Nga Jozef Radi/
Dy ditë më parë, mbylli përgjithmonë sytë, nji prej grave më stoike të kampeve të komunizmit, nji nga ma të thjeshtat, ma të përvuajturat, ma të pambështeturat, nji ikonë e njerzores: Hane Sina!
Kish kohë që kish nisurë ai kalvar pafund për vajzat, gratë e nënat shqiptare, ku Hanja do të ishte nji prej tyre, që e kapërceu me dinjitet të papërshkrueshëm at tmerr pafund të pësuar padrejtësisht… dhe mbrriti deri te dita e ikjes së saj e plotë, e patjetërsuar në gjithë vlerat e veta!
Hane Sina ishte nji prej tri nuseve të Sinëve, që së bashku me vjehrrën e tyre fisnike, Kafile Kaloshi-Sina, pësuan shkatërrime, rrënime dhe vuajtje nga ma të pabesueshmet. Ajo, e nis jetën si gruaja e Rasim Sinës, po me arratisjen e tij, ajo humb sa hap e mbyll sytë gjithçka! Për të e shumë të tjera si ajo nis tmerri i pafund e kampeve të diktaturës! Me tre fëmijë njëri mbas tjetrit, e para sa kish nisur të ecte, i dyti në krahë dhe i treti në bark, ajo i dorëzohet fatit përbindësh, ku më shumë se rrugë, do të ishte skëterrë që zgjati nji jetë, e ku ajo me at thjeshtësinë e saj prej malsoreje e përballoi jo veç me dinjitet, po edhe me at humorin e hollë e shpërfillës, që ishte në natyrën e saj, ndaj atyre që po i shkaktonin të keqen kësaj gruaje, kësaj nëne, kësaj gjysheje të dhimbsur, që përtypte në heshtje privimet nga çdo gëzime sado i vogël i jetës! Qysh herët ajo pëson humbjen djalit, Dikës trembëdhjet vjeçar, që shpresonte t’i bëhesh krah e që nga thellsia e shpirtit e quajti gjithnji “lofka e nanës!”
Ajo përjetoi përbuzjen, varfërinë, urinë, dhimbjen, mungesat, humbjet, po qëndroi në këmbë si pakkush… Shpesh kujtoj se çdo fetë buke në mungesë të gjithçkaje, ajo i shtronte ca pika loti dhe i jepte shije bukës thatë me dashurinë prej nëne! Sepse shpirti i saj s’kishte asgjë veç dhimbjes po i shtonte asaj mirësinë dhe dinjitetin… Dhe ajo shija e bukës sw duarve të saj s’ka për t’i ikur kurrë shpirtit tim, po edhe gjithë atyre që patën rast ta njohin kët grua të thjeshtë, e stoike…
Sot, në ikjen e saj në qiell, ajo çka vlen të kujtohet është buzqeshja, humori, ironia e saj ashtu e qetë, e pafajme, spontane… kur punonte në brigadën e nji kryetari të famshëm këshilli, të cilit me nji deformim simpatik të emrit të tij, kinse s’arrinte ta shqiptonte drejt i drejtohesh: “Or Mi-hale, po pse më po çon aq larg me punue…” Ose u bë batutë e kohës shprehja e saj, kur u prishën mardhëniet me Kinën. Si gjithnji Kryetari i këshillit e ngre Hanen dhe e pyet se si e mendonte ajo kët prishje! “Po mirë ban që u prishën, or Mi-hale-shka na dojshin ata ne… po ne s’i duhemi kërkujt!” Ajo rrëshqitja e gjuhës or Mi-halesh… mbeti nofka qe Hanja i vuri atij njeriu! Kështu u mbyll diskutimi dhe Hanja la nji nga batutat më pikante, nënteksti i së cilës s’kishte nevojë për koment!
Hane Sina i iku kësaj bote dhimbjesh në paqe… e rrethuar nga shumë njerëz dhe e respektuar prej të gjithëve, jo thjesht për vuajtjen e saj, por për at mirësi që shpirti i saj kishte të pashterrur, e që kurrë ajo s’e shfaqi të përgjysmët, po gjithnji të plotë… Ikja e saj prej Ferrit tokësor ngjan me ikjen e nji Hane të Plotë, që e dhuron gjithë dritën e vet, që terri kurrë të mos ndjehet i gjithpushtetshëm i kësaj bote!!!