
Dr. Ernest Nasto
Ekspert i politikës amerikane/
Në Shtetet e Bashkuara ka filluar tashmë, siç dihet, fushata zgjedhore për garën e 5 nëntorit 2024 që do të vendosë fatin e Shtëpisë së Bardhë për 4 vitet e ardhshme. Po ashtu në kërkim të votës së zgjedhësve do të jenë të gjithë anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve si edhe 34 senatorë. Le të shohim me këtë rast disa karakteristika të sistemit politik amerikan duke venë në dukje edhe veçori të tij krahasuar me vende të tjera të zhvilluara perëndimore.
Organizimi politik i SHBA bazohet në Kushtetutën e tyre, në fuqi prej 1789 dhe më e vjetra ndër kushtetutat e sotme, e cila e përcakton formën e regjimit si një republikë federale të tipit presidencial.
Shtetet e Bashkuara janë republikë, sepse kreu i shtetit zgjidhet periodikisht dhe nuk trashëgohet si në sistemet monarkike. Republika dhe monarkia janë dy llojet e vetme të organizimeve politike në kohën tonë, dhe ndër vendet me sisteme republikane mund të përmendim Italinë, Francën, Gjermaninë, Zvicrën, etj, e po ashtu edhe Shqipërinë dhe vendet e Ballkanit e të Europës Lindore. Ndërkaq një sërë vendesh të tjera janë monarki, që do të thotë se posti i kryetarit të shtetit mbetet kurdoherë brenda së njejtës familje duke u trashëguar brez pas brezi. Shembuj monarkish janë Mbretëria e Bashkuar, Spanja, Holanda, Norvegjia, Suedia, Kanadaja, Australia, Zelanda e Re, etj. Të gjitha këto janë monarki kushtetuese me nivele të larta të zhvillimit të demokracisë.
Republika amerikane është po ashtu federale sepse njësitë e saj përbërëse, shtetet, kanë kompetenca të gjera dhe ligje të veçanta të cilat shpesh janë të ndryshme nga ligjet e administratës qendrore. Shtetet ruajnë kështu një shkallë të lartë sovraniteti, dhe kjo është pak a shumë e vërtetë edhe për vende të tjera me të njejtin organizim federal, qofshin ato republika apo monarki. Ndër vende të tilla mund të rreshtojmë Gjermaninë, Zvicrën, Austrinë, Indinë, Meksikën, Kanadanë, Australinë, Brazilin, ndërsa në Ballkan kemi shembullin e Bosnjë-Hercegovinës. Ndërsa në formën tjetër të organizimit, atë unitare, qeveria qendrore ushtron sovranitet të plotë në të gjitha aspektet, dhe ligjet e saj janë të vlefshme në tërë territorin. Vende me organizim unitar janë republika si Italia, Franca, Irlanda, Portugalia apo Shqipëria, si edhe monarki si Holanda, Suedia, Norvegjia, etj.
Shtetet e Bashkuara janë më në fund një republikë e tipit presidencial, pra ku kreu i shtetit kryeson njëkohësisht edhe qeverinë, e për këtë arsye s’egziston posti i kryeministrit. Republika presidenciale janë pothuaj të gjitha vendet e Amerikës Latine, Turqia, Filipinet, Indonezia, etj, dhe në to presidenti zgjidhet drejtpërsëdrejti nga votuesit. Ndërkaq një numer republikash të tjera janë të tipit parlamentar, d.m.th. të tilla ku posti i kreut të shtetit ështe i ndarë nga ai i kreut të qeverisë (kryeministrit). Shembuj republikash parlamentare janë Italia, Gjermania dhe shumica e republikave europiane, padyshim edhe Shqipëria, dhe në to kreu i shtetit zgjidhet jo nga votuesit por nga organi ligjvënës, parlamenti.
Të tri degët e pushtetit në shtetet e sotme moderne konsiderohen ato legjislative (ligjvënëse), egzekutive (ligjzbatuese) dhe gjyqësore. Karakteristikë e demokracive të zhvilluara të tipit perëndimor, ku sigurisht bëjnë pjesë edhe Shtetet e Bashkuara, është ndarja e tyre në kuptimin që asnjera s’mund të ketë mbizotërim absolut të të dy të tjerave dhe kontrolli i ndërsjelltë që ato i bëjnë njera-tjetrës (checks and balances). Kjo ndarje ishte një tipar që etërit themelues të Amerikës e theksuan në mënyrë të veçantë, duke pasur parasysh pervojën e hidhur të vendeve europiane të asaj kohe e duke synuar të shmangnin përçarjet që në Botën e Vjetër kishin pasur pasoja gjakderdhjesh masive e të vazhdueshme. Më vonë edhe kushtetutat e epokës moderne anembanë botës u frymëzuan gjerësisht nga parimet e asaj amerikane.
Kongresi i Shteteve të Bashkuara është organi ligjvënës dhe përbëhet nga 2 dhoma: e ulta, ose Dhoma e Përfaqësuesve, me 435 anëtarë të zgjedhur nga çdo shtet sipas numrit të popullsisë, dhe e larta, ose Senati, me 100 anetarë, nga 2 për secilin shtet. Përfaqësuesit zgjidhen për një mandat 2 vjeçar ndërsa senatorët për 6 vjet. Për këtë arsye në nëntor të çdo viti çift janë në garë të gjithë përfaqësuesit dhe 1/3 e senatorëve, dhe numri i mandateve është i pakufizuar me ligj. Sa për kompetencat e secilës dhomë mund të themi se ajo e Përfaqësuesve ka për detyrë të hartojë e të miratojë ligjet, ndërsa Senati mundet t’i ndryshojë apo t’i refuzojë ato. Vetëm pas miratimit nga të dy dhomat, ligji përkatës shkon tek Presidenti për t’u nënshkruar e për të hyrë në fuqi.
Presidenti dhe kabineti i tij përbëjnë pushtetin ligjzbatues, ose egzekutiv, me detyrë zbatimin e ligjeve të miratuara nga Kongresi. Presidenti zgjidhet një herë në 4 vjet nëpërmjet një mekanizmi me 2 faza: të martën e parë të nëntorit mbahet votimi popullor dhe pastaj, më 14 dhjetor, një organ i posaçëm, Kolegji Elektoral, zgjedh presidentin.
Dega e tretë e pushtetit, ajo gjyqësore, përbëhet nga gjykatat e të gjitha shkallëve, ato lokale, të apelit e gjykatat e larta të secilit shtet. Instanca e fundme është Gjykata e Lartë (Supreme Court) e Shteteve të Bashkuara, e cila ka për detyrë të përcaktojë nëse ligjet janë në përputhje me Kushtetutën.
Kolegji Elektoral që përmendëm është një nga aspektet e sistemit politik amerikan që dallohen nga ato të demokracive të tjera. Ai është një organ i posaçëm prej 538 anëtarësh, me detyrë të vetme zgjedhjen e presidentit. Kjo metodë votimi indirekte është e vetmja e tillë në tërë botën perëndimore. Kjo do të thotë se vota popullore s’përcakton drejtpërsëdrejti fituesin e garës presidenciale por vetëm përbërjen e Kolegjit Elektoral. Kjo bën që në disa raste fituesi i votës popullore të mos arrijë të sigurojë shumicën në Kolegjin Elektoral, pra të mos zgjidhet president i vendit. Kjo ka ndodhur 6 herë deri më sot në historinë amerikane: në zgjedhjet e viteve 1800, 1824, 1876, 1888, 2000 dhe 2016.
Një aspekt tjetër për t’u shënuar janë edhe partitë politike, dhe veçoria qendron në atë që ato s’përmenden askund në Kushtetutën amerikane. Megjithatë partitë kanë mbizotëruar jetën e vendit qysh prej viteve 1790. Në secilën epokë kryesore kanë qenë 2 parti të mëdha, dhe prej vitit 1860 ajo Demokratike dhe ajo Republikane. Duhet theksuar këtu fakti që edhe pse emrat e tyre kanë mbetur të njejtë, ideologjitë e partive kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë në ndryshim të vazhdueshëm. Prej mesit të shekullit të kaluar mund të thuhet se partia Demokratike ka përfaqësuar pozicione e politika të qendrës së majtë, ndërsa ajo Republikane të qendrës së djathtë.
Partitë amerikane kanë një organizim të lirshëm dhe pa organe drejtuese që të përcaktojnë “vijën e partisë”. Kështu përfaqësuesit e tyre në Kongres munden të votojnë në favor të ligjeve të propozuara nga partia kundërshtare, pra të “devijojnë”, pa u druajtur nga ndonjë pasojë ndëshkimore prej partisë së tyre. Të dy partitë kanë komitete kombëtare të cilat merren kryesisht me mbledhje fondesh e me funksionet adminstrative, por drejtues praktikë konsiderohen kurdoherë zyrtarët e zgjedhur, pra sipas rastit, presidenti, apo kryetarët e grupeve në Senat e në Dhomën e Përfaqësuesve.
E më në fund veçori e sistemit amerikan janë edhe zgjedhjet primare, që kanë një traditë shumë më të gjatë e më të zhvilluar se në Europë. Ato janë në thelb një garë brenda secilës parti për të përcaktuar kandidatin e saj zyrtar që do të përballet me kandidatin e partisë kundërshtare. Garat primare zhvillohen si për postin e presidentit, ashtu edhe për ato të senatorëve, të përfaqësuesve të çdo distrikti elektoral, të governatorëve të shteteve etj.
Kuptohet që të gjitha këto tipare që përshkruam janë përsosur vazhdimisht duke krijuar mundësinë që demokracia amerikane dhe ligji i saj themelor Kushtetuta, të mund të mbijetojnë edhe në kohë kërcënimesh e krizash, dhe me jetëgjatësinë dhe qendrueshmërinë të jenë shembuj edhe për vende të tjera të mëdha apo të vogla.
======
*Autori është n/kryetar i degës së Federatës Vatra për Chicagon