Lavdie Bakiu/
Qendra Kombëtare e Librit dhe e Leximit bani burrninë me e shti Camajn n’mesin tonë.
Të martën e 23 korrikut 2024 Qendra Kombëtare e Librit dhe e Leximit organizoi simpoziumin në nder të shkrimtarit Martin Camaj, me rastin e 99 vjetorit të lindjes. Simpoziumi u organizua në Tirana International Hotel, salla “Metropol” nën kujdesin e znj. Alda Bardhyli, drejtoreshë e QKLL-së. Pjesëmarrës në këtë simpozium ishin profesorë e studiues të veprës së Camajt si : Vjola Isufaj, Ledi Shamku Shkreli, Jorina Kryeziu Shkreta, Elsa Skënderi Rakipllari, Primo Shllaku, Bujar Hudhri, botues i veprës së Camajt, Aleksandër Çipa, Ben Andoni, Ilir Shyta, Namik Dokle.
SImpoziumi u hap nga znj. Alda Bardhyli, drejtoreshë e QKLL-së. Botuesi i veprës së Camajt, z. Bujar Hudhri, theksoi vetminë e dyfishtë të Camajt, duke u ndalur te mungesa e lexuesve. Z. Hudhri vuri theksin te shkolla, e cila duhet të ushtrojë një rol më të dukshëm e më të fuqishëm për njohjen e veprës së Camajt nga brezi i ri. Në mbyllje të fjalës së tij, z. Hudhri i bëri thirrje shtetit që në 100 vjetorin e lindjes, Camajt t’i jepet vendi që meriton.
Presidenti i shoqatës “Martin Camaj” , prof. Christian Voss, përshëndeti të pranishmit me një videomesazh nga Berlini. Fjalën e tyre mbajtën edhe Aleksandër Çipa; prof. Viola Isufaj,pedagoge e letërsisë bashkëkohore shqipe, e cila u ndal në “Kumte universale camajane”; dr. Ledi Shamku Shkreli, pedagoge, gjuhëtare, e cila solli dy “ndoret” e Martin Camajt, si gjuhëtar e poet. Kontributin e Camajt si gjuhëtar në kumtesën e saj e solli edhe dr. Jorina Kryeziu Shkreta. Dr. Belfjore Qose përshëndeti të pranishmit me një videomesazh. Veprimtaria vazhdoi me fjalën e dr. Ilir Shytës, i cili u ndal në “Rrungaja në mars, letërsi utilitare që na bēn më të mençur.”
Primo Shllaku në fjalën e tij polemizuese, u ndal në receptimin e Martin Camajt “Vështrim i shkurtër polemik rreth receptimit të Martin Camajt”.
Martin Camaj është një nga shkrimtarēt më të rëndësishëm të letërsisë bashkëkohore shqipe. Poet modern që ruan një bazë të fortë të traditës, Camaj jetoi i dyzuar mes Gjermanisë , ku ishte fizikisht, dhe Shqipërisë, që e mbante në zemër; mes modernitetit dhe traditës, mes Mynihut dhe Temalit të Dukagjinit; mes lirisë dhe veçimit. Në një botë të lirë, por i veçuar shpirtërisht, një jetë ndërdyzash, njeriu me vete e me tjerë, pleqnohej me vete dhe shkruante për një lexues, që s’e receptonte dot….
Njohja dhe studimi i veprës së Camajt është detyrë e institucioneve duke filluar nga shkolla, universiteti dhe qendrat studimore. Bashkëpunimi mes tyre do të ishte një ndihmë e mirë për të përçuar këtë autor të rëndësishëm të letërsisë shqipe te brezi i ri. Që Martin Camaj të mos mbetet një autor i pareceptuar, i moskuptuar, një rol të fuqishëm duhet të ketë shkolla. Por shkolla e vetme , pa një nxitje konkrete, do ta përçonte Camajn në 4-5 orë mësimore sa janë të planifikuara në program. Ndaj, si mësuese që përballem çdo ditë me nxënësit dhe me dëshirën e tyre për të marrë pjesë në aktivitete, kujtoj se viti i ri shkollor po fillon dhe ky vit (2025) do të përkojëme 100 -vjetorin e lindjes së Martin Camajt.
Le t’u kujtojmë organeve përgjegjëse, qendrave të librit, qendrave kulturore, Ministrisë së Arsimit planifikimin e aktiviteteve që do ta afrojnë më shumë lexuesin e ri, nxënësin 18-vjeçar, me këtë autor të rëndësishëm të letërsisë shqipe. Le të shpresojmë që aktiviteti i ditës së sotme të jetë fillimi i një viti aktivitetesh të planifikuara nga institucione të ndryshme për autorin që na ka lënë një porosi: “ Ndonëse të ndamë për një gjysmë shekulli,
Unë jam i jueji e ju jeni te mijt”.
Po, Camaj është yni! Le ta bajmë burrninë ta shtijmë n’mesin tonë gjatë vitit shkollor 2024-2025 ! Në shkollë e në çdo institucion kulturor!