
Fitim Zekthi/
Historia politike e botës ka treguar se partitë politike sillen si sisteme që përpiqen të mbijetojnë dhe të rriten, të forcohen dhe të bëhen më të fuqishme, në mënyrë që të sigurojnë sa më mirë mbijetesën e tyre. Kjo është, pak a shumë, një ligjësi gati natyrore. Për këtë qëllim, partitë politike përpiqen të largojnë çdo gjë që përbën pengesë për to në jetën e tyre politike, për të mbijetuar, për t’u rritur, për t’u fuqizuar dhe për të fituar.
Historia ka treguar se partitë kanë larguar drejtues, grupe apo liderë sa herë që ata janë shndërruar në pengesë apo barrë. Asnjëherë partitë nuk e lidhin fatin e tyre me fatin e një lideri, drejtuesi apo grupi të caktuar. Si partitë totalitare, ashtu edhe ato demokratike, qoftë në vende diktatoriale apo demokratike, në shumicën e rasteve nuk e kanë lidhur fatin e tyre me fatin e një drejtuesi.
Partia Konservatore në Britaninë e Madhe, për shembull, e largoi kryeministren Margaret Thatcher kur ajo u bë barrë për partinë. Raste të tilla, kur kryetari apo kryeministri largohet, janë të shumta. Asnjë parti nuk dëshiron ta lidhë fatin e saj me fatin e kreut apo të drejtuesve të saj. Kështu ka ndodhur me pothuajse të gjithë kryetarët në Britani: me Macmillan-in, Major-in, Brown-in, Chamberlain-in, Smith-in, etj. E njëjta gjë ka ndodhur në Gjermani me Kohl-in, Brandt-in, Schroder-in, e të tjerë. Po kështu në Itali me Renzi-n, Letta-n, Bersani-n, Amato-n, etj.
Të gjitha partitë e tyre kanë mbijetuar, kanë vazhduar të jenë pjesë e jetës politike, kanë ardhur në pushtet, kanë rënë dhe janë rikthyer sërish. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me partitë totalitare, si ato fashiste apo komuniste. Edhe ato nuk e kanë lidhur fatin e tyre me fatin e drejtuesve. Partia Fashiste në Itali, kur pa që Musolini ishte kthyer në pengesë, e largoi atë: vetë Këshilli i Lartë Fashist e përjashtoi Duçen dhe vendosi në krye Badoglio-n.
Edhe në Bashkimin Sovjetik, pas largimit të Leninit, Stalinit apo Hrushovit, partia vazhdoi jetën e saj dhe nuk e lidhi kurrë fatin me drejtuesit e veçantë. Po kështu, edhe Partia Komuniste e Shqipërisë nuk e lidhi fatin e saj me fatin e Enver Hoxhës. Ajo u përpoq të mbijetojë dhe, në fakt, mbijetoi për disa vite, deri në vitin 1991 (nëse nuk vazhdon ende në forma të tjera partiake).
Kur fati i një organizate lidhet me fatin personal të një grupi apo individi, atëherë ajo organizatë pushon së qeni e tillë: vdes si organizatë politike dhe del jashtë funksionit të saj natyror, për të mbijetuar, për t’u rritur dhe për të luftuar për pushtet. Ajo shndërrohet në një formë tjetër organizimi që nuk ka më lidhje me procesin politik.