Shkruan: Mira Skënderi/Bukuresht/
100 vjetori i lindjes së shkrimtarit Petro Marko ishte motivi i organizimit të simpoziumit “Petro Marko dhe letërsia bashkëkohore shqiptare”, në kryeqëndrën e krahinës së Oltenisë, në Krajova të Rumanisë. Simpoziumi iu kushtua jetës dhe veprës së autorit shqiptar, rast me të cilin u bë edhe promovimi i librit në prozë “Njerëz dhe ujqër„ të Petro Markos, i përkthyer në rumanisht nga përkthyesi i mirënjohur dhe njohësi i letërsisë shqipe, Marius Dobresku.
Midis të tjerash, Dobresku tha: “Shorti i këtij shkrimtari të talentuar ilustron më së miri karakterin vrasës të komunizmit shqiptar, të komunizmit në përgjithësi: gjithmonë dhe kudo, regjimi likuidoi në radhë të parë fëmijët e vet, ata idealistë që mendonin se ëndrra për një shoqëri më të mirë mund të bëhet realitet. Shqipëria është një shembull domethënës në këtë kuptim: duke filluar nga shokët e luftës antifashiste, e duke përfunduar me kryeministrin Mehmet Shehu, Enver Hoxha likuidoi një brez të çmuar pjesëmarrësish në luftën antifashiste, intelektualë, shkrimtarë etj. Petro Marko ishte një nga viktimat”.
Shkrimtari dhe përkthesi Marius Dobresku, gjithashtu, u foli të pranishmëve për peripecitë dhe dramën e shkrimtarit Petro Marko, për ngjitje-zbritjet, për sukseset e shënuara, por dhe dështimet e dhimbshme, duke lënë nga pas “veprën e tij jetëgjatë, që tejkaloi qartazi peizazhin letrar të kohës. Është një vepër e cila, me siguri, do të mbetet në vite, si dëshmi e talentit dhe forcës shprehëse të këtij krijuesi të denjë”.
Që në fillim të daljes në dritë, tregimet e Petro Markos gjetën vlerësimin e lexuesit rumun, ashtu sikundër edhe autorë të tjerë shqiptarë në zë, të përkthyer nga Marius Dobresku si Ramiz Gjini, Arber Ahmetaj, Fahri Balliu, Gjekë Marinaj, Ermir Nika etj. kanë zgjuar vazhdimisht interesin e këtij lexuesi.
Në kumtesën e tij, studiuesi i letërsisë, Dr. Luan Topçiu, u shpreh se: Duke qënë një nga pjesëmarrësit në Luftën Civile të Spanjës (1936-1939), duke pasur kontakte të drejtpërdrejta me letërsitë dhe gjuhët perëndimore, Petro Marko ka qënë i markuar me frymën e kohës dhe nga disa modele kulturore europiane, që kanë pasur një short të ngjashëm. Ishte pikërisht kjo frymë perëndimore që nuk u tolerua nga komunizmi shqiptar, i cili, nuk fali as veprën e tij, por as vetë shkrimtarin. Në një radhë tjetër idesh ai u shpre se: “Marko hapi ulli të reja në prozën shqiptare, prozë e asfiksuar nga metoda zyrtare e realizmit socialist, duke i thyer normat e kësaj metode, me fuqinë e fjalës, me lirizmin e tij, me frymëmarrjen e lirisë, që e bëjnë prozën e tij të pëlqyer dhe të lexueshëm dhe sot e gjithë ditën.”
Në këtë aktivitet, kushtuar kujtimit të Petro Markos, organizuar nën patronazhin e shoqatës Lidhja e Shqiptarëve të Rumanisë, morën pjesë deputetja Oana Manolescu si dhe një audiencë e interesuar e përbërë nga shkrimtarë, njërez të kulturës, gazetarë etj. Aktiviteti u ndoq me interes nga të pranishmit, që manifestuan interes për të mësuar sa më shumë detaje rreth letërsisë shqiptare, rreth krijimtarisë së Petro Markos dhe aspekte të tjera të kulturës shqiptare. Ngjarja u transmetua nga dy stacionet televizive lokale si dhe nga gazetat më të rëndësishme lokale.
Sadik Elshani says
Edhe Shoqata “Bijte e Shqipes” ne Philadelphia, me 20 tetor organizoi nje veprimtari te bukur me rastin e 100 vjetorit te lindjes se shkrimtarit dhe intelektualit te nderuar, Petro Marko.