësaj fundvere 2013 kam mbajtur 15 faqe A4 me shkrim dore. Çdo gjë që redaktoj e heq, nga shënimet e asaj dite, më pikon dhembshëm nga mirësia, por tek libri im “Vranishti si Amazonë”, kur tabotoj, ndoshta për korrekturë mund të ketë nevojë, se redaktim nuk besoj. “Ku ta zë e ku ta lë”, thotë një këngë e vjetër. Kanë ikur 3 muaj gati dhe festën e kam të fiksuar në kujtesë, sikur të isha një kamerë televizive për emission special. Gjithshka qe e shkëlqyeshme, tipike, e madhërishme, me kontraste, made in Vranisht. Për Vranishtin dhe 70 vjetorin e Çetës Partizane “Sali Murati” ka shkruar fundgushtin që lamë pas, studiuesi Arben Saliu, djali i komandantit të Çetës Partizane “Sali Murati”, Maman Saliut të paharruar, nipi i Kapedan Sali Vranishtit. Poeti Avni Varfi, ndërkohë kryetar i Fshatit, hapi veprimtarinë festive, duke u uruar mirëseardhjen vëllezërve, motrave, miqve dhe dashamirësve, ashtu siç di Avniu. Kryetari i Përgjithshëm i Shoqatës Atdhetare – Kulturore, Prof. Dr. Bilal Shkurtaj, në fjalën e rastit foli për kontributin e banorëve të këtij fshati në funksion të LANÇ, të heroizmit masiv të vranishtjotëve, të partizanëve dhe të mbi 60 dëshmorëve që dhanë jetën për lirinë e Atdheut. Nga fjala e tij na tërhoqën vëmendjen mesazhet që përcolli tek njerëzit, pjesëmarrës në festë: “Është dita e Vranishtit, dita e dashurisë për vëndlindjen, e dashurisë për njëri tjetrin, e respektit për traditat më të mira të të parëve tanë. Simbolika e kësaj dite është krenaria për historinë dhe vlerat e mrekullueshme të bijve të këtij fshati në vite. Është ditë feste popullore, bashkimi, vëllazërimi, miqësie, dashurie, malli, nostalgjie”. Më tej ai theksoi, se sot kohët kanë ndryshuar pozitivisht, e se nuk na kërkohet të vemi më në luftë, por që vlerat e mëdha të fshatit t’i ruajmë, t’i mbajmë, t’i transmetojmë tek të gjithë e të ruajmë sa më të pastër emrin e nderuar të vendlindjes a vendorigjinës tonë. Sot janë kohë të tjera, – theksoi Profesor Bilali – kohë e demokracisë dhe integrimit. Sot nuk na kërkohet të vemi në luftë dhe të biem dëshmorë. Ajo që kërkohet nga ne është që t’i manifestojmë vlerat më të mira duke qënë qytetarë , demokratë, të kemi harmoni, dashuri, mirëkuptim me njëri – tjetrin të gjithë, duke lënë mënjanë disa veprime të rëndomta, të fshehta, jo burrërore, që hedhin sadopak baltë mbi emrin e me nam të fshatit tonë. Është një mesazh që më ka ngarkuar kryesia e shoqatës për të përcjellë në këtë takim”. Ky mesazh nuk vlen vetëm për vranishtjotët horianë, por të për të gjithë rrëziotët, mesaplikasit lumasit, labët, shqiptarët, kudo që janë.
Shoqata Kulturore Atdhetare “Vranishti i Vlorës”, si simbol vëllazërimi, ka ditur, di dhe do të dijë ta shprehë nderimin dhe respektin e madh për dëshmorët e çetës, për ish partizanët që nuk jetojnë më, sepse ata e bënë detyrën e tyre, ndërsa ne, sot kemi të tjera detyra, në kontestualitet. Nderimi dhe respekti për të vetmin ish – partizan të çetës “Sali Vranishti”, që jeton, për ish partizanin më i ri të çetës dhe flamurmbajtësin e saj, atëhere 15 vjeç, më i vogli i çetës dhe sot 85 vjeç, Seftedin Jonuzin flokëborë e shpirtluleborë, u shpreh konkretisht, duke i dhënë fjalën direkt pas Profesorit dhe mbi të gjitha me vëmendjen ndaj fjalës së tij dhe duartrokitjeve për çka tha, sidomos me urimet për rininë dhe mesazhet shumë vëllazërore të unitetit, të bashkimit dhe të përparimit. Vranishti bëri dy festa: ceremonialin protokollar dhe pasceremoninë, nderimin për Çetën dhe festën e Takimit. Kjo ditë, që ka në vetvete luftën patriotike të partizanëve tanë, që ka patjetër Sali Muratin me trimat e tij e bijtë e gjakut e të idealit për pushkën e lirisë, qe festa e përkujtimit të njerëzve, të partizanëve që dhanë jetën për liri dhe që kjo festë të bëhet sot me rastin e 70 vjetorit, që të bëhet dhe me rastin e 700 vjetorit e për jetë. Sikur më kumbojnë në vesh dhe sot e kësaj dite fjala e partizanit 15 vjeçar, veteranit 85 vjeçar, xha Seftedin Jonuzit: “Të dashur vëllezër të zemrës time, të shpirtit tim! Mirësi për Besnik Reshat Hasanin, që sponsporizon bujarisht shtypin tonë. Edhe për Duro Mustafain që trurin dhe zemrën e tij mbarëshqiptare po ia fal Vranishtit. Festa sot është përkujtimore për lavdinë e partizanëve dhe dëshmorëve. Trimat u kthyen me lirinë, porn a kushtoi shtrenjtë. Pikërisht në Vranisht u bë masakra më e madhe e Luftës. Vlerësojmë e na dhemb Borova. Vranishti nuk është Borovë e Dytë, është më shumë për ne, është Vranishti Martir”. Foli në vijim intelektuali Habil Shkurti, si përfaqësues i Organizatës së Familjeve të Dëshmorëve të Atdheut, apo i ngarkuari nga Tirana, siç thonë banorët e zonës. I takonte Habilit të fliste me ballin lart, sepse erdhi familjarisht i ndritur me gjakun e lavdishëm të dëshmorëve, (vetë vëlla dëshmori, i yllit të pashuar Nuredin Shkurti, po ashtu nga gruaja korçare, familje dëëshmori). Habili botoi dhe një shkrim informativ në gazetën “Kushtrim Brezash”. Në festë përshëndeti dhe kryetari i Komitetit të Veteranëve të rrethit të Vlorës, ish partizani dhe poligloti Seit Jonuzaj, me origjinë nga Kallarati. U dhanë tituj nderi nga këshilli i Qarkut dhe komuna Horë; më tej – një koncert i bukur me këngë e valle labe, përgatitur nga Mjeshtri i Madh Muhamet Tartari, si dhe një montazh muziko – letrar, ku qenë të ftuar dhe Parua e Bënçs me Rovenën, që e ndezën atmosferën festive. Njerëzit donin të më jepnin të gjithë përshtypjet e tyre më të mira për revistën tonë të dashur “Hora”. Shumë fjalë të gëzueshme që më thanë i shkrova, por për botim, kësaj radhe, përzgjodha këta bashkëfestues: Eqerem Shakaj: “Jam i kënaqur me festën.pasrdhësit e partizanëve që janë në tribunën e nderimit të kësaj feste, nabëjnë që të ndihemi krenarë. Mos më pyet për njerëzit e mi, vranishjotët, se ndihem shumë mirë me ta dhe për ta, japim mesazhe për brezat në ditë të tilla, krenari për ta ”.
Arben Saliu: “Ne, brezi pasardhës i atyre idealistëve kombëtarë, do të na mallkojë historia, nëqoftëse nuk do të dimë të jemi krenarë dhe të përçjmë brezave këtë krenari të ligjshme. Në luftë, edhe në demokraci ka fitimtarë dhe humbës. Ata ishin fitimtarë të përjetshëm. Me gjakun e derdhur, me luftën e bërë, ata u gdhendën me shkronja të arta në histori, se i dhanë dërmën barbarisë nazifashiste. Ndërkohë, nuk duhet ngatërruar LANÇ me regjimin komunist.
Muhamet Tartari: “Festa është bërë një ngjarje e duhur, e domosdoshme, traditë e bukur. Grupi, si gjithmonë, kapeshë mbi supoe, por sot na mungon bedeni i pazvendësueshëm i kështjellës artistike vranishtjote, Arap Çelolesko Bilblili”. Nxënësja e klasës së katërt të shkollës “Hysen Çino”, Vranisht, Urana Gëzim Begaj, sikur fluturon si flutur mes shoqeve të saj, lulëzuar si lulet: “festa sot është shumë e bukur, po nale mbresa të shkëlqyeshme. Mësojmë shumë. Më pëlqejnë shumë edhe Rovena zëëmbël me Paron e paparë”. U çmalla me zërin brilant e të pandryshkur kurrw tw Leonora Shkurtit (Ahmetaj), sinonimin e gjallw tw kwngws labe tw Vranishtit. Edhe me Hetem Shkurtin – labin epik tw valles sw vetwtimave vranishtjote u çmallova dhe kwndova me ta.
Alem Çino, nip i heroit Hysen Çino: “Festa u bë e natyrshme, nderim për dëshmorët, për partizanët, për njerëzit tanë. Më mirë kështu, thjeshtë, vëllazërisht, pa ngyrime politike”.
Simbol Pazaj, kryetari i komunës Horë, ose Bokja, si i flasin njerëzit e tij dhe miqtë, tregoi fisnikëri, duke ftuar në takimin e brezave z. Ridvan Mersini, sekretarin e Këshillit të Qarkut Vlorë, që në bindje është i djathtë, por ndërkohë është një lab i mirë si gjithë atdhetarët e Labërisë sonë të dashur.
Sinan Ferruni jep shembullin personal për pjesërmarrjen në festë, si përherë e kësaj radhe shumë më i plotësuar. Ka ardhur me gruan, Razien, me vajzën, Elvirën, me nipin dhe mbesën. Mbesa e Sinanit dhe e Razos, Eneida, vajza e Arben Beshos nga Kanina dhe Elvira Besho (Ferrunit) ëshët 16 vjeçe. Jeton në Luksemburg me prindërit e saj dhe vëllain. Vij për herë të parë në Vranisht – thotë ajo. Seç ndjej diçka të madhe në shpirt. Bukur, shumë bukur. Njerëzit në çdo vend janë njësoj, por këtu, në vendlindjen e mamit tim, më duken si malet këta njerëz. Do t’u them fjalët më të bukura për ta shoqeve dhe shokëve kur të shkoj në Luksemburg. Edhe vëllai i saj, Marjeli, 18 vjeçar, u shpreh shumë i emocionuar dhe krenar: ky vend është shumë i paraqitshëm. Rrepet e gurët sikur i bëjnë epikë këta njerëz, por, si duket lirizmin e shpirtit ua dhënka lumi dhe hapësirat e luginës. Ndihem mirë që shoh shqiptarë, që jam me origjinë nga Shqipëria, aq më tepër me prindër nga Vlora, aq më bukur babi nga Kanina, mami nga Vranishti. Festa dalka shumë e bukur këtu. Dhe atje, në Luksemburg bëhen festa të tilla, është traditë e hershme. Sikur të kishte stola për t’u ulur njerëzit do të qe më mirë, na fshikullon ledhatueshëm e pafajshëmrisht djaloshi. Po ku i kupton ai “hallet” tona”. Veçse ditë më të mira paskëtaj do të vinë, o Marjel djali.
Tani filloi festa- thotë rinia- kur podium, sheshi, rrepet mbushen me këngë, me vallëzime e kërcime, me muzikë, me rini, me cicërima zogjsh.
*) Master Shkencor për Etnologji dhe Folklor, Qendra e Studimeve Albanologjike, Tiranë.
Drejtor i Bibliotekës Qendrore “Nermin Vlora Falaschi”,Universiteti i “Ismail Qemali”, Vlorë,