![](https://gazetadielli.com/wp-content/uploads/2023/11/405538694_741243188044206_2976993741732364290_n.jpg)
Prof.Asc.Dr.Gëzim MUSTAFAJ/
Çeshtja kombëtare shqiptare, qysh nga lindja e saj, pati përballë jo vetëm pushtuesin shumë shekullor osman, por edhe shtetet e reja kufitare, ato helene, serbe, bullgare. Menjëherë apo paralel me krijimin e shteteve të tyre, në kushtet e së ashtuquajturës “Kriza Lindore”, me një përmbajtje të theksuar nacionaliste, ato përpunuan, që në vitin 1844, platformat apo programet famëkeqe të emërtuara “Megali Idhea” (Greqia), “Narçetania” (Serbia), si dhe Traktati i Shën Stefanit për (Bullgarinë). Thelbi i tyre qëndronte në përfshirjen, në përbërjen të shteteve greke, serbe dhe bullgare, të viseve të vendeve fqinje. Ambicje më të theksuara ato kishin për trojet shqiptare, ende të pushtuara nga Perandoria Osmane. Parashikohej aneksimi i plotë i tyre me vijë takimi të përbashkët e vijëndarëse lumin Shkumbin. Fatkeqësisht, si gjithmonë, Lëvizja jonë Kombëtare, në momente të caktuara, por tepër jetësore në mbrojtje të viseve të veta, u përball edhe me indiferentizmin e Fuqive të Mëdha të kohës e pse jo edhe me kundërshtimin e tyre e deri në marrjen e vendimeve antishqiptare.
Në mesin e shek. XIX, kur hartoheshin planet aneksioniste të fqinjëve, sipas edhe shumë vëzhguesve të huaj, të cilët e njohën nga afër gjeografinë njerëzore të Gadishullit Ballkanik, trojet me popullsi etnike shqiptare kishin një shtrirje të gjerë. Kështu, sipas euriditit francez Ami Boue (1840), vëzhguesit britanik E. Spencer (1847), austriakut J. Hahn (1853) etj, hapësirat gjeografike me popullsi autoktone shqiptare shtriheshin:
-Në Veri deri në Nish, Leskovac dhe Vranjë;
-Në Lindje deri në Kumanovë, Perlep dhe Manastir;
-Në Jugë deri në Konicë, Janinë dhe Prevezë, përkatësisht krahinat ekstreme. (Akademia e Shkencave e RSH, “Platformë për zgjidhjen e çështjes kombëtare shqiptare”, botim i vitit 1998, Tiranë, f. 6). Këta studiues e vëzhgues pranonin se në këto krahina kishte edhe banorë të kombësive fqinje ballkanike (grek, vëlleh, maqedon, serb, malazes, turq). Por këto përbënin vetëm pakica shumë të vogëla, në kuadrin e shtrirjes së madhe të popullsisë shqiptare. Trojet me banim nga shqiptarë autoktonë, edhe pse në atë kohë, me emrin, Shqipëri, nuk njihej ndonjë ndarje administrative, ato emërtoheshin me emrat e katër vilajeteve, Kosova, Shkodra, Manastiri, dhe Janina dhe ishin ndarë nga qeveria osmane. Sipas disa studiuesve popullsia shqiptare shtrihej në një sipërfaqe prej 90.000 km. (Arben Puto, “Çështja shqiptare në aktet ndërkombëtare të periudhës së imperializmit”, Vëll. I, Tiranë 1985, f. 20). Por, para Kongresi të Berlinit, që shënon edhe coptimin e madh të parë të trojeve shqiptare, i cili u shkëputi atyre rreth 25.000 km2 sipërfaqe, del se në vitin 1878, sipërfaqja me popullsi shqiptare shtrihej deri në rreth 105.000 km2.
Traktati i Shën Stefanit u konsiderua në të gjithë Turqinë si një dënim me vdekje i dhënë kundër Perandorisë. Një muaj pas armëpushimit të Edrenesë u nënshkrua në Shën-Stefan, më 3 mars 1878, Traktati i Paqes ndërmjet Perandorisë Ruse dhe Perandorisë Osmane. Ai do ti shkëpuste Perandorisë Osmane rreth 80 për qind të zotërimeve të saj në Gadishullin Ballkanik. Me shpresë se do të shmangte kundërshtimin e fuqive të tjera të mëdha, Rusia nuk mori për vete asgjë nga këto territore. Synimet e saj hegjemoniste në Evropën Juglindore, Rusia do t’i siguronte kryesisht nëpërmjet Bullgarisë së madhe autonome. Brutaliteti i politikës perandorake ruse dukej sidomos në trajtimin e problemit shqiptar. Shqiptarët nuk u trajtuan fare si kombësi më vete. Emri i tyre nuk zihej fare, në gojë në Traktatin e Shën-Stefanit. Për Rusinë, Shqipëria nuk ekzistonte si subjekt të drejtash politike e kombëtare. Rusia nuk e njihte Shqipërinë as si shprehje gjeografike, jo pse nuk kishte informacione për shqiptarët, por këtë e bënte më qëllim që t’ua mundësonte shteteve sllave zgjerimin territorial në këto vise pas shkatërrimit të Perandorisë Osmane. Për më tepër trojet e saj u copëtuan midis katër shteteve. Pjesa më e madhe e tyre mbetej nën sundimin e Perandorisë Osmane kurse një mori visesh periferike u jepeshin aleatëve sllavë të Rusisë. Bullgaria do të merrte, përveç të tjerave, rrethet e Korçës, Pogradecit, Strugës, Dibrës, Kërçovës, Gostivarit, Tetovës, Kumanovës dhe Kaçanikut. Serbia do të aneksonte, viset veriore të Kosovës deri në afërsi të Mitrovicës. Mali i Zi do të përfshinte brenda kufijve të tij, ndër të tjera krahinat shqiptare të Ulqinit, Krajës, Anamalit, Hotit, Grudës, Tuzit, Kelmendit, Gucisë, Plavës dhe Rugovës, pra edhe toka të cilat nuk i kishte pushtuar ushtarakisht gjatë luftës. Kufiri i ri do të kalonte përmes liqenit të Hotit, liqenit të Shkodrës dhe lumit të Bunës. Ky copëtim i trojeve shqiptare ndryshonte ndarjen e deriatëhershme të njësive administrative në kuadër të Perandorisë Osmane.
Tani tokat shqiptare do të bënin pjesë jo në katër, por në tre vilajete pasi që Vilajeti i Manastirit do të kalonte krejtësisht nën administrimin bullgar. Midis tre vilajeteve që do të mbeteshin nën zgjedhën osmane, njëri prej tyre, vilajeti i Janinës, do t’i nënshtrohej një reforme administrative të veçantë. Sikurse thuhej në nenin 15, në viset e tij, do të zbatohej ashtu si dhe në Thesali, një rregullore e njëllojtë me atë që ishte vendosur për ishullin e Kretës më 1866. Rregullorja do të përgatitej nga Porta e Lartë, e cila do të detyrohej të merrte pëlqimin e Rusisë, para se ta vinte atë në zbatim. Në këtë mënyrë shqiptarët e shpërndarë në tre vilajetet do të administroheshin nga rregullore të ndryshme, gjë që do t’i vështirësonte më tej marrëdhëniet e tyre politike, ekonomike, shoqërore dhe kulturore. Shqiptarët e kuptuan përmbajtjen e Traktatit të Shën Stefanit në prili të vitit 1878, kur ai u shpall zyrtarisht. Ata u informuan për copëtimin e tokave të tyre dhe territoret që do t’i kalonin Bullgarisë, Serbisë dhe Malit të Zi. Sikurse shkruante Abdyl Frashëri, më 12 prill 1878, perandori nuk do të ndalej vetëm me këtë copëtim të trojeve shqiptare. Sipas tij, Traktati i Shën-Stefanit shënonte vetëm hapin e parë drejt asgjësimit të plotë të Shqipërisë. Një vlerësim të tillë të situates e bënte edhe Sami Frashëri. Pasi vinte në dukje tendencën e Rusisë për ta shtrirë Bullgarinë deri në brigjet e Adriatikut, ai shkruante disa muaj më vonë: -“Sikurse kuptohet nga harta e Traktatit të Shën-Stefanit, (Rusia) pasi ta ketë bullgarizuar mesin e Shqipërisë, pjesët që mbeten në veri të saj, domethënë sanxhaqet e Prishtinës, Prizrenit dhe Shkodrës, do t’ia falë Serbisë dhe Malit të Zi, kurse pjesën që mbetet në jug, domethënë sanxhaqet e Prevezës, Janinës dhe Gjirokastrës do t’ia japë përkohësisht Greqisë, duke e zhdukur Shqipërinë, bile duke e fshirë atë nga harta”. (Kristo Frashëri, Lidhja Shqiptare e Prizrenit, Tiranë 1997, f. 60).
Duke e ndier rrezikun nga afër sidomos pas sukseseve të Rusisë, ideologët shqiptarë mendonin për organizimin e shqiptarëve për çlirimin e tyre. Kjo ide përparimtare u jetësua në maj të vitit 1877 kur u formua në Janinë një Komitet Shqiptar në krye të të cilit u vu Abdyl Frashëri. Pas konsolidimit, Komiteti i Janinës vuri kontakte me oficerë shqiptar që shërbenin në ushtrinë osmane të cilët u treguan të gatshëm për tu bashkuar në luftën çlirimtare.
Shqiptarët kishin filluar të organizoheshin edhe në veri të Shqipërisë. Ata kishin formuar një komitet në krye të cilit qëndronte Pjetër Gurakuqi, i ati i Luigj Gurakuqit i cili sipas konsullit austriak në Shkodër Lippih njihej si proitalian.
Në rrethanat e reja të ndërlikimit të situatës ndërkombëtare kur Rusia me aleatët e saj po përparonin, Greqia e ndjente të nevojshme vazhdimin e bisedimeve me shqiptarët. Abdyil Frashëri kishte kërkuar nga pala greke që ta tërhiqte nga delegacioni Mavromatin sepse sipas tij ai ishte pengesë serioze për arritjen e ndonjë marrëveshje eventuale. Athina në vend të Mavromatit, dërgoi Stefanos Skuludhin i cili ishte deputet në parlamentin grek. Skuludhi arriti në Stamboli më 15 dhjetor 1877. Takimi në mes të delegacioneve, me kërkesën e Abdyl Frashërit u shty për disa ditë me qenë se ai dhe përfaqësues të tjerë ishin të zënë me organizimin e një aktiviteti kombëtar. Në fakt patriotët shqiptar kishin udhëtuar nga vende të ndryshme të Shqipërisë për të marrë pjesë në bashkimin në një organizate kombëtare e cila do të formohej në Stamboll. Kjo organizatë u formua më 18 dhjetor 1877 dhe u njoh me emrin “Komiteti Qendror për Mbrojtjen e të Drejtave të Kombësisë Shqiptare”. Edhe këto përpjekje për lidhjen e ndonjë marrëveshje shqiptaro-greke me interesa dypalëshe dështuan. Madje urdhri nga qeveria greke dërguar Skuludhit për t’u tërhequr nga bisedimet me shqiptarët më 25 dhjetor 1877 ishte sinjal i qartë se Greqia po përgatitej të pushtonte tokat shqiptare në Jug.
Kongresi i Berlinit u hap më 13 qershor 1878, me rend dite rishikimin e Traktatit të Shën-Stefanit. Në të morën pjesë 6 Fuqitë e Mëdha të Evropës: Gjermania, Anglia, Franca, Rusia, Austro-Hungaria dhe Italia. Sipas procedurës së vendosur paraprakisht, vendimet do të merreshin njëzëri. Punimet e Kongresit të Berlinit i drejtoi kancelari gjerman, Otto Bismark.
Në punimet e Kongresit të Berlinit mori pjesë edhe një delegacion qeveritar i Perandorisë Osmane, i kryesuar nga ministri i saj i Jashtëm, Kara Theodhor Pasha, me ndihmës të parë Mehmet Ali Pashën, një mareshal turk me origjinë gjermane. Por delegacioni turk nuk kishte të drejta të barabarta me ato të Fuqive të Mëdha. Me ftesën e Fuqive të Mëdha, shtetet ballkanike (Serbia, Greqia, Bullgaria, Rumania, Mali i Zi) dërguan në Berlin delegacionet e tyre qeveritare, të cilat parashtruan dhe mbrojtën në seanca të veçanta të Kongresit kërkesat e tyre politike e territoriale.
Shqiptarët, sidomos organizmat e Lidhjes së Prizrenit, i parashtruan Kongresit të Berlinit kërkesat e tyre. Në dhjetëra peticione e memorandume të dërguara gjatë muajve qershor-korrik 1878, përveç protestave kundër lakmive pushtuese të shteteve fqinje, që cenonin tërësinë territoriale të Shqipërisë, parashtrohej edhe kërkesa për t’i dhënë Shqipërisë disa të drejta autonomie. Megjithatë, Fuqitë e Mëdha, nuk i morën parasysh këto kërkesa të shqiptarëve. Si rrjedhim, çështja shqiptare nuk u përfill fare si çështje më vete nga Kongresi. Punimet e Kongresit të Berlinit vijuan plot një muaj, ato përfunduan më 13 korrik 1878 me nënshkrimin e Traktatit të Berlinit, i cili zëvendësoi atë të Shën-Stefanit. Ashtu si Traktati i Shën-Stefanit që nuk e pa Shqipërinë si një njësi politike të veçantë, por e trajtoi si një plaçkë tregu të destinuar për të përmbushur synimet e Fuqive të Mëdha dhe për të kënaqur lakmitë e shteteve ballkanike, Traktati i Berlinit nuk i njohu Shqipërisë asnjë të drejtë kombëtare, madje nuk e zinte fare në gojë emrin e saj. Ai nuk e respektoi as tërësinë e saj territoriale.
Kuvendi i Lidhjes së Prizërenit, më 10 qershor 1878 do të hapi dyert për të pritur delegatët, të cilët do të vinin nga të katërt Vilajetet e Shqipërisë: Shkodrës, Manastirit, Janinës dhe Kosovës. Edhe pse fraksione të ndryshme penguan organizimin e kësaj mbledhjeje dhe një pjesë e mirë e të ftuarve arritën me vonesë, kuvendi i nisi punimet. Dy ishin rrymat kryesore që u debatuan: atdhetarët të cilët mbrojtën idenë e një bashkimi kombëtar dhe territorial, dhe fraksionet osmane të cilët ushtronin presionin që edhe nëse Shqipëria do të funksiononte veç administrativisht, sërish të varej nga Porta e Lartë. Kuvendi, i cili themeloi lidhjen e parë mbarëshqiptare zgjati 5 ditë dhe numri i delegatëve shkoi në 110. Abdyl Frashëri në fjalen e tij do theksonte: -“Qëllimi i Kuvendit është që t’ua presim hovin armiqve të pashpirt, duke lidhur besën shqiptare dhe duke u betuar që t’i mbrojmë me gjak trojet që na kanë lënë gjyshërit dhe stërgjyshërit tanë”.
Lidhja e Pejë e vitit 1899, u vlerësua si një organizatë unike kombëtare, që do të bashkonte në gjirin e saj gjithë shqiptarët, gegë e toskë, myslimanë e të krishterë. Me urdhërin e drejtuesve të Lidhjes dhe në zbatim të vendimeve të saj u ndalën gjakmarrjet, armiqësitë e grindjet dhe parashikoheshin dënime të rrepta për ata që do të nxirrnin hakmarrjen, dhe për veprimet e tjera që cënonin rendin publik. Lidhja përcaktoi si detyrë kryesore e të dorës së parë mbrojtjen e tërësisë territoriale të Shqipërisë kundër çdo orvajtje që Serbia, Bullgaria, Mali i Zi dhe Greqia do të ndërrmerrnin për copëtimin e trojeve shqiptare. Serbia dhe shtete të tjera të Ballkanit e pritën me shqetësim formimin e Lidhjes së Pejës. Ndaj kësaj Lidhje Shqiptare nuk shfaqën dashamirësi as Fuqitë e Mëdha sidomos Rusia dhe Austro-Hungaria. Pretendimet e Lidhjes Shqiptare binin ndesh me politikën pan sllaviste ruse kurse Austro-Hungaria ishte e interesuar që të përfitonte nga çdo dobësim i Perandorisë Osmane në mënyrë që të pushtonte këtë territor. As Britania e Madhe nuk shfaqi ndonjë shenjë përkrahje apo ndonjë trajtim më pozitiv në krahasim me Fuqitë e tjera.
Në mars të vitit 1903 mijëra shqiptarë të armatosut u grumbulluan në rrethinat e Prizrenit e të Mitrovicës dhe zunë gjithë zonën midis Gjakovës e Pejës. Rreth 5000 kryengritës u mblodhën në Drenicë, ku nën drejtimin e udhëheqësve të tyre Ahmet Delia, Ukë Kamberi etj., mbajtën në fushë të Morinës kuvendin e tyre, në të cilin u kërkua nga qeveria turke të hiqte dorë nga reformat që rrezikonin tërësinë e Shqipërisë dhe të dëbohej konsulli rus nga Mitrovica. Karakter të ashpër morën ngjarjet në rrethet e Mitrovicës, ku në mars 1903 u përqëndruan 2000-3000 kryengritës, të cilët, ashtu si në Kuvendin e Drenicës, protestuan kundër “reformave që po dëmtonin interesat e atdheut”.
Lëvizja kombëtare shqiptare e vetmuar dhe pa asnjë përkrahje politike nga shtetet e pavarura të Ballkanit dhe Fuqitë e Mëdha nuk kishte shumë mundësi për zgjedhje në veprimet e saj politike. Shtetet ballkanike me çdo kusht përpiqeshin të pengonin aktivitetet dhe luftën e shqiptarëve për çlirim kombëtar. Në këto rrethana, patriotët shqiptar edhe më tutje gjendeshin para një dileme e cila iu afronte dy mundësi: E para, të rreshtoheshin përkrah popujve të krishterë të Ballkanit të cilët e mohonin ekzistencën e popullit shqiptar dhe pretendonin ta copëtonin territorin e Shqipërisë dhe e dyta, të rreshtoheshin përkrah sulltanit dhe të mundoheshin të përfitonin disa nga kërkesat e tyre. (Georges Castellan, Histori e Ballkanit (shekulli XIV-XX), Tiranë 1991, f. 381).
Kryengritjet shqiptare të viti 1910-1911, pavarësisht se nuk i dhanë rezultatet e pritura, megjithatë tërhoqën vëmendjen e diplomacisë ndërkombëtare. Britania e Madhe pavarësisht se nuk i përkrahu zyrtarisht lëvizjet kryengritëse shqiptare, diplomacia e këtij vendi që përbënte njërin nga më të fortit në kuadrin e Fuqive të Mëdha nuk pati qëndrim zyrtar as kundër interesave të shqiptarëve. Kjo vinte nga që rrethanat e përgjithshme dhe njohjen e pamjaftueshme të kauzës shqiptare në qarqet diplomatike dhe nga mungesa e një qendre të vetme politike ku mund të kordinoheshin aktivitetet politike, diplomatike dhe organizimi i kryengritjeve antiosmane, pra mungesa e përgatitjes në masën e duhur të faktorit të brendshëm. Mungesa e këtyre aspekteve ka ndikuar drejtpërdrejt në pamundësinë e shndërrimit të “kauzës shqiptare” në interes strategjik të Fuqive të Mëdha.
Fillim viti 1912 nisi me probleme të vjetra të pazgjidhura në trojet shqiptare. Marrëdhëniet në mes shqiptarëve dhe qeverisë osmane jo vetëm që nuk kishin shënuar përmirësime, por ishin ndërlikuar edhe më tepër duke hyrë kështu në një rrugë njëdrejtimëshe pa mundësi reale për t’u riparuar. Vilajeti i Kosovës si zonë më e rëndësishme gjeostrategjike, për shkak të rrethanave të krijuara ishte në qendër të vëmendjes jo vetëm të shteteve ballkanikë, por edhe të Fuqive të Mëdha.
Serbia për të formuar shtetin e vet vranë e masakruan si dhe shpërngulën me dhunë popullsinë shqiptare të Kosovës. Beogradi i Pashicit synonte që “Serbia të bëhej shtet i pastër, thjesht serb, nacional”. Planet e shfarrosjes së shqiptarëve dallohen qartë kur gjeneralët serbë pranonin haptazi se “ne i linim të qetë turqit, por vramë sa mundëm ç’qenë shqiptarë”. Synimi i ushtrisë serbe ishte: “Të shfarosim shqiptarët!” dhe kudo shkelën serbët, në fshatrat e qytetet e Kosovës dhe të gjithë Shqipërisë, ata mbollën vdekje e shkatërrime. Sekretari i Pashiçit shkruante: “në rrugën midis Prizrenit dhe Pejës kishte vetëm fshatra të djegura, ndërsa banorët e tyre ishin masakruar”. Vetëm në dy muajt e parë të luftës, në tetor-nëntor 1912, u vranë 25.000 shqiptarë. Vrasja e shqiptarëve ishte programuar zyrtarisht nga Beogradi, që kishte urdhëruar “të mos lihej asnjë gjurmë shqiptare në ato vise”. Qytete të tëra, si Prishtina, Vuçiterna, Ferizaj, Gjilani, Kumanova, Presheva, Prizreni, Peja etj., iu nënshtruan shkatërrimeve. Në Pejë në tetor, nëntor 1912 vriteshin çdo ditë 25 shqiptarë. Pas pushtimit të Ferizajt, u vranë 1200 veta. Serbet pasi shtypën qëndresën e 2 000 lumjanëve në Kukës, në tetor 1912, masakruan 700 veta në Lumës, duke përfshirë pleqtë, gratë, fëmijët e madje edhe ata të sapo lindur që u therrën ose u dogjën të gjallë në shtëpitë e tyre, dogjën e rrafshuan pothuajse të gjitha fshatrat e Lumës. Në shumë fshatra të Kosovës nuk mbeti i gjallë asnjë njeri. Në territorin midis Kumanovës e Shkupit, u vranë 3000 veta, nga të cilët 2000 në Shkup dhe rrethinat e itj, ku u arrestuan edhe krerë të lëvizjes shqiptare. Masakra të mëdha u bënë në Malin e Zi, ku u dogjën 29 fshatra shqiptare. Pushtimi u shoqërua me shpërngulje e 150.000 shqiptarëve vetëm gjatë Luftës së Parë Ballkanike.
Në këto rrethana Lëvizja Kombëtare Shqiptare, duke parë qartë dobësimin e Perandorisë Osmane dhe rrezikun që u kërcënohej trojeve shqiptare nga qarqet shoviniste fqinje, po përgatitej për organizimin e kryengritjes së përgjithshme, si e vetmja rrugë për të detyruar qeverinë osmane tu njohë shqiptarëve të drejtat e tyre.
New York Nëntor 2023