NGA REXHEP DEDUSHAJ/ New York/
Kishte shumë kohë, qyshse nga Lufta në Kosovë, që kisha planifikuar ta zhvilloj një bisedë me njërin nga komandantët e Luftës legjendare të Koshares, kolonel Skënder H. Hasangjekaj, për të cilin kisha dëgjuar se ende i mbante dy plumba në trupin e tij që nga ajo luftë, e cila e theu kufirin e mallkuar Shqiptaro-Shqiptar! Rastësisht e takova në Istog, më 7 gusht të vitit 2013. E zhvilluam këtë bisedë;
– Çfarë ju shtyri të shkoni në shkollë ushtarake, a ju kujtohet?
– Baba ishte iniciatori i parë, jo vetëm për mua, por për të gjithë ne vëllezërit, që të shkollohemi në shkolla sa më kualitative: ” Të bëhemi njerëz me autoritet e jo të mbetemi të strukur si pulat tanë jetën”- thoshte (tani i ndjeri). Fjalët e tij ishin “amin” për mua.
Në vitin 1984, pas kryerjes së gjimnazit në Plavë, u rregjistrova në Akademinë Ushtarake. Në fillim më dërguan në Beograd e më vonë në Sarajevë – në kambësori.
Menjëherë më ra në sy diskriminimi që iu bëhej kadetëve shqiptarë :”Unë gjallë, ti s’do ta kryejsh këtë shkollë”!! më tha pas katër-pesë javësh komandant Rakocen, kurse unë iu përgjegja me hidhërim: “Po, po, do ta kryej”!!
Në Sarajevë, pasi e kreva Akademinë, më dërguan në Dellnicë – Kroaci në vitin 1988, me gradën nëntoger dhe më vonë më emëruan komandant i kompanisë.
Në vitin 1989 e vizitova Kosovën. E pava se nuk u përputhnin fare informatat që na i thonin ata me gjendjen reale në Prishtinë dhe filloi të më prishet mendja.
Meqë në Prishtinë u martova, oficerët e mi u trenuen pse unë s’isha martuar me ndonjë sllave. Më thonin: “A nuk gjete vend më të mirë për t’u martuar se sa nga vendi më irredentist në Jugosllavi- Podujeva?”
Kjo gjë ndikoi edhe më shumë në ftohjen time nga puna që kryeja në ushtri dhe vetëm prisja që t’i ruaj ata djemë shqiptarë që shërbenin aty. Pesëdhjetë përqind të ushtarëve i kishim Shqiptarë, meqë ishim “kazermë e dënuar” dhe i sillnin Shqiptarët (sit ë dyshimtë) që të vuanin sa më shumë. Ishim 8 eprorë shqiptarë: Unë, Rrustem Berisha, Florim Çelaj (i Strellcit), Afrim Bekaj (i Radishevës), Alush Myrtaj (i Istogut), Kujtim Zekaj (i Istogut), Naser Beqiri (i Gjilanit) dhe një Ferati i Ferizajt…
– Si ikët nga ai ferr? – ishte pyetja ime.
Kur filloi lufta në Kroaci mua më caktuan komandant të logjistikës në Otocar afër Gospiqit. Aty, në mars të vitit 1991, u desht ta sulmonim një njësi “paramilitare” kroate. Në Kryesinë e Jugosllavisë nuk u pajtuan për luftë në Kroaci.
Rrustem Berisha ishte larguar e unë në çdo dalje në qytet merrsha armë e ia çojsha atij te kroatët. Unë arrita një marrëveshje me ta që në momentin e rënjes së objektit në Dellnicë, një pjesë e armatimit t’iu jepet Shqiptarëve prezent. Kur u sulmua objekti nga kroatët, unë sëbashku me Afrim Bekajn i kishim larguar (shpëtuar) Shqiptarët. Kishim mbetur vetëm ne të dy me dy të tjerë. Shumica e atyre që ua mundësuam ikjen shkonin te Rrustem Berisha, gjegjësisht në njësitë kroate. Ra objekti. Erdhën kroatët. Vetëm një boshnjak nga Peja u rezistoi (!!) të tjerët dezertuan.
Kur u nisën për në Rieke vetëm unë e Afrimi mbetëm në kazermë, tani kroate. Në vitin 1991 mbetëm që ti stërvitim ushtarët shqiptarë për luftën në Kosovë. Kishin filluar veç presionet e kroatëve që ta nisim luftën në Kosovë. Skena politike atje ishte kundër luftës njëherë për njëherë… dhe u ktheva në shtëpi, në Martinaj e pastaj dola në Gjermani. Më 3 shtator 1998 udhëtova nëpër Shqipëri e dola në Koshare, duke e lënë punën, gruan edhe djalin në Gjermani…
Para se të nisesha nga Gjermania u takova me Zymer Lulaj që posa ishte kthyer nga Kosova. Ma dha telefonin e Rrustem Berishës, i cili më priti në aeroport dhe sëbashku shkuam në Ministrinë e Mbrojtjes në Tiranë.
Dualëm në Koshare ku u emërova Komandant i Batalionit të Parë. Prej datës 9 deri më 16 prill 1999 isha aty ku sot janë varrezat e dëshmorëve. Kishte sulme shumë të ashpra nga të dy anët. Sali Çeku kërkonte ndihmë prej Rrustem Berishës. Ai s’kishte ushtar të përgaditur për në front. Prandaj i shkova unë me njësitin tim në ndihmë Salihit, në Rrasë të Koshares. Kuptohet, me lejen e Rrustemit. M’u vra një ushtar pranë meje. Serbët e ndien zërin tim kur urdhërova: “Për sulm!” dhe aty një snajper i tyre më qëlloi në të dy këmbët e në krahrorin e majtë. Erdhi personeli mjekësor e më morën menjëherë.
Të shohim çfarë thonë dëshmitarët okular për këtë rast: “Luftimet nuk kanë të ndalur dhe papritmas nga largësia paraqiten disa luftëtarë të lodhur e të rraskapitur, të cilët bartnin një të plagosur. Ishin të goditur rëndë, sepse në barelë e kishin komandantin e tyre, Skënder Hasangjekaj, i cili ishte plagosur rëndë në Rrasë të Koshares.Menjëherë vepruan mjekët që ta ndihmojnë .U afruam edhe unë e komandant Rrustem Berisha. Skënderi dridhej nga të ftoftit. Ishte i tëri i lagur dhe i përgjakur. Fliste për ushtarët që i kishin mbetur në front, brengosej shumë për fatin e tyre dhe ecurinë e luftës. Ngushëllohej me faktin se atje ishte komandant Saliu “Veterani”, i cili do hakmerret edhe për plagët e tij, i urova shërim nga plagët Skëndes dhe fillova pregaditjen intensive për inkuadrim pikërisht në Rrasë të Koshares” – thotë Fadil Hadërgjonaj, komandant “BJESHKA” në intervistën dhënë Bahri Gashit në gazetën “Bota Sot” (11 prill 2013 f.8).
Në qytetin Bajram Curri – vazhdon Skënderi, ma dhanë ndihmën e parë e nga atje me helikopter më dërguan në Tiranë, në spitalin ushtarak e pas 12 ditësh në Mynhen të Gjermanisë…
Më 16 priil plagosem unë – vazhdon Hasangjekaj,e më 11 prill ishte vrarë “Katana” (Agim Ramadani), e menjëherë pas meje “Veterani” (Sali Çeku).
Në korrik të vitit 1999, u ktheva në Kosovë, në Junik. Punova si komandant në Brigadën 323, në Rahovec. M’u vështirësue gjendja shëndetësore dhe përsëri më dërguan për shërim në Gjermani,në operimin e dytë, ku ma hoqën edhe një plumb, por tjetrin nuk guxuan se është në mes të zemrës e palcës kurrizore, ku po më pengon së tepërmi.
I prisha dokumentat e Gjermanisë eu ktheva në Kosovë.
Pas një odiseiade nëpër Kosovë, duke kërkuar punë u sistemova në Istog me ndihmën e bashkëluftëtarit Milazim Maraj…