Shkruan: Eneida Jaçaj/
Situata në Veriun e Kosovës ka përmbysur të gjithë ekuilibrat ndërkombëtare, për një politikë paqësore, bashkëpunuese dhe neutrale, duke çuar marrëdhëniet mes dy shteteve shumë pas në kohë. Veriu i Kosovës është shndërruar në një gjendje të patolerueshme të dhunës, terrorit, vrasjeve, kërcënimeve, duke sjellë në kujtesë varret masive, si në Luftën e Parë Botërore, barbarizmat serbe, ku populli kosovar ende i ndjen në lëkurë, dhe ende nuk ka marrë qoftë edhe një falje nga Serbia. Marrëdhëniet Kosovë-Serbi kanë qenë historikisht në fije të perit, burim konfliktesh dhe arenë lufte, duke cënuar stabilitetin e rajonit të Ballkanit Perëndimor. Së fundmi, Serbia ka shtuar pretendimet e saj të errëta nacionaliste, duke përdorur një politikë tinzare dhe manipuluese, për të aneksuar Veriun e Kosovës, me të ashtuquajturën e famshme “asosacion të komunave me shumicë serbe”. Pra, Serbia ende nuk është e gatshme të thyejë mitin se: “E gjithë Serbia është Kosovë”, por po përpiqet të bëjë një lojë të shëmtuar politike me komunat serbe në veri. Kosova i njeh shumë mirë taktikat serbe, pasi ka mësuar nga përvoja e së kaluarës.
Serbia po kërkon të përfitojë dhe ta shfrytëzojë për qëllimet e saj dashakeqe, propozimin e Bashkimit Europian, duke kërkuar të drejtojë vetë të gjithë punët në komunat me shumicë serbe, në Veri të Kosovës. Kosova zyrtare e ka deklaruar gjithmonë se është në mbështetje të të drejtave të pakicës serbe, duke lejuar integrimin e tyre në veprimtari publike, por kurrsesi nuk mund të lejojë cënimin e integritetit territorial, me politika djallëzore dhe intrigante, nga ana e Serbisë. Aleksandër Vuçiç ka dalë hapur kundër përpjekjeve historike të figurave më të shquara amerikane, si Bill Klinton, Marti Ahtisari, Xhorxh Bush, pa të cilët sot nuk do të arrihej pavarësia e Kosovës, duke krijuar pasiguri në rajonin e Ballkanit Perëndimor, nga e cila përfiton edhe Rusia me Kinën, në politikat e tyre kundër SHBA-së dhe BE-së. Nga ana tjetër, edhe faktorët e fuqishëm ndërkombëtarë, duket sikur po e përkëdhelin paksa Serbinë, pasi nuk kanë ndërmarrë sanksione kundër saj, kur ajo lëshon deklarata me karakter nacionalist, me prapavija të errëta politike, qoftë edhe me rastin e fundit të vrasjes së policit në Veri të Kosovës, qoftë edhe për kërcënimet për të mbyllur kufirin me Kosovën për shqiptarët e Luginës së Preshevës.
Duket se Kosova ka mbetur e vetme dhe e pambrojtur në këtë pikë të diskutimeve, e cila po tradhtohet edhe nga disa politikanë të brendshëm të saj. Asociacioni i komunave me shumicë serbe ka për qëllim bashkimin e dhjetë komuna në Kosovë të banuara me shumicë serbe: Mitrovicë e Veriut, Kllokot, Partesh, Ranillug, Graçanicë, Zveçan, Zubin Potok, Novobërdë, Leposaviç dhe Shtërpcë. Por, Kosova ka refuzuar të themelojë asociacionin, duke shprehur frikë dhe mosbesim, se mund të cenojë funksionalitetin e shtetit. Me aktin e saj makabër të vrasjes së policit në veri, Serbia ka thyer edhe marrëveshjen e BE-së, në të cilën thuhet se: “Të përkushtuara për të kontribuar në bashkëpunimin dhe sigurinë e frytshme rajonale dhe për të kapërcyer trashëgimin e së kaluarës; të vetëdijshme për përgjegjësinë e tyre për ruajtjen e paqes; përderisa kjo marrëveshje bazë përfaqëson një hap të rëndësishëm të normalizimit, të dyja palët do të vazhdojnë me një shtysë të re në procesin e dialogut të udhëhequr nga BE-ja, që do të çojë në marrëveshjen ligjërisht të detyrueshme e gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve”. Në këto kushte, BE-ja ka sjellë një propozim të ri modern për asosacionin, duke shpresuar se do të arrihet një marrëveshje mes dy shteteve. Në situatën e deklaratave dhe kundërdeklaratave apo propozimeve, ajo që ka humbur dhe ka ndjerë pasojat, është sërish Kosova e pafajshme.