KUR ARTI SFIDOI DIPLOMACINË DHE SHEMBI MURET E NACIONALIZMIT/
NGA FILIP GURAZIU/
Pasioni për muzikën më bashkoi (në rolin e drejtuesit organizativ) me Shoqatën Artistike Kulturore “Prenkë Jakova” – Shkodër me të cilën përshkuem së bashku, në nji periudhë shumë vjeçare, nji rrugë të gjatë pune, me sakrifica e suksese artistike që nderuen jo vetëm pjestarët e Shoqatës e qytetin e tyne, Shkodrën , por të gjithë Shqipninë e shqiptarët kudo që ndodhën.
Krahas qinda koncertesh ( Shkodër, Tiranë, Korçë, Fier, Tuz, Podgoricë, Gjakovë, Tetovë, Dubrovnik, Kraguejevac, Peç, Budapest, Horoshaza, Venezia, Modena, Borgo San Lorenzo, Camerino, Bari etj., po kujtoj veprimtaritë kryesore:
* Regjistrimi në Radion e Vatikanit të Korit polifonik “Prenkë Jakova” dhe prodhimin e CD-ve me titullin ” Jubileu 2000″.
* Koncertet korale polifonike “Lake airs”, (Kori polifonik “Prenkë Jakova” së bashku me Korin polifonik të Akademisë së Arteve të Cetinies) në Shkodër, Virpazar e Tivat, 2001.
* ” Medalje Bronzi” në Festivalin Ndërkombëtar të muzikës polifonike ” Orlando di Lasso” – Camerino – Itali, 2002.
* Java e Kulturës Shqiptare në Firenze (Koncertl në mjedisin e Salone del Cinque Cento, Palazzo Vecchio), 2006..
* Koncertet korale polifonike në veprimtarinë “Peace on Earth”, 2008; ( korista e muzikanta prej Berlinit, Novisadit dhe Shkodrës në nji grup artistik të përbashkët)
* Koncert në Teatrin e Operas të Istanbul së bashku me pianistin me famë botnore Giacomo Campanella të ” Petit Messe Solennele” – Gioachino Rossini, 2010.;
* Koncerti shoqnues i Meshës së Papa Bergoglio në Tiranë, 2015 etj.
Ndër veprimtaritë e masipërme, dëshiroj me kujtue aktivitetin ” Peace on Earth” si dëshmi e fuqisë ” magjike” transformuese të muzikës në psikologjinë e individit e në nji shoqni njerëzore.
Arti në përgjithësi e muzika në veçanti gëzojnë karakter universal mbasi ato mirëkuptohen nga të gjithë popujt e botës, edhe pse gjuhët i kanë të ndryshme. Në këtë kandvështrim, arti shërben ma mirë se çdo gja tjeter për afrimin e popujve, për rritjen e miqësisë e forcimin e bashkëpunimit reciprok tue ndikue pozitivisht për vendosjen e themeleve të nji paqe të qendrueshme, aq të dëshirueme prej të tanve.
Mbas ngjarjeve dramatike që përjetuen popujt e ish Jugosllavisë në vitet nandëdhetë të shekullit të kaluem, nji projekt i përbashkët artistik me protagonista muzikanta me prejardhje etnike dhe fetare të ndryshme prej Ballkanit, merrte kuptimin e nji nisme të mbarë drejt nji periudhe të re miqësie e bashkëpunimi, çka do të përbante, si me thanë, nji kontribut konkret për konsolidimin e paqës në rajon.
Ishte pikërisht ky, motivi që nxiti muzikantin e shquem berlinez Z.Gerhard Oppelt, për me projektue aktivitetin ndërkombëtar muzikor ‘Peace on Earth’ me pjesëmarrjen e artistave berlinez të ‘ Berliner Figural Chor’ e ‘Jugendorchester Berlin’; prej Novi Sad (Serbi), Kori ‘Sveti Stefan Deçanski’ e prej Shkodrës, Kori Polifonik ‘Prenkë Jakova’. Projekti u mbështet financiarisht prej Qeverisë Gjermane e Fondacionit ‘Goethe’.
Nji ansambël madhështor mbi njiqind e njizet artistash, në të cilin bajshin pjesë, përveç grupeve të sipërpërmenduna, edhe solistë të shquem prej Berlinit ( A. Köpcke, A.C. Carlsted, J. Schnurr, P. Dasch ) mbrrijti me funksionue në mënyrë perfekte, falë profesionalizmit të naltë artistik të Drejtuesve të koreve; z. Gerhard Oppelt, zj. Tamara Petijević e z. Gjon Shllaku.
Edhe pse repertori artistik përmbante muzikë të nji shkalle të naltë vështirësie, si ishte vepra vokale ‘Peace on Earth’ e kompozitorit gjerman Arnold Schönberg, impenjimi i pjesëmarrësve bani të mundun realizimin e të gjitha objektivave artistikë.
Si nji trupë e vetme artistike, ansambli ‘Peace on Earth’ dha me shumë sukses dy koncerte në Berlin (26, 27 Shtator 2008); nji koncert në Novi Sad (19 Tetor 2008) e nji tjeter në Katedralen e Shën Shtjefnit në Shkodër, (21 Tetor 2008).
Muzika e zgjedhun prej Maestro Oppelt ( kompozitori Tomas Tallis) u interpretue prej tetë grupeve korale me 10 zane të vendosun në pozicione të ndryshme në sallë, tingujt e shumtë që dukeshin se vijshin prej qiellit, krijojshin nji atmosferë magjike, tue ngjallë nji optimizem të ri për jetën.
Historiani filozof Hendrik Willem van Loon në studimin e tij ‘ THE ARTS’ shkruen: “ Muzika përban gjuhën me të cilën njerëzimi komunikon me Zotin”
A nuk jemi të tanë krijesat e të njajtit Zot ? Pse me u urrye kur në mes nesh kemi dashuninë ? A ka gja ma të dëshirueshme, ma të bukur e ma humane se vllaznimi i popujve e veçanarisht i të rijve me prejardhje të ndryshme etnike e fetare, larg nacionalizmave primitive e regresive?
Larmia e muzikës së zgjedhur ( J.S.Bach, A. Pärt, S. Mokranjac, H. Schutz, F. Poulenc, Gj.Kapedani ) e gërshetueme me interpretimet origjinale t’asaj që tingëllonte ‘ndryshe’, pasojë kjo e rrugëve të formimit historik t’artit, i dha një larmi ngjyrash e pasunoi artistikisht veprimtarinë.
Me organizue një aktivite të kësaj natyre, natyrisht se asht mund e sakrificë e madhe, por mbasi “kapet” suksesi, proporcionalisht me mundin asht edhe kënaqësia e krenaria legjitime.
Mija artëdashës shkodranë që mbushën Katedralen e Shën Shtjefnit, ishin dëshmitarë t’asaj force të madhe magjike që transmeton muzika. Artistat u vllaznuen, populli u lumtunue. Kanga e “Zojës së Shkodrës” e këndueme bashkarisht prej ansamblit artistik e spektatorëvet ishte urimi ma i bukur e ma kuptimplotë që përhapi veprimtaria ‘Peace on Earth’: “Me ndihmen e Zotit e të vllaznuem, kemi me ndertue bashkarisht Paqen.
Mbas koncertit, në mjedisin e ‘Fshatit të Paqës’, Karitasi Shkodër organizoi mbramjen e lamtumirës. Ishte një festë që nuk mund të harrohet jo vetëm për entuziazmin e demostruem, por mbi të tana për mesazhin që mori çdo pjesëmarrës. Artistat gjermanë, serbë dhe shqiptarë, protagonista të veprimtarisë, do të ktheheshin në shtëpitë e tyne me nji ndjejë krenarie për kontributin e dhanë në favor të Paqës, tue ruejtë në zemrën e tyne parimin human “Dashunia ndërton, urrejtja shkatërron.”
Jashtë repertorit artistik:
Prej organizatorve, patëm kuptue se nuk kishte qenë edhe aq e lehtë bashkëpunimi me nji kor prej Serbije. Shumë propozime për pjesëmarrje në projekt qe u ishin ba grupeve korale në Serbi. ishin refuzue prej tyne; Shkaku ishte se në projekt merrshin pjesë edhe shqiptarët… No coment! Vetem Kori ‘Sveti Stefan Deçanski’ që ishte kori i Kishës Ortodokse në Novisad, kishte pranue pjesëmarrjen në projekt mbas shumë ngurrimesh ,” falë vizionit përparimtar të Ipeshkvit Ortodoks të Novisadit”.
Mbasi patëm realizue fazen e parë të projektit në Berlin, organizatorët na njoftuen se kori serb që do të vinte për koncert në Shkodër, nuk e kishte në plan me fjetë atë natë në Shkodër , por mbas koncertit do të kthehej menjiherë për në Podgoricë. Arsyeja?! Se nuk ndiheshin të sigurtë në Shkodër… Ky qendrim na shqetësoi, u ndiem të fyem e menjiherë i dhamë përgjigje gjermanëve: ” Në qoftë se kori serb nuk pranon me fjetë në Shkodër, atëherë edha na nuk do të pranojmë me fjetë në Serbi”. Praktikisht kjo donte me thanë se projekti ndërpritet e nuk nuk do të vazhdonte ma, gja që organizatorët nuk e deshirojshin e nuk e pranojshin. Presioni i tyne i detyroi serbët me ndrrue mendje.
Faza e dytë e projektit parashikonte koncertin në Novisad, ku shkuem me qef e me kuriozitet. Sistemimi në hotel ishte shumë i mirë, qyteti i bukur, pjesa e vjeter kishte mjaft ngjajshmëni në arkitekturë me qendren e Shkodrës. Shetitëm lirisht, askush nuk na shqetësoi, partnerët serbë të korit nuk i takuem veçse në prova e në natën e koncertit që u zhvillue në Sinagogen e qytetit. Qytetarët e kishin mbushë plot e përplot sallen e madhe të Sinagogës, koncerti pati shumë sukses, por binte në sy mungesa e mediave televizive serbe dhe e autoriteteve të qytetit...Mbas koncertit, përfaqësuesi i korit serb na propozoi me ndejë së bashku në mjedisin e nji taverne në qendër të qytetit. Shkuem me dëshirë e zumë vend të grupuem përballë njeni tjetrit. Çdokush porosiste e paguente vetë! Kishte nji farë ftoftësije ndërmjet nesh e për me i dhanë pak gjallni mjedisit, filluem me këndue nji kangë angleze shumë të njoftun ndërkombëtarisht. Mbasi e mbaruem, menjiherë kori serb filloi me këndue nji kangë vajtimi e, prej shprehjes ” kukù majko “, kuptuem se ishte kanga e vajtimit të nanës serbe për djalin që shqiptarët ia kishin vra në Kosovë… No coment! Ftohtësisë së mjedisit iu shtue edhe heshtja! Nuk kishim se pse me ndejë ma, i thamë natën e mirë dhe dolëm.
Në Shkodër Kori Serb nuk erdhi i plotë. I mungojshim 6 persona. Prej organizatorëve gjerman kuptuem se ishin pasë qenë pengue prej familjeve të tyne që kishin frigë ” prej shqiptarve në Shkodër”, Si kundërpërgjigje të sjelljeve të masipërme patëm vendosë që në Shkodër, serbve ti tregojmë mikpritjen shqiptare, ” e mira fiton mbi te keqen”. Për ket u organizuem në grupe; i shetitëm në qytet, qendruem së bashku në Bar-Kafe e i ofruem çdo gja që ato dëshirojshin, edhe qytetarët shkodranë qenë shumë miqësorë me artistat serbë. Mbas drekës, pronari i Restorant ” Legjenda” ( pjestar i korit shkodran) i ftoi koristat serb për nji ” party” në mjedisin piktoresk të lokalit ku mbeten shumë të kënaqun. Suksesi i koncertit e qëndrimi miqësor që iu ofrue në Shkodër artistave gjermanë e serbë, u manifestue edhe në atmosferen entuziaste që shoqnoi darken e mbylljes së aktivitetit te “Fshati i Paqes” Të nesërmen i përcollëm deri në pikën e kufinit të Hanit të Hotit e i uruem rrugë të mbarë.
Mbas kthimit në Novisad, drejtuesja e korit serb na çoi nji leter falënderimi për pritjen miqësore e të veçantë që kishin gjetë në Shkodër, po kështu edhe Ambasada Serbe në Tiranë na përgëzoi për suksesin e veprimtarisët dhe na falenderoi për qendrimin miqësor që i ofruem koristave serbë.
“Ate çka nuk mujti me e ba diplomacia ma e sofistikueme bashkëkohore tue aktivizue mija vetë për periudha të gjata kohe e financime të mëdhaja e bani mrekullia e artit.”
Mbramja e mbylljes së aktivitetit ‘Peace on Earth’ në Shkodër datë 21.10.2008 e provoi plotësisht: “Qëndrimi primitiv nacionalist, pasojë e helmit ideologjik me të cilin edukohet brezi i ri në disa vende…, u dorëzue para miqësisë së vertetë që depërtoi në shpirtin pjesëmarrësve nëpërmjet muzikës.
Dashunija fitoi mbi urrejtje; muret nacionaliste ranë, muzika e bani mrekullinë e sajë…!”
F.G.( Pjesë e librit Dromca kujtimesh” i dërguem për botim)