Satirë nga Rafael Floqi
Njëherë e një kohë në fushën e Diplomacisë panvllazërore, në Air Albania, ku ajri ishte i mbushur me patriotizëm futbollistik, dy liderë të fuqishëm shqiptarësh, kryeministri kokëshkëmb i Albanisë dhe kryeministri kryemushkë i Dardanisë e gjetën veten të ngatërruar në rrjetën e ndërlikuar të heshtjes para turmave të plisave që frymonin e brohorisnin kuq e zi.
Në stadiumin madhështor të Air Albania, ajri ishte i ngarkuar me pritje, ndërsa skuadra vendase, e kombëtares, me më shumë lojtarë dardanë se albanë, përgatitej të përballej me rivalët e tyre Çekinë. Mes detit të fansave, dy mbështetës të përkushtuar, zotërinjtë Rama dhe Kurti u gjendën në një situatë kurioze. Pavarësisht se kishin një dashuri të palëkundur për Kuq e Zinjtë fati i kishte vendosur në tribuna të ndryshme në dy kate të ndryshme të një stadiumit. A thua ishte punë fati apo inati?!
Ndërsa bilbili i arbitrit ra, duke sinjalizuar fillimin e ndeshjes, ata u hodhën në këmbë në unison, me sytë e tyre të mbërthyer në spektaklin elektrizues që shpalosej në fushë. Kuqezinjtë po bënin një shtytje të jashtëzakonshme sulmuese dhe turma shpërtheu në një zhurmë harmonike që jehoi nëpër gjithë stadium.
Por bota e mbajti frymën e saj teksa u shpalos saga e madhe e kokëfortësisë së tyre, duke i lënë qytetarët të pyesin veten nëse ishin dëshmitarë të një bllokimi diplomatik të një ndeshje apo një produksioni të heshtur teatri pa zë, në një fushë të mbushur me plisa dhe parrulla kombëtare dhe vuvuzela.
Zanafilla e kësaj sage të heshtur qëndronte në një mosmarrëveshje “të parëndësishme” mbi ndarjen e hapësirave ndërkombëtare të assosacionit në veri të Dardanisë në kufi me Shkjeninë. Bota shqiptare i pa me mosbesim teksa dy liderët, të dy të njohur për vullnetet e tyre të hekurta, refuzuan të shprehnin aq shumë as sa për një ‘përshëndetje’ për njëri-tjetrin. Valët e transmetimit televiziv që zakonisht gumëzhinin nga muhabetet zhurmat e tifozave, tani u bënin jehonë me heshtjen e sikletshme të dy liderëve të mbyllur në një betejë supremacie të heshtur në tribunat e stadiumit. Kush të ishte i pari ndër shqiptarë, vëllai i madh apo i vogël.
Kryeministri Kokëshkëmb mendonte me vete. Njerëzit mendojnë se jam i fortë. Unë nuk jam i fortë. Ekziston një ndryshim midis një personi të fortë dhe një personi kokëfortë, i cili thjesht nuk do ta ulë shpatën. Unë jam ky i fundit. Përsëri dhe përsëri dhe përsëri … e marr shpatën, e marr shpatën, e mbaj lart nuk e ul as atë as hundën… Ndërsa kryeministi Kryemushkë mendonte unë e kam drejt, unë vetëvendos, unë e sjell fitoren edhe unë sot me çunat e mij, po jua jap fitoren…
Entuziasmi i golave të Jasir Asanit dhe Taulant Seferit kundër çekëve që bashkuan shqiptarët nga e gjithë bota javen e kaluar, por jo kryeministrat tanë. Nuk i tundën dot kryeneçët. Një dashamirës sporti tha se dy kryeministrat shqiptarë mund ta kishin kursyer shfaqjen e papëlqyeshme që dhanë në stadium, teksa qëndronin të ndarë në dy katet e tribunës në Air Albania, por asnjëri, as tjetri duket se nuk e tejkaloi dot inatin e mahisur prej vitesh dhe që tashmë ka infektuar marrëdhënien personale. Secili këmbëgulte me nje inat kokëderri.
Në tribunën VIP, kryeministri i Albanisë bënte tifo familiare ai kishte pranë tij bashkëshorten e tij, Lindën, vajzën e saj Rea dhe djalin e vogël, Zahon. Në krahun e tij të djathtë ishte ulur presidenti i FSHF-së, Armando Duka. Kryeministri i Dardanisë bënte tifo patriotike me djalin e Adem Jasharit, Lulëzim Jasharin dhe të Ministrit të Brendshëm, Xhelal Zveçla dhe dhe për ta zbutur Rama i kishte dërguar zv.kryeministren Belinda Balluku. Të dy në distancë, larg njëri-tjetrit, atje ku nuk kishin as mundësinë e një përshëndetjeje apo shtrëngimi duarsh. Dhe kjo nuk ishte rastësi. Ishte krijuar një “No mans land” heshtjeje…
Po djali i Adem Jasharit çfarë mesazhi përcillte. Ndoshta patriot më i madh është ai që do të kishte djalin e heroit më pranë pat menduar Kryemushka. Po të ishte kaq e lehtë?
Në një konferencë të rrallë për shtyp, kryeministri Kokëshkëmb pat deklaruar: “Unë nuk do të ulem për t’u përfshirë në shkëmbime verbale me dikë që nuk e kupton qartë rëndësinë e Asosacionit. Kjo është një çështje krenarie kombëtare!” Po të cilit komb ? Ai kryqëzoi krahët, duke marrë një pozë, domethënese. Ndërsa plisat brohorisnin në fushë “Oh sa mir me ken shqiptar” Ohe ..ohe!
Për të mos u zgjatur, kryeministri Dardan u përgjigj me një vendosmëri stoike të tij. “Nëse kryeministri Kokëshkëmb që beson se ai thjesht mund ta quajë ngjarjen e Banjës një incident që zgjidhet me asosacion e ka gabim. Unë nuk do ta thyej heshtjen time derisa drejtësia të vihet në vend!”
Disa orë para ndeshjes, Kurti pat publikuar një foto në rrjetet sociale për të paralajmëruar se do ta ndiqte ndeshjen e kuqezinjve nga Air Albania. Pyetja, nëse e kishte njoftuar më parë Ramën për mbërritjen e tij në Tiranë e zbuloi deputeti i PS, Petro Koçi. “Mendoj se Albini duhet të telefononte Ramën dhe t’i thoshte se po vinte” tha Koçi, duke ia lënë mikut nga Kosova përgjegjësinë për takimin e munguar. Kjo nuk do të thotë se Rama nuk ishte i informuar për vizitën e Kurtit në Tiranë. Afërmendsh, ai zgjodhi të bënte indiferentin, duke përgënjeshtruar në fakt atë që kishte thënë disa orë më parë në parlament se “Albinin e kam mik” apo se me “Albinin s’kam pasur kurrë asnjë problem personal, madje në nivelin personal e kam kënaqësi çdo bisedë me të”.
Në një gjykim të parë, mund të duket se i takonte Ramës si mikpritës në Tiranë të bënte hapin e parë për një ftesë ndaj Kurtit në tribunë. Por këtu duhet llogaritur se disa muaj më parë, ishte Rama që shkoi pa ftuar në Dardani dhe atje u përball me të njëjtën kokëfortësi nga Kurti. Në Korrik, kryeministri i Albanisë udhëtoi drejt Dardanisë për një takim me Albin Kurtin, pak pasi kishte anuluar mbledhjen e përbashkët të qeverive në Gjakovë. Dhe Kurti refuzoi ta presë në takim. Dhe ashtu bëri. Rama u takua me të gjithë kryetarët e partive të Kosovës dhe me presidenten Vjosa Osmani, por jo me të.
Pasi dështoi me vizitën në Dardani ai u kthye në Tiranë. Por më parë ia përshkroi në këtë mënyrë gazetarëve ngërçin në komunikimin me Kurtin: “Unë flas, ai dëgjon por nuk flet. Rrallë ma kthen por s’ka lidhje, është çështje komunikimi ose vazhdimisht e përsërit mesazhin e tij”.
Kjo rrëmujë mes liderëve po ngatërron dy vendet dhe u duk dhe nga rezoluta e Kuvendit të Shqipërisë që bashkoi socialistë dhe demokratë për sulmin terrorist të Banjskës, e që pritej që të mbështetej pa asnjë kompleks rezoluta që miratoi parlamenti i Kosovës në datën 28 Shtator, për të njëjtën ngjarje. Kjo mbështetje është e shkruar tekstualisht në një paragraf të dokumentit, por serish nuk mund të thuhet se parlamenti i Shqipërisë ishte i qartë në qëndrimin për vrasjen e policit Afrim Bunjaku.
Sepse në rezolutën e Kosovës atë që ndodhi në 24 shtator i referohet si “sulm terrorist, i organizuar nga Republika e Shkjenisë”, ndërsa parlamenti i Albanisë e quan “sulm të organizuar ushtarak dhe kriminal të një njësie terroristësh shkje”.
Ky detaj, i vogël në dukje është shprehje e dy qasjeve të ndryshme të Dardanisë dhe të Albanisë në raport me rolin e Shkjenisë mbi aktin terrorist. Por shprehja më e mirë e kësaj diference mes dy parlamenteve ishte fjalimi që kryeministri Kokëshkëmb në kuvend. Për 1 ore e gjysëm, alla Kastro. Rama foli per amanetin e Skënderbeut dhe të Ismail Qemalit, varrin e Ibrahim Rugovës, burgosjen e Hashim Thaçit, heroizmat e Ramush Haradinajt dhe viktimat e Millosheviçit dhe të Enver Hoxhës, kaloi madje edhe ne krahasimet e konfliktit mes palestinezeve dhe izraelitevem por iu përvodh dënimit të aktit terrorist nga Shkjenia. Në vend të kësaj u mor me opozitën në Albani, me qeverinë në Dardani dhe me opinionin publik që nuk bie dakort për marrëveshjet e tij me Shkjeninë dhe sinkronizimin qe shfaq me Ujkiçin.
Opozitës shqiptare iu referua si “planeti non grata”, ndërsa qeverinë e Dardanisë e akuzoi se vrasjen e policit Afrim Bunjaku e shfrytëzoi për përfitime elektorale, duke u shprehur se “nuk ka asnjë shans” që Albania “t’u mbajë iso” kryeministrave të Dardanisë.
Qytetarët e Shqiptarisë, fillimisht të hutuar nga absurditeti i situatës, shumë shpejt u gjendën të kapur në zjarrin e kryqëzuar të kësaj përplasjeje epike në stadium. Diplomatët nga e gjithë bota u përpoqën të ndërmjetësonin, por përpjekjet e tyre u ndeshën me shkëlqime të akullta dhe një angazhim të palëkundur ndaj heshtjes dhe në zhurmën e ndeshjes. Ndërkohë, komuniteti ndërkombëtar vëzhgoi me një përzierje dëfrimi dhe shqetësimi. Shkjenia fërkonte duart.
Memet qarkulluan në mediat sociale, duke përshkruar Kryeministrin Kokëshkëmb dhe Kryeministrin Kokëmushkë të përfshirë në një lojë të heshtur shahu, secili lider duke pritur me kokëfortësi që tjetri të bënte lëvizjen e parë. Në meme madje thuhej se kryeministri Kokëmushkë ishte fat sjellës. Secili prej tyre justifikohej “Unë nuk jam kokëfortë. Mënyra ime është thjesht më e mirë.”
Dhe kafiqet mbetën të heshtura, aty klientët dhe tifozat komunikonin përmes pantomimave të përpunuara dhe ngritjes ekspresive të vetullave. Sikur e kishin me turp atë brohoritjen. O sa mirë me qen shqiptar, Ohee, Ohhe. Himni kombëtar u zëvendësua me një interpretim bezdisshëm të “4’33” të John Cage, një pjesë e famshme e përbërë nga katër minuta e tridhjetë e tre sekonda heshtje të plotë. Sikur mos mjaftonte që hymni i Dardanisë është memec. Heshjta sikur të përcillte vargun e madh të poetit “Ra kjo gjëmë dhe u pamë” e përkthyer me sportivitet “ Ra kjo ndeshje dhe s’u pamë”.
Dhe kështu, vazhdoi saga e Kryeministrit Kokëshkëmb dhe kryeministrit Kryemushkë, një përrallë paralajmëruese për brezat e shqiptarëve rreth rreziqeve të kokëfortësisë dhe absurditetit që rrjedh kur liderët të një kombi zgjedhin heshtjen në vend të dialogut. Bota sheh, duke pyetur veten nëse të dy liderët do të thyenin ndonjëherë heshtjen e tyre apo nëse Diplomacia do të kapej përgjithmonë në jehonat e fjalëve të pathëna apo do perseriste “refrenin të gjitha problemet e mia përkulen para kokëfortësisë sime.” “Është një fatkeqësi që mençuria të ndalon të jesh i kënaqur me veten dhe të largon gjithmonë të pakënaqur dhe të frikësuar, ndërsa kokëfortësia dhe marrëzia i mbushin ushtritë e tyre me gëzim dhe siguri.” shkruante – shkruante dikur Michel de Montaigne.
Liderët e Evropit, si dhe ata të shteteve të rajonit do të mblidhen të hënën në Tiranë, në Samitin e Procesit të Berlinit. Tashmë është raportuar se pjesëmarrës do të jenë edhe kryeministri i Dardanisë dhe presidenti i Shkjenisë, Ujkiç. Në një intervistë të vonë për “Euronews Albania”, kryeministri i Kokëshkëmb, pat thënë se nuk është planifikuar ndonjë takim mes dy liderëve, por megjithatë, “mund të ndodhë gjithçka”. Mund të ndodhë!!! Kjo i çoi turmat e bastexhinjëve në ekstazë që po plotësojnë skedinat, 1 – x -2. Takohen s’takohen. A takohet më parë kryeministri Kokëshkëmb me atë Kryemushkë, apo kryeministri i Dardanisë dhe presidenti i Shkjenisë?
Gjithsesi, distanca që mbajtën dy kryeministrat në stadium, nuk kaloi pa komente në rrjete sociale dhe në media. Ohe, ohe. !!1
Por ndoshta komenti më i mirë, për kokëfortësinë e të dyve, ishte një banderolë që tifo-grupi “Plisat” kishin bërë gati qysh para ndeshjes, siç tregon edhe fotoja. “Mallkue qoftë kush s’na do bashkë “ . Aha po me kë e kishin?